Gimja lavdëron zotësinë e Lulit për të fituar me procedurë

29 Qershor 2011, 18:33Antena TEMA
Gimja lavdëron zotësinë e Lulit për të fituar me

Gimja u shfaq dje në Bllok më herët se zakonisht. Vendimi i Ristanit për të mos pranuar kërkesën e socialistëve për pavlefshmëri të zgjedhjeve e kishte bërë me krahë. Ecte duke e lënë veten të lirë nga e çonin këmbët. Kaloi para dyqanit të purove, pa me bisht të syrit mos e shihte dyqanxhiu dhe vazhdoi rrugën. Donte shumë të merrte një pako me puro për këtë ditë, por borxhet e mëdha tek dyqani ja kishin zënë derën. Donte doemos dikë t’i zbrazej, të gëzohej për atë që kish ndodhur. Kaçi nuk para dilte nga Blloku. Këta të PD-së nuk e njihnin të gjithë përveç Doktorit. Pa në rrugë duke ecur Eduard Halimin dhe donte t’i hidhej në qafë, por kish frikë se nuk e njihte dhe keqkuptohej. I dukej një gjeni i vogël, si Bedri Spahiu. E adhuronte për atë që kish bërë me 21 Janarin dhe donte ta nxiste ta çonte deri në fund. Halimi e pa i çuditur dhe e përshëndeti. Aq donte Gimja.

-Ku je i madh, tha. Kam një respekt të jashtëzakonshëm për ty. Gjithë Shqipëria ka respekt për atë që ke bërë, por e ke detyrim ta çosh deri në fund.

-Kë, i tha Halimi.

-Komisionin flori, duhet ta çosh deri në fund. I madh je, si i kape, një nga një i kape. E ke shkatërruar fare.

-Ëhë, Komisionin, tha Halimi. E kisha harruar fare. Po, po, do bëjmë diçka. Po ja ti e di, këto zgjedhjet.

-Mos ça kokë për zgjedhjet flori. E kemi shkatërruar fare. S’di a njihemi bashkë, por pyet Doktorin se ai më njeh. E kam bërë copë, e kam bërë. Po dhe Luli është i madh fare…

Halimi, i cili nuk kishte shumë qejf t’i lavdërohej Luli, u kollit dhe deshi të ndahej.

-Faleminderit zotëri, i tha. Unë kam ardhë vonë në PD nuk ju njoh ju të vjetërve. Unë kam ardhë pas 2005.

-Po dhe unë vonë kam ardhë mo flori, pas 2009. Se na ndau jeta, ashtu ishte puna. Vjehrri im i parë e ka pasë shok të ngushtë Doktorin. Pastaj ashtu ndodhën gjërat dhe e pushkatuan vjehrrin.

-Aha, qenke nga këta të persekutuari, i tha Halimi. E mora me mend se ata kanë shumë respekt për mua ngaqë kam dënuar këta të 21 Janarit.

-Po ç’e pyet mo flori, ngelëm gjithë jetën të persekutuar. Vjehrrin e parë ma pushkatuan, të dytin ma persekutuan, ça të them mo flori. Po i madh je, i madh. Po dhe Luli është i madh shumë. E pe si u mbrojt apo jo?

Halimi u hutua fare nga gjithë kjo breshëri biografish.

-Ku u mbrojt, s’e pashë, i tha i hutuar.

-Po në KQZ mo flori, e pe sa bukur u mbrojt apo jo, me procedurë. Ja ka marrë dorën procedurës, e ka qarë. E ka shkatërru Edi Ramën me procedurë. Se është shumë legen. Desh ta fuste në burg për Rrugën e Kombit mo flori dhe mendonte se e kapi. Shkëlqeu Luli, u mbrojt me procedurë, kanë kalu afatet, tha. Desh t’i merrte mandatin tani, shkëlqeu prapë Luli me procedurë, kanë kalu afatet, tha. Është i madh për Zotin.

-Aha, tha Halimi i hutuar përsëri. Kush të jetë ky, tha me vete, se më duket si i njohur, kush të jetë …kush të jetë… kush të jetë….

-A do një puro i madh, i tha, se ja dërgojmë këtë kalamanin të na blejë një…

Halimi u kujtua papritur. Gimja i Puros, tha, dhe e kapi e qeshura.

-Po qesh i madh hë, tha. I madh je. Po dhe Luli i madh. E pe si u mbrojt me procedurë apo jo? I madh është. Duket që ka kulturë ligjore perëndimore. Se këta e dinë kollaj, kemi të drejtë dhe mund të fitojmë, thonë. Nuk e dinë që ka afate, ka procedura… Do ndezim një cigare apo jo?

-Unë po iki Gimi, tha Halimi, që nuk e mbante dot të qeshurën. Luli i madh është, ke të drejtë. Po iki vëlla, hajt paç fat.

Gimja ngeli në rrugë prapë vetëm. Fëmija që kish thirrur të shkonte t’i blinte puro po priste të merrte porosinë.

-Ik xhan, i tha Gimja, se nuk dua cigare.

-Xhaxh, më ke lekët e djeshme dhe të pardjeshme, i tha fëmija. Kam dy ditë që të gjurmoj. Më jep lekët se s’më qasin në shtëpi.

-Ti jep xhaxhi, po jo sot se kam një mbledhje tani dhe i kam të pathyera. T’i jap nesër. Ti më njeh mua kush jam apo jo, ti e di çfarë do bëhem apo jo, unë s’t’i mbaj lekët.

-Xhaxh, m’i jep sot se s’më qas më babi në shtëpi. Ne s’kemi lek për bukë më tha, ti shko bë pazar me Gimin e Puros.

-Ou, po ku më njeh baba jot mua, i tha Gimi.

-Të njohin të gjithë o xhaxh prej puros, po më jep lekët ndryshe s’të ndahem nga pas gjithë ditën.

Gimi filloi të ecte me kokën drejt përpara, kaloi afër Kuvendit dhe po drejtohej nga Rogneri. Djali e ndiqte nga pas duke i kërkuar lekët. Gimi bënte sikur nuk e kish me të, derisa shpejtoi hapat dhe u fut në Rogner. Aty i tha rojes ta zbonte atë fëmijën që i ish ngjitur nga pas. Hyri brenda dhe ndenji deri në mesditë, sa erdhi Kaçi dhe e nxori prej andej me makinë me xhama të errëta, përtej të cilave ai pa fëmijën e vogël që vazhdonte të priste në trotuarin para Rogner-it.

 

 

5 komente në “Gimja lavdëron zotësinë e Lulit për të fituar me procedurë”

  1. rezi says:

    Halimi eshte nje puthador i ri i Saliut. Per kete eshte vertet i zoti (Saliu) ku i gjen njerin me pleher nga tjetri, i ka pergatitur brezat me rradhe, keta jane me te rinjte, Halimi,Ristani,Gumeni keta jane miqte e Rusmalit (djali Cajupit- disident i vjeter antikomunist :)…………………………….

    1. Kaon says:

      Kush eshte Gumeni?

    2. BUBURECI says:

      GIMES DJE I DOLI NJE TELASH I MADH – PAPRITMAS NE RRUGE I DOLI PERPARA NJE TIP DHE I THOTE ME MIRESEJELLJE; KU JE VELLACKO? GIMI NDALOI KEMBET DHE I THOTE: HE MO FLORI, SI JE? MIRE JAM MIRE, I THOTE AI TIPI, PO DUHET TE ULEMI NJE CIKE PER PUNE TE SHTEPISE, SE KAM EDHE UNE PER PJESE; JEMI VELLEZER. GIMJA U TURBULLUA PAK DHE BERI TE IKTE, POR AI TIPI NUK E LESHOI. HEJ-JAM BERATAS UNE – NUK ME IKEN DOT KOLLAJ, SE KAM PARRE SHUME SI TY. HAJDE TE SHKOJME NE GJYKATE-THOTE BERATASI-SE NDRYSHE KERCET KALLASHI.

      OBOBO THOTE GIMJA – KETE SE PRISJA, KY ME DEL VELLA, NA DALIN EDHE TRE VJEHRA, TRE NUSE, TRE FEMIJE, TRESHE GJITHSHKA, NA MORI LUMI NA MORI. KU DO FUTEM UNE DEREZIU.

  2. Dino says:

    Nje nga gjetjet me te spikatura te “Antenes” eshte Gimi i Puros,nje kameleon politik,nje far Shoku Zylo i demokracise berishiane!Gimi perfaqeson nje turme te madhe sahanlepiresish,pa shtylle kurrizore dhe moral,qe fatekeqesisht nje pjese e mire e tyre arrine te drejtojne shtetin.Natyreshem sic jane keta tipa grotesk e bejne dhe shtetin grotesk,ku diplomacia boterore ngre humorin dhe barcoletat!

    1. popolo di Tirana says:

      Ka nje ndryshim ndermjet Zylos dhe Gimes:
      Zylo eshte personazh i sajuar, ndersa Gimja eshte i jetuar ( i vertete).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje