Kapiteni i Juventusit, Alesandro Del Piero, është takuar me presidentin bardhezi, andria Anjeli, me të cilin, sipas mediave italiane, është diskutuar për rinovimin e kontratës. Në takim nuk ka qenë i pranishëm drejtori Marota. Mësohet se palët po përpiqen që të gjejnë një zgjidhje sa më të shpejtë, duke qenë se kontrata e Del Pieros përfundon në fund të këtij sezoni. Mediat italiane bëjnë me dije se klubi i ofron Del Pieros një kontratë një vjeçare, nga e cila do të përfitojë 1.5 milionë euro. Por Del Piero mësohet se kërkon 3 milionë euro në vit. Detajet pritet që të vendosen në ditët në vijim. E qartë tashmë është vetëm një gjë: ekziston gatishmëria e të dyja palëve që të gjendet një akord dhe që Del Piero të vazhdojë të luajë edhe për një sezon tjetër me Juventusin.