Me çfarë të ndjell Shqipëria?

27 Mars 2011, 19:54Editorial TEMA

Nga Mustafa Nano

Në Baltimorë, Maryland, është mbajtur këto ditë një summit i leader-ëve të Ballkanit mbi çështje të biznesit. E kam parë këtë lajm para disa ditësh në ndonjë cep gazete (bën vaki të ketë qënë ndonjë njoftim i ambasadës amerikane), por qeveria shqiptare nuk ka dhënë asnjë lajm lidhur me këtë ngjarje. Në këtë summit dy ditor kanë marrë pjesë dy presidentë e dy zv.kryeministra të Ballkanit, por asnjëri syresh nuk është nga Tirana. Është e sigurtë, që ka pasur përfaqësues të Tiranës (vetëm serbë nuk ka pasur, ngaqë nuk kanë dashur të jenë në të njëjtin summit me kosovarët); por këta tanët kanë qënë të një profili fare të ulët, saqë vetë qeveria s’e ka parë të udhës të japë ndonjë informacion për atë që ka ndodhur në Baltimorë. Mirëpo, ngjarja ka tërhequr vëmendje, dhe merret vesh pse. Është summit-i i parë amerikano-ballkanik mbi çështje të biznesit. Amerikanët nuk para e kanë parapëlqyer Ballkanin, kur ka qënë puna për të investuar. Qeveria amerikane ka qënë shumë e vëmendshme në terma gjeopolitikë e gjeostrategjikë, por investitorët jo dhe aq. Imazhi i Ballkanit konfliktual, në luftë, me probleme të trashëguara, me udhëheqës të mbrapshtë, me korrupsion, me nacionalizma, me shumë fe, me vështirësi në ndërtimin e demokracisë funksionale, etj, etj, ka zënë vend mirë në mendjen e amerikanëve. Për më tepër, rajoni vijon të prodhojë lajme të frikshme. Tirana befasoi shumëkënd me gjakun e derdhur në bulevard në një protestë të opozitës, Maqedonia prodhon vazhdimisht lajme për publikun ndërkombëtar, Kosova prodhon lajme edhe për faj të vet, edhe për qejf të të tjerëve (“scoop-i” mbi krimet e UÇK-së gajtë luftës ishte bombastik), Serbisë i varet akoma në këmbë gjylja e luftës, e krimeve kundër kosovarëve dhe e kriminelëve të pagjetur. Etj. Etj. Në këto rrethana, ta vësh Ballkanin në qëndër të një forumi biznesi e në qëndër të interesit të biznesmenëve amerikanë, nuk është gjë e paktë. Prandaj, ky aktivitet ka qënë i rëndësishëm. Shumë i rëndësishëm. Aq i rëndësishëm ka qënë sa kanë marrë pjesë dhe dy vende ballkanike, të cilat nuk është se mburren shumë për faktin, që janë ballkanike. Është fjala për Slloveninë dhe Kroacinë, që nuk para i sheh në veprimtari rajonale të këtij lloji.

Aty ka qënë i ftuar dhe Tom Countryman-i. Është një emër i njohur për ne, apo jo? Ka folur më se njëherë për ngjarjet e 21 janarit; bëri dhe një vizitë flash në Tiranë. Countryman-i mbajti dhe një fjalë në atë konferencë, ku pati rast t’u referohej avantazheve, që ofron çdo vend i Ballkanit për investitorë të rëndësishëm (në këtë veprimtari kish një numër të madh biznesmenësh amerikanë). Është interesante të vësh re karakteristikat ndjellëse të vendeve të rajonit tonë, të cilat u veçuan nga Thomas Countryman, që në departamentin e shtetit mban postin me emërtimin jo dhe aq pretencioz “Deputy Assistant Secretary, Bureau of European and Eurasian Affairs”. Maqedonia? Atje është e mundur ta regjistrosh një biznes në më pak se një ditë. Kosova? Është vendi më i ri, jo thjesht në kuptimin e pavarësisë së shpallur para ca vitesh, por në kuptimin e popullsisë së re në moshë. Mali i Zi? Ka adoptuar një taksë të sheshtë të nivelit të 9%-shit. Bosnja? Është një treg katër milionësh me një forcë pune të arsimuar mjaft mirë. Sllovenia? Sllovenia është ajo që është, vend anëtar i BE-së. Kroacia? Ou, është tjetër histori, do të ketë së shpejti një linjë ajrore SHBA-Zagreb. Po Shqipërinë për çfarë e veçoi zoti Countryman? Mendja duhet t’ju thotë se duhet të ketë gjetur ndonjë nga ato gjepura, të cilat i çmenduri i Tiranës i thotë për të na treguar se jemi të parët në botë. Por jo. Për Shqipërinë tha vetëm që është anëtar me të drejta të plotë në NATO. Nuk është pak, të kuptohemi, por puna është se kjo u tha në një forum biznesi, ku çdo vend u veçua për sex-appeal-in e vet përballë investitorëve.

Countryman-i tha, gjithashtu, se SHBA-të kanë bërë çmos të inkurajojnë e të mbështesin në vendet e Ballkanit përpjekjet për të ndërtuar një shtet të së drejtës, për të ndarë mirë pushtetet legjislativ, egzekutiv e gjyqësor, për të ndarë qartë ekonominë publike nga ajo private, për të ndërtuar shoqërinë civile. Hm, në këtë pikë zyrtarët e SHBA-ve duhet të jenë më të sinqertë; ose le ta themi, më të vendosur për të pasuar fjalët me vepra. Rasti i Shqipërisë, sidomos qëndrimi i mbajtur pas datës 21 janar, kur pushteti egzekutoi katër protestues të pambrojtur, të pafajshëm e të parrezikshëm në bulevard nuk do duhej ta lejonte Countryman-in të mbahej me të madh si partizan e mbështetës i praktikës së ndarjes së pushteteve në rajonin e Ballkanit. Ne presim shumë më tepër nga amerikanët në këtë drejtim. Sidomos ne shqiptarët, ngaqë jemi gjysmë të dështuar në përpjekjet për të ndërtuar një shtet dosido të së drejtës e një demokraci të gëlltitshme.

E dini? Lajmin mbi këtë forum të mbajtur në universitetin e Baltimorës e kish dhënë dhe Reuters-i. Ishte një raportim nga Baltimora i gazetarit të kësaj agjencie, David Lawder-it. Veçse Shqipëria e përfaqësuesit e saj në këtë konferencë nuk përmendeshin prej tij. Të gjithë të tjerët përmendeshin, veç tanët jo. Pse? Hm, nuk të përmend askush, nëse nuk demonstron që je aty. Dhe Shqipëria nuk ka qënë në atë summit, s’ka gjë se një delegacion zyrtar i yni e ka kaluar Atlantikun vajtje-ardhje këtë javë.

*respublica.al

4 komente në “Me çfarë të ndjell Shqipëria?”

  1. raimondi says:

    Po opozita c’thote per kete rast ????? A ka opozita ndonje sektor qe merret me politken e jashtme dhe te demaskonte kete rast ?
    Apo ca them dhe une ! —Opozita eshte sensitive vetem per rastet me peshe looooool ,; dmth kur ka takim Internacionalja socialiste ……….

    P.S. Te mos i keqkuptojme gjerat ….E kam fjalen gjithmone kur i ka takimet ne Athine, Ok ?
    …loooooooooooooooooooooooooooool

  2. beso says:

    Shqiperia e Berishes te ndjell si pulat;Berluskoni psh u mahnit aq shume nga treqind zedheneset e bukura te qeverise dhe qeveritareve,saqe propozoi tragete”turistike”me femra kaq te pergatitura per konferenca shtypi,madje dhe pa pasaporta fare.Qofte dhe klandestine…Sesa ndjell Shqiperia do pyetur Damir fazlliçi,eksperti i bisnesit qe ngre kater kompani ne gjysem ore(ti Muçi thoke qe Maqedonia bekerka nje ne dite),e di mire Toma nga Ridgi,po dhe Wesley Clark;kushedi sa te tjere e dine qe Shqiperia te ndjell aq shume sa nje shterngim dore para kamerave paguhet me nje konçension;Berisha dhe sulltani i Bruneit vetem dashnoret nuk shkembejne,madje per te parin opinioni eshte i bindur qe as ka pasur dhe as ka.Meqe Kroacia do bekerka linje direkte me Ameriken,qysh do rrime ne te dytet?C’pate qe e permende kete Muçi,sidomos tani qe filloi fushata?!Berisha do premtoje aeroportin e ri te Sarandes;me te madhin e Evropes,qe do beje linjen Delvine-Atlanta vajtje-ardhje per kater ore;gjersa pulat hane gure,pse mos te hame dhe ne gjepura?!Sllovenia eshte pjese e BE,ne jemi ne Evrope brenda fare;do nje shembull?Fatos Nano,kusheriri yt nga mbiemri;ai rri ne Evrope;ate qe s’e beri per Shqipen e beri per vete;e kishim keqkuptuar…Nejse,po fryjne erera te keqija;kush ka para per lozur shkon ne Las Vegas;kush ka para per te investuar shkon ne Kine;nuk mendoj qe nje mburrje e rradhes ne Maryland do na zhvillonte dy pike ne perqindje,por te pakten te kishim kursyer biletat vajtje-ardhej te atyre shabaneve,qe shul iken dhe lloz u kthyen.

  3. LORA says:

    Ne jemi nje vend ku krenaria me e madhe jane lobimet per “biznese” te tipi Gerdeci.Per biznesin e vertete prodhues e konkurues nuk flet e jep llogari askush;as pozita,as opozita e as gazetaria.Duket se te gjithe jane ne dashuri me lloqe “politike” e ne armiqesi me prodhimin real qe siguron pune,integritet,paqe sociale,harmoni me natyren,zhvillim te qendrueshem,dhe vetem e vetem te mira.Te gjithe,pa perjashtim,qe duken si perfaqesues ne tavolina jashte vendit,jane qokaxhinj te neveritshem qe guxojne te vetequhen partnere.Medet,se njohin as kuptimin e fjales partneritet.

  4. zjarri says:

    inderuar Mustafa Nano, Shqiptare e vertete nuk jane ne gjume, dhe as genjehen nga brockullat e komunistit dhe agjentit Sali Rame Berish, po ashtu dhe nga halabaket, qe dje jane bere nenshtetes amerikan..
    Si Arivizu dhe kantrimeni – (Thomas M. Cantryman) ky kantrimen, pavarsisht se i ka “sherbyer serbit dhe grekut” si Arvizu dhe kantrimeni, duale nga korniza e kushtetutes amerikane! dhe per kete ata do te japin llogari dhe me keqe se halabakja (Marisa R. Lino) Sot kjo halabake Rrugve te ballkanit e te europes…

Comments are closed.

Lini një Përgjigje