“Ajo që po ndodh në Shqipëri është së pari një krizë sociale”

17 Shkurt 2011, 10:43Politika TEMA
“Ajo që po ndodh në Shqipëri është së pari

Të rinj shqiptarë në protestën masive të 28 janarit

Nga Ennio Grassi

*Sociolog, ish-parlamentar në Dhomën e Deputetëve në Itali, këshilltar diplomatik në Tiranë, këshilltar shkencor në ministrinë e Arsimit dhe atë të Punëve të Jashtme të Italisë. Titulli është redaksional. Titull në origjinal “Etërit e Shqipërisë”

Ajo që po ndodh në Shqipëri është së pari një krizë sociale, para asaj politike. Por me një ndryshim shumë të madh nga ajo e viteve 90’. Është lindur një gjeneratë e re, vajza dhe djem të rinj, jo ish dhe post komunistë. Të rinj të rritur me shkëmbimin e përditshëm të ideve dhe pasioneve me të gjithë të rinjtë e tjerë në çdo vend të botës. Dhe atyre u duhet besuar.

U deshën tre të vrarë, në pamje të parë të pakuptueshme, por të pajustifikueshme dhe ekzekutimi i tyre i çmendur, që bëri xhiron e botës, që komuniteti ndërkombëtar të kthehej të merret me disa shqetësime të Shqipërisë dhe me shëndetin e demokracisë së saj të re.

Një valë dhunë dhe zemërimi nuk ishte pritur madje as nga vëzhguesit e akredituar dhe agjencitë ndërkombëtare që i kanë zyrat me bazë të përhershme, me ekspertët e tyre, në zemër të Tiranës.

Por si ishte e mundur? Të largosh krahët dhe të thërrasësh për justifikim pikërisht se ishte një gjest ballkanik, antropologjikisht në kaos, është e papranueshme. “Osservatorio Balcani e Caucaso” kishte sinjalizuar në kohë- dhe fatkeqësisht nuk është dëgjuar-shenjat e një krize sociale, më shumë se ato ekonomike (të fshehur madje prapa një ekonomie agresive dhe me parametra pozitive).

Krizë që, në një vend si Shqipëria, mund të jetë fare e lehtë të monitorohet edhe duke vëzhguar numrin e të rinjve të larguar drejt vendeve të tjera, fenomen që duket se nuk do të ketë kurrë fund. Ose duke vëzhguar zhgënjimin e atyre, që pas trazirave të vitit 1997, vendosën që të qëndrojnë pikërisht në vendin e tyre, duke investuar në një fillim të ri: duke u mbështetur këtë herë, në një komunitet ndërkombëtar më pak të hutuar dhe më të vendosur për t’i vendosur kushte institucioneve të shtetit dhe klasës politike shqiptare.

U bën thirrje, si dje, ashtu edhe sot, për vendosjen e ligjit, si brenda, ashtu dhe jashtë aparatit shtetëror, ndarjen e pushtetit, për ndërhyrje strukturale për përmirësimin e sistemit arsimor në përputhje me agjencitë evropiane dhe kështu me radhë.

Por nga këto kushte (dhe aplikimi i tyre) për çështje fondamentale për një demokraci moderne, nuk ka asnjë gjurmë nga partnerët kombëtarë dhe ndërkombëtarë të Shqipërisë.

Një shembull mes të tjerëve, madje më i bujshmi, të heshtjes së komunitetit ndërkombëtar përballë disa patologjive makroskopike në sistemin e Shqipërisë, ka të bëjë me universitetet shtetërore, të cilat tashmë janë në kolaps. Trembëdhjetë universitetet shtetërore ekzistuese në Shqipëri tashmë kanë mbetur pa financim. Vendin e tyre tashmë e kanë zënë universitetet private, plot 37 të tilla: shumë prej tyre, kuptohet, me një sponsor politiko-ekonomik në dhomat e ministrive dhe qeverisë shqiptare. Universitete private, që me shumë besim presin certifikimin (pa përfshirjen e institucioneve evropiane kompetente) për të hyrë me titull të plotë në Europën akademike.

Se cila është “arsyeja sociale” e vërtetë e këtyre universiteteve të pasura private nuk mund t’i shpëtojë madje as edhe një vëzhguesi jo shumë të vëmendshëm.

Kemi folur më sipër për një  kontrast paradoksal të një krize sociale, e cila është edhe krizë morale, dhe të dhënat e ekonomisë, të cilat në aparencë duken pozitive. Por shohim nga afër se për çfarë bëhet fjalë: të dhënat për frymë janë dyfishuar brenda pesë vjetësh, GDP rritet çdo vit me 2 përqind (deri pak vite më parë, rritja ishte 5-6 përqind), dërgesat e emigrantëve, edhe pse kanë pësuar rënie të madhe, vazhdojnë të jenë të rëndësishme. Citova për komoditet dhe besueshmërinë e burimit, shkrimin e parafundit të Gigi Riva tek “Espresso”.

Sigurisht, nuk janë të dhëna që në fillimet e viteve ‘90 të shekullit të shkuar kishin bërë të ulëritej për një mrekulli shqiptare, për një “Zvicër të Ballkanit”. Por sot, ashtu si atëherë, bëhet fjalë për tregues që e fshehin goxha të vërtetën mbi përmbajtjen e ekonomisë së vendit të shqiponjave.

Nëse origjina e djeshme e “mrekullisë” ekonomike shqiptare ishte sistemi i paligjshëm i i skemave piramidale financiare, që të gjithë e dinin, brenda dhe jashtë Shqipërisë (BE, NATO, vendet partnere etj), sot është një tjetër lloji shteti, e përkthyer në këto terma: i dashur qytetar, mos i kërko asgjë shtetit dhe shteti nuk do të bezdisë për disa gjëra që nuk janë të ligjshme, për mirëqenien ekonomike.

Fakti është se pas kësaj laissez-faire, në Shqipëri askush nuk i referohet Adam Smithit e aq më pak John Maynard Keynes, por më tepër idesë së një shoqërie pa etikë dhe një shteti pa të drejta. Pas këtyre të dhënave, GDP-së çuditërisht ende të lartë, mund të shihet një krizë më e thellë, madje edhe ekonomike, e sistemit në Shqipëri.

Megjithatë, ekziston një dallim thelbësor me vitin 1997, që shton arsyet e shpresës. Ndërkohë- dhe këtu interpretimi im ndryshon nga ajo “antropologjike” e shumë vëzhguesve të huaj- ka lindur një gjeneratë e re, me djem dhe vajza të reja, të edukuar, as ish dhe as post komunistë, të rritur me shkëmbimin e përditshëm të ideve dhe pasioneve më të rinjtë e tjerë të të gjithë botës, frekuentues të një sheshi të madh, ku fjalët ligjshmëri, ndershmëri, solidaritet, janë tashmë monedha të përbashkëta.

Tek këta të rinj duhet besuar. Do të bënte mirë BE- i vetmi institucion ndërkombëtar, sipas mendimit tonë, të gjendje t’i imponohet një klase të pabindur politike për të kaluar në demokraci- të pranojë pasionin dhe inteligjencën e këtyre të rinjve dhe t’i shtyjë (duke i mbrojtur) të jenë jo vetëm bij të kohës dhe historisë së tyre, por, përgjegjshmërisht, madje edhe etërit.

3 komente në ““Ajo që po ndodh në Shqipëri është së pari një krizë sociale””

  1. fule says:

    Duket interesant. Botojeni

  2. sociologu says:

    troppo vero! Shqiptaret kane pergjegjesi per menyren sesi pasurohen! ”’rritja”’ ekonomike qe bazohet ne shkemimin e lire te vlerave njerezore e ka kthyer Shqiperine ne nje shoqeri pa identitet. Si rrjedhim, edhe pasojat e krizes se tanishme nuk merren seriozisht nga asnje demokraci e zhvilluar. Fatkeqesisht, populli duhet t’i beje thirrje vetvetes per ta stopuar kete korrupsion qe po shndrrohet ne gen gjenetik, sa me shpejt te jete e mundur!!!

    Berisha e Meta ‘sjane vecse shembelltyra te radhes, e fatkeqesisht per ta e per Shqiperine personaliteti i individit eshte pika kryesore e kesaj krize moralo-sociale, duke filluar nga KREU I KUVENDIT deri te pasuesit me te pafajshem te tyre!

    Nuk shoh asnje zgjidhje pozitive per keto 4-5 vitet qe vijne! Shpresoj se mund te gabohem, po ngjarjet e Bahrenit jane mese te qarta se vendet e vogla mund te nenshtrohen me kollaj…

Comments are closed.

Lini një Përgjigje