A kemi fuqi ta refuzojmë të keqen?

25 Prill 2011, 16:43Politika TEMA

Nga Mustafa Nano

“Nëse harrojmë gabimet e së shkuarës, jemi të dënuar t’i përsërisim ato”, ka thënë George Santayana. Apo mund ta kenë thënë të tjerë përpara tij? Ndoshta. Në fakt, është një nga ato fraza, të cilën nuk ka mundësi t’mos e ketë thënë dikush tjetër përpara. Historia e njerëzimit ka lindur tok me gabimin e me harresën, e prandaj gjithëherën duhet të ketë qenë dikush që mund të ketë thënë përpara dikujt, se “kush harron një gabim të bërë, do ta përsërisë se s’bën atë”. Madje, është një frazë, që do duhej të thuhej më së pari nga ndonjë banor i vendit të shqipeve. Në çdo kohë. Sidomos sot. Dhe me këtë kam dalë aty ku doja.

Viti 2011. Anno domini. Shqipëria qeveriset nga Sali Berisha. Kush është ky? Mos është ai që në vitin 1992 erdhi në pushtet me premtimin për demokraci, e që më pas nuk lejoi opozitën të dilte të manifestonte në sheshe, burgosi udhëheqësin e opozitës, ndërtoi një shtet, institucionet e të cilit, që të gjitha, i kontrollonte ai vetë, përndoqi gazetarët, vodhi votat, lejoi dhe inkurajoi krijimin e piramidave financiare, i bëri karshillëk zemërimit popullor prej humbjes së kursimeve në këto piramida, hapi depot e armëve dhe rrëzoi shtetin për të krijuar konfuzionin e madh, mes të cilit mund të humbte gjurmët e krimeve të kryera e mund të mbrohej prej protestave? Mos është ai që, tok me karriken e pushtetit, la pas dhe nja 2-3 mijë të vrarë në konfuzionin që mbolli? Po, mor po, ai është. Shqiptarëve iu deshën tetë vjet për të harruar se kush ishte, e për ta risjellë në pushtet. Me Votë. Sic!

Pasi ritentoi pa sukses për tetë vjet me radhë (1997-2005), në stilin e tij të njohur e të frikshëm (me këtë stil ua bënte të lehtë shqiptarëve harraqë që të mos e harronin se kush ish), të rimerrte pushtetin e humbur, ai i dha karar të merrte një tabletë a një porcion nga ilaçi i Stevenson-it, dhe fap, u shndërrua, për një copë herë, nga i frikshëm në babaxhan e shpirt njeriu, dmth nga Mr. Hyde në Dr. Jekyll. Por le t’u ikim paraleleve me personazhe fiction. E le të hyjmë drejt e në temë.

Më kujtohet, se atëmot (2005) ishte dikush që, teksa dëgjonte ca të tjerë që thoshin, se “Sali Berisha është ai që është, nuk ndryshon kurrë, por nuk duhet ta kemi frikë, pasi tani kemi institucionet në rolin e gardianëve”, doli e tha: “ju po na thoni që bisha është bishë, por nuk ka pse të shqetësohemi, pasi kemi kafazin e institucioneve”? Ky dikush (F.Ç) sot i lëpin bythën Berishës. Si është e mundur? Ka harruar ç’ka thënë? Ka harruar se kush është “bisha”? Jo, jo, s’është soji i atyre që harrojnë. Përkundrazi, është nga një soj tjetër, ndoshta më i madhi në tribunë e shqiptarëve, nga soji i atyre që për ideal kanë të mos kenë ideal. Dhe nuk është vetëm ky. Një e nga një kaluan pothuaj të gjithë në kampin e Sali Berishës. Dhe këtu nuk e kam fjalën për njerëz si Lulzim Basha e të tjerë që dolën nga hiçi, e të cilët, sidoqë të shkojnë gjërat, e kanë të hazërtë në çdo kohë justifikimin: “po unë s’dija gjë; unë thjesht zbatoja urdhërat”. E kam fjalën për të tjerë që ca gjëra i dinë mirë, ja, si puna e F.Ç-së. Cilët janë këta? Janë shumë. Të zë frika kur mendon sa shumë janë. Doni t’ju them ca? Po ja, A.I, G.R, G.P, B.F, A.F, F.Xh, A.Zh, A.H, N.C, N.L, e deri tek këta të ditëve të fundit, si Y.M, K.Ç, etj. Nuk është se më dalin nga mendja të tjerë, që sot janë me opozitën; dhe as që më shkon në mendje t’i përligj në kërcimet e tyre sa andej, këtej; por të jesh në opozitë është kokëçarje e telash, ndërsa këtu po flas për atë pjesë të intelligentsia-s, që nuk po lë gjë pa bërë në mbështetje të regjimit që, si të gjitha regjimet, ka në dorë të ofrojë mbrojtje, komfort, status, pushtet, ndikim, favore, pará, prona. Kanë arritur deri atje sa kanë nënshkruar peticione (në stilin e peticioneve të kolektivave punonjëse në kapërcyell të vitit 1990) në mbështetje të regjimit, që po e mbrojtka rendin publik e kushtetues nga opozita. Së fundi kanë ngritur grupe e skuadra elektorale në mbështetje të kandidatit të tyre për kreun e bashkisë së Tiranës.

Kam “zbuluar” një gjë që i dallon të gjithë këta: Sa më shumë Berisha e trash zullumin, aq më shumë këta i falin mbështetje. Këta janë sot me Berishën më të vendosur se sa kanë qënë në vitin 2005. E kanë motivuar qysh në krye të herës këtë sjellje me faktin, që në krahun tjetër na qënka Edi Rama. “Ai është më i keq se Berisha”, kanë recituar e recitojnë, ngaqë u hyn në punë, një patologji të vjetër të F.L-së, si të ishte arsyetimi më i sofistikuar e më solid mbi faqe të dheut. Ndodhi ploja e Gërdecit (mbetën të vdekur gati 30 vetë) për shkak të një afere korruptive, në qendër të së cilës ishte djali i Sali Berishës (të gjithë e dinë që është kështu), por edhe pas kësaj ata vijuan të thonë, se “dakord, Berisha është i korruptuar, por Rama është më keq”. Pamë të gjithë në programin Fix Fare, se si Ilir Meta, zëvendësi i Berishës, fliste për tangjente të marra e të dhëna, por reagimi i të këtillëve ishte po ai: “dakord, korrupsioni s’ka qënë kurrë në këto nivele, por Rama është më keq”. Ndodhi 21 janari, u vranë katër vetë krejt të pafajshëm, të paarmatosur, të parrezikshëm, por në vend të tronditeshin e të ngrinin zërin në kupë të qiellit, ata zunë të thoshin: “ka faj ai që i vrau, por ka faj dhe ai që i çoi përpara kryeministrisë (!!!); rrjedhimisht, Berisha është vrasës, por Rama është më keq”. Erdhi post-21 janari, dhe dëgjuam të na hidhen në surrat çmendurira të padëgjuara, si “protestuesit janë vrarë nga vetë protestuesit, se këta të fundit kanë bërë stërvitje diku afër Tiranës për të përmbysur me dhunë një pushtet të ardhur me votë, etj, etj”, por prapë nuk doli asnjë të thosh: unë nuk dua të jem pjesë e këtij zhgani.

Kudo e kurdo që një regjim vret, dalin dy a tre nga brenda regjimit, dy a tre më pak cipëtrashë se sa të tjerët, dy a tre që kanë, megjithatë, një minimum dinjiteti e ndërgjegjeje, e thonë stop, deri këtu jo, jo, jo. Para dy a tri ditësh edhe në Siri dolën dy deputetë e një klerik, dhe thanë se jemi kundër regjimit të Bashar al-Assad-it, që po vret njerëz të pafajshëm, ndërsa në Tiranë nuk doli qoftë dhe një nga kampi i maxhorancës të thosh: qysh nga ky moment unë jam në opozitë me këtë pushtet. Përkundrazi, doli njëri syresh, ministër (A.I), që iu tha deputetëve të opozitës, se “ju jeni të gjithë Ziverë” (!!!). Ndërsa të tjerët vijuan t’i bien të njëjtit avaz: dakord, por Rama është më keq.

Ou, po si qënka kjo punë kështu? Sa i keq na qënka ky Rama? Po le të na thonë, se çfarë tjetër duhet të bëjë Berisha, që ata vetë të mos e kenë mendjen tek përbindëshi Rama? Mos duhet që Berisha të përdhunojë nja tridhjetë vajza të shkollave tetëvjeçare të Kamzës? Apo duhet të nxjerrë snajperat majë kryeministrisë me detyrën për të vrarë të gjitha kalimtarët atypari në një ditë të zakonshme? Apo duhet të vërë cluster bombs në tubimet elektorale të opozitës, e ta pranojë më pas, se “i vuri ai”? Apo duhet të lidhë një marrëveshje të re mbi regjimin ndërkufitar me Greqinë, me anë të së cilës kufirin greko-shqiptar ta vendosë në Tomorricë të Skraparit? Apo duhet të marrë Fazlliçin e ta bëjë anëtar të Këshillit të Ministrave të Republikës sonë? Apo duhet t’i thotë kryeprokurores “lavire bulevardi”? Apo duhet të dalë e të thotë se “protestuesit më 21 janar kishin ardhur të armatosur me thika me helm e me stilolapsa pistoletë”? Ah, më falni, më duket se këto të fundit i ka thënë. Epo çfarë dreqin duhet të bëjë? Le të na e thonë. Ta dimë.

E dini çfarë? Unë po pres të humbë Edi Rama. Mezi po pres. Jo vetëm po pres, por edhe po lutem. Ta marrë Berisha dhe Tiranën, ta marrë dhe Durrësin, dhe Elbasanin, dhe inshallah Korçën, Gjirokastrën, Lushnjën, Fierin, deri dhe Vlorën, e kështu të qërojmë hesapet me Edi Ramën, ta qërojmë nga politika, pa dhembje fare ta qërojmë. Dhe kështu këta nuk do kenë më alibi? Hm, puna është se gjithmonë do ta kenë një alibi. Sepse ata në të vërtetë nuk kanë asgjë kundër Ramës. Puna është se ata janë me pushtetin. Do jenë dhe me Ramën nesër (kuptohet, nëse lutja ime shkon për lesh, dhe Rama vjen në pushtet). Do t’i trokasin në derë, dhe Rama ka për t’ua hapur katërkanatash. Me ta do t’i bëjë punët. Dhe zullumet. Por jo krimet, e vrasjet, e çmendurirat e markës Berisha. Apo ju do më thoni, se kush futet në rrugën e zullumeve, do të kalojë se s’bën nga stacioni i krimeve? Edhe mundet, edhe mundet. Por ç’del nga kjo? Që jemi mirë me këtë regjim që vret, e prêt? Qofshi ju që jeni! Pa Edi Ramën. Me Sali Berishën. Sa të jetë jeta. Amen!

Po tallem? Jo, asnjë çikë. E di që është cinizëm i pashoq, por do t’i gëzohesha një fitoreje të Berishës në këto zgjedhje, bash si ata që e votojnë atë. Ndoshta ngaqë pres një konfermë të fundit të faktit, se në këtë vend të gjitha të këqijat ndodhin ngaqë duam ne të ndodhin. Ose ndoshta, ngaqë dua që Berisha t’i marrë praktikisht të gjitha njësitë e pushtetit e institucionet e shtetit, dua që ai të marrë mot dhe postin e kryeprokurores, dhe atë të presidentit, dhe atë të kreut të shërbimeve sekrete, dua që ai ta blejë dhe News 24-ën, dhe Top-channel-in, dhe Shekullin, dhe Vizion Plus-in, dua që të bëhen tok me intellighentsia-n që është vënë në mbështetje të tij edhe ca që kanë rezistuar deri më sot, në mënyrë që…. në mënyrë që çfarë? Në mënyrë që të merret vesh se hesapet i kemi me një regjim. Apo kush e ka marrë e ka marrë, kush s’e ka marrë s’mund ta marrë? Nuk e di. Ndoshta mund ta di pas 8 majit.

13 komente në “A kemi fuqi ta refuzojmë të keqen?”

  1. Rani says:

    O Nano populli yne e ka kujtesen e shkurter dhe intelektin zero me xhufke, keshtu qe s’ke ça t’ju vesh faj o vlla se kaq ju ka dhene zoti, se une edhe ti edhe te tjeret mund te bejme analiza gjithe diten po popullit tone te lavdishem budalla nuk i mbushet mendja, se une kur e mora vesh se ne 2005 fitoi prape egersira thashe ; po kaq shpejt e harroi ai debil popull se ça e gjeti nga kafsha? Jane bere analiza nga me te ndryshmet keshtu qe syte jo i jane hapur, po bille jane shqepur fare popullit keshtu qe nqs kesaj radhe prape fiton egersira atehere shpetimi i vetem eshte qe te behemi protektorat i dikujt sikur ka qene plani ne 1913 dhe keshtu te pakten e kemi ndergjegjen te qete se nuk qeverisim ne, ose ka edhe nje alternative, te ngrihet Enver Hoxha nga varri si Kostandini me Doruntinen dhe te shpetoje shqiptaret.

  2. AlbinoBlackSheep says:

    Z.Nano shumica e popullit shqiptar ndan te njejtin mllef me ju. Por ne vetem qahemi e ankohemi. E shohim ku eshte e keqja dhe nuk na e mban bytha te veprojme. Kjo eshte ajo qe Sali Berisha ka pare dhe shfrytezuar ne maksimum nga ky popull.Frika dhe apatia mbajten Enver Hoxhen per 40 vjet ne pushtet.Duket se historia po perseritet,dhe po perseritet se ne e lejojme te perseritet.Ju permendni shume nga keta politikane me iniciale.Disa prej tyre kane provuar fizikisht ne trupat e tyre dhunen fizike te urdheruar nga Berisha. E askush nuk ka dale burre ti ktheje reston Berishes. Edi Rames i cau kafken dhe e hodhi ne kanal,Fatos Nanon e hodhi ne nje burg te Tepelenes per ca vjet,Prec Zogajn e rrahu ne sy te femijve te tij,Arben Imamit i dha nje dajak te mire gjithashtu, jam i sigurt qe do kem harruar edhe ndonje episod tjeter. Duket se Berisha eshte mjeshter i manipulimit dhe duke luajtur me veset dhe zullumin e ketyre politikaneve i ben te verbohen nga parate dhe te harrojne se cfare eshte dinjiteti njerezor.Per keta njerez nuk eshte per te erdhur keq e u befte mire dajaku qe u dha Berisha. Sa per popullin e thjeshte ne duhet te shpresojme ne nje Avni Rustem te dyte qe ka kurajon qe na mungon ne.

    1. plaku says:

      I dashur AlbinoBlackSheep,
      Mendoj se ke me te vertete te drejte me ato qe thua ( harrove sulmin qe Berisha bente kunder redaksise se “Koha Jone” te atehereshme dhe gazetareve kundershtare ). Mendoj se m.q.s. tani jemi ne demokraci nuk kemi nevoje per nje Avni Rustem por per voten e popullit. Jam i bindur se edhe ti vete nuk do ishe per kete rruge. Une enderoj se do vije ajo dite kur Sala dhe klika e tij te çohen ne gjyq dhe gjyqi me fakte ti dergoje ne burg.

  3. Lugat says:

    Prsh. Mbase delja e zeze pa pigmente nuk ka te drejte, por qe, gjyqi qe do i behet Berishes do jete kur Berisha te kete shkuar me te shumtit. Prandaj nje mesazh i qarte duhet dhene patjeter. Une kam pershtypjen se shume shpejt do dale ndonje “koke krisur” e do e bej te tijen.
    Megjithate shqiptaret duhet te kuptojne edhe dicka tjeter qe eshte shume e rendesishme. Eshte vullneti i te medhenjve(HA MERR dhe IK) qe vendi yne te jete ne nje vorbull te vazhdueshme, nje vater zjarri e pashuar dmth.

  4. MEMEDHETARI says:

    Z.Nano,ju beni nje analize te sakte por nuk e di pse,edhe ne nje shkrim tjeter juve ju kap “semundja” e lopes qe derdh koven mbasi e ka mbushur…
    Ata qe nuk duan Ramen dhe duan Saliun,nuk jane idealiste,ata jane thjesht kockalepires,dhe kockat ua hedh (jo ua jep) Saliu…
    “Qeni leh atje ku ha”…
    Nuk duhet keshtu???Sigurisht jo!Por…pune qensh…
    Une vete jam shume optimist.
    Ne do te fitojme mbi te keqen!
    Ne do te fitojme mbi te korruptuarit!
    Merrja njehere labce asaj kenges “Koha eshte e maskarenjve – por Shqiperia e shqipetareve”!

  5. gonixhani says:

    Z. Nano je shume i sakte ne ato qe thua, ky gerdalla jo vetem qe e ka vrare popullin e vet,por po e varferon ç’do dite,qe te dale ne darke ne tv dhe t’ju tregoje se sa mire do te behen ne te ardhmen nen udheheqejen e partise se tij.Une mendoj se populli ka shume gjera ne dore,te gjithe e pame se ç’fare frikacaku ishte ky bashke me imamet e tij!

  6. zana19 says:

    Jusitifikimi per 50 vjetet ishte se na mbyste sistemi dhe i sherbyem per te mbijetuar se s’kishim rruge tjeter, po tashti cfare eshte justifikimi i i sotem per keta intellektualle zaberhane qe po bejne te njejten gje qe bene para-ardhesit e tyre ne sistemin komunist? Ca nga keta kane dhe nenshtetesi te huaj e mund te ikin ne ekzile pa u arratisur por ne maje te avionit, apo thejsht te blejne bileten per vete e familjen sikur shkojne me pushime, e te mos kthehen nqs ja kane friken klikes berishjane. Pra, perse po i sherbejne kesaj monstre qe po e shkaterron, vjedh, dhe shet kete pak truall qe na ka mbetur e quhet Shqiperi? C’do te thone neser? do nxjerrin te njejtat justifikime si c’thote M. Nano?
    Turp! Turp! Dhe me shume Turp! Keta njerez sot e deklarojne hapur qe s’jane atdhetare me mebshtetjen qe japin klikes se ndyre e te shitur berishjane. Ata kane lindur ne Shqiperi, por i sherbejne atyre qe s’duan qe Shqiperia te kete demokraci te vertete!
    NQs Rama fiton e merr ne kabinetin e tij qofte edhe nje zog pa pupla nga kjo administrate, harram i qofte vota e popullit.

  7. zana19 says:

    Dhe nje note per M. Nanon:

    Se kuptoj pse shkruani me inciale per sahalepiresit e sales? Ku eshte qellimi? Jo te gjithe i dine emrat e sahan lepiresve? Dhe pse mos t’jua shkruani emrin te plote? Shume njerez kane iniciale te njejta. Druheni se kur t’i takoni ne kafene do tju kundervihen dhe do t’ju kthejne kurrizin? Kurse duke pare vetem inicialet do hiqen sikur s’jane inicialet e tyre dhe do e pine kafenene me ju sikur ju s’keni shkruar per ta?

  8. 21Janari says:

    Mblidhe vehten or Muç e mos shkruaj gjepora!
    Fenomeni ” Sali” nuk është fatalitet, por një etapë e demosdoshme për të kaluar drejt forcimit të Shtetit Shqiptar.
    Të ftoj të lexosh edhe një herë dialektikën e Hegelit për të mësuar si do të rrjedhin ngjarrjet…

  9. tak fak says:

    Shkrim i bukur. Ke thene ate qe mendojne shume shqiptare. Por s’duhet pritur 8 Maji, ka pune deri atje…

  10. Jeniceri says:

    Muci faleminderit qe nuk do me mundosh shume per te shkruar se i ke thene po thuajse te ghitha.Por do me falesh te shtoj pak per ata sahan lepirsa qe ti ju ke shkruar vetem inicialet por te ghith e kupojne se kush jane.Po kur saliu te behet mbret qe po ja hodhi me te vjedhur dhe kete radhe te ghith ata emra qe ti permende ghysma do eleminohen nga mafia e saliut me vdekje te lloit sali dhe ghysma tjeter do burgosen dhe skan per ta par driten e diellit .Per disa qe do ta lexojn kete konkluzion timin do thone ky qenka i cmendur ose nuk eshte nr rregull nga trut po nuk eshte ashtu ti themi gherat troc dhe te mbrohemi tani se neser do jet vone .Pra si konkluzion i imi ne mbeshtetje te Mucit qe e njeh saliun si une barrikade sot me ane te votes qe te mos kete rruge tjeter dhe vendi te shkoj ne zghedhje te perghitheshme dhe te sh

  11. brace1 says:

    Te lumte i ke rene pikes mbi I,ke merita te vecanta per shkrimin,njekosishte edhe respekt.Ky mendoje eshte shansi i fundit per ne shqiptaret,po nuke e larguam edhe kesaje here me votat tona, hajdutin vrases me banditet e tije kriminele,atehere zgjidhje tjeter per ne ska,ta mbajme se nuke meritojme drejtues me te mire se sekretarin e byrose,se keshtu jemi edhe vete e kemi hake te na shtypi ky komunist mutit,me lavierte e spiujte e tije blokeqene.Atehere mbetet ti lutemi Zotit te bien sa me shpejte vdekjen e tije,sic solli ate te profesorit te tije dulles,qe te vije shpetimi jone,ne si popull jemi te pa zote per fatin tone.

  12. LORA says:

    E vetmja “pune” e dr.Tyryry-se,ne keto 20 vjet, eshte zbulimi e menaxhimi i perversitetit.Me vjen mire,Muci,qe e identifikon vetem me iniciale skuadren e lesh-gazetareve e lesh-intelektualeve nen menaxhimin e Tyryry-se.Ata jane ,dukshem,rrjeta e alibise se afektimit te opinionit publik nga jargosjet e tyre ne sherbim te hapur,pa turp e pa doreza,te kockelepirjes.Do te me vinte me mire ta fshikulloje kete duhme qe qelb,ne misionin e saj antikombetar te perbaltjes se gati-pernatshme te intelektit te njerzve.Per mua keta palo njerez,klienteliste te dr.Tyryry-se por ne xhepin e shqiptareve,jane cdo nate ne denoncim te vetvetes per impotencen e tyre reale profesionale qe do mund ti bente te jetonin me buke te ndershme.Sidoqofte,jam e bindur qe ne raport me opinionin publik ka kohe qe jane karte e djegur,si sherbetore te stabilitetit te destabilizimit permanent te vendit ne 20 vjetet e fundit.Jemi ne nje moment shume te rendesishem te historise sone te cilin shumica e njerzve e kupton dhe e vlereson.E kam pare kete shumice ne qendresen e paepur te denoncimit te pushtetit gangster e te vjedhur per gati dy vjet prandaj jam e sigirt qe ne kemi fuqi ta refuzojme te keqen e te ristartojme procesin demokratik.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje