Topi, Spahiu e Malaj – variabla të panjohur në ekuacionin elektoral

18 Tetor 2011, 11:18Blog TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

 

Në diskutimet e brendshme rreth ndryshimit të sistemit zgjedhor, opozita shqiptare sot përballet me një fakt elektoral kokëfortë – partitë e koalicionit qeveritar, si në zgjedhjet e 2009-ës edhe të 2011-ës, regjistruan së bashku zyrtarisht në favor të tyre rreth 52% të votës popullore. Dhe po t’i përkthesh votat e koalicionit qeveritar në mandate parlamentare, sipas  sistemit aktual zgjedhor dhe me konfigurimin e sotëm të partive, atij do t’i rezultonin 73 mandate në Kuvend. Në qoftë se rikthehemi te sistemi i 2005-ës, koalicioni qeveritar, me votat e 2009-ës, do të merrte përsëri 73 mandate. Ndërkohë, po të korrektohet sistemi aktual rajonal me një komponent kombëtar, përsëri koalicioni qeveritar, me votat e 2009-ës, do të merrte po 73 mandate.

Por sidoqoftë, diçka do të ndryshonte me ndryshimin e sistemit zgjedhor. Kjo diçka do të ishte shpërndarja e mandateve brenda koalicionit qeveritar. Kështu, sipas sistemit aktual dhe me konfigurimin e sotëm të partive, me votat e 2009-ës, PD-ja do të merrte 65 mandate, LSI-ja 6 mandate dhe PR-ja e PDIU-ja nga 1 mandat. Me sistemin e 2005-ës, shpërndarja e mandateve do të varej nga negociatat dushkiane para zgjedhjeve. Ndërsa sistemi aktual rajonal i korrektuar me një komponent kombëtar do të prodhonte një shpërndarje që do të varej nga madhësia e komponentit korrektues.

Kështu, në qoftë se 130 mandate përcaktohen nga votat e qarqeve dhe 10 mandate nga votat kombëtare të koalicioneve dhe partive, PD-ja do të merrte vetëm 61 mandate, LSI-ja 6 mandate, PR-ja 3 mandate dhe PDIU-ja, PAA-ja e PLL-ja nga 1 mandat. Ndërsa në qoftë se 120 mandate përcaktohen nga votat e qarqeve dhe 20 mandate nga votat kombëtare të koalicioneve dhe partive, PD-ja do të zbriste në 57 mandate, LSI-ja do të ngjitej në 7 mandate dhe PR-ja, PDIU-ja, PAA-ja, PLL-ja e LDSH-ja do të kishin respektivisht 3, 2, 2, 1, 1 mandate. Dhe kjo shpërndarje do të ishte identike me atë të proporcionalit të pastër kombëtar.

Duke i përmbledhur paragrafët e mësipërm me pesë fjalë, mund të thuhet që, në qoftë se koalicionet dhe votat e tyre mbeten siç janë sot , ndryshimi i sistemit zgjedhor nuk do të ndryshonte dot pjesën e tortës së koalicionit qeveritar – ai do të ndryshonte vetëm ndarjen e saj mes partive të koalicionit. Dhe fjala kyç në këtë skenar është mosndryshimi i konfigurimit elektoral të koalicioneve aktuale. Por disa zhvillime të fundit na tregojnë se kjo mund të mos jetë e vërtetë.

Së pari, Bamir Topi ka lënë të kuptohet publikisht se ka ndërmend të krijojë një parti të djathtë pas mbarimit të mandatit presidencial. Kjo lëvizje e Topit mund të merrej fillimisht edhe si një trysni ndaj mazhorancës për ta rizgjedhur atë si president, por sulmet e ashpra publike të Jozefina Topallit ndaj tij lënë të kuptohet se urës së vjetër që lidhte Topin me mazhorancën po i rrëzohen edhe ato pak këmbë që kishte. Dhe në qoftë se Topi krijon vërtet një parti të djathtë, ekuacioni i mësipërm elektoral mund të ndryshojë. Duke presupozuar se elektorati i kësaj partie do të përbëhet nga votues të LZHK-së dhe të disa partive të djathta që sot janë në koalicionin qeverisës, këtij të fundit mund t’i tronditen numrat, çfarëdo sistemi të zgjidhet.

