Flamuri analizon me Full-hanin ndikimin e krizës greke dhe italiane në Shqipëri

13 Nëntor 2011, 12:12Antena TEMA
Flamuri analizon me Full-hanin ndikimin e krizës greke dhe italiane në

 

Flamuri po shqetësohet shumë nga kriza e papritur e Greqisë dhe Italisë, ku të dy kryeministrat ikën pa u kuptuar fare. Për këtë të Greqisë nuk i erdhi shumë keq se ishte aleat i socialistëve, por për Berluskonin u mërzit shumë se i fillon dhe emri me B dhe dikur në vitin 2001, kur  Flamuri ngjiste psotera, Doktori e porosiste të shkruante nëpër mure “Tre B..-të do fitojnë”. Ishte fjala për Bushin, Berishën Berluskonin. Tani dy nga B kanë ikur dhe ka mbetur vetëm Doktori. I druhej shumë kësaj pune.

U ul dhe filloi ta analizojë me qetësi cilat ishin rreziqet tek ne. Shifrat ekonomike nuk i kuptonte mirë. Atëherë vendosi të pyes Full-hanin si ekspert.

E thirri dhe ja shpjegoi hallin.

-Më ke aty për një orë, i tha Full-hani.

-Po nuk vjen dot më shpejt, i tha Flamuri?

-Vij, i tha Full-hani, por ti tani më njoftove dhe tava e peshkut e do 45 minuta sa të bëhet.

-Po eja mo pa peshk, ça më duhet peshku mua, tha Flamuri, dua të bëjmë një bisedë profesionale.

-Më vjen keq i tha Full-hani. Unë nuk bëj dot bisedë pa tavën para, më ka mbetur zakon. Unë bëj tavë dhe për Ridvanin kur  takohem, jo për ty që je Dyshi.

Flamurit ju përkëdhel sedra dhe e pranoi.

Pas një ore Full-hani mbërriti me tavën e peshkut, dy shishe verë dhe gjirhë takëmet e shërbimit. Nxori mbulesën prej letre, e shtroi mbi tavolinë të Flamurit, nxori servisin e lugëve dhe pirunëve, vuri pecetën mbi kravatë, hapi verën dhe u rehatua.

-Hajt flasim, i tha. Çfarë deshe të më pyesje?

-Për këtë krizën greke dhe italiane, i tha Flamuri. Nuk e kuptoj s’i dhanë dorëheqje kot këta kryeministrat. Ky i Greqisë kot fare, dhe i mori lekët, dhe iku. Ky i Italisë akoma më kot, dhe i ka votat, dhe iku.

-Ta dija që do më pyesje për këto, i kisha thënë këshilltarëve të më jepnin një përgjigje, i tha Full-hani, se i bëjnë shpejt ata, dhe unë pa letër nuk flas dot.

-Po s’ka gjë, thuaje me fjalët e tua, i tha Flamuri, unë dua ta kuptoj se më pyesin të gjithë se i kanë sytë nga unë dhe s’di ça tu them.

-Po në Greqi, i tha Full-hani, qeveria harxhon më shumë se sa fiton, d.m.th si ta them unë, çdo muaj duhet të paguajë 100 mijë lek borxh dhe prodhon 70 mijë lek, ndërkohë që s’ngelen lek për pagat dhe shpenzimet.

-Po pse nuk merr borxh tjetër, pyeti Flamuri. Unë kam folur me këtë Burrin për borxhe dhe thotë duhen marrë sa më shumë borxhe dhe qesh se thotë “kush të rrojë, t’i pagojë”.

-Ashtu është, tha Full-hani, po ne jemi jashtë Evropës, kurse Greqia e ka problem se nuk e lënë ata të Brukselit.

-Po Italia, tha Flamuri.

-Afërsisht njësoj, i tha Fullani duke i rënë shkurt.

-E kuptova, tha Flamuri. Po pse shkojnë gjejnë kryeministra bankierë, pyeti Flamuri gjithë dyshim.

-Gabim e kanë, tha Full-hani. Unë për vete më ka pyetur dhe shefi, i kam thënë është gabim. Më mirë të jetë politikan, bile të ketë si shefi ynë.

-Po këtu tek ne kanë rrezik të bien bankat, pyeti Flamuri gjithë kuriozitet, si mund të fillojë?

-Jo, s’ka rrezik i tha Full-hani. Bankat janë të sigurta, por kemi ca biznesmenë që kanë rreziqe se kanë marrë shumë kredi. Se fillon si me shaka ajo p.sh, i mbarojnë lekët për këste Zamirit, ai nuk i jep dot lek atyre që kanë ndërtuar qendrën e biznesit, ata nuk paguajnë dot punëtorët, punëtorët bëjnë grevë, Sandri mërzitet se Zamiri nuk paguan, e sulmon tek Klani dhe ngjallet panik. Ose fjala vjen Gimes nuk i ec kafja, si rrjedhim nuk shitet as sheqeri, fabrika ngec, nuk paguan dot kredinë, i lutet kunatit në tatime të vërë ca gjoba Lori Kafesë që të ecë ky, as nuk ja vë dot se nxehen ata të tv, kështu shpërthen paniku dhe krijohet problem. Se e ka thënë mirë shumë Lul Basha ‘nuk ka krizë ekonomike, por mentalitet krize’. Po the je mirë, mirë je, po the je keq, keq je. Ndaj e ka mirë shefi që thotë jemi shumë mirë.

-E kuptova, tha Flamuri. Paskan qenë koqe këta perëndimorët që ankohen dhe shkojnë e hanë u ikin kryeministrat.

-Gabim të madh kanë bërë, tha Full-hani. Gabim të madh, i kam thënë dhe Shefit. Më pyeti një ditë a kemi ndonjë bankier të zotin, dhe unë i thashë jo, asnjë. Me thënë të drejtën nuk e kisha për vete se mos e vendoste Guvernator, por kisha frikë mos i shkonte mendja ta linte si pasardhës në kryeministri. Nuk duhet ta bëjë gabimin e atyre… Ha pak ha se u ftoh peshku. Se siç e ka thënë dhe shefi, thuaj jam mirë të jesh mirë se ndryshe vdes.

-E kuptova, e kuptova, tha Flamuri. Kjo ka shumë rëndësi. Se ja kam ca frikën këtij Risvanit se dhëndri gjashtë muajt e parë nuk mbahet. Më kujtohet Nano atëherë, prishi qeverinë vetëm pse u martua. Ja kisha frikën.

-Po jo mo burrë ça thua ti, i tha Full-hani. Ja porosis unë një peshk tjetër e i shkoj pastaj në zyrë. Jo mo burrë ça thua, s’e bë Ridvani atë.

 

 

 

 

4 komente në “Flamuri analizon me Full-hanin ndikimin e krizës greke dhe italiane në Shqipëri”

  1. lili says:

    fantastik,si cdo here!

    ti ndimojme pak .mos te blem me kaffe,qe sheqeri mos te shitet etj…
    !

  2. noemi says:

    Z. Baze, up-date pak se kunati i Gimes nuk eshte me te tatimet, e kane larguar qe aty.

  3. mali says:

    Ky Fullhani eshte nje koqe kokerr, qe fakultetin e ka marr me pesa dhe ato prej babes vet. Ky nuk di gje tjeter te haj, te thote barcaleta te ndyra e te serviloset ne ekstrem,madje te laj e puth prapanicen e shefave.. Bir selmani nenes ke te qaj me pare, mjer populli per keta hajvane…

  4. tana says:

    Guvernatori: Full Han
    Kryeministri: Xhingis Han
    K. Parlament: Topall han
    Min. Financave: Rixh Han
    Min. Bujqesise: Rull Han
    Shteti: Albanisuan
    Opozita : Kurban
    Populli: Aman Aman!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje