Reforma në sistemin e drejtësisë, sfidë për integrimin

2 Nëntor 2011, 21:14Blog TEMA

Nga Ulsi Manja

Para pak ditësh në ambientet e Hotel Sheraton në Tiranë PSSH organizoni një tryezë mbi reformën në sistemin e drejtësisë parë  në këndvështrimin e reformave integruese të vendit në strukturat e BE-së. Për nga niveli i  përfaqësimit dhe i pjesëmarrjes duhet thënë se ishte përpjekja e parë serioze  drejt piketimit të një reforme reale të sistemit të drejtësisë  ku fatkeqësisht nuk u paraqit vetëm maxhoranca qeverisëse e cila një ditë më pas nxitoi ta etiketonte këtë tryezë  si të dështuar apo politike.

Nejse kjo është punë e tyre ose e atyre që nuk dinë të bëjnë punë të hajrit, por si pjesëmarrës në diskutimet teknike që u bënë në këtë tryezë dëshiroj të ndaj me lexuesit disa nga mendimet e shfaqura dhe të debatuara nga ekspertët ligjorë dhe që përbëjnë një bazë solide në të ardhmen për reformën në sistemin e drejtësisë.

Përtej rekomandimeve të BE-së, tryeza konstatoi se reforma në sistemin e drejtësisë duhet parë në radhë të parë si një nevojë e publikut shqiptar, i cili ka qasje të përditshme në dyert e drejtësisë dhe për ta kjo është bërë një drejtësi sfilitëse që është katandisur në  derexhe të hallit dhe që ka dalë nga binarët e misionit që ka në  një sistem demokratik e që është dhënia e drejtësisë.

Madje kam mendimin se nuk është e tepërt të thuhet që sistemi i  drejtësisë në Shqipëri me pak përjashtime të vogla, prodhon më tepër padrejtësi se sa drejtësi, prodhon më shumë plagë shoqërore se sa mbyll në të vërtetë dhe së fundi thellon akoma më shumë hendekun që  ndan shqiptarët me shtetin ligjor dhe të drejtën.

Në radhë të dytë reforma në sistemin e drejtësisë duhet parë edhe si një kundërpërgjigje e kulturës së pandëshkueshmërisë ligjore që po zë  rrënjë në mjedisin institucional shqiptar dhe që po kultivohet si vlerë shoqërore.

Drejtësia sot nuk është në gjendje t’i paraqitet publikut dhe as ta etiketojë veten si shtyllë e rëndësishme e shtetit ligjor pasi aktiviteti dhe vendimet e saj shpeshherë janë shumë të diskutueshme dhe të debatueshme në publik dhe që në mjaft raste janë goditur  edhe nga Gjykata Europiane e Drejtësisë.

Tryeza konkludoi gjithashtu se reforma në sistemin e drejtësisë duhet të jetë shumëplanëshe dhe në batakun ku ka rënë sot ky sistem kjo reformë paraqitet jo më si një nevojë shoqërore por si një  domosdoshmëri jetike për ekzistencën e shtetit ligjor dhe demokracisë.

Arsyet e domosdoshmërisë së reformës në sistemin e drejtësisë janë të shumta por ato mund të përmblidhen si më poshtë: i) sistemi i  drejtësisë ka humbur pavarësinë që i garanton kushtetuta dhe ligji; ii) i tërë sistemi i drejtësisë është në konflikt të vazhdueshëm me dy pushtetet e tjera dhe këtë e konfirmon më së miri rasti i Gërdecit, rrugës Durrës-Kukës, vrasjet e 21 janarit dhe konflikti me dekretet e Presidentit; iii) sistemi funksionon në mënyrë të ç’organizuar  dhe (përpos goditjeve që i bëjnë dy pushtetet e tjera ekzekutivi dhe legjislativi) shpeshherë godet vetveten ku më i dukshëm është dueli prokurori-gjykatë dhe ku Gjykata e Lartë me vendimet e saj në mjaft çështje me ndjeshmëri të lartë publike po shkallmon tërë sistemin; iv) sistemi i drejtësisë vuan nga mungesa e profesionalizmit; v) sistemi është virusuar dukshëm madje është zbuluar tërësisht përballë korrupsionit aq sa tani kërkohet të bëjë drejtësi më pak i  korruptuari; vi) sistemi është goditur keqas nga mungesa e rregullit dhe rendit të karrierës; vii) sistemi ka mungesë transparence në vendimmarrje dhe në shumicën e rasteve kjo vendimmarrje është e ndikuar nga faktorë influentë korrupsioni ose politik; viii) ka humbur tërësisht besimi i publikut tek drejtësia.

Në tryezë u konstatua se reforma në sistemin e drejtësisë nuk duhet bërë në mënyrë selektive apo “arrna mbi arrna” por duhet parë si një paketë e plotë reformuese me natyrë: i) kushtetuese dhe ligjore; ii) institucionale, strukturore dhe organizative; iii) dhe në burimet njerëzore.

Nëpërmjet kësaj reforme synohet të arihet: i) Pavarësia e sistemit gjyqësor; ii) Përmirësimi i cilësisë së drejtësisë; iii) Përmirësimi i aksesit ndaj drejtësisë; iv) Rritje e besimit të publikut në procesin e drejtësidhënies; v) Përmirësim i efikasitetit dhe efektshmërisë së drejtësisë ndaj shqetësimeve të herëpashershme të opinionit publik; vi) transparenca e sistemit (këtu përfshihet vendimmarrja, karriera dhe profesionalizmi); vii) minimizimi deri në zhdukje i sistemit të korrupsionit.

Që të arrihen këto objektiva kërkohet që tiparet e kësaj reforme duhet të jenë: i) gjithëpërfshirëse (në këtë reformë duhet të përfshihen kontributet e të gjithë aktorëve dhe faktorëve që merren dhe kanë akses mbi drejtësinë, Presidenti, Parlamenti, Qeveria, sistemi gjyqësor, prokuroria, avokatia, juristë të shquar nga shoqëria civile, fakultetet e drejtësisë publike dhe private, punonjësit e praktikës etj); ii) reforma duhet të jetë tërësore dhe me një dinamikë shtrirje, ajo duhet të cekë jo vetëm sistemin e drejtësisë penale por të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë madje deri edhe në sistemin e burgjeve të vendit; iii) kjo reformë duhet të jetë thelbësore në kuptimin që ajo nuk duhet të paraqitet si stukim apo suvatim i  pjesshëm i  sistemit të tanishëm por duhet të synojë thelbin e ndryshimeve dhe përmirësimeve ligjore. Në këtë pikë është e nevojshme të sqarohet se kjo reformë nuk duhet të ketë karakter nihilist, por ajo duhet të bazohet në ligjet dhe kodet që i kanë rrezistuar kohës dhe në praktikën e mirë të krijuar ndër vite nga punonjësit e praktikës.

Por që të arrihen të gjitha këto, tryeza konkludoi se duhet të ketë: i) vullnet politik pozitiv parlamentar; ii) bashkëpunim dhe ndihmë europiane; iii) faturë financiare të kënaqshme; iv) durim dhe kohë të  mjaftueshme në dispozicion.

Organizatorët e tryezës kanë premtuar botimin e një broshure me diskutimet dhe debatet e kësaj tryeze e cila synon nxitjen dhe hapjen e një debati publik lidhur me reformën në sistemin e drejtësisë dhe që  kurrsesi nuk ka për qëllim të zëvendësojë parlamentin ku ky debat formësohet dhe merr fuqinë e ligjit.

Mendoj se ky ishte edhe mesazhi i kësaj tryeze të komentuar me dashakeqësi nga maxhoranca qeverisëse e cila ka tendencën për të parë çdo përpjekje të mirë bardh e zi dhe jo me ngjyra shprese. Por do të ishte e udhës që për reformën në drejtësi të flasin ekspertët dhe specialistët e fushës ndërsa politika nëse ka vullnetin e duhur le t’i kthejë ato në ligje të mira për vendin dhe që do t’i jepnin një frymëmarrje të madhe jetës së qytetarëve.

 

1 komente në “Reforma në sistemin e drejtësisë, sfidë për integrimin”

  1. Tironci says:

    Zoti Manja.
    Ne tryezen politike kishtte gjyqtare te Gjykates se Larte dhe prokurore.Ju te pakten keni patur kurajon te jepni doreheqjen nga prokuroria per tu marre me politike

    Mesa duket gjykatat nuk jane te kapura nga qeveria!!!!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje