Situatës i bëjnë dëm intelektualët servilë

8 Mars 2011, 14:33Politika TEMA

Nga Rexhep QOSJA

Përkufizimi i popullizmit

Është profesor universiteti; dhe shkencëtar. Është ulur karshi gazetares, dikur spikere, kurse tani edhe spikere edhe gazetare.

E ka mbushur mirë karrigen.

Flet gjithnjë duke qeshur.

Dhe, ashtu, i shkrirë në gas, thotë, pa e pyetur gazetarja, se i do shumë e i lexon shpesh, Konicën dhe Fishtën. Vetëm ata të dy, nuk përmend tjetërkënd -as Naimin, as Nolin, as Lasgushin, as Migjenin! Nuk ka dyshim se Konicën e Fishtën nuk i lexon pse janë të mëdhenj (ç’është e vërteta i dyti shkrimtar i madh, kurse i pari mesatar), por pse, ia merr mendja atij, profesorit dhe shkencëtarit tonë, është e leverdishme të thotë se i do shumë dhe i lexon shpesh!

Shihet: është i lumtur.

Sikur të ma falte vetëm një pjesë të vogël të asaj lumturie, ndoshta, do të pajtohesha me shumë çka shoh e dëgjoj sot në jetën tonë, sidomos, në jetën tonë politike. Por, kështu siç jam, pa atë lumturinë e tij, nuk po mund të pajtohem me gjithë çka shoh e dëgjoj, sado mospajtimi më sjell shumë goditje, fyerje, denoncime, gënjeshtra me të cilat bëhen përpjekje të më kyçet goja! Kot. Jam mësuar t’i duroj. Dhe, t’i dëshiroj, sepse e di se sa më tepër të më sulmojnë sot aq më shumë do të jem i çmuar e i dashur nesër, prej brezave të ardhshëm. Pse jo? Do të kuptojnë se për ta, për brezat e ardhshëm, bëj betejat kundër gënjeshtrave, mashtrimeve, padrejtësive, korrupsionit, dhunës e dhunëtarëve. Dëshiroj që ata, brezat e ardhshëm, të mos jetojnë me gënjeshtra, e ndër gënjeshtra, mashtrime, padrejtësi, korrupsion, dhunë si ne, sot dhe deri sot.

Intelektuali, profesori, shkencëtari, që është ulur karshi gazetares, i shkrirë në gas, flet për demonstratat në përgjithësi, kurse për demonstratat e 21 janarit në veçanti.

Nuk mund ta di a e kanë thirrur të flasë apo është paraqitur vullnetarisht që të flasë për to.

Prej të gjitha atyre që thotë në bashkëbisedim me gazetaren, e cila njëkohësisht është edhe spikere, në mendje më nguliten dy tema: popullizmi dhe politizimi, në të vërtetë përkufizimet që u bën ai popullizmit dhe politizmit.

Të them pa u vonuar: edhe popullizmin, edhe politizimin i shpjegon dhe i përkufizon jo siç është e vërteta, jo siç mendon, ndoshta, edhe vetë, por siç i përgjigjet pushtetit, atyre për hir të të cilëve merr pjesë në emision!

Ndihmona, Zot!

Popullizmi, thotë, natyrisht i buzëqeshur, të çon në rrugë të gabuar!

Dhe, si shembull me të cilin do të donte ta bënte të bindshëm këtë përkufizim, i merr pikërisht demonstratat e 21 janarit, për dënimin e të cilave është ftuar apo është paraqitur vullnetarisht që të flasë në televizion.

Meqenëse në demonstratat, në protestat, në grevat është i përmbajtur popullizmi; dhe, meqenëse demonstratat, protestat, grevat janë shprehje e popullizmit, atëherë për të dy këto arsye demonstratat, protestat, grevat janë një e keqe politike dhe shoqërore, që do të duhej të mos ndodhë!

Çka të them për përkufizimin që intelektuali ynë, profesori ynë, që dëgjoj, i bën popullizmit?

Nuk besoj se ai, intelektuali ynë, shkencëtari ynë, që shikoj dhe dëgjoj në televizion sot, nuk e di se demonstratat, protestat, grevat, në përgjithësi, prandaj edhe protesta e ndodhur e 21 janarit, janë institucione të rëndësishme të demokracisë, të pranuara si të tilla, si demokratike, në kushtetutat e të gjitha vendeve demokratike.

Nuk besoj se intelektuali ynë, shkencëtari ynë, që shikoj dhe dëgjoj sot në televizion, nuk e di dhe nuk e sheh se në shumë vende në kontinentin evropian dhe në kontinente të tjera shumë shpesh bëhen demonstrata, protesta, greve, të cilat, në të shumtën e herave, e përmirësojnë gjendjen e atyre që çohen në demonstrata, në protesta, që hyjnë në greva.

Nuk besoj se intelektuali ynë, shkencëtari ynë, që shikoj dhe dëgjoj sot në televizion, nuk e di se në sajë të demonstratave, protestave, grevave janë zgjidhur dhe vazhdojnë të zgjidhen çështje për hir të të cilave edhe bëhen ato demonstrata, protesta, greva.

Nuk besoj se intelektuali ynë, shkencëtari ynë, që shikoj dhe dëgjoj sot në televizion, nuk e di se me demonstrata, protesta, greva shumëherë dhe shumëkund i është kontribuar dhe vazhdon t’i kontribuohet shumë demokracisë: zhvillimit, ngritjes, përshtrirjes së saj. Nuk besoj se intelektuali ynë, shkencëtari ynë, që shikoj dhe dëgjoj sot në televizion nuk e di se edhe çështje të mëdha kombëtare janë ngritur , janë ndërkombëtarizuar dhe, më në fund, janë zgjidhur, duke sjellë pavarësinë e disa kombeve, në sajë të demonstratave, protestave dhe grevave.

Pse, atëherë, i dënon ai demonstratat?

Intelektuali ynë dhe shkencëtari ynë, që shikoj dhe dëgjoj sot në televizion, i dënon demonstratat, protestat dhe grevat, sepse , duke i dënuar ato, do që t’i urojë ata që demonstruesit, protestuesit dhe grevistët i heshtin apo edhe i lajnë në gjak! Si më 21 janar!

Përkufizimi i politizimit

E thash se përpos për popullizmin, intelektuali ynë, shkencëtari ynë, që shikoj e dëgjoj në televizion sot, flet edhe për politizimin, në të vërtetë bën një përkufizim të politizimit, ashtu siç e bëri edhe përkufizimin e popullizmit.

Dhe, thotë shkurt: politizim ka në shtresat e ulta. Pikërisht kështu: politizim ka jo në shtresat e larta po në shtresat e ulta. Domethënë: politizimi është një e keqe që karakterizon vetëm shtresat e ulta! E shtresë e ultë, dihet, janë fshatarët, punëtorët, zanatlinjtë, nëpunësit e vegjël, në përgjithësi të pangriturit! Skamnorët! Sigurt do të thotë, me buzëqeshtje edhe tani, se si të pangritur që janë, si skamnorë që janë ata edhe shfrytëzohen për demonstrata, për popullizëm, prej njerëzve të ndryshëm të politikës, që janë kundër atyre që ai, intelektuali ynë, shkencëtari ynë uron: që të jenë gjithmonë në pushtet! Qoftë dhe kur vrasin demonstrues siç vranë më 21 janar.

Duke folur për politizimin prej të cilit vuajnë vetëm “shtresat e ulta”, intelektuali ynë, shkencëtari ynë, që shikoj dhe dëgjoj sot në televizion, shton: ne jemi Evropë! Domethënë: pikërisht pse “jemi Evropë” as në shtresat tona të ulta nuk guxon të ketë politizim siç s’paska në Evropë!

Prej shpjegimeve të këtilla që jep intelektuali ynë, shkencëtari ynë, që shikoj dhe dëgjoj sot në televizion, rrjedh përfundimi: në Evropë nuk ka politizim të “shtresave të ulta”, sepse politizimi, në këtë mes politika, është privilegj vetëm i shtresave të larta: i shtresave të larta sikundër është ky intelektuali ynë, shkencëtari ynë, që shikoj dhe dëgjoj në televizion sot dhe siç janë ata të cilëve ai do t’u servilizojë sa më barkazi me këto shpjegime të tij jo vetëm kundërdemokratike, por edhe fyese ndaj “shtresave të ulta”, ndaj fshatarëve, punëtorëve, zanatlinjve, nëpunësve të vegjël, ndaj prindërve të shumë pjesëtarëve të “shtresave të larta”, madje, ndaj prindërve të shumë pushtetarëve të cilëve ai u serviloset aq barkazi!

Pse intelektuali ynë, shkencëtari ynë, që shikoj e dëgjoj në televizion sot, e shvlerëson aq shumë politizimin? Pse intelektuali ynë, shkencëtari ynë, që shikoj dhe dëgjoj në televizion sot, ua merr të drejtën “shtresave të ulta” që të mendojnë politikisht, që të kenë bindjet e tyre politike, që t’i shprehin edhe me demonstrata, protesta dhe greva përkatësitë dhe dëshirat e tyre politike?

Pse, vërtet, pse?

Pse intelektuali ynë, shkencëtari ynë, që shikoj e dëgjoj në televizion sot, çohet kundër të drejtës demokratike të qytetarëve për t’u çuar në demonstrata, në protesta, në greva, duke i quajtur këto prodhuese të popullizmit: të popullizmit që, thotë ai, të çon në rrugë të gabuar?

Ka vetëm një përgjigje të sigurt në këto dy pyetje: sepse është servil; sepse do që t’i servilizojë pushtetit të përtashëm në përgjithësi, kurse ndonjë pushtetari të përtashëm në veçanti; sepse është mësuar që me servilizëm ndaj pushtetit në përgjithësi, kurse ndaj ndonjë pushtetari në veçanti, të përfitojë, t’i shtojë leverditë, që mund t’i ketë të ndryshme. Ato e bëjnë të lumtur. Dhe, le ta bëjnë. Sot si dje!

Duke e dëgjuar intelektualin tonë, shkencëtarin tonë, që shikoj dhe dëgjoj në televizion sot, se çka flet për demonstratat, për popullizmin dhe për politizimin e “shtresave të ulta”, aq shumë të nënçmuara prej tij, mendja më kthehet në Kosovën e kohës së komunizmit dhe në demonstratat, protestat, grevat e shpeshta që bëheshin kundër regjimit serb. Edhe atëherë disa intelektualë, shkencëtarë, shkrimtarë e krijues të tjerë pa kërkesë apo, me kërkesë të komitetit të LKK-së, ngriheshin kundër popullizmit, që nuk ishte nocion shpesh i përdorur e, në mënyrë të veçantë, kundër politizimit. Jo njëherë i kam dëgjuar disa prej tyre duke thënë se nuk duhet të politizohen njerëzit, nuk duhet të politizohet populli; dhe, nuk duhet të politizohen njerëzit, nuk duhet të politizohet populli, sepse ka kush merret me politikë, janë të merituarit e politikës, udhëheqjet politike që merren me politikë! Çka do të bëhej po të merreshin të gjithë me politikë? Nuk do të kishte kush të punonte: as në fabrika, as në ara e livadhe, as në arsim, as në shëndetësi!

Pse këta intelektualë – shkencëtarë, shkrimtarë e krijues të tjerë ngriheshin kundër të ashtuquajturit politizim? Pse thoshin se nuk pajtohen që të gjithë të fusin hundën në politikë? Pse thoshin se ka kush merret me politikë edhe për ta, në vend të tyre?

Ka vetëm një përgjigje të sigurt: sepse ishin intelektualë servilë dhe donin t’i servilizonin pushtetit komunist. Ishte koha kur shqiptarët, më së shumti studentët, punëtorët, fshatarët, kur e kur edhe nxënës të shkollave të mesme, bënin demonstrata, protesta, greva kundër politikës së shtypjes e të dhunës së pushtetit serb e me të edhe të pushtetit jugosllav ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Nuk është e nevojshme të flitet tani se sa i madh, se sa vendimtar ishte roli i këtyre demonstratave, protestave, grevave për ardhmërinë e Kosovës, për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës. Është e padyshimtë se pa to Kosova nuk do të ishte çka është sot: Kosovë e lirë, e pavarur dhe gati sovrane. Dhe, nuk do të ishte çka është sot, sepse pa to nuk do të krijohej as Ushtria Çlirimatre e Kosovës, që e çliroi Kosovën.

Sasia sjell cilësinë

Të ngrihesh kundër demonstratave, protestave, grevave siç ka ndodhur dhe siç po ndodh të ngrihen disa intelektualë, shkencëtarë e krijues tanë të tjerë, siç u ngrit kundër demonstratave dhe kundër politizimit “të shtresave të ulta” intelektuali ynë, shkencëtari ynë, që shikoj dhe dëgjoj në televizion sot, domethënë të ngrihesh kundër demokracisë pa të cilën nuk ka liri, domethënë të vihesh në shërbim të regjimeve edhe kur ato shpërdorojnë demokracinë, edhe kur ato shkelin Kushtetutën e vendit, edhe kur ato e humnerojnë kulturën politike dhe kulturën në përgjithësi, edhe kur ato i bëjnë mjete të tyre gënjeshtrën dhe dhunën, edhe kur ato vrasin protestues që protestojnë kundër korrupsionit dhe dhunës së tyre, siç vranë më 21 janar!

Tiranët, despotët, diktatorët nuk i bën të tillë natyra; nuk i bën të tillë i Madhi Zot. Jo. Tiranët, despotët, diktatorët i bëjnë të tillë servilët, lajkatarët, puthadorësit – kjo faunë rrëshqanësish njerëzorë, që aq shumë rrenën, mashtrimin dhe dhunën e ka frymëzuar dhe e ka bërë të mundshme në jetën tonë.

Pas rënies së komunizmit servilizmi ndaj pushtetit do të duhej të ishte komprometuar njëherë e përgjithshmonë në jetën tonë politike, kurse servilët, lajkatarët, puthadorësit, do të duhej të kishin marrë mësimin e duhur. Por, sikundër po shihet, jo vetëm prej servilizmit të intelektualit tonë, të shkencëtarit tonë, që shikoj dhe dëgjoj sot në televizion, që nuk do të përtonte t’i servilizonte as kolonelit të çmendur të Libisë, siç s’po përton t’i servilizojë kryeministrit delikuent dhe parak të Shqipërisë, kjo nuk ka ndodhur: as servilizmi nuk është komprometuar, as servilët, puthadorësit e të pushtetshmëve nuk kanë marrë mësimin e duhur, në sajë të të cilit do të duhej t’u drejtohej kurrizi aq shumë i përtokur.

Servilë, puthadorës, sot, ndoshta, mund të ketë pak më pak se në kohën e komunizmit, por aftësia e tyre për të servilizuar, për t’u përtokur është përsosur. E kuptueshme: sasia e djeshme e servilizmit ka sjellë cilësinë e sotme të servilizmit, që aq mjeshtërisht, aq artistikisht, aq puthadorshëm e tregoi intelektuali ynë, profesori ynë, shkencëtari ynë, që shikova e dëgjova në televizion sot, e që aq shumë i do e aq shpesh i lexon vetëm Konicën dhe Fishtën! As Naimin, as Nolin, as Lasgushin, as Migjenin, por vetëm Konicën e Fishtën!

Medet për ne! Medet për mua! Pesëdhjetë vjet bëj punë Sizifi: të gjitha betejat kundër servilizmit i kam humbur! Shkolla jonë e servilizmit po tregohet shumë më ndikuese dhe shumë më e çmuar se vepra ime!

14 komente në “Situatës i bëjnë dëm intelektualët servilë”

  1. Gramozi says:

    –Pershendetje akademiku REZHEP QOSJA…..Ne keto momente te tmerrshme morale qe po kalon populli dhe atdheu—- juve jeni i vetmi qe e thoni ashtu sic eshte….ashtu sic e ndiejne zemrat tona po se shprehin dot…

  2. eddy says:

    JEPINI SHTETESINE SHQIPTARE KETIJ DHE NJE SHTEPI NE DURRES APO TIRANE SE KY VETEM PER PROBLEMET E SHQIPERISE SHKRUAN -SE ESHTE NGA KOSOVO JA KY HARRON FARE

  3. plaku says:

    Une personalisht gezohem si nje femije i vogel per ndonje loder te re, kur lexon ndonje shkrim te akademikut Rexhep Qosja.
    I dashur Gramoz ju thoni : ” ne keto momente te tmershme morale qe po kalon populli dhe atdheu….”
    Une mendoj se duam ose nuk duam neve ,cdo popull per te ardhur ne demokraci, duhet ti kaloje keto momente te tmershme morale. Menyra se si akademiku Rexhep Qosja vete e thote se ai i shkruan keto radhe per brezat e ardhshem sepse e di se rruga per demokraci ( ashtu si edhe per popujt e tjere te Europes ) do jete shume e gjate dhe me shume ulje e ngritje. Bile Qosja shkon deri atje kur thote se betejat kunder servilizmit i kam humbur. Mua me vjen keq kur e lexoj kete, por ama eshte nje fakt qe ai betejat kunder servilizmit i ka humbur perkohesisht se vete jeta eshte keshtu. Nuk eshte kollaj te kalohet nga diktatura ne demokraci brenda 20 vjeteve. Romaket thone : ” Edhe Roma nuk u ndertua ne dy jave “.
    Edhe vete amerikanet e kuptuan se ishte nje ender e parealizueshme qe te sillnin shume shpejt demokracine perendimore ne Irak ose Afganistan. Ata i kane ndryshuar pikesynimet e tyre persa i perket demokracise ne keto vende, dhe ne Afganistan p.sh. ju bejne thirje per bashkepunim talibaneve te moderuar. Populli thote : ” Dora qe nuk kafshohet puthet”
    Me kete nuk dua te them ne asnje menyre qe te heqim dore perkohesisht nga demostratat PAQESORE kunder ish sekretarit te PPSh Sali Berisha.
    E them kete ne kuptimin qe ne duhet te jemi te vetedijshem se lufta per demokraci eshte e gjate dhe e veshtire dhe se ne duhet te kemi durim ne kete lufte.
    Korupsioni nuk eshte vetem problem shqiptar. Shifni se c’fare po ndodh sot ne France ( atdheu i demokracise Liri, Barazi, Vllazeri ) ku konkretisht eshe vene para gjyqit ish presidenci i Frances Shirak.
    Ai eshte i akuzuar se kur ishte kryetar bashkie ne Paris ka hapur vende pune fiktive ku ka emeruar njerezit e tij te cilet merrnin rroga kot.
    Mendoj se ky fakt konfirmon tezen se kalimi ne demokracine e vertete duhet shume kohe, vetmohim dhe durim. Ne kete lufte ne Shqiperi mendoj se akademiku Qosja po jep nje kontribut shume te madh dhe per kete ne duhet ti jemi mirenjohes.
    Me kujtohet se nje shkrimtar rumun kur lexoi veprat e Migjenit tha :” Nuk me vjen turp te them se veprat e ketij njeriu te madh i lexova tani, por me vjen turp te them se keto vepra i lexova tani ne moshen 60 vjecare.”

  4. saranda2001 says:

    Ky eshte i te gjithve ,dhe na ben nder te gjithve ,ai don te na hapi syte e te shikojme te verteten e madhe.Ke te drejte zoti Qosja : VETEM NE SHQIPERI MUND TE MARRESH MASTER DOKTORATE BILE EDHE TITULL PROFESOR mjafton te jesh SERVILI I PUSHTETIT.Jane te rradhe ata qe jane besnike te lirise SI JU zoti Qosja,zoti Agolli ,zoti XHufi ,zoti Mejdani e ndonje qe per efekt kohe te me falin qe nuk i permenda

  5. Ndoc Sukaj says:

    Profesor Rexhep Qosja ka shum vite qe shkruan per ceshtjen e Shqiptareve duke vene “Gishtin”aty ku dhemb me shume dhe si nje “Doktor”i vertete dhe shum Fisnik i Ceshtjeve te Medha ka dhene me shum sinqeritet dhe modesti “Recetat me Ilace”per sherimin e semundjes se Demokracise sone 20 vjecare.Mbaj mend si sot kur ne fillimet e rruges Demokratike te Shqiperise Profesori i Bente thirrje Liderit te asaj kohe ne pushtet Ramiz Alia qe:”Te shpejtonte proceset demokratike”dhe ky me te vertete e degjoi Profesorin duke drejtuar nje tranzicion te pakten pa viktima njerezore.Por sot duket se “ilacet e Profesorit te nderuar Shqiptare nuk po ja degjojne Thirrjet pasi “Intelektualet pro qeveritare”kane ceshtje me te rendesishme se ceshtja e shtetit dhe drejtesise ne vend.

  6. beso says:

    Diku lexoja nje shenim per nje analist italian(Sergio Romano,qe ne politike i jane zbardhur floket)ku tamam flitej per servilet,qe ne kohet romake.Nje servil i kishte propozuar senatit qe senatoretçdo vit ti benin betim besniklleku perandorit Tiberio.Nje iurte i asaj kohe thote:”Nuk kishte mbetur tjeter forme servilizmi,ndaj ai beri dhe ate…”.Prisni kur Berisha te shpallet Shenjt nga keta levantine(mos eshte shprehje e Konices kjo?)dhe kush duron meshate perditshme per kete k..qe Gomari!

    1. mendimi_im says:

      ?
      Edhe mundte bahet ajo qe thue ti.
      Cdo gomarllek mund te pritet ne kohet e sotme.
      Por edhe nese tjeter kush vjen ne pushtet ate rruge do ndjekin.
      Beso, djal me mend dukesh prandaj po te kerkoj dicka:

      Pse nuk na jep nje mendim apo ide se si mund te ishte me e besueshme dhe me prodhuese qeveria?
      Pa provokim, dua vetem iden tende.
      Ose nese jo ti, atehere dikush ketu ne forum le te na japi nje ide se mund te ishte me mire qeveria, pse nuk jepni opsione?
      Kjo me intereson mua.
      Te tere ketu vetem se ankohen, te tere shajn njerin apo tjetrin.
      Por askush nuk jep opsione.

      Me respekt,
      mendja ime ?

      1. plaku says:

        I dashur medimi-im, une po i lejoj vet vehtes te te jap nje opsion ne lidhje me qeverine e Berishes. Mendoj se opsionin na e ka dhene akademiku Qosja, i cili ne nje nga shkrimet e tij te fundit ketu ne forum ( falenderoj gazeten Thema Online ) ai thote se populli duhet te beje me durim dhe gjithmone DEMAOSTRATA PAQESORE per temat qe e interesojne kunder qeverise ne fuqi.
        Sepse demostratat paqesore ne Egjypt na treguan se jo vetem parlamenti ka te drejte te rezoje nje qeveri te zgjedhur demokratikisht. Mubarak zyrtarisht ishte zgjedhur me zgjedhje te lira. Te pakten bota e cilesoi zgjedhjen e Mubarakut para disa vjetesh si nje zgjedhje te lire.

      2. Epirioti says:

        Nese largon pak kuranin nga tavolina ku po rri do shikosh qe jeta eshte ndryshe, nuk eshte feja dhe politika ajo qe ekziston ne jete. Nese kritikon qeverine dhe jep opsione kjo te ben te paanshem dhe te respektueshem. Nese je me shkolle(prej verteti o njeri me 21 vite shkolle) dhe idete e tua i ve ne sherbim te ceshtjes shqiptare, larg fese dhe politikes te bene te vleresueshem dhe te besueshem. Ndersa intelektual nuk behesh dot kurre se duhet te jesh me breza qytetar o katunar tropoje.

        1. raimondi says:

          E ke shume gabim ti.
          -Intelektual mund te behet kushdo, edhe katundari edhe qytetari
          Mjafton qe te lexoje dhe te mesoje

          Libri eshte trimeria sot,sa me shume te lexosh aq me mire eshte —Dhe nuk ka rendesi fare ajo qe thua ti , katundar apo qytetar

          Por ai ka te meten se lexon libra qe mbjellin Intolerancen ne shpirtin e njeriut
          dhe kjo e ben ate te jete mendje ngushte

      3. beso says:

        mendimi,une nuk jam politikan,por si çdo shqiptar sidokudo,ndoshta duhet te them pjesen time.Politika eshte fusha ku mendimi zhvillohet;eshte gabim te thuhet qe politika eshte lende per pak njerez te instruktuar;kete e thone filozofe me emer.Sot po lexoja kalimthi qe ne Finlande(vendi me te ardhurat me te larta ne bote per fryme)po shqyrtojne nje kushtetute nga nje grup njerezish te zgjedhur ne shume fusha,madje dhe barinj.Pra pjesemarrja e njerezve nga shume fusha per mua eshte domethenia e demokracise(Demos thuhet popull ne greqishten e vjeter).Une lexoj per kenaqesi,dhe ve re qe partite politike ne gjithe boten tendojne nga e majta,sepse shumica eshte e majte per natyre.Ne Shqiperi kemi vetem parti te majta;eshte normale qe pas 45 vjetesh komunizem do kishim ide te majta,por politika jone nuk eshte keq ne nivel teorik;çalon ne qeverisje.Fillimisht,ne’91,ca nga padija,ca nga shterngesa e trios amerikane(e quajtura Washignton Consensus)Fmn-BB-Dash,u pranua,ne shkembim te ndihmave dhe mbeshtetjes teoria e terapise se shock-ut,e sugjeruar gjithe Lindjes,por disa u fundosen;dhe ne u fundosem qe ne krye.U pre me komande puna ne industrine shqiptare,sado e vjeter qe ish,ajo duhej modifikuar gradualisht.Duheshin degjuar shume zera;nuk u degjuan!Sot te pasur nuk jane ata qe krijuan ekonomi te reja;jane oligarket qe perfituan nga shitja dhe shformimi i ekonomise se vjeter;keshtu nuk zhvillohet vendi-behet peng i rrufjaneve!Psh. une mendoj qe Berisha pas falimentit te firmave piramidale nuk duhej te ish me ne politike;direkt apo indirekt ishte faji i tij-ti e di qe gjenerali mban pergjejgesi per fatin e nje lufte,s’eshte e thene qe lufton vete apo jo!Dje degjova qe nje minister japonez dha doreheqje per 400 euro qe kishte pranuar si donacion nga nje i huaj:pse nuk marrin shembuj te tille nga Perendimi shtetaret tane,por dhe kur i kap ne video me bllok ne dore ata te shajne si rrugaçe?Une mendoj qe ti mendimi je i djathte,dhe te pergezoj per zgjedhjen tende,por sa ia vlen qe ti besosh nje qeverisjeje qe i dorezon karte te bardhe(carta bianca)Bechtel&co qe te ndertoje nje rruge mbi 1 miliard e 300 milione$,kur xhepat jane te grisur?Mendoj qe mungon nikoqirlleku;une jam rritur ne familje fshatare(si Berisha)dhe kuptoj qe investimi dhe menaxhimi i nje shteti i tejkalon numrat e ekonomise familjare,por mendoj qe shteti duhet konsideruar si nja familje e madhe.Kam lexuar me kenaqesi Nobel per ekonomine,dhe studjues me fame mbi ekonomite e falimentuara te botes se Trete;ne Shqiperi jane bere po ato gabime.Importet mbytin ekonomine vendase,popullsia e vlefshme per pune eshte e papune,e si rrjedhoje emigrante;vete emigracioni ne masen 1/3(gati 1 milion e gjysem)i ndihmonte qeverite te perballonin inflacionin,te fusnin valute;eh jo,qeverite preferonin te merrnin borxhe,sepse ata qe te japin borxh te fusin bakshishe;me fitim eshte ai qe jep borxh,jo ai qe merr-tek ne marrja e borxheve eshte fitore,qe festohet me mitingje e koncerte.Perfundimisht,mendimi,duhen 59 vjet qe te dale nje ekonomi falimentare nga kriza(thote Paul Collard ne librin”L’ultimo miliardo”)por çfare kemi bere ne qe ne keto vite kjo gje te marre udhe?T’a them une;nje vrime ne uje.Kemi shitur ose asgjesuar ate ekonomi te vjeter,pa hedhur siper ndonje kollone te re.Shqiptaret i ka zene ethja e asfaltit;duan rruge ku te mos u behet pis makina,ndersa jane papune.Rasti per tu marre shembull nuk ishte Gjermania,per mendimin tim,por Koreja e Jugut,apo Malajzia;pasi Gjermania eshte shembull per Italine dhe Francen.Keto qe une po them jane per kulturen tone,por besoj qe Bodet dhe Rulat s’e kane mendjen tek shembujt;ata jane ne garen e oligarkeve dhe per mendimin tim,keq e kemi;maskaralleku ka pushtuar dynjane.Une nuk di ku shteti eshte i ndare nga privati;ne Shqiperi privatet e pasur jane çifte e shtetareve.Duhej qe privetet te ishin te pavarur;s’jane!Le te marrim shembull Gerdecin;po ishte nje aksident teknologjik.Por une jami shkolles se vjeter;nuk di ndonjehere qe te behej nje mal me barut si zhavorret ne lume;ç’menduri e vertete!Sesi nuk kish shperthyer me pare paskesh qene fat!Ky aksident nxorri ne drite nje afere mafioze:shitjen e municionit luftarak.Tani me shpjego ti mua;ky municion dilte me urdher demontimi nga rregjistrat e Ministrise se Mbrojtjes,apo shitej?AEY e blinte,se keshtu doli;ketu eshte nje kleçke e madhe sa bota,mendoj une.MM nuk fuste hyrje dollare,pasi fisheket”demontoheshin”,por dikush pagunate per ti blere,dhe nderroheshin arkat.Une po flas me hamendje,por proçeduren e demontimit e njoh mire.Perfundimishtme kenaqesi une mendoj qe hapi i pare,ne momentet e tanishme do ishte nje terheqje e studjuar e Berishes,nese ai vertet i beson politikes,duhet ta perdore ate.Politika eshte arti ite mundshmes;deri tani ajo eshte e pamundshme.E teprova, mendimi ,nukmendohet qe ne te bejme rruge te reja;mjafton te bejme drejt rrugen e te tjereve.Ajo histyria me Finlanden qe thashe ne fillim me pelqeu;s’do ish gabim te fillonim qe aty!Shendet dhe te mira!

  7. nicolla disha says:

    Z. Rexhep Qosja nuk mund te heqe as nje pike, presje, pike cuditese, pikpytje. Te mbeshtese per qfar thua. Je shume korrekte per qfar shkruan.

  8. dorand says:

    o xhepo prape ti. para dy javesh dole ne skene se do botoheshin librat e tuaja e i bere reklame vetes po tani do na besh nei film? o xhep je bo si britney spears qe sa here do me nxjerr nei album a arrestohet a ja fut nei marrzi ti beje reklame vetes te shesi albumet.

  9. raimondi says:

    Qosja ben mire qe i godet keta intelektualet indiferente –dhe ca me pelqen me shume eshte atje ku flet per Konicen
    Eshte tamam ashtu se Konica ishte nje medioker ,por edhe Fishta nuk ishte ndonje shkrimtar i madh sic thote Profesori ,Fishta behet imerzitshem me ato poezite e tij ,vargu i tij nuk ka ndonje embelsi apo bukuri

    Edhe nje verejtje kisha per Proefesorin, Verejtje me qellimin e mire
    –Mendoj se nuk tingellon bukur shkrimi ,kur e perserit dicka disa here , behet i merzitshem —-
    si psh atje ku thote
    :…..Intelektualin tone ,shkencëtarin tonë, që shikoj dhe dëgjoj në televizion sot…….. –nuk tingellon mire ,tingellon pakez si looool dhe mua vjen per qeshur hahahaahahahahaha

    Ndaj do ishte mire te mos e perserisi dicka disa here ——Por natyrisht kjo nuk ja ule aspak vleren shkrimit qe eshte tamam aktual dhe i sherben shoqerise shqiptare –dhe ne ket shrkimProfesori ka kapur
    TAMAM DIEFEKTIN QE KA ELITA INTELEKTUALE E SHQIPERISE-

Comments are closed.

Lini një Përgjigje