Prokuroria: Nuk kemi nxjerrë sekrete hetimore. Dosja Meta doli pasi shkoi në Kuvend

12 Shkurt 2011, 14:34Politika TEMA

Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar pas sulmeve të dy ditëve të fundit nga ana e mazhorancës. Në një deklaratë për shtyp, prokuroria është shprehur se nuk ka nxjerrë asnjë secret hetimor për 21 janarin. Sipas prokurorisë, sekretet e hetimit të 21 janarit i dinë edhe institucionet e policisë dhe mjekësisë ligjore dhe të dhënat mund të kenë dalë andej.

Ndërkohë, në lidhje me akuzat për publikimin e kërkesës për heqjen e imunitetit për Ilir Metën dhe Dritan Priftin, prokuroria ka thënë se nuk është ajo përgjegjëse, por Kuvendi, që duhet ta menaxhonte si duhet këtë rast. Megjithatë, prokuroria bën me dije se publikimi i kërkesës për heqjen e imunitetit të Metës dhe Priftit, nuk është një shkelje e ligjit.

Më poshtë deklaratë e plotë e prokurorisë:

“Nisur nga komentet mbi të dhënat e publikuara në media, pavarësisht vërtetësisë apo deformimit të tyre, si dhe nga verifikimet e kryera nga ana jonë referuar këtyre rasteve, është konstatuar se këto të dhëna mbi të cilat është mbështetur media, janë marrë në ato raste kur gjatë procesit hetimor kanë qenë të përfshirë edhe institucione të tjera, siç janë policia e shtetit, ekspertë të kriminalistikës apo të mjekësisë ligjore.

Në asnjë rast, kur të dhënat e hetimit kanë qenë të administruar nga Prokurorët dhe oficerët gjyqësorë të çështjes, nuk ka ndodhur që të ketë pasur rrjedhje informacioni mbi procesin hetimor.

Prokuroria Shqiptare ka ndjekur me përkushtim dhe profesionalizëm detyrat e saj për të hetuar në mënyrë të plotë, të gjithëanshme dhe objektive për të gjitha rrethanat dhe pistat e hetimit si për ngjarjet e 21 janarit ashtu edhe çështje të tjera që lidhen me punën e saj të përditshme.

Përsa i përket publikimit të kërkesës së bërë nga institucioni i Prokurorisë ndaj Kuvendit të Shqipërisë për autorizimin për procedim ndaj dy deputetëve, Ilir Meta dhe Dritan Prifti, sqarojmë se pavarësisht se nuk janë akte që mbrohen nga sekreti hetimor, është vlerësuar nga ana jonë se informimi i publikut me këtë këtë fakt, mund të menaxhohej nga ana e Kuvendit të Shqipërisë. Për këtë arsye, korrespondenca është konsideruar sekret, dhe nuk është vlerësuar që të përcillej mediatikisht nga institucioni i Prokurorisë. Dokumentet e kësaj çështjeje si dhe ekspertiza filmike ndodhen prej kohësh në dispozicion të Prokurorisë dhe në asnjë rast nuk kanë dalë në media informacion mbi to.

Rasti i publikimit për autorizimin për procedim ndaj dy deputetëve, ka ndodhur pa autorizmin e Prokurisë dhe pikërisht pasi kërkesa e protokolluar nga ana jonë, është dorëzuar në datën 11.02.2011 në Kuvendin e Shqipërisë”.

Për këtë, Prokuroria kërkon nga ana e institucioneve të tjera të përfshira në proces hetimi, të përmbushin detyrimin e tyre ligjore për ruajtjen e sekretit hetimor”.

Lini një Përgjigje