Reali nxjerr në shitje Higuain për 15 milionë euro

1 Qershor 2011, 14:31Sport TEMA

Reali i Madridit duket se ka vendosur që të nxjerrë në shitje sulmuesin 23-vjeçar argjentinas, Gonzalo Higuain. Sipas “El Mundo Deportivo”, Higuain nuk bind as presidentin Florentino Perez dhe as teknikun Hoze Murinjo. Për këtë arsye, ata kanë vendosur që ta nxjerrin atë në shitje për një shifër prej 15 milionë eurosh. Duke parë vlerat e sulmuesit, i cili deri një vit më parë, para dëmtimit, ishtë një nga më të mirët në qarkullim, por edhe moshën e tij të re, çmimi është shumë i ulët. Me paratë e Higuain, Reali kërkon që të afrojë sulmuesin tjetër argjentinas, Serxhio Aguero. Ky është edhe një nga motivet përse pritet që të largohet Higuain, duke qenë se në ekip aktualisht janë edhe dy sulmues të tjerë, Benzema dhe Adebajor, për të mos harruar Kristiano Ronaldon, që në të shumtën e ndeshjeve luan si sulmues. E ardhmja e Higuain ndërkohë mund të jetë në Itali. “Marca” shkruante gjatë ditës së sotme se ekipi i Juventusit mund të marrë pikërisht sulmuesin e Realit, nëse dështon që të afrojë në ekip argjentinasin tjetër, Serxhio Aguero. Ky i fundit duket se ka zgjedhur Realin dhe bardhezinjtë nuk mund të konkurrojnë me madrilenët, që mund të shpenëzojnë shifra të mëdha. Dhe, alternativën më të mirë, në rast se nuk marrin Agueron, drejtuesit e Juventusit kanë parë pikërisht sulmuesin tjetër argjentinas, Gonzalo Higuain.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje