Kishim shpresuar se optimizmi fëminor i kryetarit të Bashkisë do të ndikonte në krijimin e një bashkëpunimi tjetërlloj midis palëve në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Ngaqë është i ri, i lumtur dhe i pushtetshëm, pritshmëria publike ndaj rolit të tij ishte e madhe. Njerëzit menduan se do të ndodhte ai shpërthimi i padukshëm në shpirtrat e tyre, që vjen prej besimit se një kryetar engjëllor, duke mbajtur premtimet për ndershmëri, bashkëpunim edhe ulje taksash, do të ndryshonte më në fund furinë e mërzitshme të fatit te tyre. Por nuk ndodhi kështu. Premtimi për të ulur taksat u kthye në një lojë me taksat. Disa taksa nuk u ulën, por u ndryshuan, u manipuluan, përjashto “tarifën e eliminuar të leshit”. Disa u fshinë si me sfungjer nga kujtesa e qytetarëve, megjithëse nuk kishin qenë kurrë aty… Por disa të tjera, si psh taksat e reklamës, taksat e tabelës, ato që përcëllojnë më shumë, u rritën. Janë fshirë një numër i madh tarifash, të cilat nuk njiheshin e paguheshin nga askush edhe kur nuk ishin fshirë. Askush nuk i njehte dhe nuk i njeh këto taksa që s’dihet a kanë ekzistuar ndonjëherë. Bie në sy që ato janë formuluar shkel e shko nga njerëz të urdhëruar për të ndezur magjinë e paqenë të Kryetarit të Bashkisë. Edhe formulimet e tarifave, si vetë hartuesit e tyre, janë të çuditshme, për të mos thënë të lajthitura. Psh, u hoq tarifa e shërbimit arkivor. Arkivoooooor? E di njeri në Tiranë ç’është kjo? Tjetër, u hoq tarifa e lejes së shërbimit tej kohës normale të punës… ose, tarifa e shërbimit lejor te diapazonit kohor… ose tarifa e rrezatimit shpirtëror administrative të lulëzuar etj etj… Dhe theksohen kaq fort këto ulje tarifash hapësinore, thua se z. Basha ka rrëmbyer bisturinë e po bën transplantin e veshkave, mëlçive dhe zemrave falas, qytetarëve të sëmurë. U hoqën edhe tarifa të tjera. U hoq tarifa për shfaqjet e cirkut të organizuara për kopshte. Tarifa e cilit cirk, e cilave kopshte? Këtë do të na e sqarojë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak, mbase z. Kosovrasti. U fshinë edhe shumë shekspirllëqe të arnuara si këto, tarifa të kota, që të bëjnë të ulërish e t’u thuash. Mjaft mo spurdhjakë! Nuk mban më!
Shumë pranë ngazëllimit për tarifat e fshira, Këshilli Bashkiak i Tiranës zhvilloi mbledhjen e dytë të radhës me hipokrizi dhe ligje të shqyera nëpër këmbë. (Më shumë se rendi i paracaktuar, arsyeja e mbledhjes ishte dëshira kolektive e mazhorancës, për të kujtuar kundërshtarët se të fuqishmit, në këtë rast demokratët, asnjëherë nuk do të heqin dorë nga keqpërdorimi i pushtetit). Në njëfarë mënyre, e dirigjuar nga vetë kreu i Bashkisë, fuqia e shumicës,(përzier me shumicën e fuqisë), e vërtetuan këtë gjë duke shkelur rregulloren para, gjatë edhe mbas mbledhjes.
Shkelja e parë, që ishte edhe më e shëmtuara, ishte natyrisht votimi i dy këshilltarëve ende të pamandatuar. Ka një veçori të çuditshme në stilin e mazhorancës që qeveris vendin: Kjo veçori është instikti i privatësisë. Shteti, ai që ekziston pikërisht për të përjashtuar opsionin e privatësisë në qeverisje, është shndërruar në një mjet në duart e mazhorancës në pushtet, për të shkatërruar pikërisht misionin e tij. Ndërsa misioni i një shteti publik është bërja e punëve publike, për të mirën e përgjithshme, këtu ndodh tjetër gjë. Këta shpërfillin ligjet e rregullat, për favore personale, pa i fryrë gjë në vesh ndërgjegja e tyre, madje shkeljet i bëjnë me kënaqësi, me fodullëk, a thua shëtisin me të dashurat për dore në parqe ku shkëlqen drita e Hënës. Dy këshilltarët demokratë ende të pamandatuar votuan për rendin e ditës, duke bërë një shkelje flagrante të rregullores së brendshme të Këshillit, por as ndërgjegjia e tyre , as protesta e opozitës bashkiake, nuk mundën të frenonin “instikti e tyre të privatësisë”, që përmendëm më sipër. Votuan se përveç votimit mund të bëjnë çdo gjë, mjaft që të duan ta bëjnë.
Shkelja e ligjeve me ngazëllim kolektiv e babëzi primitive është dëshmi e sigurt e privatësisë së pushtetit, qendror e vendor dhe e papërgjegjshmërisë. Këta njerëz bëjnë ç’të duan, vendosin ç’të duan, shkatërrojnë ç’të duan, me fuqinë e votës dhe fuqinë e bindjes së tyre, sipas së cilës, pushteti që kontrollojnë, është një monopoli i përhershëm në duart e tyre.
Shkelja e dytë. Sipas Ligjit nr 8652 datë 31.7.2000, neni 31, për funksionimin e Këshillit Bashkiak, në pikën 2 thuhet se mbledhjet e radhës zhvillohen sipas përcaktimit që bën vetë Këshilli, por jo më pak se një herë në muaj.
Këshilli Bashkiak u thirr në mbledhjen e tij të dytë mbas më shumë se dy muajve.
Duke përjashtuar tërësisht mundësinë për fisnikëri institucionale, mazhoranca bashkiake e Tiranës nuk ka treguar as të paktën një minimum finese, në shkeljen e dytë rruka-cupa të rregullores, duke u sjellë me rregulloren si fëmija i përkëdhelur me lodrat në dhomën e gjumit. Është e qartë se në grupimet politike vullnetare, krijimi i të cilave ngrihet jo më mbi ideale e kauza si dikur, por mbi interesa e babëzira, zë fill një lloj mediokriteti i shtirur. Në listën e Këshillit Bashkiak, të dy koalicionet janë kujdesur të kenë emra të nderuar, personalitete dhe intelektualë me tituj shkencorë, por edhe njerëz publikë e artistë. Por ka një shpalosje cinizmi ndërsa këta burra të mençur e këto gra të përkushtuara mendimit dhe meditimit, përulen përballë fuqisë së fuqisë, përballë vullnetit politik të forcës që përfaqësojnë, paçka se do të duhej të ndodhte e kundërta. Do duhej që intelekti i tyre të përfaqësohej denjësisht nga këto forca politike. Kjo është një kontradiktë iluzive, që shoqëron jetën publike të tranzicionit shqiptar, dhe që duket qartazi pikërisht në Këshillin Bashkiak të Tiranës, dhe konkretisht, sigurisht, në mazhorancën bashkiake. Është e dhimbshme të shikosh se si eksperienca akademike, stuhia e krijimit, magjia e punës intelektuale gjunjëzohet përpara mediokritetit, vullnetit dhe verbërisë politike. Është e hidhur të konstatosh se se si militantizmi shtyp integritetin dhe shkatërron besimin tek vlerat, e sidomos lirinë. Këta njerëz që janë këshilltarë, që rrinë si murgjër brenda kostumeve të tyre, që ngrenë kartonat me energji muskulore të huazuar, ushtarë të bindur të bindjeve të eprorëve politikë e publikë, pra viktima të mëkateve të tyre, ndërsa i kanë dhënë më shumë pushtet babëzisë se lirisë, ndërsa i kanë dhënë më shumë hapësirë instikteve se arsyes. Këta njerëz janë bërë ingranazhe të një makinerie të shëmtuar, që prish dhe shprish ligjet, që shpërfill rregullat dhe sfidon demokracinë.
Së treti, një sfidë demokracisë së brendshme, i bën shkelja e përsëritur e nenit 31. Për thirrjet e mbledhjeve jashtë radhe, në po këtë nen, thuhet: Këshilli mblidhet jashtë radhe me kërkesë të 1/3-ës së anëtarëve të Këshillit bashkiak. Është fakt që mazhoranca bashkiake shpërfilli një kërkesë të këshilltarëve socialiste, me më shumë se 1/3-ën e anëtarëve, të cilët në të drejtën e tyre, kërkuan mbledhjen jashtë radhe të Këshillit Bashkiak. Arsyeja e kësaj kërkese, të hedhur poshtë thuajse privatisht nga drejtuesit e Këshillit, ishte një shkelje tjetër e mazhorancës, e katërta në radhë dhe e katërta në ngutjen kolektive të mazhorancës bashkiake për të bërë lesh e li normalitetin në Këshillin Bashkiak. Kjo shkelje është vetëm një gjurmë larg shkeljes së mëparshme. Në nenin 32, detyrat dhe kompetencat e Këshillit Bashkiak në germën K thuhet:
Këshilli ka si kompetence edhe mbrojtjen dhe garantimin e interesit publik.
Publiku shqiptar është informuar për dhunën ndaj grave nëpunëse të Bashkisë, për largimet e dhunshme dhe masive nga puna të shumë punonjësve të Bashkisë së Tiranës. Denoncimi i kësaj dhune nga ana e opozitës bashkiake, dhunë që për ironi bëhet pikërisht nga institucioni, në rregulloren e të cilit parashikohet e kundërta, ka lidhje të drejtpërdrejtë me mbrojtjen dhe garantimin e interesit publik kur një institucion, (qoftë kjo edhe vetë Bashkia), dhunon gra ne detyrë dhe përdor presion për largime të padrejta e masive nga puna.
Mëkatet e Bashkisë së Tiranës vazhdojnë. Bashkia e re e Tiranës, vjen e riformatuar në vëmendjen e qytetarëve. Nga pikëpamja administrative, por edhe nga pikëpamja etike. Drejtoritë e drejtorive janë shtuar. Por edhe pse janë shtuar, vështirë Lulëzim Basha do mund të kënaqë ujqërinë e militantëve që synojnë të pushtojnë vendet e punës në Bashki. Prandaj, për t’i ngopur të gjithë, janë shtuar edhe drejtori të tjera. Për çështje surreale. Drejtori dhuratë për aleatët. Drejtori për burimet njerëzore, bazuar kryesisht tek origjina demokrate ose FB-u. Nëpër zyra sigurisht që tani ka e do ketë më shumë sekretare. Disa të reja, të tjera jo, por kjo nuk ka asnjë rëndësi për gjendjen atje. Askush nuk ka më nevojë të bëjë njohje të reja në institucione ku mund të punosh vetëm nëse je militant, i ri, e re, i vjetër, ose e vjetër. Edhe njohjet e fshehta apo lidhjet intime midis nëpunësve që shkëmbehen në të njëjtat korridore të Bashkisë, më parë kalojnë nëpërmjet facebook-ut, që të mos ketë konflikt interesi. Jo dashuria kaotike, nëpër korridoret e bashkisë, por urrejtja midis nëpunësve që pushohen nga puna, dhe nëpunësve të rinj militant vjen erë peshk në Bashki. Ata të administratës së mëparshme, të mbetur befas si jetimë në ishull, largohen me marifet ose me dhunë, më përçmim, me lumturi, me urdhra të prerë që dalin nga gojë plot pështymë, pavarësisht si kanë shërbyer, mirë apo keq. Të tjerët, të rinjtë, militantët e ngazëllyer futen aty, të uzurpojnë vendet e mira dhe të mjera të punës, me ngutin e udhëtarëve në trenat e Enverit, që për të gjetur një vend të lirë, kërcenin mbi shpinën e të tjerëve për të hyrë nga dritaret.
Ndryshe nga ç’bën qeveria, që e ka çuar në vrimën e fundit rripin e pantallonave, Bashkia nuk është në dietë. Punë për të tërë, qejf për të tërë, dashuri e fshehtë për të tërë..
ajo pjesa me sekretare qe shkembehen e njihen ne koridoret e bashkise, me drejtore e titullare te rinj mal-ok-esore, me pelqeu shume..thua te kete shperthyer p….edhe preshi sheshit pas takses se leshit??hahahahah