Është mirë kur lexuesit komentojnë në internet shkrimet e gazetarëve dhe kur shprehin mendimet e tyre për deklarata apo veprime politikanësh. Por, çfarë po ndodh në webfaqet e mediave shqiptare është më tepër kanibalizëm, i cili nuk duhet të tolerohet më nga redaksitë, sepse po e helmon dhe devijon diskursin publik
A mund ta paramendoni më jetën tuaj pa internet? Vështirë. Pothuaj e pamundshme. Në kohën kur edhe bujqit, barinjtë dhe rojtarët e institucioneve shtetërore kanë filluar të hapin profilet e tyre në Facebook, kjo është shenjë e qartë se parada fitimtare e internetit s’ka të ndalur. Kur theksoj se edhe bujqit dhe të tjerët, ata që zakonisht quhen të paprivilegjuarit e shoqërisë, tashmë kanë profil në rrjetet sociale, këtë s’e them me përçmim, por vetëm si shpjegim për digjitalizimin e botës. Njëri prej heronjve të epokës së digjitalizimit është edhe lexuesi, i cili komenton në internet tekstet e gazetarëve, shpreh mendime për veprime a deklarata politikanësh dhe nevrikoset me zhvillime të caktuara nga përditshmëria. Interneti është një platformë e përshtatshme për këtë. Dikur lexuesi është dashur të merrte një letër të bardhë, të rehatohej në kolltuk, në tavolinën e punës apo gjetiu, të merrte frymë më shumë se një herë dhe, pastaj, të shkruajë mendimin e tij (mos)pajtues për ndonjë tekst. Ka edhe lexues të tjerë që përtojnë të shkruajnë dhe shpejt e shpejt thërrasin me telefon në redaksi, duan të flasin me gazetarin dhe të nxjerrin dufin e tyre, por rrallë ky duf kalon në fyerje personale, sepse afërsia akustike krijon njëfarë pragu të ngurrimit, kështu që edhe lexuesi i zemëruar zakonisht flet me ton të moderuar.
Krejt ndryshe është puna me lexuesin digjital ose hardallin e internetit. I fshehur në anonimitet të thellë, i rehatuar në zyrë apo në shtëpi, në kafehane apo në çajtore, ky tip lexuesi, duke shfrytëzuar mundësitë e reja të komunikimit, gjuan në internet çfarë i bie në mend. Fjalë fyese. Kërcënime. Tallje bizare. Denoncime. Shpifje. Shfryrje raciste. Ky fenomen është i njohur në pothuaj të gjitha mediat, jo vetëm te gazetat, të cilat ua mundësojnë lexuesve komentimin e teksteve publicistike. Ideja është e mirë: gazetari shkruan, lexuesit i ofrohet mundësia të komentojë, reagojë, sqarojë, korrigjojë. Fataliteti qëndron në faktin se ideja e mirë shpesh keqpërdoret brutalisht. Ky problem është detektuar qëmoti në mediat evropiane dhe anglosaksone. Redaksitë përkatëse kanë marrë masa për krijimin e njëfarë rendi në oborrin digjital, duke ashpërsuar rregullat e komentimit, duke mos botuar asnjë koment që fyen dinjitetin e njeriut, që denoncon, që shpreh urrejtje raciste apo që përdor gjuhë seksiste. Këtu nuk bëhet fjalë për censurë, por për masa të domosdoshme kundër helmimit të debatit.
Kurveleshi dhe Muçibaba
Si qëndron puna në botën mediale shqiptare? Ekspansioni në internet i mediave shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora ka përmirësuar dukshëm komunikimin ndërshqiptar. Ky është një zhvillim i mirë. Para se të llomotitet për bashkim, siç bëjnë ca hardallë jashtë dhe brenda internetit, shqiptarët duhet të njihen mes vete dhe të konsolidohen si shoqëri. Është mirë kur një lexues, ta zëmë, nga Mitrovica, pa ndonjë mundim të madh mund të shprehë mendimin e tij mbi cilësinë e ujit në plazhin e Durrësit, pas botimit të një teksti mbi këtë tematikë në ndonjë gazetë të Tiranës. Po aq pozitive është kur një lexues nga Kurveleshi mund të komentojë – pa fyerje – një tekst të botuar në ndonjë gazete kosovare mbi korrje-shirjet në fshatin Muçibabë. Por, komentet pa fyerje janë të rralla në webfaqet mediale shqiptare. Në këtë skëterrë defilon armata e snajperistëve digjitalë. Shpesh komentet e këtyre lexuesve (ndonëse këta s’e meritojnë të cilësohen as lexues) kalojnë në kanibalizëm. Madje ky kanibalizëm pak a shumë po tolerohet edhe nga mediat. Ose po injorohet, duke mos aplikuar disa rregulla bazike për komentim të teksteve gazetareske në internet.
Është plotësisht legjitime, kur një lexues nuk pajtohet me shkrimin e një gazetari. Duke qenë përherë të ekspozuar në jetën publike, gazetarët krijojnë bindjen se ajo që shkruajnë përherë është fjala e fundit e mençurisë. Nganjëherë edhe mund të mos jetë. Pak reflektim dhe vetëkritikë s’i bën dëm askujt, më së paku gazetarëve. Megjithatë, me asgjë nuk mund të arsyetohen komentet e snajperistëve digjitalë, të cilët denoncojnë gazetarin apo gazetarët në mënyrën më perfide dhe më brutale. Epitetet si “spiun i Serbisë”, “i shitur”, “armik i shtetit” janë më të butat në arsenalin e armatimit të snajperistëve. Edhe më keq kalojnë në këtë mes politikanët.
Tavolina e pijanecëve
Dihet se nuk bëj pjesë në mesin e atyre gazetarëve që ledhatimin e politikanëve e kanë bukë të përditshme dhe kënaqësi të përhershme. Mendoj se kritika kundër mangësive, krimit, korrupsionit, paaftësisë dhe mizorive të secilit pushtet duhet të jetë e ashpër, konsistente dhe e pakompromis. Në një vend ku gazetarët dhe politikanët i kanë punët shumë mirë, aty ose nuk ka demokraci, ose ajo është para suprimimit. Por, është bizare kur lexuesit me prirje kanibaliste dhe nën mbrojtjen e anonimitetit që krijon interneti marrin guximin e çmendur të thonë: “Duhet të largohen këta tradhtarë të qelbur nga aty me mjete paqësore apo me dhunë”. Në këtë lloj komenti ka shpifje, ka thirrje për rrotullim të rendit kushtetues, ka gjithçka që i takon tavolinës së pijanecëve, por jo debatit publik. Është gabim dhe shkelje e etikës të botohen komente të tilla në webfaqe. Këtë, për fat të keq, nuk e bën vetëm një gazetë e caktuar në Kosovë, por e bëjnë të gjitha. Më ra në sy një ditë një koment i një lexuesi, i cili shkruante se profesori XY (në origjinal përmendej emri i vërtetë) nuk ua jep notat studenteve pa shkuar ato në shtrat me të. Edhe nëse është kështu, kjo do të duhej të hulumtohej nga gazetarët, por jo të plasohej si koment lexuesi, sepse kështu s’është gjë tjetër veçse denoncim pa asnjë fakt. Para disa muajsh një lexues, njëri prej shumë hardallëve të internetit, pasi shprehte mospajtimin e tij me një deklaratë të një politikani, nënvizonte se ai, pra politikani, është homoseksual dhe e ka një dashnor në kryeqytetin e një vendi evropian. Çfarë mund të kenë të përbashkët homoseksualizmi i supozuar dhe i padëshmuar i një politikani me një deklaratë të tij politike – këtë me gjasë e di vetëm komentuesi budalla!
Bajga digjitale
Shpesh komentet e lexuesve digjitalë janë raciste. I barrikaduar në istikamin e anonimitetit hardall-lexuesi poston nëpër webfaqe mendime krejtësisht raciste. Për shembull shkruan se të gjithë atyre që, ta zëmë, nuk janë nga Prishtina, nga Prizreni, nga Gjilani, nga Gjakova, pra nga këto kasabatë e rëndomta kosovare, u vjen era bajgë. Duke e ditur se sa e keqe është cilësia e jetës në qytetet kosovare, vërtet nuk dihet sa a i vjen era bajgë dikujt që jeton jashtë qytetit apo era fekale këtij që është i detyruar të mbijetojë në qytet. Me një fjalë: punët keq (për të mos përdorur ndonjë fjalë tjetër) i ka si qytetari i Kosovës që jeton në “Velani” apo në “Breg të Diellit”, ashtu edhe ai që jeton në ndonjë fshat të Skenderajt apo Kamenicës. Kuptohet se përdorimi i këtyre nocioneve fyese bëhet për të treguar kinse dallimin ekstrem kulturor dhe social mes fshatit dhe qytetit në Kosovë. Por, ky dallim nuk është fare i madh. Si për së miri, si për së keqi.
Edhe në fushën e komenteve digjitale, si në shumë të tjera, sa i përket brutalitetit, Kosovës ia kalon vetëm Shqipëria. Atje pothuaj nuk ka koment lexuesi që është i botueshëm në rrethana normale. Në mungesë të rrethanave normale shpërfaqen instinktet e kanibalizmit, ku kryeministri Sali Berisha quhet “vrasës” ose “vjedhës”, ndërsa lideri socialist Edi Rama titullohet herë si i “degjeneruar” herë si “kriminel”. Kështu shoqëritë shqiptare në Ballkan, së paku sa i përket hapësirës debatuese në internet, po shndërrohen në shoqëri denoncimesh, ku secili e ndien veten të thirrur të shajë e shpif duke u fshehur prapa çadrës digjitale. Kështu është kur secilit qyqar dhe militant partiak i mbushet mendja se mund të paraqitet si zë publik. Dhe kështu do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen nëse shtëpitë mediale nuk e vërejnë se botimi i komenteve pa nivel vetëm mund të dëmtojë imazhin e tyre publicistik. Në drejtim të krijimit të rregullave për komente në webfaqe do të duhej të angazhoheshin edhe shoqatat e gazetarëve, të cilat bëhen të gjalla vetëm kur kërcënohet ndonjë koleg e kolege. Krijimi i disa rregullave do t’u ndihmonte të gjithëve, më së shumti lexuesve, që vërtet janë të interesuar të marrin pjesë në diskursin politik.
Keni shumw tw drejtw zoti Robelli. Dalengadale po kthehemi ne nje popull anonim, pa personalitet dhe pa kulture. Injoranca dhe anonimati i vene zjarrin vendit.
Me respekt,
Niko Pocari
po shqiperia u shkaterrua dhe ske ku ta varesh kulturen!
Mire ne KOMUNIZEM,qe diktatura nuk te lejonte te shpreheshe hapur,PO TANI ,PAS 22 VJETESH KAPITALIZEM DEMOKRATIK,pse po ndodh kjo??
Zoti,Robelli,do te bente mire,qe ta thoshte hapur kete tendence kriminale te shqiptareve,por edhe vete si nje ANONIM I KEQ fshihet dhe nuk e thote TROC:KJO NDODH,SE SHQIPTARET JETOJNE NE SHTETE ANTI DEMOKRASTIKE KU ZERI I QYTETAREVE,JO VETEM NUK DEGJOHET,POR PERDHOSET!!!
Ne Shqiperi nuk ka asnje vend,qe te ankohesh per PADREJTESITE,qe te ben shteti,por me e KEQJA,se nuk ka kush t’i zgjidhe HALLET E TUA,VEC GJYKIMIT “DY DUAR PER NJE KOKE JANE”!!!
SHKO NE GJYKATE-te thone,por sa halle ka njeriu i shkrete,po t’i hyje gjykatave nuk i dalin as 100 vjet jete!!
JA KY ESHTE SHTETI SHQIPTAR,qe ka krijuar ANTI SHQIPTARI SALI BERISHA!!!
Nje kryeminister,qe nuk zbaton VENDIMET E GJYKATES KUSHTETUESE APO LIGJET E TJERA TE SHTETIT,CFARE MUND TE PRESESH NGA KY BANDIT???
O z. Robelli; Sali Ram Berisha është në të vërtetë hajdut, kriminel, tradhtar e vrasës. Secilin nga këto tituj që mban ai i ka fituar me vepra konkrete, të panumërta e të pamohueshme, kështu që komentuesit shprehin veçse realitetin.
Z Robelli jam shume dakort me shkrimin tuaj dhe do doja qe kjo te ishte e perkryera ne çdo shoqeri ;po sjemi ne te paret qe e aplikojme kete .Por me vjen shume keq qe ne kete analize ju keni anash kaluar partizanin e kesaj lloje sjelle qe e aplikon ate ne tempullin e demokracise Sali Berishen .Kur shajme sali berishen vrases kemi parasysh 4 te vraret e 21 janarit te vriten live ne tv dhe sot te mos jete gjetur akoma krimineli qe shtiu nga institucioni ku drejton sali berisha .Kur i themi tradhetar kemi te drejten bashke me ne ,qe ta quajme ate tradhetar sepse me firmen e tij i dha grekut ujrat detare te Shqiperise .Kur themi kriminel kemi parasysh te gjithe viktimat e Gerdecit dhe fijet e fshehta te familjes berisha me kete afere te turpshme dhe ku jane ne dore te prokurorise te gjithe bisedat e birit te tij me Delijorgjet dhe per çudi edhe ketij krimi te shemtuar kriminelet jane ne qeverine e saliut .Kur themi hajdut kemi parasysh milionat e vjedhura ne rrugen e kombit dhe vjejdhjen sistematike qe i ben saliu votes ketu e 20 vjet .Me vjen shume keq zoti Robelli qe ju kritiken e keni filluar nga poshte larte , ketu tek ne peshku eshte i qelbur nga koka .Saliu te jete i lumtur qe jeton ne kohen e internetit se po te ishte ne nje kohe tjeter atij do i ishte prere koka ,ka shume shembuj bota dhe ju e dini mire per ke e kam fjalen .Po mos te shaheshin diktatoret nga fb dhe nga komentet sot Mubaraku dhe Kadafi do benin hije akoma ,ndersa per sa i perket fyerjes se gazetarve nuk mungojne dhe ata gazetare qe shume shpesh na fyejne intelektin . Ne nje pike takohem me ju qe mos te perdoren fyerje seksuale ndaj gazetareve, por per sa u perket politikaneve mire jua bejne zoti Robelli te siguroj per kete .