Flamuri merr masa për seancën dëgjimore të Doktorit

31 Janar 2011, 21:18Antena TEMA

Seanca dëgjimore e Doktorit në Komisionin e Puçit e la pa gjumë Flamurin. Dje qysh në mëngjes mori në telefon Eduardin dhe pinë bashkë kafen e mëngjesit. Më 9 u futën në zyrën e Doktorit deri në orën 11 për të konsumuar gjithë pyetjet që do të bëheshin. Pastaj dolën të qetë. U ulën sërish në kafe dhe ndanë pyetjet për anëtarët e Komisionit. Eduardi dridhej nga emocionet, por Flamuri e qetësonte duke i dhënë zemër.

– E di ç’thotë populli për ty, i thoshte. Ti je Bedri Spahiu jonë. Që nga ’48-a kurrë nuk kemi pasë një prokuror të tillë.

– Po nuk jam prokuror më Flamur, Komision jemi.

– Prokuror, kryetar SHIK-u, gjithçka je. President është ai burri. Të tjerat i kam vetë.

– Bedri Spahiu ë? Po ka qenë burrë i mirë ky apo jo?

– S’e di, po burrë i mirë do ketë qenë. Ka pasë një këngë për të. Tradhtarët porsi miu/I dënon Bedri Spahiu… Për ty kanë me këndu… Dhe për puçistët më trimi/Doli Eduard Halimi.

Eduardi e mori veten dhe po i iknin emocionet. Seanca filloi. Ai burri erdhi hijerëndë, i përshëndeti me kokë dhe u ul në vendin e vet.

– Tani fillojmë mbledhjen, tha. Të dashur deputetë anëtarë të këtij Komisioni të nderuar, jam këtu për të denoncuar një nga puçet më të errëta të historisë së shtetit shqiptar që nga koha e Skënderbeut…

– Një ndërhyrje zoti kryeministër, i tha Eudardi. Kemi ndërmend ta nisim nga viti 1924, jo më parë.

– Ashtu, mirë nga viti 1924 po e nis. Dëgjo, në fillim unë do mbaj një rezyme dhe pastaj ju do bëni pyetje. Ka njeri kundërshtim?

– Jo, tha Halimi. Të gjithë dakord.

Doktori filloi. Shpjegoi në fillim situatën psikologjike dhe politike të armikut dhe kushtet të cilat e çuan atë në depresion për të thurur planin kobzi të grushtit të shtetit.

– Kishin tre muaj që përgatiteshin, tha. Gjatë muajve të verës një njësi e tyre ka mbledhur gjarpërinj helmues në Malin e Gjerë në Gjirokastër, i kanë vrarë dhe u kanë marrë helmin. Me atë helm kanë ngjyer majat e çadrave dhe thikat që mbanin në xhep. Në disa plagë policësh kemi gjetur gjurmë helmi që u përkasin gjarpërinjve të zonës së Gjirokastrës.

– Më falni, a mund ty pyes për diçka, tha Halimi.

– Patjetër, i tha Doktori.

– A mund ta dëshmoj këtë deputeti i Gjirokastrës, Genc Ruli?

– Patjetër që mund ta dëshmojë. Bile nga analizat që i është bërë helmit në çadra nga Artan Hoxha, një njeri i afërt i Genc Rulit rezulton se helmi dhe gjaku i Genc Rulit kanë të njëjtën rrezikshmëri.

– Qartë, tha Halimi, mund të vazhdoni.

– Dua tu them se elementi i dytë ishin lekët. Ata mblodhën 2 milionë euro zotërinj, por 1 milionë e 300 mijë prishën. Pjesën tjetër e vodhën mes tyre si çakej dhe paguan medien. E keni ndigju atë 700 mijë euro që përmend Ilir Meta në kasetë. E pra, janë lekët që çakejtë e medies kanë marrë.

– Mund të kemi ndonjë deklaratë nga media që të bëhet e besueshme, tha Halimi.

– Po, patjetër. Ja kam këtu mesazhe e Frangajt, që ka folë me Fevziun, i cili ka folë me një nga puçistët.

– Qartë, i tha Halimi, mund të vazhdoni.

– Elementi i tretë ishin puçistët në zyra, tha. Ina Rama, Bahri Shaqiri dhe Bamir Topi kanë bashkëpunuar ngushtë me njëri- tjetrin, nën urdhrat e Edi Ramës, për të vënë në jetë rrëzimin e qeverisë, d.m.th rrëzimin tim të nderuar deputet.

– Të të marrin të keqen, u hodh Enkelejdi.

– Elementi i katërt janë mediet e blera- mercenare, tha.. Ju keni kërkuar tabulatet e 4 prej çakejve, po ju siguroj se çakej të tjerë fshihen pas tyre. A e dini mo ç’kanë bërë ata ditën e pucit? Po ju s’e dini mor. Ata janë turpi i Shqipërisë. Ata kanë hyrë në godinën përballë meje të shikonin momentin kur unë do hyja në ambasadën serbe. Kishin hapë fjalë se kanë ardhë dajat e gruas sime nga Beogradi në ambasadë me na marrë. E kuptoni çfarë mashtrusash apo jo? Unë dërgova njerëz dhe ambasada serbe ishte e mbyllur qysh në mëngjes. Janë mashtruesa. Duhet të dënohen.

– Puçista të ndyrë, u dëgjua Dash Sula.

Tani kalojmë në pyetje tha Doktori.

– Kam unë pyetjen e parë, është formale, i tha Halimi. Mos na keqkupto po është formalitet.

– S’ka problem, bëje, i tha Doktori.

– Jo, e di që është pak siklet, por ky formalitet është. Na thuaj emrin, mbiemrin, ditëlindjen, atësinë dhe amësinë.

– Kam lindur më 1 korrik 1944, por ditëlindja ime është 15 tetor 1944 pasi baba e ndryshoi kur mësoi se shoku Enver e kishte më 16 tetor. Babi Ram, Nëna Sheqere, siç e kuptoni dhe nga ëmbëlsia e fjalëve të mija.

– Faleminderit, i tha Halimi. Ka njeri tjetër pyetje?

– Kisha unë një, tha Genti. Si e përjetuan në familjen tuaj këtë ngjarje të rënd të puçistëve? A u trondit teta Lili, a u mërzit Argita, a u shqetësua Shkëlzeni, mbesat…?

– Më vjen mirë që ma bën këtë pyetje. Kanë qëndru si burrat. I përshëndes nga këtu.

– Faleminderit, kaq kisha, tha Genti.

– Kam dhe unë një pyetje, tha Alibej. Si besimtar që jam, besoj se zoti na shpëtoi nga ky puç. A i je mirënjohës Allahut mëshirëplot për këtë mrekulli?

– I jam zoti Alibej, por i jam dhe mirënjohës dhe vetes që qëndrova në zyrë dhe nuk lejova që puçistët të triumfonin.

– Faleminderit Doktor, i tha.

– Kam dhe unë një pyetje, mos ma merr për ters, i tha Dashi. Dua të di, ku e gjeni gjithë këtë fuqi, për të na udhëhequr nga beteja në betejë.

– Dashi, ti e di që unë e du shumë detin dhe Plazhin e Gjeneralit. Shiko, Plazhi i Gjeneralit është një nga mrekullitë e natyrës sonë dhe ti e di sa respekt kam unë për të. Jo si plazh. Plazhin po deshe merre, por për gjeneralin. Gjeneralët nuk mposhten kurrë Dashi.

– Kam dhe unë një pyetje, tha Fatosi. Si ushtarak do të thosha doktor, a je krenar që ke zhdukur nga faqja e dheut tre armiq të Shqipërisë?

– Fatos, të them të drejtën nuk jam i kënaqur. I qetë do jem kur t’ia numëroj në lule të ballit Edvin Ramës. Jo, të jem i sinqertë me ty.

– Faleminderit Doktor.

– Kam dhe unë një pyetje, tha Viktori.

– Patjetër, fol, mos ki frikë, i tha Doktori.

– A besoni se me këto prova, grup-prova dhe fakte që kemi do të shpartallojmë puçin Gjinushi- Ruci- Rama, po sidomos kokën e pucit që duket se është Gjinushi.

– Patjetër, tha. Ai është koka e puçit dhe ti e di mirë sa i rrezikshëm është ai. Megjithëse e ke tëndin, ti je distancuar në kohë nga ai dhe të jam mirënjohës. Të sjell dhe të falat e tim biri që të është mirënjohës për atë firmë mbi faks. Tani ju përshëndes dhe vazhdoni punën. Mos harroni katër kolonat e puçit, përgatitja, financimi, institucionet dhe media. Ju përshëndes.

Halimi mori më në fund frymë lirshëm.

– Çfarë gjeniu, tha. Si ka mundësi të jesh krejt i painformuar siç ishim ne për pucin dhe me një orë bisede të dimë kaq shumë gjëra. Çfarë gjeniu…

8 komente në “Flamuri merr masa për seancën dëgjimore të Doktorit”

  1. MEMEDHETARI says:

    Edhe une jam i sigurte se Komisioni ka per te kapur koken e pucit…
    Pershendetje nga Athina…

  2. dino chicago says:

    Si do bejme ne te shkretet sikur te ik Sala nga politika???Eshte burimi numur nje per humorin grotesk!
    Ku do ta gjejme nje kenaqesi te tille si ky kur lexojme “Antena”te gazetes TEMA???ose kur na del Sala i ‘Portokallit”ose kur flet Sala ne kuvend,ose kur takohet Sala me popullin…..?

  3. huri says:

    Nga “TABLOJA SINOPTIKE MBI VEPRIMTARINE PUCISTE”,te grupeve te mirkoordinuara agjenturore,merret vesh ashiqare,qe te gjithe keta poliagjente,e kane me zotin Sali Ram Berisha,personalisht.Pas eliminimit te tij ne rruge puciste,nuk don mend fare ,qe vet Partia Demokratike do te bjere prej vetiu,sepse sot pas 20 vitesh “Kur themi PD nenkuptojme Saliu dhe kur themi Saliu,nenkuptojme PD”.Gjithe ushkuret anetare te larte te KD si dhe deputetet e listes se Sali Berishes,se bashku me familjen e ngushte,pushojne se egzistuari.Mbetet vetem nje kujtim i idhet popullor,se cfare te gjen kur beson qe cfare fluturon ,hahet..Prasi i perdorur dikur,ndaj nje horri kryetar i PD,rezultoi mjeti me efikas.Pika e dobet,”thembra e Akilit” e PD ,rezultoi pikerisht prasi….

  4. rrapi-i-treshit says:

    pucista

  5. rrapi-i-treshit says:

    hahaha cfare cope k……

  6. Ana says:

    Hahahaha, lum si ne per te zgjedhur dhe perfaqesues qe kemi, ajka dhe elita e shoqerise jane per Zotin. Si nuk ju vjen turp, burra mbi 40 vjec rrine si hunj dhe tutkuner duke degjuar perralla me kucedra dhe bajloza, pupupupu…..

  7. Nabukodonosor says:

    Ti Halim qe sdi kendim,je minister per arsim.Pika ne nga kush qeverisemi.
    Deri dje mendoja se ky llum ikte nga pushteti me protesta paqesore,por,me cfare shoh arma me e vogel duhet te jete raketa.

  8. gerti79 says:

    tamam
    ajo ishte shfaqje me kukulla

Comments are closed.

Lini një Përgjigje