Frymë optimizmi

6 Shtator 2011, 21:04Blog TEMA

Nga Roel Korkuti

Kishte kohë që këndej nga ne nuk frynte era e optimizmit. Duket se shtatori ka sjelle më shumë se vetëm një muaj të ri me vete. Gjërat po shkojnë bukur për opozitarizmin, sidomos pas para e prapa-skenave të zgjedhjeve e pas gushtit të përgjumur. Pritej me sherret e me shamatat e zakonshme sezoni i ri politik, por ndodhi krejt e kundërta. Ngjarjet po rrjedhin sikundër nuk e prisnim. Opozita ndoshta është e para që e ka pritur këtë frymë optimizmi. E pamë në parlament në seancën e parë plenare të kuvendit. U tregua mjaft e qetë. Kishte thjesht debate të zakonshme, aq sa mos të përbënin as lajm për shumë media. Prisnim ngritje zëri ne sallë, ofendime reciproke, kryeministrin që mos të lëshonte fjalën, kryeparlamentaren që të qeshte me të madhe, opozitën të ngritur në këmbë përballë karrigeve të ministrave etj etj. Për çudi nuk ndodhi aspak kështu edhe pse opozita vinte nga një prej shtypjeve më të mëdha që i është bërë ndonjëherë ndonjë opozite në Shqipërinë pluraliste. Partia Socialiste po mbledh aleatët duke diskutuar e qetë për jetën parlamentare dhe për reformat e së ardhmes sikur çdo gjë të qe në normalitet. Një jetë e tillë politikë përçon optimizëm edhe në popull. Në fakt ky i fundit është lodhur më së shumti nga gjithë çka dëgjuar e gjithë çka parë këto kohët e fundit.

Një dorë të mirë në këtë kurs të ri ka dhënë më së shumti edhe Wikileaks-i. Ndoshta ky s’qe fare koincidencë. Ndoshta pasi gjuha e diplomacisë së pastër nuk u përkthye siç duhet, u desh që diplomacia e ‘pistë’ të futej në lojë. Pa zbërthyer të gjitha teoritë e konspiracionit që qarkullojnë mbi Wikileaksi-n, ne dimë me siguri se na ka sjellë shumë të vërteta. Dhe kjo thjesht për faktin se shumicën prej tyre i kemi ditur, por thjesht si muhabete kafeneje e jo të dala nga goja e Amerikës. Përpos kësaj disa nga këto ‘thashethemnajat’ amerikane janë konfirmuar edhe nga elementë të pozitës, si në rastin e z.Pango që përveçse mohoi akuzat në emër të tij, konfirmoi ato në emër të Jozefina Topallit. Wikileaks-i ia nxiu të gjitha faqet kësaj qeveria duke bërë që skandalet e radhës të mos pinë më ujë. I lexuam të gjitha ç’thoshte Amerika për çdo qeveritar e për të gjitha aferat që kanë pasur nëpër duar. I morëm vesh të gjitha. S’kemi më ç’të dimë. Wikileaks-i qe i pari ai që na tregoi më së shumti që familja dhe regjimi janë të vërteta dhe s’janë thjesht halucinacione gazetareske. Në fakt pikërisht në pjesë të tilla që flitet për regjimin e për familjen të kaplon optimizmi më i madh për çudi. E dinim se ishin shumë  te fuqishëm por nuk dinim që ishin jo të ‘paprekshëm’. Disa kabllograma amerikane nxjerrin Mediun duke qarë, Bashën duke u dridhur, vetë djalin e të ‘paprekshmit’ në vështirësi të mëdha për të mbuluar Gërdecin apo Jozefinën në luftë me të gjithë e sidomos me seksin femër. Amerika e paska ditur me kohë por tashmë e dimë dhe ne e opozita që të ‘paprekshmit’ na qënkan të prekshëm, aq të prekshëm saqë Amerika i bënte të qante në këmbët e saj. Kuçedra s’është më e tillë, nuk të kall më frikën. Ne tashmë e dimë si mendon, si vepron e se sa kollaj i shfaq dobësitë e saj. Opozita tashmë e ka të konfirmuar se PD nuk është aq e konsoliduar sa ç’dukej, madje brenda saj ka klane me interesa krejt të kundërta. Brenda saj ka zili e xhelozi të paimagjinueshme. Këto klane sa qenë të fshehura nuk përbënin rrezik për stabilitetin e mazhorancës, por tashmë që prapaskenat dolën sheshit rreziku është më i afërt se kurrë. Kemi një mazhorancë që tashmë i duhet të luftojë brenda llojit.

Një të re tjetër që nuk e prisnim na erdhi nga gazeta Panorama, e njohur si mbështetëse e hapur ndaj qeverisë e sidomos e I.Metës. Kjo e fundit na paska filluar të gërmojë e të publikojë skandale të ministrave në fuqi. Qëkur kështu media të fuqishme pranë qeverisë na e sulmokan këtë? Mund të presim edhe më, e jo vetëm nga kjo gazetë. Tashmë po luhet me letra të hapura e të gjithë duan të mbrojnë interesat e tyre. Ndoshta I.Meta se pranon dot më faktin që është vetëm një kokë turku pasi me gjithë këto skandale të reja është në të njëjtin nivel me të gjithë pushtetarët e tjerë.

Mafia siciliane qe aq e fortë saqë për gati një shekull nuk mund ta shkatërronte askush. Interesat e shumta brenda saj bënë që ajo të vetëshkatërrohej nga lufta e brendshme. Tashmë që e dimë se kjo qeveri ka një organizim dhe funksionim të njësojtë me mafien famëkeqe, e që lufta brenda saj është përballë syve tanë, na lejohet të shpresojmë për të parën herë pas shumë kohësh që ky regjim të mund të shkatërrohet vetë por pa i hequr meritat më pas të gjitha palëve.

1 komente në “Frymë optimizmi”

  1. Spanjishtja says:

    Po vras mendjen te gjej se cfare ka dashur te shpreh autori me fjaline e fundit, eshte valle ironi, mister, gabim, cfare?….se edhe regjimi te vetshkaterrohet edhe meritat ti marrin te tjeret, kjo sikur nuk shkon. Bo…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje