Në emër të brezave që vijnë!

3 Nëntor 2011, 21:31Blog TEMA

Nga Blendi Klosi

Të nderuar kolegë deputetë, në këtë parlament po bëhet e udhës si asnjë reformë tjetër, si asnjë ligj tjetër, si asnjë debat tjetër publik, është e pesta herë që ne diskutojmë për plehrat. U kalua ulja e doganave për importin e plehrave, u tha është një kërkesë e Bashkimit Europian, por ne s’kemi plehra në Shqipëri. E më pastaj u diskutua për listën e plehrave, çfarë do futet, çfarë nuk do futet. Edhe ajo klienteliste. E më pastaj u diskutua për ligjin e plehrave. U diskutua më pastaj për ligjin për hekurishtet, për ligjin e skrapit, e përsëri po diskutojmë prapë për ligjin e plehrave. E sot i gjithë opinioni publik shqiptar është me veshë ngritur nga ky parlament, po pret që deputetët e këtij parlamenti një herë të vetme të harrojnë se kujt klase politike i përkasin dhe të jenë sëbashku kundër gjithë asaj që kërkon kryeministri me kalimin e këtij ligji.

Të nderuar kolegë deputetë!

Ky ligj është për importimin e plehrave në Shqipëri. Po, po, është importim i plehrave dhe mos kërkoni t’i gjeni asnjë emër tjetër. Kërkohet që Shqipëria të bëhet depo e importimit të plehrave. Neni 49 i tij flet qartë se Shqipëria do bëhet vend i importimit dhe i depozitimit të plehrave. Ligji që ne kemi përpara, është një ligj që në asnjë nen të tij nuk flet qartë për menaxhimin e plehrave, por hap vetëm dritaren për t’u futur plehra në Shqipëri.

Të nderuar kolegë deputetë!

Ka edhe një nen tjetër që paraqet ligji, të cilën ju sot kërkoni ta miratoni me votat e maxhorancës. Është neni 22, të cilin doja ta bëja publik për opinionin publik, por edhe për ju të nderuar deputetë me gërma të mëdhaja, sepse pasqyrohet qartë që ju keni gënjyer, ose ju kanë gënjyer në ato që u kanë thënë deri tani.

Ndërkohë kur e keni thënë që Këshilli Ministrave ndalon ose kufizon, pra kufizon dhe nuk e ndalon përfundimisht importimin e mbetjeve me destinacion djegien e tyre. Pra të nderuar kolegë deputetë, neni 22 që unë nxjerr për të zbuluar para opinionit publik shqiptar, bën kryeministrin të parin dhe ju të gjithë gënjeshtarë të mëdhenj. I gjithë ky ligj është një ligj klientelist, i cili bëhet vetëm për importimin e plehrave në një vend pranë BE-së, por shumë larg kontrollit që BE ofron për këto procedura. Ju sot thoni që ne do ta menaxhojmë, por kush do ta menaxhojë?! Dogana shqiptare?! Administrata publike shqiptare, kontrollorët shqiptarë?! Kush e kontrollon sot korumin në Elbasan që ditën e vë filtrin e natën e heq. Kush i kontrollon sot fabrikat e çimentos në Fushë Krujë, që ditën i vënë filtrat, natën i heqin. Kush i kontrollon sot plehrat që kanë mbuluar gjithë Shqipërinë. Kush i kontrollon sot plehrat që janë bërë bashkëshoqërues i demokracisë shqiptare. 20 vjet nuk po ndahemi dot nga plehrat. Ky ligj nuk flet asgjë për plehrat shqiptare, biles i mënjanon ato, pasi na vikan ca plehra më të kultivuara nga jashtë. Por jo, zotërinj deputetë, nuk është se vjen lëndë e parë, siç thoni ju, apo mbetje. Vijnë plehra. Vijnë plehra zotëri. Neni 22 jua nxjerr hilenë. Sepse tek 49 justifikoheni dhe thoni janë lëndë e parë. Nuk janë lëndë e parë, janë plehra, të cilat vijnë për të zënë frymën e qytetarëve shqiptarë.

Çfarë bën ligji juaj me ata që abuzojnë me plehrat. E kemi thënë edhe njëherë tjetër në këtë seancë. Gjoba më e vogël është nga 10 mijë deri në 20 mijë dollarë, për ata mafiozë që kërkojnë të mbushin Shqipërinë me plehra, gjoba më e madhe është 20 mijë dollarë. E kam thënë edhe njëherë tjetër 10 mijë deri në 20 mijë dollarë duhet venë gjoba për disa tregtarë që ndotin ambientin apo ata që hedhin plehrat, bashkitë dhe komunat që i djegin. Ja ku janë deputetët e Durrësit këtu, e dinë sesi është mbushur Durrësi. Dy herë, tre herë është përmbytur Fushë Kruja, Shijaku po ashtu vetëm nga plehrat që hidhen në ca lumenj të vegjël dhe kur bie shi, përmbytet një qytet i tërë. Qytetet përmbyten vetëm nga këto plehra, të cilat zënë kolektorët, zënë hapësirat publike, janë bërë gangrenë për Shqipërinë. Ndërsa ky ligj juve thoni që është një ligj që miraton importimin e këtyre plehrave në mënyrë korrekte. Jo të nderuar kolegë. Ky ligj duhet të jetë një ligj si asnjë ligj tjetër, i cili do të duhet të kërkojë opinionin publik. Kërkon referendum nga qytetarët shqiptarë. Pse keni frikë nga opinioni i qytetarëve shqiptarë?! Pse keni frikë t’i drejtoheni qytetarëve shqiptarë, para se ne të votojmë me kartonat që na kanë dhënë qytetarët shqiptarë. A ka një moment të caktuar, a ka një ligj më të rëndësishëm se ky ligj, që prek gjithë fëmijët tanë. Lexoni letrat, materialet që keni mbi tavolinë. Lexoni treguesit ndotjes që kemi ne në Tiranë.

E nderuar kryetare e Kuvendit, e kam me ju. E di që s’do të më përgjigjeni. Ju para disa ditësh bëtë një marshim me gratë në bulevardin e Tiranës. Ju para disa ditësh luftuat me gratë kundër kancerit. Por shikoni të nderuar kolegë treguesit e kancerit në ajrin e Tiranës. Janë të dhëna zyrtare nga institucione të pavarura dhe nga BE. Oksidi i azotit i cili është një produkt që vjen nga djegia e keqe e benzinës dhe e naftës, i cili shkon drejtpërdrejtë në frymëmarrje dhe sjell sëmundje të ndryshme mjaft të rrezikshme, që kur bashkohet me ujin, apo bie në shi, formojnë acide. Norma e BE-së është 20 i këtij treguesi, ndërkohë në Shqipëri në orën 8:30 të mëngjesit, kur dalin fëmijët e të gjithëve ne për të shkuar në çerdhe, kopshte, shkolla që shkojnë në bulevardin e madh ku ju bëtë marshimin kundër kancerit, ashtu si shkojnë tek Tirana e re, tek zogu i zi, në spitallë kudo nëpër tiranë, treguesi është 45.5, 50.3. Shikoni treguesin tjetër, benzenin. Është produkt i mosdjegies të mirë të benzinës dhe të naftës. Është norma 1.5 në BE maksimalja e lejuar. Në Tiranë në orën 8:30 është 4.7, në orën 9 është 5.3. Janë tregues që tregojnë kancerin. Treguesi tjetër është bloza që vjen nga makinat. 20 është norma e lejuar në BE, 50.9 është në mëngjes në Tiranë. Janë treguesit të cilët dëshmojnë që ne kemi probleme shumë të mëdha me atë që sot luftohet me të madhe në Europë, cilësia e jetës së qytetarëve shqiptarë. Kemi probleme shumë të mëdha me atë që në Europë cilësohet si mbrojtja e qytetarëve nga politikat.

Por ne çfarë bëjmë të nderuar kolegë deputetë. Ne sot rijmë dhe votojmë. Votojmë një ligj i cili do të ndikojë në shumë breza. Votojmë një ligj i cili na ndikon të gjithëve sëbashku. Ju të nderuar kolegë deputetë sot e votoni. Unë kam një thirrje. Keni bërë ju këtu me dhjetëra thirrje, votojmë ligjet me 3/5, votojmë ligje që kanë të bëjnë me integrimin, votojmë ligje që kanë të bëjnë me të ardhmen e Shqipërisë. Të nderuar kolege deputetë të maxhorancës, ju lutem mos e votoni këtë ligj. Mos e votoni këtë ligj në emër të fëmijëve tuaj, në emër të prindërve tuaj, në emrin tonë, në emër të brezave që do të vijnë. Mos e votoni këtë ligj, sepse ky është një ligj që na dëmton të gjithëve. E nëse nuk e votoni, ndonjëri nga ju mbase nuk do jetë në lista për deputetë, mbase Sali Berisha dhe dy tre të tjerë, s’do ju vënë, po ju garantoj se është një ligj që ja vlen edhe mos bëhesh deputetë po ta votosh kundra.

 

*Fjala e mbajtur sot në Kuvend

8 komente në “Në emër të brezave që vijnë!”

  1. albani says:

    Cudi e madhe Shqiperia eshte katandisure plehra kudo dhe sdim c’fare do bejme me to , ne nuk po perballojme dote c’na duhen te tjerat. Jemi katandisur nga nje bace me lule ne nje bace me plehra.

  2. Kuzhinieri says:

    “Jane tregues qe tregojne kancerin”!!!!!!!!!!!!!!!!!!
    Ky tipi eshte deputet dhe te kerkon voten qe neser te behet Minister !!!

  3. Kuzhinieri says:

    Se per pak harrova:
    NE EMER TE BREZAVE QE VIJNE betohem te mos votoj per gjela deti si ky tipi e ca te tjere. Do hedh vote te pavlefshme ne kuti.
    BETOHEM

    1. Joni says:

      Ore Kuzhiner derdimen, o i uruar nuk shikon qe pleherat tona po na zejne rruget e skemi ku ti cojme do te vijne dhe pleherat nga bota… ej thirri mendjes o njeri dhe mos e voto Blendi Klosin se nuk eshte aty halli jo por thuaji JO dhe dil ne shesh e kundershto kete ligj te qelbur qe po na servirin se do na hyjne pleherat ne shtepi.

  4. Poliksenos says:

    Te paskan mbaruar punet e restorantit me duket dhe po ja fut si kau peles tani.Shyqyr qe se ke ti ne dore kete punen e plehrave se do na mbysje fare pastaj.

    1. Kuzhinieri says:

      O ti kompetent, ate qe gatuaj une mos ia uro as armikut ta haje. Sa per te tjerat, kau, pela apo gjeli i detit kane inteligjence superiore prandaj mos u merr se do ngecesh.

  5. fatmiri says:

    ore kuzhinier. gatuaj vetem per vete tende dhe ndonje qe i pelqen gjella jote. Leri te tjeret te gatuajne vete. Pse lodhesh kot se te shkoi djersa çurk.

  6. libertas says:

    hik mer blend se je bo si qofte

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje