Një drejtues i lartë i Realit, i cili nuk është identifikuar, ka përgënjeshtruar për francezen “L’Equipe”, zërat për një interesim të mundshëm për mesfushorin spanjoll të arsenalit, Çesk Fabregas. Ai ka mohuar që Reali të ketë bërë një ofertë prej 60 milionë eurosh për të marrë Fabregas, duke përfshirë në marrëveshje edhe sulmuesin francez, Karim Benzema. “Në asnjë moment nuk i kemi bërë ndonjë ofertë Arsenalit. Dua t’ju siguroj që as Fabregas nuk do të vijë tek Reali dhe as Benzema nuk do të largohet”, ka deklaruar drejtuesi i Realit. Ndërkohë, mediat italiane kanë folur për një tjetër interesim të klubit spanjoll. Bëhet fjalë për mbrojtësin e Juventusit, Xhiorxhio Kielini, për të cilin u fol edhe gjatë merkatos së verës së shkuar. Megjithatë, zor se ky i fundit do të pranonte të largohej nga bardhezinjtë, duke parë lidhjen e tij të fortë me klubin dhe tifozët. Megjithatë, nëse Juventusi nuk kualifikohet në Ligën e Kampioneve, ndoshta do të mendohej një herë.