Dita e grave në vend që t’i gjente gratë shqiptare më të bashkuara se kurrë rreth kauzës së tyre, kërkesës për më shumë të drejta e barazi në familje, në punë e në shoqëri, i ka gjetur më të politizuara se kurrë. Gratë socialiste kishin zgjedhur të protestonin, që për hir të së vërtetës është një gjest që i shkon më shumë kësaj dite, ndërsa gratë demokrate kishin zgjedhur të festonin duke vazhduar kësisoj traditën e kahershme të mënyrës se si konceptohej 8 marsi në Shqipëri. Koncepti komunist për ditën e gruas ishte ai i një feste për të treguar se gratë në Shqipërinë komuniste ishin të lumtura, gëzonin barazi e pasuri, nuk dhunoheshin nga burrat, as nga punëdhënësit dhe as nga pushteti. E në të vërtetë ishte krejt e kundërta. Kur shihja dje dhjetëra gra që brohorisnin në pallatin e kongreseve, madje për ta bërë më festive situatën mbanin secila dhe lule mimoze në duar, besoj të shpërndara posaçërisht në hyrje të sallës, mendova për nënën time e për të gjitha nënat shqiptare, që i është dashur të bëjë këtë gjë për dhjetëra vite komunizëm, duke bërë një kompromis të pashoq me ndërgjegjen e tyre, në ditën dedikuar luftës për të drejtat e grave, pranonin se ishin të lumtura, se i gëzonin të gjitha të drejtat. Kur në shoqëritë demokratike më të zhvilluara në botë më 8 mars protestohet sepse ka gjithmonë vend për të protestuar e për të kërkuar më tepër, sepse e vërteta është se edhe në vendet më të zhvilluara gruaja nuk i gëzon të gjitha të drejtat e barabarta me burrat. Ajo nuk paguhet sa një burrë dhe pse mund të bëjë të njëjtën punë si ai, ajo detyrohet të ndërpresë karrierën apo shkollimin për të rritur fëmijët, kur një burrë nuk e shtron kurrë si alternativë të jetës së tij këtë. Për të mos folur për statistikat e dhunës në familje, ku besoj se ne shqiptarët mbajmë vend të parë në Evropë e mund të krahasohemi vetëm me disa vende të Lindjes së Mesme, ku gratë dhunohen për nder, vriten për nder, madje dhe shiten e blihen, mbahen kyçur në shtëpi, bëjnë punët më të rënda, madje në disa raste jetojnë në poligami.
Përshtypja që mu krijua kur dëgjoja fjalimin e kryeministrit, që ishte një fjalim kumtues për gruan duke e ngritur atë piedestal, ishte se me atë fjalim dhe duke i mbledhur aty në atë sallë për të brohoritur pikërisht më 8 mars, kryeministri kishte dhunuar të drejtën e këtyre grave në ditën e tyre të reflektimit, në ditën e protestës, apo dhe të festës nëse do donin kështu. Një shfrytëzim elektoral. Një shfrytëzim elektoral mund të ishte pa dyshim dhe protesta e grave socialiste nga lideri i opozitës, i cili të paktën nuk kishte zgjedhur të ishte i pranishëm, por të paktën ishte një protestë. Ajo që gratë kanë nevojë të shohin më 8 mars është protesta, futja e kulturës së protestës për të drejtat e tyre. Që dhe në Shqipëri më në fund pas 20 vitesh tranzicioni të pafund, gratë shqiptare të kuptojnë se kjo ditë nuk është dita kur ato presin me padurim një lule nga burri apo fëmijët, nuk është dita kur duhet të vishen të bëhen të bukura dhe të hanë ndonjë drekë jashtë, duke rënë pre e entuziazmi pa kuptim, por është dita kur duhet të thonë stop dhunës, stop pabarazisë, duke nisur nga familja e tyre. 8 marsi duhet të jetë i grave dhe vetëm i grave, as i politikanëve që mundohen të bëhen më shumë karizmatik duke u thurur lavde gruas, ndërkohë që nuk zbatojnë as ligjin për të përfshirë minimalisht 30 për qind në listat e kandidatëve në zgjedhje e aq më pak i brohoritjeve e festimeve që fyejnë gjakun e sakrificën e atyre grave që bënë të ndryshonte historia me kauzën e tyre, për hir të së cilës është shënuar në kalendarin e gjithë popujve të qytetëruar, 8 marsi.