Rreth romanit “Parajsa e Injorancës” të Artur Llanës

1 Mars 2011, 15:50Lifestyle TEMA
Rreth romanit “Parajsa e Injorancës” të Artur Llanës

Absurdi dhe rrënjët gjenetike të tij në përditshmërinë e jetës shoqërore

Nga Vladimir Muça

Ky është romani i parë shkruar mbas viteve 90, i cili nën frymën e një satire e grotesku të përqasur me realitetin shoqëror na shfaq në plazmën e kohës në të cilën po kalojmë tërë produktin e zhvillimeve politiko-shoqërore. Absurdi në këtë roman si një përbindësh në një habitet të mutacionit politiko-shoqëror na ndjek nga kapitulli në kapitull me pangopësin e tij, duke shpërfytyruar ndjenja dhe karaktere, duke i veshur ato me handikapë e ndjesi nga më perverset. Tashmë, mbas 20 vitesh stanjacion , me një vakum aktualiteti mbarsur me shqetësimet e kohës na përshfaqet enklova romaneske me erë letrare, romani “Parajsa e Injorancës”. Në këtë roman, autori me bagazhin e fituar nga jeta meditative, i është shmangur qëndrimeve formaliste që vihen re në disa romane të kohëve të fundit. Duke marrë bruto nga jeta e popullit me të cilën bashkëjeton, autori e ka veshur romanin me nota grotesku e satire të gërshetuara, por njëkohësisht ndodhitë i vesh me rrobën e besueshmërisë të pakundërshtueshme duke na dhënë ide dhe qëllime për shoqërinë nga e cila ata burojnë. Duke gjetur adeguatin artistik tek zhargonizmat përditore e duke shprehur me to problemet e mprehta shoqërore, duke i bërë biopsinë psikologjike pa barrierat e dikurshme ideologjike. Tek ky trajtim gjendet edhe çelësi I fshetësisë cilësore që përfshin të gjithë kapitujt e romanit. Në këtë roman del qartazi qëllimi i autorit , i cili nuk ka për qëllim të zbavisë lexuesin me gjetjet e tija, ta bëjë atë të qeshë e të kalojë një pjesë të kohës në argëtim me vetveten, me batuta të letshme apo fraza deri deri të rëndomta. Jo, ai shpalos mbi të gjitha ide e qëllime madhore. Ai zbulon plagët, llumin e klasës politike në shoqërinë e sotme, si dhe probleme të rëndësishme sociale. Ai jo vetëm zbulon diagnostikën, por mbi të gjitha demaskon me forcën e satirës degjenerimin moralo-politik e shoqëror të kësaj klase, si vazhdimësi vegjetative e një kohe të shkuar. Parimi I vazhdmësisë është e gjithë performance e kohës që na përcjell romani. Romani i Artur Llanës “Parajsa e Injorancës” na shfaqet me një ndërtim sa tradicional aq edhe original, me prurjet e tij nga jeta e bollshme gazetareske e autorit, mbarsur nga “Hasheku” i famshëm  çek, po aq nga “Shkëlqimi e rënia e shokut Zylo” Dritorian. Nëpërmjet zhargonizmave, një grotesku e satire tepër të thekur, Arturi e mbars romanin me bagazhin popullor, me dialogjet e fabulat e zgjuara bodeciane e proverba të mprehta si maja e një thike. Kjo begati therëse satire-groteske konfirmon komplecitetin e botës shpirtërore të personazheve, portretin e tyre shumë planësh psikologjik dhe etiko-moral. Pikërisht mbi këto principe lindi dhe u rrit edhe krijimtaria e Nolit, Migjenit, Spiro Çomorës, Dionis Bubanit, Qamil Buxhelit. Romani “Parajsa e Injorancës” të rrëmben me materialin e pasur jetësor. Lexuesi jeton me galerinë e personazheve duke polemizuar me to duke marrë “zjarr” shpirtërisht nga forca e vërtetësisë. Aq e vërtetë është kjo sa që kur mbaron një kapitull tenton t’i rikthehesh nga fiksasioni për t’i ngulitur më mirë dialogjet e monologjet në laboratorin e trurit. Libri është i ngjeshur me veprim, ka densitet rrëfimi, i cili vjen nga njohja që në qelizë e jetës së tyre nga autori, shoqëruar kjo nga një ngarkesë e thekur meditative. Realizmi lakuriq e faktik, marrja bruto nga kafeneja, oborri apo shtëpia e një fshatari, vishet me atmosferën e jetës duke marrë peshë nga rrjedha interesante e të rrëfyerit. Makthet e fushatës që vijnë me mbrapshtira të jetës sociale çlirohen nga situatat dramatike e komike njëherësh me një gjuhë popullore e të mbarsur, veçori e cilësi të talentit të autorit, i cili e ka studiuar e marrë si tabu postulatin e Heminguejit, se gjëja e parë dhe e rëndësishme është të shkruash një prozë të sinqertë njerëzore, duke i dhënë lexuesit ato që nuk di e nuk i sheh dhe jo ato që ai i merr me mend.  Në tërësi episodet, narrativja e romanit nuk na përqaset si pjellë e fantazisë së autorit, por gjithçka jepet si  një tabllo reale e jetës së sotme, e jetës së këtyre producentëve të “elitës” politikës shqiptare. Edhe në ato dialogje e episode ku grotesku dhe satira i tejkalon përmasat e veta, siç ndodh me Curr Paleshin, Budën, Vathin, Maxhunin, pronarin e televizionit privat kun a paraqitet sheshazi baza reale mbi të cilën autori ka mbështetur rrëfimin në lojën me ligjet social-shoqërore e veçanërisht me institucionin kaq shumë të përfolur të zgjedhjeve. Autori ka ditur të kapërcejë  me një përballje të tillë duke manovruar me ligjin e absurdin, duke e fshikulluar atë. Autori kësisoj na shfaqet ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë të satirës. Groteskun e satirën ai nuk e përdor si një mjet zbavitës e argëtues pa kuptim e qëllim të mirëfilltë në vetvete. Ai ato i ngarkon me emulsionin e qëllimin e ideve të qarta. Autori godet e fshikullon, tall e satirizon shumë nga këto dukuri të një politike të “re” ushqyer nga rrënjë të vjetra, siç janë mashtrimi, rryshfeti, dallaveret, lakmia për pushtet, servilizmi. Edhe në botimet të përparme të një zhanri tjetërlloj, autori shquhet për material jetësor. Kjo nuk është e vetmja dukuri e tija. Në kapitujt e këtij romani si rrallë më parë ndihet më i fortë sensi i komunikimit  ndjesor që arrin shkrimtari me lexuesin, vërehet përpjekja tashmë e ardhur nga majaja e jetës së autorit  si gazetar e publicist, për t’u futur në skutat më të thella të botës shpirtërore të personazheve për të individualizuar ato, për të vizatuar me origjinalitet mjediset ku gjallojmë. Kjo falë zhveshjes së autorit nga një rrobë autoçensure. Romani “Parajsa e Injorancës” në vetvete është një bashkësi kronologjike tufëzash me ndodhira në jetën politiko-shoqërore në ditët tona. Parë në një këndvështrim filozofik të jetës , aty ndjehet përpjekja e autorit për të pasqyruar psikologjinë e bashkëkohësve në shtresat e ndryshme shoqërore, nën trysninë e një prizmi narkotik duke përmbledh ato motive që shtyjnë në qëndrime të reja morale. Me një alegori zjarrmëtare, ushqyer nga ekstrakti i urtësisë popullore, autori qëllimin që i ka vënë vetes e ka arritur gjatë të gjithë faqeve të romanit. Ai ka ditur të ngrejë në fakte artistike, faktet jetësore siç janë “pjelloria” e kandidatëve të partive sa në një krah në tjetrin me një mjedis aq shumë kontradiktor. Në roman me një tipizëm përfaqësues, aspak të kulluar në këto vite tranzicioni, rekurset përfaqësuese të një politike të zvetënuar mbarsen sipas një kodi politik marramendës. Në roman na paraqitet qartazi mish-mashi politik, sidomos suporti ekonomik i llumit të shoqërisë në nivelet e politikës. Kjo e bën narracionin një prozë social-publike të sheqerosur me nota humori, me absurditete e paradokse të tejskajshme. Ky absurd e perversitet na vjen nga aty ku është rrënja gjenetike në përditshmërinë e jetës shoqërore, tek embrioni bazë i shoqërisë, tek familja, tek bërthama e zhvillimit shoqëror, aty në ato rrënjë ku nis trungëzimin ky absurd, i cili si një ind patogjen lëshon degë e gjethe në gjithë trupin e shoqërisë së sotme, që po mundohemi të ndërtojmë. Ky absurd në vetvete është brenda nesh diku i qetë e diku i gatshëm  të marrë revanshin siç merr jetët në nyjet linfatike kanceri i gjakut.  Autori na kujton një thënie të Julius Fiuçikut “popull vigjiloni ndër veten tuaj”. Katarsesi shoqëror duhet të filloj nga vetvetja, aty ku ka ngritur folezën absurdi i unit tonë. Në konceptin frojdian qartazi në roman na shpaloset forca e unit në zhvillimin shoqëror. Në roman koha reale na kthehet në kohë artistike kur shohim se si absurdi është ulur këmbëkryq në çdo nivel të jetës politiko-shoqërore. Kjo i jep romanit tonin filozofik duke e larguar subjektin nga rëndomësia. I jep modernitet e ngjeshje e cila vjen rrjedhshëm nga qëmtimi e nga rrëfimi. Autori ndjek linjën trego e mendo. Curr Paleshi nuk ka kohë të humbë në interpretime e as të meditojë, ai është i drejtëpërdrejtë. Rrëfimin e tij e përbëjnë zbulime plazmuese, kinematike duke u bërë zedhënës i meditimeve të nomeklaturës e zërit më të mbrapshtë të kohës. Vëzhgimet e tij janë të vërteta në lakuriqësinë e tyre e në perceptimin e gjithsecilit kemi të drejtën tonë të gjykojmë e të shohim në këtë plazëm ato që ndodhin mes nesh, vërtitur në shtjellën e një absurdi helmues. Autori këtë e ka realizuar nëpërmjet individualitetit krijues që janë: Përdorimi i pasthirrmës “re” që është një nga gjetjet më interesante e konçize për të përforcuar thellësinë e mendimit e të veprimit në asonancë me ideale të ndryshme si dhe futja në mënyrë indikative e kontraversit si mjet potencial artistik që është një nga veçoritë më dalluese të romanit, ku me doza të thekura shvejkiane, monologu dhe dialogu në të kundërtat e qëllimit e të mendimit. Më shumë këto i gjejmë të spikatura në faqet 202, 229. Ky kontravers kulminacionin e vet e shfaq në mitingun e fshatit sin ë dialogjet me mitingashët, si dhe me fjalimin përmbytës të Currit ku shpaloset një vërtetësi absolute në planin e një grotesku sinjifikativ. Në këtë kontekst si një shprehi mbarsur me forcën e një figuracioni artistik gjatë gjithë kapitujve të romanit,  përqaset sepse romani është i mbarsur me përvoja meditative. Në mendjet tona na formëzohen personazhet jetësor që i ndeshim nga dita në ditë ngerthyer në jetën e politikën e shoqërisë shqiptare, ku retrospektiva vishet me rrobën simbol të trashëgimisë. Si kulminacion krahasimi bëhet me një metaforë symbol ku një bukë grerëzash i ngjan një luledielli ku zogjtë kanë ngrënë farëzat. Në roman të tërheq vëmendjen herë pas here përdorimi i gjerë i fjalës prefiks “ka thënë anglezi”. Ajo na përqaset si një gjetje tejet sinjifikative, e cila shfaqet me barrën e një nënshtrese kuptimore, të gjithçkaje që duhet të shprehet në idealin tregimtar. Nëpër kapitujt e romanit, në ndodhirat tregimtare , në alternimet e ndryshme social-shoqërore, është nervi sanço-pançovist që i jep jetë. Ky nerv ndjehet kudo me praninë e tij, nxjerr kryet si thumbi i një grerëze duke thumbuar e duke ngjyer herë në mënyrë të zbehtë e herë me ngjyra të ndezura donkishoteske si me një vetëdije krejtësisht të përhumbur në botën që e rrethon. Dritat e të ardhmes shfaqen të mugët e dyshuese. Personazhet na shfaqen si personazhe-aktorë duke marrë ca penelata të lehta me ngjyra të bryzta. Në përzgjedhjen e frymëzimin e personazheve, ky roman rrezaton një veçanti.  Autori ka parapëlqyer që të vendosë në qendër një personazh kryesor, rreth të cilit ka endur tërë skeleton e veprës. Curr Paleshi është jo vetëm heroi kryesor, fryma organizative, por dhe shtylla qendrore e gjithë ngrehinës ku lidhen e bashkohen në një të tërë të gjithë elementët përbërës të subjektit narrativ. Curri nga ndodhia në ndodhi me nderet e një kandidati për kryetar komune bëhet epiqendra e gjithçkaje. Rrotull tij si garniture vendosen të grupuar, shtresëzuar në largësi të ndryshme, duke lëvizur në orbita individuale gjithë personazhet e tjerë. Pesha dhe vëndi i gjithësecilit paracaktohet nga marrëdhëniet që ata vendosin me Curr Paleshin duke u sjellë si deduktorë indikativ, duke u vënë në funksion me botën e tyre groteske krahas karaktereve halucionante të personazhit kryesor,  Currit. Kjo nuk do të thotë që ata mbeten plotësisht në hije. Përkundrazi, autori ka ditur të japë figura tepër interesante si Budja, Lam Kaptima, Vathi, Hikmeti, Maxhuri, i deleguari nga larg të cilët mbartin karaktere me një reliev të dukshëm realizuar disi në veçanti. Si një bashkësi këto personazhe prototipe formojnë rreth Curr Paleshit një korracë me dritëhijet ku rrezet shigjetohen si maja e një bodeci për të bërë më të kapshëm e më të plotësuar portretin e prototipit kryesor në komplecitetin e vet. Nën refleksionet e mia, me të drejtën time këtë roman mund ta rradhis pa frikë në kolonën e romanit të sotëm si një planet në galaktikën e satirës e të groteskut shvejkian veshur me një kostum aq të bukur shqiptar. Ky roman në vetvete është apoteoza e rrugëve dhe rrënjëve të politikës shqiptare e cila e ka futur në qerthullin e saj jo vetëm vetveten, por çdo gjë në administratën politiko-shtetërore. E gjithë kjo ka ardhur dhe nga një veçori tjetër dalluese e këtij romani, nga si vëllezërit e një zhanri të tillë. Kjo konsiston në stilin e dukshëm publicistik. Autori nuk mbështetet në butaforinë e kllounitetin e personazheve të veçantë. Në kapitujt e romanit, grotesku në suazën e Hashekut të madh, vjen vetiu nëpërmjet situatave komike pa sforco. Shembull tipik janë dialogjet e monologjet e Budes, kontraversat e Curr Paleshit në faqet 228,229, dialogu në kapitullin 26 ndërmjet Maxhurit, Currit dhe sekretares. Të folurit mëe nënkuptime, krijimi i situatave sanço-pançoje si gjuetia e skiles, apo ato shvejkiane në mitingun e kandidimit, duke stigmatizuar thellë këto bufonë e njëkohësisht producent politik, u jep ngjarjeve në roman forcën shprehëse, duke nxjerr në plan të parë qëllimin dhe idenë. Bagazhi i bollshëm i kulturës, meditative të autorit ndjehet kudo gjatë rrëfimeve, ndaj ky roman më ngjan si tjetërlloj. Ai sjell personazhet dhe ndodhitë si një “portokalli” e politikës shqiptare, të pa arrira ku drita e diellit të demokracisë akoma s’ka pjekur me rrezet e saj, flladi akoma s’I ka rrahur, ndaj ky bum portokallie rrezaton verdhëri të papjekur. Ky roman me ngarkesën ideore, me qëllimin e mirëfilltë që mbart qëndron denjësisht në kolonën e këtij zhanri si një planet disi i veçantë në galaktikën e satirës shqiptare duke feksur një rrezatim nga vendet ku autorit i ka shkelur këmba. Si konkluzion romani “Parajsa e Injorancës” i prezantuar në dy module, si mbartës i një publicistike me ngjarje e ndodhira të përjetuara nga vetë autori dhe moduli i dytë ai i një romani grotesk me një satirë mbartur nga zhargoni i pasur përditor që ka hasur në punën e tij, por që autori e ka përpunuar e futur në kapitujt e romanit me funksione të plota ideore e qëllimore. Me këtë roman, kolonës së romanit grotesk iu shtua dhe një produkt i ri letrar sa shvejkian aq edhe shqiptar, i cili do të zerë denjësisht vend në bibliotekat e lexuesve.

Lini një Përgjigje