Të shtëna me barut të lagur

6 Tetor 2011, 23:01Blog TEMA

Nga Enver Robelli

 

Njëri thotë se “durimi ynë ka fund”, tjetri paralajmëron se “do t’i heqim vetë barrikadat dhe muret me beton”, kreu i korit gazmor përbetohet se “nuk ka kthim prapa”. Nuk kalon ditë pa krekosje të ministrave kosovarë sa u përket zhvillimeve dramatike në veri të vendit. Opinioni kosovar këto ditë, si rrallëherë më parë, po ballafaqohet me një defilim të mërzitshëm të ngrehalucëve. Veprohet kështu për të hequr vëmendjen nga mungesa e një strategjie për vendosjen e sovranitetit të veri. Veprohet kështu edhe për të mbuluar dhe fshehur dështimet jo vetëm në veri. Të gjitha këto aktivitete propagandistike u ngjajnë të shtënave me barut të lagur. Dhe këto të shtëna filluan me aksionin e 25 korrikut, kur u dha urdhri për marshim në veri pa pasur plan se si do të veprohet ditën tjetër. Parimisht askush në shoqërinë kosovare nuk duhet të jetë kundër shtrirjes së sovranitetit shtetëror në veri, por asnjë qeveri, as kjo, nuk mund të presë nga opinioni mbështetje pa pasur të drejtë të parashtrojë pyetje kritike. Siç u pa, vetëm falë ndërhyrjes së trupave paqeruajtëse të NATO-s u evitua një blamazhë e hatashme e Kosovës. Tani problemi është deleguar në duart e bashkësisë ndërkombëtare dhe Prishtina zyrtare vetëm mund të jetë vëzhguese e situatës. Arsyet pse u krijua kjo situatë janë të dukshme për çdokënd që nuk merret me analiza sahanlëpirëse dhe nuk i duartrokit përrallave të këqija të pushtetit. Disa prej këtyre arsyeve po i përmendim në vijim.

 

Çdo qeveri që synon të gëzojë mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare për veprimet e saj së pari duhet të ketë kredibilitet – si para opinionit vendor ashtu edhe para atij ndërkombëtar. Qeveria aktuale e Kosovës duhet të luftojë për kredibilitet para popullit dhe para opinionit ndërkombëtar. E zgjedhur me vota kryesisht të vjedhura, e kontrabanduar në Kuvend si rrjedhojë e bashkimit të interesave të ngushta biznesore dhe klanore, të cilat assesi nuk kanë të bëjnë me të mirën e përgjithshme, kjo qeveri sundon sot për nesër – me të vetmin qëllim: ruajtjen e pushtetit. Pushtet në rrethanat aktuale të Kosovës domethënë kontroll i resurseve publike dhe shtrydhja e tyre për të ndërtuar edhe zgjeruar rrjetin e nepotizmit. Vetëkuptohet se një rrjet i tillë vepron jashtë sistemit ligjor, i cili është bërë zap nga mujsharët e veshur me pushtet. Prandaj, kur Qeveria e Kosovës premton se dëshiron të vendosë rend e ligj në veri, kjo tingëllon sikur kur e thërrisni piromanin për të fikur zjarrin. Çfarë provash ka dhënë kjo qeveri për sundimin e ligjit në pjesët e tjera të Kosovës? Këtu s’ka nevojë për përgjigje – sepse përgjigjja është dëshpëruese dhe e njohur për çdo qytetar që ia do të mirën këtij vendi.

 

Një qeveri që synon të shtrijë sovranitetin në veri, së pari duhet të kujdeset që të ketë një polici efektive, besnike ndaj ligjit dhe vetëm ligjit. Policia e Kosovës është një trupë e politizuar skajshëm, ku postet kyç mbahen nga njerëz të diskredituar, të katapultuar aty nga nëntoka. Një policie të tillë ndodh t’i vidhen dhjetëra kilogramë drogë nga dhoma e dëshmive – dhe asgjë askujt! Vetëm një polici e tillë lejon që persona të dyshuar për krime lufte të kalojnë kufirin për në Shqipëri pa kontroll fare (për një skandal të tillë raporton dëshmitari tashmë i vdekur, i njohur me nofkën X). Të mos flasim këtu për rastin e vrasjes së policëve Jusuf Haklaj dhe Sebahate Tolaj, në nëntor 2003. Ata me gjasë ishin pengesë për veprimtarinë e grupeve kriminale në Pejë e rrethinë, në atë zonë që jo pa të drejtë quhet perëndimi i egër i Kosovës. Të mos flasim këtu më gjerë për emërime skandaloze si ai i Kadri Arifit në postin e ndihmësdrejtorit në shtyllën e hetimeve të Policisë së Kosovës, i cili më shumë ka qëndruar në zyrën e kryeministrit Hashim Thaçi, duke thurur plane për goditjen e kundërshtarëve politikë sesa duke u marrë me punën e tij, pra luftimin e krimit të organizuar. Si mund ta luftojë krimin e organizuar një person si Arifi, i cili nga krimineli i vetëdeklaruar Nazim Bllaca u përmend si pjesë e dovletit nëntokësor të spiunazhit ilegal? Të mos flasim këtu për drejtorë policie si Sheremet Ahmeti apo Reshat Maliqi, dy figura pa ndonjë përvojë serioze në polici. Përvoja e tyre kufizohet kryesisht në drejtimin e trafikut dhe ruajtjen e ndonjë përfaqësie diplomatike. Paralelisht me këto emërime skandaloze ka ecur izolimi i të gjithë atyre kuadrove policore me përvojë dhe të dëshmuar si atdhetarë. Shpesh pengesë e tyre e vetme për përparim në karrierë ka qenë qëndrimi i tyre apolitik.

 

Në ndërmarrjen e tyre gjysmake për shtrirjen e sovranitetit në veri eksponentët e Qeverisë vazhdimisht flasin për rrezikun që vjen nga kriminelët serbë. Është e vërtetë se veriu kontrollohet nga bandat kriminale serbe, nga ideologë nacionalistë dhe nga autoritetet e Beogradit. Për këtë ekziston një konsensus tashmë edhe ndërkombëtar. Por, kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Në shoqërinë kosovare ende nuk ka debat për rolin që kanë luajtur eksponentë të Qeverisë, grupe të interesit, struktura mafioze dhe të ashtuquajtur komandantë të vetëshpallur të UÇK-së në biznesin e madh në veri. I pamë para pak ditësh – me foto madje – kamionët e firmës “Euro-kop” të Rashkës në kompleksin e “Trepçës” në jug, pra në pjesën që quhet shqiptare. Këta kamionë, sipas mediumeve serbe, janë pronë e Zvonko Veselinoviqit, njërit prej krerëve të krimit të organizuar dhe ekonomisë së zezë në veri. Kamionët erdhën në arealin e “Trepçës” nën përcjelljen e Policisë së Kosovës! Ata ishin të ngarkuar me pirit (xehe e mbetur nga procesi i shkrirjes së plumbit dhe zinkut). Ky material do të dërgohej në portin e Tivarit për eksport. Duket se ky biznes lulëzon prej vitesh. Pyetja që vetvetiu shtrohet është kjo: a thua, ka Zvonko Veselinoviqi ndonjë ortak shqiptar? Pse nuk nisin hetimet mbi këtë bashkëpunim eventual, mbi këtë vëllazërim-bashkim me bazë kriminale? Nuk nisin hetimet, sepse Kosova ka polici dhe gjyqësi të dirigjuar nga politika.

 

Një qeveri që synon të vendosë rend e ligj kudo në Kosovë, përfshirë edhe veriun, do të angazhohej me të gjitha mjetet e shtetit ligjor kundër përfituesve të gjendjes kaotike në veri në 12 vjetët e fundit. Sikur vendosja e rendit dhe ligjit të ishte ndërmarrje serioze, atëherë opinioni do t’i kishte parë në burg të gjithë ata pronarë të pikave ilegale të karburanteve në veri dhe jug të Mitrovicës, shumica shqiptarë. Rreth 50 mijë serbë të veriut nuk kanë mundur ta harxhonin gjithë atë benzinë që importohej ilegalisht nga Serbia. Një pjesë e konsiderueshme e lëndëve djegëse është kontrabandë nga shqiptarët, disa prej tyre të lidhur me struktura lokale dhe qendrore politike të Kosovës. Një kapitull tjetër janë bandat e përziera multietnike për vjedhjen e veturave. Pastaj grupet kriminale që importojnë artikuj ushqimorë. Dhe shumë grupe të tjera. Në çdo veprimtari ilegale i kanë gishtat e përzier edhe patriotët e rrejshëm shqiptarë, madje këto punë të ndyra ata ia shesin opinionit si aktivitete në kuadër të ekonomisë së tregut të lirë. Për këto tema të pakëndshme është e ndaluar të flitet në Kosovë, sepse “ne” jemi engjëj dhe “vetëm” serbët janë kontrabandistë. Derisa të mbizotërojë kjo mendësi, problemi i kriminalitetit në veri mbetet i pazgjidhur dhe një burim i pashtershëm përfitimi për të gjithë matrapazët – prej Leposaviqit deri te përmendorja e Skënderbeut në Prishtinë.

1 komente në “Të shtëna me barut të lagur”

  1. Luan Morina says:

    Ju falenderoj juve, dhe gazetës TemA, për botimin e këtij artikulli me të vërteta të cilat secili njeri në Kosovë i di, por nuk guxon t’i thotë, se vritet brenda orëve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje