Flamuri kërkon anti- komunistin në PD

26 Shkurt 2011, 19:38Antena TEMA

Flamuri dje kaloi një ditë mjaft të sikletshme. Që në mëngjes herët telefonoi ai Burri dhe i dha porositë e ditës. Madje në kohën që ra telefoni, Flamuri qe duke kryer nevojat personale, po i mposhti me heroizëm vetëm e vetëm që t’i qëndronte gatitu atij burrit.

–   Dëgjo Flamur, ai zotëria, jo, po se ta them unë ty, dëgjo, ta dëgjosh mirë. Ai zotëria kujton se është i pari i vendit, por ne s’e lejojmë. Jo, po ta dijë, ta dijë mirë. Ai zotëria, ai shoku i asaj shoqes së bulevardit ka ba ca dekorime dje. Pa dijeninë tonë natyrisht. Ka dekoru ata viktimat e Ambasadës Sovjetike. D.m.th që është ai i pari, jo po ta them unë ty, se s’e lejoj, jo pse i ka dekoru, jo, absolutisht jo, po se i ka dekoru i pari. Të parët jemi ne dhe ai, edhe ajo shoqja e bulevardit, duhet ta dine këtë, duhet t’ju japim një mësim të mirë.

Flamuri ndjehej i trullosur ca prej gazrave që mezi i mbante, ca prej gazrave që po i buronin përtej telefonit.

–   Dëgjo Flamur se ç’kanë një aktivitet ata të Institutit të Rehabilitimit të Viktimave të komunizmit sot. Duhet me marrë masa që të dërgojmë dikë për t’i përshëndetë që të mos ja lëmë iniciativën atij shokut të shoqes se bulevardit. Se dëgjo ti, jo po ta them unë, çfarë po thoja… Hajt mirupafshim.

Më në fund Flamuri i dha të drejtë vetes të çlirohet në të gjitha drejtimet. Po kjo punë nuk mbaronte me kaq. Kërkoi e vrau mendjen deri aty nga mesdita se ku dreqin qe ky Instituti që kërkonte ai burri. Sekretarja që u mor me sqarimin e çështjes i raportoi se ky institut ka vetëm një ligj të miratuar në parlament gati 1 vit më parë, po nga puna nuk ka filluar se nuk ka as zyra, as administratë, as lek për rroga, as buxhet, me një fjalë është një institut virtual.

Flamuri ja raportoi aty nga mesdita këtë gjë atij Burrit.

–   Doktor, po ky instituti s’qenka prej vërteti se ne s’i kemi dhënë as zyra, as fonde, s’i kemi bërë as VKM, si do funksionoje, as…

–   Dëgjo këtu ore zotëri, edhe ligjin që ua bëra, e bëra se ishte detyrim i Europës pa s’ua kisha ba fare. Pse, dhe zyra do t’ju japim, edhe fonde. Po pastaj ata bëhen vërtet institucion lustracioni dhe ne s’na duhet një i tillë, s’kemi nevojë. S’kanë zyra, le të punojnë në shtëpi, le t’i mbajnë dokumentet në sirtarë, në çantë siç bëjnë të gjithë. Pse, s’di unë si duhet bërë. Po ti dërgoje atë që të thashë unë t’i përshëndesë se na duhet ne për zgjedhjet t’i heqim për hunde. Unë s’ju kam dhënë akoma lekët e burgut, do t’ju jap zyra. Hajt mirupafshim.

Për një orë Flamuri e mori prapë në telefon.

–   Doktor, them t’ju dërgoj këtë Rajmonda Bulkun. Femër simpatike, pastaj dhe artiste që luan filma me lufte, mbase ju zbutet zemra këtyre të burgosurve politikë.

–   Jo Flamur, nuk ban. Nuk ban. Zgjidh një tjetër. E di ti mor zotëri që vjehrra e saj ka qenë kryetare gjykate dhe i ka dënuar vetë shumë nga ata? E di ti mor zotëri që vjehrri Josif Pashko i ka pushkatuar vetë pa gjyq shumë prej etërve të tyre? Po e di ti mor zotëri që edhe familjarët e Rajmondës vetë kanë qenë kuadro të Sigurimit dhe ua kanë nxirë jetën shumë prej tyre? Jo Flamur, nuk ban, gjej dikë tjetër.

Pas një ore Flamuri prapë në telefon.

–   Doktor, sikur të dërgoja këtë Genc Rulin? Më duket si i gojës dhe …

–   Në asnjë mënyrë Flamur, na i marrin si provokim. Po babai i tij ka qenë mik i ngushtë i Kadri Hazbiut, megjithëse ka qenë burrë i mirë, Kadriu e dërgonte gjithnjë me shërbime nëpër rrethe, ashtu i shkoi jeta. Po jo, nuk ban as ky.

–   Po sikur të dërgoja këtë Arben Imamin?

–   Në asnjë mënyrë Flamur. Halla e Arben Imamit mbahet mend në Vlorë që dilte në krye të çdo gjyqi nga ato që i quanin popullore, dhe bërtiste “vetëm kriminelët në litar” dhe “kriminelët porsi miu, i dënon Bedri Spahiu”.

–   Po sikur t’ju dërgoj këtë Sokol Olldashin, bëhet gjë se ky flet për të gjitha, që nga ngrohja globale deri tek vrima e ozonit, s’e ka problem të bëjë si kompetent.

–   Jo Flamur. Do t’ju kujtosh atyre ditëzinjve Dashnor Mamaqin, gjyshin anëtar të byrosë politike. Duket si tallje Flamur, humbasim vota. Tani ky Olldashi është i cekët, s’di asgjë me themel, po flet për gjithçka dhe bën si kompetent për të gjitha, por …jo, jo, nuk ban.

–   Doktor, po sikur të shkoja vetë t’ju them dy fjalë…?

–   Në asnjë mënyrë Flamur. Ata kanë qenë të gjithë intelektualë të vërtetë të shkollum në Perëndim, s’mund të shkosh t’i përshëndesësh ti se e marrin vërtet për tallje dhe provokim. Ja dërguan këtë hajvan prej Hasi për të na sajdisur. Jo Flamur, në asnjë mënyrë.

–   Po ç’të të them unë Doktor, ne i paskemi gjithë bijtë e komunistëve më të rrezikshëm në qeveri….

–   Dëgjo Flamur. Mirë e pate, dërgo Rajmondën se ajo na prish me pak punë. Ne më të afërt me ta se ajo, nuk gjejmë dot.

–   Dëgjo dhe për atë punën e selisë, e di që nuk kanë, po i kam lënë vetë ashtu rrugëve se ashtu ma dinë më shumë vlerën e më vijnë pas. Po lidhu me atë xhaxhanë e burrit të Jozefinës e pyete ku e bëjnë aktivitetin se atë ju kam vënë në krye. Jo or zotëri se nuk me ikin dot mua nga kontrolli të përndjekurit. Ta harrojë ai puçisti i presidencës.

1 komente në “Flamuri kërkon anti- komunistin në PD”

  1. rrapi-i-treshit says:

    HHAHAHAHAHA
    po vjehri i RAJMONDES nuk ka denuar dhe aq shume
    nja 200-300 veta

Comments are closed.

Lini një Përgjigje