Në lagjen time takoj thuajse çdo ditë një grua, Lilianën. Rreshti qeveritar, me në krye rreshterin që ka humbur tashmë jo vetëm vlerat politike por edhe ato njerëzore, ky rresht pra e pushoi atë grua nga puna në 2009 se nuk pranoi të mbushte radhët e mitingjeve blu. E poashtu e njëjta aradhë ia gjymtoi pensionin e ushtarakut të shoqit të Lilianës.
Por kjo familje, sot e varfëruar, ka shumë dinjitet, ndaj shprehja e përditshme e Lilianës është: “S’ka gjë, hë se edhe pak djali mbaron shkollën dhe do të na bëhet krah”. Djali është student në vitin e fundit për inxhinieri, pra do t’i nënshtrohet ligjit për profesionet e rregulluara, tok me ndryshimet që na kanë sjellë tani për votim. Ndaj unë në fjalën time do t’i drejtohem kësaj nëne e njëherësh edhe gjithë familjeve shqiptare dhe të rinjve që studiojnë si munden në këtë vendin tonë të sunduar.
Liliana, kam detyrimin politik e njerëzor të ta them se pushteti po kërkon nga ne të votojmë që yt bir, pasi të ketë mbaruar fakultetin e të jetë diplomuar, të detyrohet punojë minimalisht dy a tri vjet pa rrogë, dhe pas dy-tri vjetësh të paguajë një grusht parash për të dhënë provimin e shtetit, të paguajë mbi një milion lekë. Vetëm pas këtij kalvari djali mund të hapë sytë për ndonjë punë që paguhet. Në e gjettë, kuptohet!
Sikundër kam detyrimin t’ua bëj me dije gjithë studentëve që kanë marrë shtegun e dijes me vullnetin për t’u bërë farmacistë, mësues, infermierë, arkitektë, avokatë, dentistë – t’u bëj me dije pra se pushteti ju do skllevër! Kjo është “darova” që po ju bën pushteti për këtë fillimviti akademik!
Më konkretisht: Ligji për profesionet e rregulluara, që u miratua në tetor 2009 është në vetvete njëra nga kërkesat e Europës për të rregullarizuar edhe këtu tek ne tregun e punës. Atbotë ky ligj edhe u diskutua me një pjesë të grupeve të interesit, dhe iu përmbajt pak a shumë edhe sugjerimeve të tyre. Sipas tij parashikohej që të posadiplomuarit në një nga 10 profesionet e rregulluara, përpara se të merrnin lejen e ushtrimit të profesionit, duhet t’i nënshtroheshin një periudhe stazhi – thënë më shqip praktikë pune, e cila në varësi të profesionit, zgjat deri në tre vjet. Ligji parashikonte që gjatë këtij stazhi të domosdoshëm, puna e të diplomuarve të paguhej jo më pak se 50% të pagës nominale. Dhe deri këtu, së paku sa i takon stazhit, nuk kishte shmangie nga praktikat europiane dhe as nga logjika e përgjithshme e qeverimit të jetës së një vendi.
Kanë kaluar plot tre vjet nga miratimi i ligjit, dhe ja ku mbërrin befas një kërkesë nga pushteti që ligji të ndryshojë. Pra të hiqet neni që përcakton shpërblimin e punës së stazhierit. Pushteti kërkon që rinia shqiptare sot të punojë “falas-diegas”.
A e dini çdo të thotë kjo? Pikësëpari, duke qenë se askush nuk do paguhet dhe kurrkush nuk do paguajë, dëshmitë e aftësimit praktik rrezikojnë të jenë fiktive – e për pasojë të diplomuarit do t’i qasen tregut të punës pa kurrfarë aftësimi konkret e praktik. Justifikimi i Ministrisë së Arsimit qe se punëdhënësit nuk ishin të interesuar t’i pranonin praktikantët përkundrejt pagesës. Pra me fjalë të tjera, sipas variantit të Adhamudhit, meqë qeveria nuk e shëroi dot, zgjodhi ta heqë fare. Punë e madhe se bashkë me të po u heq bukën e përditshme me mija të rinjve që kanë sakrifikuar me vite për punë e dinjitet!
A ndreqej? Natyrisht që po, natyrisht që ndreqej, ashtu siç e kanë ndrequr qeveritë e vendeve rrotull nesh, për të cilat shpërblimi i punë së praktikantëve është i garantuar me ligj, e madje zë një pjesë tejet të rëndësishme të tregut të punës. Po sjell vetëm një shembull nga Italia fqinje. Grafiku 1 (NE FOTO) paraqet peshën që zë punësimi i praktikantëve krahinë për krahinë:.
Sikundër shihet, sa më i zhvilluar rajoni, aq më i lartë edhe punësimi i praktikantëve. Para një muaji, në shtator të këtij viti, Italia, Anglia dhe Zvicra e përmirësuan edhe më ligjin që mbron të drejtën e pagës së praktikantëve që presin të japin provimin e shtetit. E më anë tjetër, për t’i ardhur në ndihmë bizneseve, qeveritë përkatëse miratuan vendime për t’ua lehtësuar koston punëdhënësve që punësojnë këta praktikantë, duke iu a zbritur koston e punësimit nga detyrimet e taksave. E po ashtu duke financuar edhe bursa të kastenta për stazhin. Në këtë mënyrë të sapodiplomuarit inserohen gradualisht në disiplinën e punës, duke vjelë përditë frutet e investimit të tyre arsimor.
Ja, kështu mund të zgjidhej edhe këtu tek ne. Këtë zgjidhje europiane propozuam në tryezat e punës. Por siç e shikoni, o prindër e studentë, e po ashtu edhe ju profesionistë inxhinjerë, arkitektë, avokatë, farmacistë a mësues, siç e shikoni, pushteti nuk dëgjoi.
Po pse nuk dëgjoi? Sepse po bën një lojë prej prestigjatorësh, si gjithmonë. Ndaj sjell për votim gjëma të tilla, ndërkohë që rininë e ka të papunë e të pashpresë. Këto janë akrobacitë që bën pushteti për të mos u përballur realisht me papunësinë.
I pazoti për ta ngritur arsimin e mesëm profesional, që do ta aftësonte për punë këtë Shqipëri të papunë, pushteti shqeu si fillim dyert e universiteteve vetëm e vetëm që të mos i kishte tek dera e vet të papunët, por duke ua kthyer pas katër vjetësh në derë familjeve shqiptare si të papunë me diplomë. Tani që po përfundojnë ciklet e para të studimit, ai po përballet me një numër të madh të diplomuarish për të cilët nuk ka punë, pasi janë orientuar për një treg fiktiv dhe imagjiar pune. Dhe si gjithmonë, në vend që pushteti të merret me problemin, të cilin e ka krijuar po vetë, ai kërkon ta shtyjë atë në kohë, edhe nja 2 a tre vjet të tjera, duke i lënë rrugëve këta të porsadiplomuar, të cilët do gjejnë rrugë fiktive dhe korruptive për t’i marrë dëshmitë e aftësisë, pasi punësimi i tyre si stazhierë praktikisht po hiqet. Por jo në letra ama. Cilët po gënjen kjo qeveri? Neve, veten apo studentët? Gënjen të ardhmen e profesionistëve, dhe rëndon edhe për 2 tri vjet të tjera xhepat tashmë të vrimosura të familjeve të tyre, të cilat edhe kështu ia kanë hyrë një sakrifice ekstreme. Dhe kanë pafytyrësinë të na thonë: “Votojeni këtë ligj! Votoni ligjin që skllavëron rininë!”.
Ne nuk mund ta votojmë një gjëmë të tillë. Ne nuk mund të legalizojmë një formë të re shfrytëzimi. Unë nuk e votoj dot as si profesioniste, as si politikane e as si nënë.
Kështu pra, besoj se e morët vesh të dashur shqiptarë pse nuk i votojmë ne paçavuret që sjell pushteti në këtë sallë. Janë paçavure made in Berisha me paketim europian, që shkelin mbi dinjitetin e njerëzve dhe thellojnë varfërinë në Shqipëri.
Këto kisha për të thënë dhe këto thashë dy ditë më parë në Parlament. Fola troç dhe me zemër. Fola dhe pata një fije shpresë që dikush nga rreshti djathtas të ndjehej prind dhe profesionist përpara se një milic partie. Të ndjehej prind e të mos e votonte këtë përligjie të pacipë të papunësisë. Rreshti prej kartoni jeshil u ngjesh dhe e miratoi. Tani fjala i takon rinisë, pikërisht asaj që ky ligj skllavëron.
Ledo, si perkthehet ne anglisht “sapodiplomuarit inserohen”, se ne shqip nuk e marr vesh megjithese i kam bere nja 19 vjet shkolle “Enveri”.
cfare faqeziu me 19 vjet shkolle qenke qe qe nuk te erren syte nga ajo qe po ndoth me rinine por merresh me gomarlleqe.Apo je shakaxhi
Xha Veli,
Une mendoj se mesazhi percohet me mire me nje shqipe te paster e te bukur. Ja shih shkrimet e Meros, model gjuhesor! Mendimin e shpreh qarte dhe leximi nuk te lodh me perkthim nga “shqipja” ne shqip.
Problemi qe trajtohet ne artikull eshte vertete serioz. Artikujt duhen, por edhe rinia duhet te protestoje.
Znj. Shamku,
Sa per sqarim:inserohen = perfshihen!
Durim Shumi
…”Kanë kaluar plot tre vjet nga miratimi i ligjit, dhe ja ku mbërrin befas një kërkesë nga pushteti që ligji të ndryshojë. Pra të hiqet neni që përcakton shpërblimin e punës së stazhierit”
Te ndodhte kjo ne Itali Z. Shamku, Roma do digjej edhe njehere brenda nates. As Berluskoni i marre nuk do guxonte kaq shume.
Por sic e thoni vete, ju detyren e bete, duke e denoncuar dhe mos e votuar, tani fjala i takon te interesuarit direkt (ne mos nuk e ka pranuar skllaverine tashme).