Peripecitë e Kunatit në ceremoninë mortore

3 Dhjetor 2011, 20:02Antena TEMA

Kunati i Lulit e kishte llogaritur dje ditë pushimi, por papritur iu hapën dhjetëra telashe. Ndërsa ai kishte marrë miqtë e vet të Orange për të shijuar uikendin, Luli e merr i alarmuar.

-Eja shpejt, ku je, i tha. Eja shpejt!

-Ça ka ndodhur, i tha Kunati, se jena duke mbyllë ca kontrata me këta turqit me i marr tek Orange gjithë reklamat.

-E di, e di, se fola vetë me ta, po eja urgjent se ashtu është puna.

Kunati arriti tek Kuvendi për 20 minuta. Luli ishte zverdhur në fytyrë dhe i dridheshin letrat në duar.

-Ajo bushtra, tha. Është bërë si bishë. Të lutem se s’dua të afrohem se tërbohet, shko fol pak me administratën.

-Ça ka ndodhur, i tha Kunati.

-Më zboi jashtë. Ulëriti ‘shporru, mos të të shikoj këtu pleh’ dhe iku. S’më lënë as të hyj brenda. Më tha roja nuk je më deputet.

-Po çfarë të duhet?

-Po e kishim lënë për dekorin dhe këto gjërat e tjera të ceremonisë të përdornim Kuvendin. Ajo paskësh bërë gati fjalën. Unë fola me Atë lart dhe më tha duhet të flasësh ti, se ajo është Kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kurse ti je kryetar bashkie dhe Leka ka qenë qytetar i Tiranës.

-Po mirë, pse e nisët nga këtu Lekën, pse nuk e nisët nga Bashkia.

-E ka tokë të vetën këtë, tha Luli. Është nip Toptani dhe ai. Ti shko tako atë të administratës dhe i thuaj të paktën të lidhim korrentin se ka ulur automatin, na ka lënë pa drita.

-Të shkoj tek Megateku të marr një gjenerator, i tha Kunati.

-Jo, jo, shko provoje një herë, pastaj merr një kabllo dhe i lidhim nga SHQUP.

Kunati u soll rrotull, tentoi të bisedojë me administratën e Kuvendit, po ata nuk ia hapën derën. I hipi makinës, shkoi tek Megateku, mori një bobinë me kabull elektrik, lidhi rrymën tek SHQUP dhe e ofroi tek pjesa e shkallëve ku do mbahej ceremonia.

Luli u qetësua. Sapo do niste ceremonia, vjen administratori i Kuvendit.

-Ka thanë shefja, tha, s’dua të rrijë njeri tek shkallët, duhet të zbrisni në fund tek sheshi. Nuk lejohet në territor të ndërtesës së Kuvendit.

Monarkistët u zemëruan, por Luli ua bëri me shenjë të spostoheshin pa zhurmë.

Ndërkohë që Luli bëhej gati të fillonte ceremoninë, nga brenda Kuvendit u dëgjua një muzikë funebër, por me zë të lartë.

Kunati shkoi trokiti prapë tek dera dhe iu lut të ulte zërin.

-E kemi ditë zie, tha administratori, na e tha shefja të lëshojmë muzikë funebër.

-Mirë, dakord, i tha Kunati, po uleni pak.

-Ku të kam pa ty, i tha administratori… Uuu, ti je Kunati. Ej, kam një vëlla, a m’i jep një karrotrec të Bashkisë, se e kam pa punë. Më thanë që ti i ndan.

-Të jap unë po ule pak zërin.

-E ul vëllai, po ej, prit, kur të mbarojë ky panairi, a do më falësh një nga ato kioskat e Megatekut se kam një motër që ka një dyqan të keq në Laprakë dhe du me ja fal një kioskë.

-Ta fal unë, po ule zërin se po vjen dhe Princi Leka.

-Lëre mor burrë, se është i vetmi mbret në botë që puno në Bashki, i tha Administratori. Të paktën të punonte në Kuvend. Ka hak shefja, po nejse, varja se e ke kunat. Po e ul, po mbaje fjalën ë?

-Patjetër, i tha Kunati.

Çdo gjë u duk se u rregullua. Njerëzit për ceremoni u mblodhën dhe Luli nisi të flasë. Ndërkohë që ai ishte duke folur, Kunati pa dy vetë që po përpiqeshin të lëviznin kabllon e korrentit që vinte nga SHQUP. Vrapoi drejt tyre dhe u tha me zë të ulët:

-Çfarë bëni, ka korrent, do tu zërë?

-Keni kalu kabllon pa leje në tokë të Kuvendit, i tha roja.

-Kam folë me administratorin, i tha Kunati.

-Lëne mo atë shkërdhatë, i tha roja, se për i llaf goje kishte marr një karrotrec ene një kioskë. Ne ça na jep se ta hoqëm kabllin.

-Aman, u jap ça të doni vetëm mos e prekni, i tha Kunati i tmerruar.

-OK, ene dum me punu roje parkingu me spiunu karrotrecat e me nda noj lek.

-Në rregull, ua bëj unë vetëm më lini të qetë, tha.

Rojet ikën. Kunati ktheu kokën i lehtësuar nga tribuna, por dhe ata kishin mbaruar dhe po iknin. I lehtësuar vrapoi përmes lulishtes buzë Lanës duke mos e kthyer më kokën pas.

 

 

 

3 komente në “Peripecitë e Kunatit në ceremoninë mortore”

  1. drini says:

    E c’te beje me pare i shkreti Kunat, te shohe veten, a te shohe Lulen?
    E ka zene hataja!

  2. eli-TIv says:

    ..njerez plehra..

  3. mali says:

    hengshin koken e njeri tjetrit.Njesoj jane saliu, luliu, dhe ajo budallaqja si nexhmija..Dirigjent mjeshter i sherreve eshte saliu komunisti, cmirziu, katranziu. Shkencerisht eshte shpjeguar qe njerezit te cilet jane rritur ne skamje e varferi ne zona te izoluara, kur kane edhe pak pushtet, jane te pameshirshem dhe urrejtje makiaveliste, si per te kompensuar ate periudhe te femijerise se tyre.Saliu eshte shembulli me klasik per t’u marre ne nje ore leksioni” Evoluimi dhe zhvillimi i karakterit njerezor, nga skamja ekstreme tek maja e pushtetit politik e te parase”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje