Sandri ngatërron tabulatet e Bushatit në Komision

3 Shkurt 2011, 21:06Antena TEMA

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje. Në datën 2 të çdo muaji, Vodafone sjell faturën e telefonit për gjithë abonentët. Kolegu ynë Andi Bushati, e ka telefonin ende si pjesë të kompanisë Klan dhe fatura e detajuar shkon në TV Klan. Në kulmin e debatit nëse duhen dorëzuar apo jo tablatet, Sandri kujtohet që tabulatet e Bushatit ishin në TV Klan dhe i bën telefon financës.

– Merr pak tabulatet e atij legenit, i tha, dhe çoja pak Alibeajt në Kuvend.

– Të kujt, i tha e trembur financierja.

– Hë mo të atij që bën si analist i madh bashkë me tre të tjerët, se i kërkon Doktori tabulatet.

Financierja u mendua u mendua dhe filloi të shikojë listën.

–   Kush bën si analist i madh tha me vete? Fevziu. Hoqi tabulatet e Fevziut. Po tre të tjerë kush mund të jenë tha? Bejtja, Bushati… dhe hajt po fut dhe Sandrin, tha mos i ngelet qejfi. I mori të katër tabulatet, i futi në një zarf dhe i çoi në Kuvend.

I doli para Alibeaj.

– Ç’e ke këtë, i tha.

– Janë katër fatura telefonike të atyre që keni kërkuar për 21 janarin, tha. M’i dha Sandri t’ua jepja ju.

Alibeaj ia rrëmbeu nga dora dhe hyri në zyrë gjithë qejf.

Shikonte numrin e parë. 0692023999. Për fat të keq sipër nuk kishte emër. I kujt mund të jetë ky, tha. U hodhi nj sy telefonave. Gjeti diku telefonin e Edi Ramës. Ah, ky duhet të jetë i Sokol Ballës, tha. Filloi ta shikojë me vëmendje. Doktori e kishte porositë të shikonte telefonatat e datës 11 janar, me kë kishte biseduar ditën që transmetoi videon e Metës. E pa me vëmendje. U trondit. Dilte që kish folur 14 herë gjatë ditës me Doktorin. S’u besonte syve. Pa më tej, po ashtu. Një herë në tre ditë nga një sms me Edi Ramën. Pastaj me numra pa fund nga ata me kartë, sidomos pas mesnatës.

–   Qenka legen, tha me vete. Paska dashnore se këto numrat me kartë janë femra. Folka dhe pas mesnate. Hë, hë, ndaj paska pas frikë.

Por ideja që ai fliste me Doktorin e tronditi.

Filloi të shikojë të dytin. Ai ishte i Bushatit. I përputhej numri me atë që kishte në komision. Ishte tmerr. Kishte 200 thirrje pa përgjigje. Vetëm dhjetë për qind e thirrjeve kishin përgjigje. Pastaj sms me Agim Neshon. Pastaj sms pas mesnate. Dhe ky me numra me kartë, jo me kontratë.

–   Hajt mo se ky beqar është, tha me vete.

Pa mos kishte telefonata me Doktorin nuk kishte. U qetësua. Pa me Edi Ramën, nuk kishte. U qetësua. Shumica e SMS ishte me Zhejin dhe Canin. E hodhi dhe këtë.

E treta. Kjo duhet të ishte e Filipit. Kishte shumë sms me gazetarë të Topit, të Vizionit dhe ABC Neës. Kishte dhe me disa deputetë të PD-së. Me një deputete të PD-së kishte disa herë shkëmbime mesazhesh. Pastaj roaming me Kanadanë. Këtu Alibej u hutua. Punë dreqi me këtë Filipin, tha. Për të humbur gjurmët paska ikur deri në Kanada. Kishte dhe thirrje të dështuara me Berishën. Nuk ja kishte hapur.

–   Plehra, tha me vete. Ka dashur të implikojë dhe Doktorin, i ka bërë telefon.

Erdhi e fundit.

– Kjo është e atij pisit, tha. Mero Baze. Ja ta shikoj.

Nuk u besonte syve. 0692023105. 60 thirrje në ditë me Sali Berishën. Deri në 2 pas mesnate. U tmerrua. Disa thirrje të dështuara me Edi Ramën. Nuk i kishte hapë telefonin. Dy thirrje të dështuara me Paulin Sterkajn. As ai nuk ia kishte hapur. 350 thirrje me Arben Imamin gjithë janarin. Biseda pa fund me Zamirin, Gimen, dhe Fullanin. S’u besonte syve. Thirrje me Sokol Olldashin, Astrit Patozin, Majlinda Bregun…tmerr. I ranë tabulatet nga duart. Nuk u besonte syve.

– Paska qenë lojë e gjitha, tha. E mori dhe një herë në duar. Po shikonte 21 janarin. Orarin e vrasjeve. Doktori paska qenë duke folë në telefon me të, tmerr. E pabesueshme. U turbullua. Ju mblodh një lëmsh në bark dhe shkoi në banjë.  Halimi i shkoi nga pas.

– Çfarë ke, tha. Na e thuaj çfarë ke. Erdhën tabulatet. I pe? Janë interesante? Kanë dashnore? Kë kanë? Më jep një numër të bëjmë pak gallatë?

– Të lutem mos i prek për Allahun që është atje lart. Le se qenka lojë e madhe, s’jemi për këtë lojë ne…

– Çfarë thua, i tha Halimi, më trego. Më thuaj të vërtetën. Më thuaj çfarë pe, i përgjërohej Halimi.

– Jemi në kurth vëlla. Jemi në kurth, nuk ta them dot. Vetëm për një gjë jam i sigurt. Nuk duhet të kërkojmë tabulatet. Ka folë me atë, ka folë me ATË.

– Me kë mo burrë na e thuaj dhe ne se na terrorizove?

– Ka fol me ATË, me ATË dhe bënte me dorë lart nga qielli.

– Me kë ka folë, mblidhe veten, i tha Halimi.

– Orarin e vrasjeve ka folë më ATË. Doktori nuk ka faj. Nuk ka vrarë. Ka folë ai me Doktorin atë kohë…

– Çfarë thua se na luajte mendsh, i tha Halimi.

– Kam një propozim urgjent, tha Alibeaj që e kishte marr ndërkohë pak veten. I propozoi Komisionit të tërhiqet nga tabulatet e gazetarëve. Ishte një gabim, duhet ta pranojmë. Ne s’kemi pse përgjojmë me kë flasin ata.

Komisioni shtangu. Fatosi e pa në sy me inat.

– Ore, çfarë thua ti, i tha. Ata kanë dhënë urdhër për vrasje.

– Jo, jo, kanë folë me ATË, kanë fol me ATË… Mos i prekni. Ja i kam unë, i solli Sandri. Mos i prekni, kanë fol me atë.

Komisioni u hutua i gjithi. Ngritën dorën dhe miratuan tërheqjen nga kërkesa për tablatet e gazetarëve.

Dolën jashtë të çliruar. Ndërkohë tek dera e Kuvendit mbërrin Sandri i xhindosur.

– Ça keni bërë mo k…, tha, se keni marrë tabulatet e mia, të Fevziut dhe Bejtes dhe i keni ngatërruar me të Meros, Filipit dhe Ballës. Ju jeni k…, s’jeni deputetë. Se mos i lexuat…

– Jo, jo, tha Alibeaj i tmerruar… D.m.th ky paska folë me atë kur ka vrarë, tha me vete dhe u përplas me derën e Kuvendit.

8 komente në “Sandri ngatërron tabulatet e Bushatit në Komision”

  1. 1970 says:

    C’fare mendje perverse?

    1. Gramozi says:

      —PERVERS je ti….qete vete mendja tek kjo fjale me nje artikull humoristik…..

  2. Frederik says:

    Shkrimi ka nje sarkazem te larte dhe sjell shume humor – faleminderit per kenaqesine qe na sillni.

  3. Dino USA says:

    Shkrimi nuk ka vetem sarkazmen,por ka dhe realitetin!

  4. devolliu says:

    Mero; mos vdeksh kurrë. Këta kërriçët e Salës na shkulën së qeshuri, po këpusim oshkurrë.

  5. huri says:

    Shabani sharron me sharre:Sh-sh-sh-sh-aaa-rrrrr- Baze ua pret drute shume-shkurt…(ose ne sportin e boksit kesaj i thone:Goditje e thate),..pafff…

  6. jacob says:

    Ska me Te degjeneruar se shoku sander.

  7. AlboGentiVlora says:

    E imagjinoj Alibeajn dyll te verdhe ne fytyre me duart qe i dridhen.
    Halimi si kryespurdhjak qe eshte nuk mund te vendosi por kerkon mendime dhe idera nga te gjithe.
    Si tja bejme valle??
    Cfare lolosh..

Comments are closed.

Lini një Përgjigje