Kur ka vullnet, ka rrugë

21 Shtator 2011, 22:02Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

 ‘Antitrupa’ elektoralë

Shpërfillja deri në karshillëk e klasës politike ndaj thelbit të kabllogramëve, nuk surprizon për një të tillë që prej dy dekadash, përballë një serie episodesh abuzimi me pushtetin, konfirmon në vijimësi shprehjen anglo-saksone se “çfarë nuk të ‘vret’, të bën më të fortë”.  Së fundi, ishte 8 maji, njëkohësisht lajm i keq dhe i mirë teksa përtej fiaskos dëshpëruese elektorale për një vënd të NATO, ai shënoi edhe një shtysë në emancipimin demokratik të shoqërisë që përballë rënies së maskave dhe abuzimit flagrant me votimin, përfitoi ‘antitrupa’ elektoral të pazakontë duke u bërë më realiste në perceptimin e integritetit të klasës politike dhe lidershipit të saj.

Më 8 Maj progresi kaloi përmes dështimit dhe elektorati mësoi duke e ‘pësuar’. Ndërsa 8 maji kompromentoi sinqeritetin politik të mazhorancës ndaj votës së lirë dhe pavarësinë e institucioneve kushtetuese, ai afirmoi njëkohësisht edhe rizgjimin prej letargjisë politike dhe rritjen e ndjeshmërisë ndaj votës, profesionalizmin dhe integritetin e admirueshëm të një pjese të medias si dhe preçedentin perëndimor opozitar që ndonse e provokuar në ekstrem, reagoi në respekt të shtetit ligjor.

 

Demokraci ‘in vitro’!

Demokracia nuk mund të jetë reale nëse është thjesht ‘in vitro’ ndaj për ironi, konsolidohet edhe kur abuzohet me të për aq kohë sa stimulohet më tej nervi demokratik i shoqërisë dhe ndjeshmëria ndaj standarteve të saj.   Si sistem superior vet-rregullues, ndërsa nuk mbyll shtigjet për abuzim, ajo ofron të gjitha shanset dhe mekanizmat civil dhe ligjor për izolimin e tij, të papajtueshme me atavizmin e dhunës dhe anarkinë që edhe nëse haset në  perëndim, përbën një rudiment në zhbërje dhe jo preçedent për imitim.

Shoqëria e bëri të vetën më 1990 duke e futur vëndin pakthim në ‘bursën’ e demokracisë. Përtej butaforisë dhe demagogjisë së politikës shqiptare për performancë demokratike dhe emancipimit të elektoratit për pritshmëri demokratike, mbetet në dorën e perëndimit të na ‘kuotojë’ sa e meritojmë, në radhë të parë miqve anglo-saksonë që investojnë parreshtur kredenciale në imazhin e demokracisë shqiptare. Si vënd i Natos dhe aspirant për në BE, pritshmëritë e elektoratit kanë referenca të qarta. Nëse mirëqenia ende stonon, mekanizmi demokratik i zgjidhjes së problemeve sikurse vetë sjellja e klasës politike, duhet të përjashtojë abuzimin dhe konfirmojnë përgjegjshmëri nëse ai ndodh. Nëse ‘etiketa’ e Natos presupozon ‘vulë’ garancie për performancë demokratike, tranzicioni absurd e kompromenton atë me koston politike të rrënimit të imazhit të vëndit dhe publicitetit negativ që pason.

 

Në emër të Tiranës

8 maji në Tiranë dëshmoi se fituesi gjykohet. Fituesi me ‘letra’, ndonse përdori në fushatë kartën e politikanit me profil perëndimor që në respekt të ‘fair play’ di edhe të humbasë, në finale zhgënjeu  me mospranimin e humbjes në ‘fushë’ dhe hedhjen e vështrimit përpara si shans për aset politik dhe publicitet pozitiv kritik në inercinë e debatit rreth transparencës së financave të rrugës së Kombit, marrëveshjes së ujrave apo tragjedisë së 21 janarit.

Me ‘alkiminë’ elektorale të Tiranës, u tjetërsua arbitrarisht jo thjesht mandati i liderit të partisë më të madhe në vënd por vullneti i shumicës së zgjedhësve tashmë të detyruar të përjetojnë një realitet të një projekti alternativ. Përtej egos individuale, reagimi i opozitës duhet të konfirmojë besnikërinë ndaj parimeve demokratike dhe respektimit të tyre me çdo mjet legal, përfshirë protestën paqësore, si shprehje e emancipimit dhe ndjeshmërisë demokratike në respekt të vetvetes, krijimit të precedentit të duhur opozitar dhe partneritetit real me perëndimin që mbështet këdo që beson dhe ndan kauzën e tij.

