Policia e Malit të Zi mbrëmë ka njoftuar për një lajmërim anonim për vendosjen e një bombe në godinën e ambasadës së Shqipërisë në Podgoricë. Mirëpo, menjëherë pas verifikimit të situatës në terren, policia konfirmoi se bëhet fjalë për alarm fals, transmeton agjencia e lajmeve INA.
“Njësitet speciale kanë bastisur dhe kontrolluar mbrëmë tërë godinën dhe zonën përreth, pas marrjes së lajmërimit se bomba ishte vendosur në brendinë e godinës“, deklaroi zëdhënësja e policisë në Podgoricë, Tamara Raleviq. Thirrjen anonime për vendosjen e bombës e kishte marrë dje Ministria e Jashtme e Shqipërisë, e cila më pas ka informuar ambasadën në Podgoricë. Policia malazeze në bashkëpunim me organet kompetente shqiptare ka nisur hetimet për gjetjen e personit anonim që ka njoftuar në MPJ në Tiranë.
Por, paraprakisht mbrëmë persona të panjohur para alarmit të bërë për bombë kanë gjuajtur me vezë godinën e ambasadës, duke goditur disa nga dritaret. Policia gjatë kontrollit të zonës dje ka mbyllur për qarkullim një nga rrugët kryesore ku gjendet ambasada shqiptare.