Kështu, në qoftë se ruhet sistemi aktual, votat e partisë së udhëhequr prej Topit, edhe në qoftë se nuk prodhojnë mandate parlamentare në shumë qarqe, mund ta bjerrin mazhorancën në disa prej tyre. Për shembull, në qarkun e Tiranës, një mandat mund t’i ikë nga duart koalicionit qeverisës në qoftë se partia e udhëhequr prej Topit i heq atij rreth 5900 vota (Për krahasim, LZHK mori 5200 vota në qarkun e Tiranës në 2009-ën). Në qarkun e Durrësit, një mandat mund t’i ikë nga duart koalicionit qeverisës në qoftë se partia e udhëhequr prej Topit i heq atij rreth 7000 vota dhe në qarkun e Vlorës, një mandat mund t’i ikë nga duart koalicionit qeverisës në qoftë se partia e udhëhequr prej Topit i heq atij rreth 5200 vota.

Në qoftë se rikthehet sistemi i 2005-ës, kandidatët e partisë së udhëhequr prej Topit mund t’u heqin kandidatëve të mazhorancës mandate në disa nga 100 zonat elektorale (Lexoni artikullin e Arsen Zlaticaninit në faqen http://www.respublica.al/author/arsen-zlaticanin për të parë se sa shumë ndikon në sistemin e 2005-ës dalja me kandidatë të veçantë brenda një krahu politik). Ndërsa në qoftë se kalohet në sistemin rajonal me korrektim kombëtar, një mandat mund t’i ikë nga duart koalicionit qeverisës në qoftë se partia e udhëhequr prej Topit i heq atij 1% të votave në nivel kombëtar dhe dy mandate në qoftë se i heq atij rreth 2.5% të votave në nivel kombëtar.

Përveç Bamir Topit, edhe një figurë publike e së djathtës ka shfaqur synimin për të krijuar një parti të re, të veçantë nga ajo e Topit. Është fjala për zëvendësin e këtij të fundit në KLD, Kreshnik Spahiun. Pavarësisht se nuk e ka shpallur publikisht, Spahiu është udhëheqësi faktik i Aleancës Kuqezi, e cila ka zhvilluar kohët e fundit shumë aktivitete rreth kauzave patriotike që rezonojnë mirë me elektoratin tradicional të djathtë. Dhe të gjitha gjasat janë që kjo aleancë të kthehet në një parti të udhëhequr nga Spahiu, fill pas mbarimit të mandatit të tij si nënkryetar i KLD-së.

Në dallim nga partia e udhëhequr prej Topit, partia e udhëhequr prej Spahiut mund të tërheqë edhe zgjedhës që përndryshe do të votonin majtas apo nuk do të votonin fare. Kjo, për faktin se kauzat patriotike që Spahiu ka zgjedhur të mbrojë rezonojnë edhe me një pjesë të këtij elektorati. Për rrjedhojë, është e vështirë të parashikohet se si do të ndikonte pjesëmarrja e Aleancës Kuqezi në garë me sisteme të ndryshme zgjedhore. Por sidoqoftë, një gjë mund të thuhet me siguri – në qoftë se numrat e pjesmarrësve në aktivitetet e Aleancës Kuqezi përkthehen në vota, koalicioni qeverisës do ta ketë shumë të vështirë ta kapë numrin magjik të 71 mandateve parlamentare.

Përveç këtyre dy partive të mundshme të djathta, kohët e fundit ka patur një prononcim të zbehtë të Arben Malajt për krijimin prej tij të një partie të mundshme të majtë. Me gjasa, Malaj do të mbledhë në këtë parti dy-tre deputetë socialistë të pakënaqur me Ramën dhe do të ketë përkrahjen e tërthortë të Fatos Nanos. Kuptohet që, në qoftë se futet në garë, kjo parti do ta gërryente sadopak elektoratin socialist. Por sa do të ndikonte kjo gërryerje?

Me sistemin aktual, në qarkun e Vlorës, ku Malaj duket se ka përkrahjen më të madhe, kjo parti duhet t’i heqë opozitës rreth 10600 vota, që kjo e fundit të humbasë një mandat. Në qarkun e Fierit, kësaj partie do t’i duhen rreth 1400 vota që t’i heqë opozitës një mandat, por kjo mund të ndodhë vetëm në qoftë se Dritan Prifti nuk është i zoti të transferojë asnjë votë të tij drejt koalicionit opozitar. Ndërsa në qarkun e Beratit, kjo parti ka gjasat më të mëdha për t’i hequr opozitës një mandat – i duhet t’i tërheqë asaj vetëm 620 vota. Ndërsa për dy sistemet e tjera, atë të 2005-ës dhe rajonalin me korrektim kombëtar, çfarë u tha për partinë e udhëhequr prej Topit vlen me kah të kundërt edhe për partinë e udhëhequr prej Malajt. Por kuptohet, magnituda e efektit të këtyre dy partive të vogla mund të mos jetë e njëjtë. Ajo do të përcaktohet nga përkrahja që do të ketë secila në elektorat.

 

*respublica.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje