Misioni i arsimimit ndërkulturor të OSBE-së në Kosovë kërkon që minoritetet dhe shumicat të mësojnë për kulturën e njëri-tjetrit, historinë përkatëse, si dhe vlerën e tolerancës dhe pluralizmit.
SETimes foli me një numër studentësh Kosovarë të kombësive dhe prejardhjeve etnike të ndryshme për të zbuluar se sa i afrohet situata standardeve të OSBE-së.
Genta, një shqiptare 15-vjeçare, ndjek shkollën 8-vjeçare Iliria në Prishtinë. Ajo ka studiuar historinë e Kosovës deri në shpalljen e pavarësisë, megjithatë diçka mungon në programin e saj mësimor.
“Ne nuk kemi mësuar për grupet e tjera etnike. Mësuesi na ka thënë se Kosova ka minoritete dhe ka shpjeguar se si ato kanë ardhur dhe janë vendosur në Kosovë, sllavët dhe turqit,” tha Genta për SETimes.
Ajo nuk ka kontakt me fëmijët e grupeve të tjera etnike në Kosovë.
“Kam takuar serbë në Brezovicë. Ata më thanë se Kosova është Serbi, ne u thamë se Kosova është e pavarur,” thotë ajo, duke shtuar se gjithçka që di është se serbët “na përzunë nga shtëpitë dhe ne u kthyem”.
Haki Kasumi, një mësues i Kosovës dhe historian, tha për SETimes, “Nëse njeh historinë e dikujt tjetri, do të ketë më pak urrejtje e armiqësi, dhe më shumë mirëkuptim. Mësimi vetëm i historisë [së vetëm një populli] do të kishte ndikim negativ.”
Megjithatë, librat e historisë në gjuhën shqipe fokusohen në protagonistët kryesorë të historisë shqiptare, ndërsa tekstet në serbisht e paraqesin Kosovën si “djepin e popullit serb”.
Davidi, një serb i moshës së Gentës, frekuenton shkollën e mesme ekonomike në Mitrovicë.
“Tregoj interes kur mësuesi flet mbi marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë. Ai gjithmonë thotë se ne kemi ndihmuar njëri-tjetrin gjatë Luftërave Ballkanike dhe luftërave botërore. Ajo që po ndodh [tani] në Kosovë nuk është shumë e qartë për ne. Ne nuk mësojmë shqip në shkollë, gjë që besoj se është e gabuar. Mësuesi i gjuhës serbe na ka thënë se serbët që jetojnë në kufirin me Rumaninë, mësojnë rumanishten si gjuhë të dytë; ata që janë pranë kufirit me Bullgarinë, mësojnë bullgarisht,” tha Davidi për SETimes.
Ai shton se mësuesi u thotë nxënësve se “Kosova është Serbi,” dhe thotë Davidi, “Unë besoj se ashtu është.”
Dauti, një prind rom, fëmija i të cilit frekuenton shkollën 8-vjeçare Mustafa Bakiu në Prizren, thotë se atij nuk i kujtohet që i biri të ketë mësuar ndonjë gjë në shkollë mbi etnitë e shumta.
Gjithashtu, Qylanxhiu ankohet se në një libër të klasës së tetë shfaqet 13 herë një emër përçmues për romët, diçka për të cilën komuniteti ka protestuar. Ai konfirmon se komuniteti rom ka kërkuar nga Ministria e Arsimit të Kosovës që të përfshijë kulturën, traditat dhe gjuhën rome në programin mësimor.
“Ne nuk kemi shtet tjetër. Ne e shohim Kosovën si vendin tonë dhe do të ishim shumë të lumtur nëse paragjykimet do të zhdukeshim, në mënyrë që të gjithë të njihemi si kosovarë,” tha Qylanxhiu.
Çansu, një 16-vjeçar turk, frekuenton shkollën 8-vjeçare të Prishtinës Sami Frasheri, duke qenë se mësimi jepet edhe në turqisht.
“Ne mësojmë kryesisht historinë turke në shkollë,” thotë ai, duke shtuar se studentëve u mësohet edhe për dy luftërat botërore, por asgjë në veçanti për etnitë e tjera në Kosovë.
“Ne e shohim Kosovën si shtëpinë tonë të përbashkët dhe duam të ndërtojmë të ardhmen tonë këtu,” thotë Çansu.
Kur njeriu është i ligët ai e vë si kusht kryesor për personalitetin e tij fitimin material. Ai është në gjendje të shes fëmijën e tij për të ngopur egon e sëmurë. Shiko profilet e botuara të intelektualëve shqiptarë nga Kosova në ueb. Të gjithë lavdërohen se flasin turqisht dhe serbisht, por shqip nuk kanë mundësi të shkruajnë një fjali pa gabime.
Mendoje tash po të thoshte një anëtar i kombit tjetër se të do ty më shumë se kombin e tij. Mendoje tash të të thoshte dikush se e do fëmijën tënd më shumë se atë të tij! Çka po ndodh me këtë kombin tonë, o shqiptarë!