Juventusi gjatë sezonit që vjen ka ndërmend që të shpenëzojë 80 milionë euro në merkato, në mënyrë që të rikthehet në majat e futbollit italian dhe atij botëror. Kjo shumë pritet që të shpenzohet për tre lojtarë, një mbrojtës krahu i djathtë, një mesfushor ofensiv dhe një sulmues. Për mbrojtësin e djathtë, objektivi kryesor është mbrojtësi i Ajaksit, Van Der Vil, mesfushor sulmues synohet që të merret talenti argjentinas i Palermos, Havier Pastore dhe sulmues, Bojan Kërkiç i Barcelonës. Por, drejtuesit e Juventusit kanë edhe një plan rezervë, nëse këta tre lojtarë nuk vijnë. Alternativat e tyre janë Zhirkov, Hazard dhe Kun Aguero. Dy janë emrat kryesorë për të cilët drejtuesit e Juventusit do të luftojnë fort: Pastore dhe Aguero. Nga këta, duke parë çmimin e tyre të lartë, do të blihet vetëm njëri. Objektivi kryesor duket se është pikërisht Pastore, por presidenti i Palermos, Zamparini, kërkon 50 milionë euro për kartonin e argjentinasit, një shumë e lartë, që drejtuesit e Juventusit vështirë se do ta shpenzonin. Megjithatë, kjo shumë mund të ulet, duke përfshirë edhe disa lojtarë të tjerë në tratativë. Dy emrat më të përfolur që mund t’i ofrohen Palermos janë mesfushori Sebastian Xhiovinko dhe sulmuesi Amauri, të cilët janë dhënë borxh që të dy tek Parma. Me gjithë këta emra, vera pritet që të jetë goxha e nxehtë për drejtuesit e Juventusit, të cilët, pas dështimeve të shumta gjatë viteve të fundit, kanë detyrën e vështirë që ta rikthejnë “Zonjën e Vjetër” në majë.