Pavarësisht kundërshtive që e rrethojnë 8 majin, kryebashkiaku i sotëm, me postin e të cilit lidhet ngushtë e përditshmja e qindra-mijra qytetarëve, ka tashmë shansin e punës së mbarë në interes të një komuniteti, që pas një dekade të suksesshme investimi, ka pritshmëri maksimale. Menaxhimi pa komplekse i kantjereve pezull për Tiranën, burimeve njerëzore në bashki në interes të performancës, prioriteti i hapësirës së gjelbër etj janë sfida konkrete që urojmë të kapërcehen në emër të Tiranës, pavarësisht protagonizmit të rradhës.

 

‘Bursa’ në rënie e politikës

Përballë preçedentit të mazhorancës që refuzoi shansin e zgjedhjeve të parakohëshme si aset politik për të ardhmen ndaj realitetit kompromentues politik, institucional, ekonomik, social dhe elektoral që provokuan zgjedhjet e 2009 dhe 2011, mosbesimi reciprok mes palëve është evident. Me garancitë tashmë të shndërruara në fraza klishe, opozita mbetet në dilemë edhe për 2013. Ndonse syresh brënda saj mund të kenë rezerva ndaj lidershipit opozitar për paaftësi të mbrojtjes së fitores, sfida nuk është konfrontimi për ‘mbrojtjen’ e votës deri në kompromentim të standarteve demokratike por fitorja për të cilën lideri aktual i opozitës sapo rikonfirmoi se mbetet aset unik.

Ndryshe nga mazhoranca, lidershipi socialist tradicionalisht i kalon përmasat e një individi dhe e rëndësishme për të si ‘qeveri hije’ por dhe mbarë partitë politike në vënd, mbetet të ushqejnë besimin tek kthesa për mirë përmes emancipimit demokratik të vetvetes si në planin programor – zgjidhja e pronësisë, konkurrenca e ndershme në ekonomi, sektor publik efikas etj (koha për një emër të ri për partinë socialiste(!) ashtu dhe organizativ duke riformatuar mbi bazën e meritokracisë reale ‘piramidat’ partiake dhe përfaqësuese të elektoratit për të shmangur reminishencat e ‘byrove’ politike që në inercinë e ‘mbreti vdiq, rroftë mbreti’, flasin, për ironi, për rrokada liderash ndërkohë që vetë fosilizohen në absurd.

Klasa politike, veçanërisht partitë e mëdha duhet të dëshmojnë përulësi ndaj elektoratit duke lënë pas arrogancën tradicionale ndaj tij dhe partive aleate modeste që ndonse të tilla janë gurë të pazëvëndësueshëm në mozaikun politik. Në respekt të elektoratit dhe vetvetes ato duhet të dëshmojnë seriozitet dhe përgjegjshmëri që sigurisht nuk perceptohet si e tillë kur institucioni i dorëheqjes partiake dhe shtetërore përbën tabu, kur deputetët e provincës, ndryshe nga ç’ndodh në perëndim, zhvendosen familjarisht në kryeqytet ose janë tashmë në të apo kur për shumë kandidatë për deputetë sfida nuk është fushata elektorale për simpatinë e votuesit por fushata ‘yes-man’për simpatinë e liderit.

Sfida e rradhës, pas rikonfirmimit të dinjitetit të Kushtetutës ‘copyright’ e së cilës e ka vetëm populli, është ndryshimi i kodit zgjedhor si me promovimin e garës elektorale përtej dy partive kryesore, rikthimin e një formule përfaqësuese  dhe dinjitoze për integritetin e deputetit dhe elektoratit që e voton (‘mazhoritar-proporcional’, ‘votë e transferueshme’ etj), eleminimin e diskriminimit pozitiv gjinor etj ndërkohë që mbetet imediate prania dhe respektimi i një kodi etik në politikë ku  akomodimi i zërit ndryshe, meritokracia dhe transparenca në krijimin e forumeve apo përgjegjshmëria e dorëheqjes shndërrohen në rutinë.

Me familjarizimin dhe përjetimin e realitetit të demokracisë perëndimore, veçanërisht atë anglo-saksone, nga një masë e madhe e publikut shqiptar, tranzicioni në gojën e klasës politike tingëllon sot alibi démodé për statukuonë e abuzimit që provokon pa dallim të nesërmen e të gjithëve. Me ‘topin’ nëpër këmbë dhe ‘indeksin’ e besueshmërisë në minimumin historik, klasa politike duhet të dëshmojë përgjegjshmëri për të reformuar vetveten tashmë që publiku dhe perëndimi nuk ofrojnë më ‘paradhënie’ apriori. Kur ka vullnet, ka dhe rrugë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje