Shqetësim i madh nga OKB edhe për rritjen e numrit të personave në vendin tonë që abuzojnë me narkotikët
Bordi Ndërkombëtar për Kontrollin e Narkotikëve, një strukturë e Kombeve të Bashkuara, ka publikuar sot raportin vjetor për trafikun e lëndëve narkotike. Mediat e huaja thonë se raporti është shokues pasi flet për rritje të numrit të përdoruesve të drogës, shtim të prodhimit të saj, mbi të gjitha të drogave vdekjeprurëse. Në raport, në pjesën për Shqipërinë thuhet se qeveria nuk ka mjetet e duhura për të luftuar këtë trafik. Po ashtu agjencitë përgjegjëse për luftën ndaj këtyre drogave nuk koordinohen në punën e tyre. Në raport theksohet se lufta ndaj drogës po pengohet kryesisht nga korrupsioni në mbarë botën. Një problem shqetësues për Shqipërinë, thuhet në raport, është mungesa e informacionit në lidhje me numrin e përdoruesve të drogës në vend.
Shqipëria përmendet në raport si një nga vendet kryesore të prodhimit të kanabisit që konsumohet në Europë. Shqipëria përmende si një vend ku është rritur abuzimi me lëndë të tilla si opiumi. Në raport thuhet se shumica dërrmuese e heroinës që vjen në Europë, mbërrin nga Afganistani përmes Rrugës së Ballkanit, ose nga Shqipëria, ose nga Serbia. Por ajo që është shqetësuese në raport është se aty thuhet se Shqipëria, përveç se njihet si një vend për trafikun e heroinës e kanabisit, tani është kthyer në një qendër për ruajtjen e më pas trafikimin e kokainës, e cila vjen nga Amerika Latine. Në Shqipëri, thotë raporti, ka laboratorë për përpunimin e kësaj droge. Po ashtu në raport thuhet se është rritur ndjeshëm edhe abuzimi i shqiptarëve me kokainë.