Korrupsioni politik dhe politika e konfliktit si gjeneratorë të rritjes së krimit në Shqipëri

17 Shtator 2011, 21:38Blog TEMA

Nga Ulsi Manja

 

Vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi në Vlorë përtej dhimbjes së familjarëve, miqve, shokëve dhe kolegëve të tij, ka nxjerrë në dritë  një problem shumë të koklavitur që ka të bëjë me aftësinë e shtetit dhe të institucioneve shtetërore për të siguruar rendin, sigurinë publike dhe jetën e qytetarëve.

Më thjeshtë akoma pyetja shtrohet: nëse shteti është ose jo në gjendje të na sigurojë jetën, familjen dhe pronën e gjithsecilit apo është gjunjëzuar  në përballjen me krimin?.

Po tu referohesh ngjarjeve kriminale që raportohen në media dhe në shtypin e lirë, përtej shifrave zyrtare, krimi në Shqipëri ka marrë përmasa të frikshme  sidomos në harkun kohor të viteve të fundit.

Në Shqipëri po shfaqen dukuri dhe fenomene kriminale të shëmtuara që nga abuzimi seksual me fëmijët e deri tek vrasjet dhe shëmtimet e kufomave me djegie, eksploziv apo me copëtim trupi, metoda këto që bien ndesh edhe me moralin dhe karakterin e shqiptarëve si popull.

Studimet mbi shkaqet e rritjes së gjendjes së kriminalitetit në Shqipëri shpeshherë u referohen faktorëve ekonomiko-socialë por situata e krimit, dinamika e rritjes, natyra e kriminalitetit, shtrirja gjeografike, metodat e përdorura etj, tregojnë se kriminaliteti në Shqipëri determinohet nga faktorë shumë më kompleksë se kaq, ku korrupsioni dhe politika e konfliktit (konfliktet politike), renditen ndër faktorët nxitës të  kriminalitetit por edhe të dështimit në përballjen me të.

Këto dy faktorë kriminogjenë e virusojnë luftën ndaj krimit në gjenezë dhe tentakulat e tyre mbërthejnë pothuajse të gjitha institucionet shtetërore, ku ekzekutivi mbetet vazhdimisht peng i tyre.

Korrupsioni dhe konfliktet politike janë stimulues të njëri-tjetrit dhe kanë ndikim të jashtëzakonshëm në shtimin e kriminalitetit të përgjithshëm në vend për shkak të reaksionit zinxhir që shkaktojnë në trinomin e bashkëpunimit  Polici-Prokurori-Gjykatë.

Natyrisht korrupsioni dhe politika e konfliktit në fillim virusojnë ekzekutivin sepse ai përfaqëson vullnetin qeverisës dhe ka në dorë zbatimin e strategjive kombëtare anti-korrupsion dhe anti-krim, ka në dorë buxhetimin e programeve të parandalimit të krimit dhe të financimit të agjencive të zbatimit të ligjit.

Nëpërmjet korrupsionit, krimi përpiqet të shfrytëzojë situatat e konflikteve politike apo zgjedhore me qëllim që të mbërthejë për fyti ekzekutivin e radhës në funksion të rritjes së  kapitaleve të pista e që më pas investohen në ekonominë e vendit duke njollosur mbarë shoqërinë me damkën e krimit.

Korrupsioni në Shqipëri paraqitet si korrupsion politik (marrja apo mbajtja e funksioneve të pushtetit politik nëpërmjet dhënies së ryshfetit, mites, gjatë fushatave paraelektorale apo nëpërmjet donacioneve të fshehta nga lobet kriminale që rëndom ndodhin në çdo palë zgjedhje politike apo lokale tek ne), si korrupsion administrativ (nxjerrja e përfitimeve të paligjshme duke abuzuar me ligjin dhe rregullat, këtu kam parasysh skandalet e koncensioneve dhe shitjet e pasurive kombëtare) dhe si korrupsion gjyqësor (ku nëpërmjet ryshfetit dhe mitës gjyqtarët pengojnë procedurat penale më qëllim pandëshkueshmërinë e krimit dhe autorëve, tipik rasti i rrugës Durrës-Kukës ose së shpejti edhe çështja Meta), ku më i rrezikshmi mbetet korrupsioni politik si gjenerator i të gjitha llojeve të korrupsionit dhe krimit në përgjithësi.

Në Shqipëri korrupsioni politik ka prodhuar jo vetëm situata të rënda kriminale por ka gjeneruar në vazhdimësi një konflikt politik permanent mes partive politike dhe që ka mbërthyer prej mëse 20 vjeshtësh gjithë jetën ekonomiko-shoqërore të vendit.

Kjo gjendje e konfliktit politik në Shqipëri ka favorizuar së tepërmi kriminalitetin e dhunës, korrupsionin dhe krimin e organizuar apo “shoqëritë e krimit”( besoj ky do të ishte termi më i përafërt për krimin e organizuar shqiptar i cili bazohet më tepër në lidhjet shoqërore dhe miqësore se sa në lidhjet e gjakut dhe të familjes) dhe ka sjellë pasoja të rrezikshme për shoqërinë dhe shtetin të tilla si: i) ka prodhuar një ç’organizimin dhe ç’akordim total të strukturave shtetërore ( punojnë secili për hesap të vet dhe nuk i japin llogari askujt); ii) ka demotivuar strukturat e luftës dhe parandalimit të krimit (këtu kam parasysh SHISH-in, policinë, prokurorinë dhe gjykatat); iii) ka shkaktuar një tulatje shoqërore dhe një rritje të indiferentizmit shoqëror( është krijuar përshtypja se ky vend nuk bëhet dhe duhet jetuar duke mbyllur gojën e duke bërë indiferentin);  iv) ka rritur ndjeshëm nëpërkëmbjen e të drejtave dhe lirive të individit si dhe ka sjellë një ç’rregullim të jetës familjare në tërësi( dhunohen nënpunësit e shtetit, të mediave, pushohen nga puna thjesht dhe vetëm pse nuk mendojnë si pushteti).

Pushteti aktual nëpërmjet statistikave manipulative përpiqet të na japë përshtypjen se është duke luftuar pa kompromis krimin dhe korrupsionin por ndërkohë segmente të identifikuara politike brenda tij e pengojnë këtë luftë në mënyrë sistematike.

Për shkak të sjelljeve të papërgjegjshme të pushtetit shfaqen dukuri kriminale të rënda si krimet kundër jetës dhe shëndetit e deri tek krimet që kanë të bëjnë me sigurinë e qytetarëve, pronën, me të drejtat dhe liritë e qytetarëve etj, kjo është motamo fotografimi i gjendjes së tanishme të kriminalitetit në Shqipëri.

Frika dhe pasiguria e qytetarëve për të nesërmen, përdorimi i metodave të dhunës ndaj qytetarëve dhe stigmatizimi i kundërshtarit politik për gjendjen e rënduar të rendit dhe sigurisë publike janë tregues të qartë të një qeverisje që ka dështuar në politikat anti-krim dhe anti-korrupsion dhe nuk mund ta fshehë dot gjunjëzimin dhe zbythjen para krimit.

Teza e korrupsionit dhe e konfliktit politik si faktorë kryesorë të krimit dhe të pandëshkueshmërisë në Shqipëri është mjaft e pasur me ngjarje kriminale dhe nuk lë shteg për të kundërtën. Disa nga argumentat do të ishin si më poshtë: i) në Bashkinë e Tiranës dhe të Kamzës, kamikazë të veshur me pushtet rrahën dhe dhunuan në mes të ditës dhe ditën për diell  tre  femra që kërkonin trajtim njerëzor dhe human nga ligjet e shtetit dhe askush nuk ka këllqe ti ndalojë dhe ti çojë përpara drejtësisë; ii) ngecja në vend e hetimeve për ngjarjet e 21 janarit ku u vranë katër prindër të mirë dhe të varfër( vetë prokuroria ka deklaruar se nuk mund të bëhet eksperiment hetimor se nuk ka mbështetje dhe bashkëpunim të strukturave shtetërore për të zbardhur ngjarjen); iii) vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi në Vlorë( dyshimet janë për çështje pronash dhe dihet mirë se çfarë përfaqëson Gjiri i Lalëzit për politikanët shqiptarë); iv) dështimi dhe degjenerimi i gjyqeve për shpërdorim detyre dhe korrupsion ndaj figurave të larta shtetërore ( rruga Durrës-Kukës); v) rastet e abuzimeve seksuale në zyrat e shtetit(rasti Pango apo Pangomania); vi) degjenerimi i procesit të Gërdecit (pas Wikileaksit në këtë ngjarje përveç vrasjeve masive na shfaqet klasa e gjeneralëve të ushtrisë së vdekur, për të cilët Prokuroria e Republikës hesht edhe pse kemi të bëjmë më një rast të pastër të “shkeljes së betimit ushtarak”) ; vii) djegia e Komunës  së Shalës ( koncepti për shtetin dhe institucionet e shtetit në Shqipëri është primitiv dhe vështirë se ky koncept mund të ndryshojë pas ngjarjeve të vitit 1997 dhe 1998); viii) aksidentet e dyshimta të personave që kanë dijeni për aferat e pushtetit ( janë disa të tilla, ku i fundit ishte rasti i një ish-zyrtari të Ministrisë së Mbrojtjes që u aksidentua duke rënë në lumin Shkumbin) ; ix) dhunimet e gazetarëve dhe minatorëve( rasti i Mero Bazes, rrahja e gazetarëve të Top-Chanelit dhe dhuna ndaj minatorëve të Bulqizës); x) sulmi i pushteteve ndaj njëri-tjetrit( këtu kam parasysh rastin e paprecedent të fyerjes dhe etiketimit të Presidentit të Republikës dhe Prokurores së Përgjithshme nga eksponentë të legjislativit dhe ekzekutivit) etj.

Këto raste, në morinë e shumë të tillave që kanë ndodhur në Shqipëri, të çojnë drejt konkluzionit se rritja e krimit në përgjithësi dhe atij të organizuar në veçanti ka si specifikë kompozimin  e shëmtuar politik të shtetit ( shtet pazaresh të rëndomta) ku korrupsioni politik lubrifikon në mënyrë të vazhdueshme institucionet për të mos u prishur ekuilibrat qeverisës.

Tashmë krimi në Shqipëri nuk e sheh më shtetin si një ent autoritar dhe ligjor, por si një kompozim interesash ekonomike dhe financiare të pista (favoret dhe konçensionet që u bëhen deputetëve të ndryshëm për të mos rënë maxhoranca e numrave në parlament) që nuk ka asgjë të përbashkët me politikën dhe vullnetin e zgjedhësve që i kanë mandatuar sepse korrupsioni politik dhe politika e konfliktit kanë celebruar në krushqi të pandarë shtetin me krimin dhe që mbajnë me oksigjen njëri-tjetrin.

Është kjo arsyeja pse krimi në Shqipëri nuk mendohet dy herë  për të tërhequr gishtin dhe për të realizuar qëllimet e veta sepse ai nuk e sheh më shtetin si pengesë që duhet kaluar pasi milionat e derdhura të korrupsionit politik për qëllimet e pushtetit i kanë dhënë si shpagim fushën e lirë të veprimit dhe të mosndëshkimit nga ana e ligjit.

Kjo  është arsye reale edhe për demotivimin e strukturave shtetërore përgjegjëse të luftës kundër krimit, sepse në fund të fundit në këto struktura punojnë njerëz që jetojnë në të njëjtin ambient shoqëror si ne, kanë familje për të mbajtur me bukë dhe për shkak të profesionit të tyre janë të parët që i marrin vesh allishverishet  dhe dallaveret e pushtetit me krimin, ndaj sa herë “ takohen” me krimin, bëjnë një sy qorr dhe një vesh shurdh sepse kështu bëjnë edhe ata që i drejtojnë dhe i marrin në punë, pra sheh rrushi -rrushin dhe piqet –thotë populli.

Pra sot, ne si shoqëri jemi të zbuluar përballë krimit sepse shteti të cilit i kemi dhënë tagrin të na mbrojë jetën, familjen, pronën dhe të drejtat që na njeh kushtetuta dhe ligji është gjunjëzuar përballë krimit dhe është inekzistent dhe nëse na duhet ti japim një kuptim ekzistencës tonë njerëzore, ne duhet të përballemi pa frikë me realitetin e hidhur por pikësëpari duhet të zgjidhim problemet me shtetin dhe pastaj me krimin.

Kjo duhet të ndodhë sa më shpejt por deri atëherë kam frikë se rastet e dhunimit të nënave dhe motrave tona nga zyrtarë ordinerë të veshur me pushtet, vrasjet e nëpunësve të drejtësisë, krimet kundër jetës dhe shëndetit, grabitja e pronave, dhunimi i lirive dhe të drejtave tona  e shumë lloje të tjera krimesh, me gjasë , nuk do të kenë të ndalur në këtë vend të varfër ku predikohet parajsa e ku shteti bën sikur lufton krimin por në fakt nuk ka dëshirë të merret me të se rrëzohet vetë.

Për tu çliruar nga makthi i krimit dhe për të krijuar një mjedis demokratik ku jetohet dhe punohet ndershmërisht na duhet një shtet i fortë dhe institucione të qëndrueshme ku të sundojë ligji dhe drejtësia, por një shtet dhe institucione të tilla burojnë vetëm nga zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo është një arsye më shumë për të pohuar se shteti e ka humbur davanë e luftës me krimin; Shqipëria ka thjesht një shtet badihava që kushton shumë lirë.

2 komente në “Korrupsioni politik dhe politika e konfliktit si gjeneratorë të rritjes së krimit në Shqipëri”

  1. Vini says:

    Ke kapur thelbin e problemit Z. Manja, por sdime a do zgjidhet ndonjehere kjo pune. .

  2. adil says:

    o.ulsi a je ne pune apo te ka kap reforma sa per korupsion te gjith nje turi kane si PS siPD uroj qe te jesh mire te mos kesh fatin e te tjereve qe shkuan se je nje njeri i ndershem dhe i mire edhe urime per punen e re si gazetar

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje