Kush është Xhani De Biazi, jeta e trajnerit të ri të kombëtares

15 Dhjetor 2011, 14:10Sport TEMA

I lindur në Sarmede, një qytezë e vogël prej 3000 banorësh, pak km larg Trevizos, më 16 qershor të vitit 1956, pikërisht në vitet kur “boom”-i i sotëm ekonomik nuk ekzistonte aspak, Xhovani de Biazi, i thërritur “Xhani” nga të gjithë shokët dhe familja e tij, kryen shkollën fillore në vendlindje, për t’u transferuar më pas. Fëmijëria nuk është nga më të lehtat, edhe pse familja e tij drejtonte një dyqan dhe i ati punonte në një fabrikë. Ishte koha e emigrimeve të mëdha, në Gjermani, Francë, apo vende të tjera më të industrializuara të Europës, por i ati i Xhanit nuk lëviz dhe kjo është një mbështetje e jashtëzakonshme për të. Sigurisht, nuk e kishte menduar kurrë se një ditë do të bëhej futbollist, duke qenë se u regjistrua për studimet e kontabilitetit, por “jeta ka të papritura”, do të thotë shumë më vonë.

Zbulimi i “topit” – Fillimi i tij në botën e futbollit do të ishte disi i trazuar, edhe pse menjëherë e federuan për një klub, “San Martinon”, por ëndrra e tij ishte të luante për “San Xhakomon”, skuadër të cilën e kishte ndjekur me vëmendje dhe që e goditi për cilësinë e lojës që shprehte. Me një “dredhi” të denjë për një agjent të madh sekret, arriti të “rrëmbente” kartonin e tij dhe ia dha menjëherë klubit vitoriez, me të cilin i pëlqente të luante. i pari trajner për të, ashtu si do të shkruante edhe në autobiografi, ishte “Iano” Trukolo, që menjëherë e mori në mbikqyrje dhe ia dedikoi thuajse të gjithë kohën. Verën vijuese, “San Xhakomo” bashkohet me “Vitoria Veneton”, klub me një emër pak më prestigjoz, saqë zhvilloi një kampionat të rëndësishëm. Trevizo, që në atë kohë luante në Serinë D (kategoria diletante), e bleu, për ta provuar në skuadrën e parë.

Njohja me Paolan – Ishte ende i ri Xhani De Biazi, vetëm 17 vjeç, kur erdhi pikërisht thirrja e Trevizos, skuadër që kishte një emër në futbollin italian dhe nuk ishte e panjohur. Por, përpara se të niste kampionati, skuadra bardhekaltër propozon një “stage” ku dërgon të rinjtë më premtues në një grumbullim, dhjetë ditë pranë detit, në Kaorle, për t’i provuar dhe përgatitur për sezonin që do të nisë. Eshtë kjo periudha që shënon në mënyrë përfundimtare jetën e tij. Në ato ditë njihet me Paolan, një vajzë e bukur nga Milano, që ndodhet aty me pushime me familjen. Xhani dhe Paola frekuentohen në ato ditë grumbullimi. Pas detit, kthimi në shtëpi, për pak ditë, përpara fillimit të fazës përgatitore para kampionatit, por Xhani është i fiksuar pas Paolas, edhe pse shumë shpejt për të do të hapen dyert e futbollit profesionist. Sepse nis karriera e tij te Trevizo, por në të njëjtën kohë, De Biazi gjen një zgjidhje për të vazhduar studimet dhe e bën në një kolegj “Pio X”: një dhomë teke, shkolla e brendshme dhe post-shkolla, pas stërvitjes. Kampionati ecën shumë mirë, si për të, ashtu edhe për Trevizon, që renditet e para, duke mundur edhe Triestinën.

Prova “Inter” dhe zhgënjimi – Në shkurt, bashkë me drejtorin sportiv të Trevizos, shkon në Milano për t’u takuar me drejtuesit e Interit, që e kishin ndjekur. Një ëndërr që realizohej për Xhanin, sidomos për faktin se edhe vajza me të cilën ishte njohur në verë, në fazën përgatitore, dhe me të cilën ai ishte i dashuruar marrëzisht, jetonte në Milano. Në Milano qëndron për gjatë gjithë kampionatit dhe agregohet në skuadër të parë. Por, zhgënjimi është i madh për të, pasi nuk arrin të debutojë. Sigurisht, në atë Inter luanin personazhe si Macola, Faketi, Boninsenja, Oriali dhe Marini.

Ushtria dhe “kthesa” – Pasi qëndron një vit te Interi, vitin vijues, niset për shërbimin ushtarak dhe kjo lëkund disi të ardhmen zikaltër saqë, kur përfundon shërbimin, në nëntor “xhirohet” te Rexhiana, në Serinë C. Pas një sezoni aty, Interi, pronare e kartonit të tij, e kalon te Peskara, që sapo ishte dipllomuar në Serinë A, nën drejtimin Kadesë. Te bardhekaltrit gjërat shkojnë shumë mirë, saqë zikaltërit e ndjekin shpesh dhe duan ta kthejnë në Milano, por shpërthimi i Xhankarlo Pazinatos te Askoli bën që shanset e mia të bien dhe më transferojnë te Breshia, në Serinë B, si një futbollist i futur në tratativën për Evaristo Bekalosin te Interi.

Te “dallëndyshet” – Në Breshia ambjentohet menjëherë dhe njihet me Xhixhi Simonin (ish trajner i Interit), me të cilin, vitin pasardhës, fiton kampionatin e Serisë B. Simoni do ta marrë te Xhenoa, por dëshira për të luajtur në kampionatin maksimal bën që të qëndrojë te “dallëndyshet”. Por, në kampionatin vijues, bie në kategori, javën e fundit në mënyrë rokambolekse dhe me disa rezultate si të “fiksuara” në fushat e tjera. Qëndron te Bolonja dhe për dy sezone të tjera, pesë në total.

Palermo dhe falimentimi – Vitin vijues shitet te Palermo, ku qëndron për tre sezone dhe zhvillon kampionate të shkëlqyera, duke fituar edhe zemrën e tifozerisë palermitane. Aventura në Siçili përfundon në mënyrë traumatike, pasi klubi falimenton për borxhe dhe fshihet nga Seria B.

Periudha e “zezë” – Drejt fundit të tetorit kalon te Viçenca, ku nuk jeton një sezon të mirë. i ati sëmuret dhe kjo bën që Xhovani të kthehet në Trevizo dhe, i detyruar të qëndrojë pranë familjes, firmos për bardheblutë. Kontrata është dyvjeçare. Në verën e vitit 1987 martohet me Paolan, por një muaj më pas gëzimi kthehet në hidhërim, pasi i ati ndahet nga jeta. Një goditje e rëndë për Xhanin, që ishte tepër i lidhur me të. E mbyll karrierën si futbollist te Basano Virtus, më 1990.

Nis aventura në stol  – Pasi e mbyll karrierën si futbollist te Basano, presidenti i kësaj skuadre diletante, i ofron një post si trajner dhe përgjegjës i sektorit të të rinjve. Por, nuk kalon shumë dhe vjen një telefonatë e rëndësishme nga Viçenca, ku nis punën si trajner i të rinjve.

Patenta në Koverçiano – Po atë vit merr pjsë në kategorinë e dytë në Koverçiano dhe fiton patentën e kategorisë së dytë. Idetë e tij janë revolucionare dhe teza e zgjedhur pëlqehet shumë, Në verën e vitit ’92 e thërret Vasteze, kampionat C2, por është thjesht kalimthi, pasi Carpi i bën një ofertë për në C1, por që po ka humbur luftën për mbijetesë. Qëndron aty deri në verën e vitit 1996. Arrin të marrë pjesë në kursin master të Koverçianos, ku merr maksimumin e notave. Në atë kurs, krahas tij, janë edhe emra të njohur si Novelino, Malezani e De Kanio. Kontaktohet nga Kozenca në Serinë B, por për Krishtlindje një telefonatë e presidentit e “shkarkon”, edhe pse skuadra ishte jashtë rrezikut për rënie në kategori. “Një vendim i pashpjegueshëm”, analiza e De Biazit. Por, thërritet prap, për t’u larguar në qershor të vitit 1997, kur nis punën te SPAL, në C2. Aty arrin diplomimin për në C1 dhe tifozeria përpiqet ta bindë të qëndrojë dhe kështu ndodh, por vitin tjetër, për shkak dëmtimesh, ekipi e mbyll në vend të gjashtë dhe presidenti e shkarkon.

Pranë Van Galit – Pas verës 1999 nis një xhiro azhornimesh që e çon në Holandë, të ndjekë Ajaksin. Kur është duke shkuar te Barcelona për të ndjekur Van Galin, e thërret Doriano Tozi, në atë kohë drejtor i përgjithshëm i Modenës, për të punuar te Modena. Periudha e parë e studimit i lejon të bëjë disa studime dhe të kuptojë si se është e mundur që një ekip i pasur me emra të ndodhet në vend të parafundit në renditje. Në mes të majit 2000 rinovon kontratën me Modenën, ku vijnë 17 futbollistë të rinj.

Mrekullia te Modena – Menjëherë sezonin 2000-2001 fiton kampionatin e C1 me 74 pkë, duke e nisur në krye dhe përfunduar në krye. Në Serinë B, skuadra modeneze niset me frikën se nuk bën për këtë kategori, por ndodhj që të fitojë kampionatin tre javë përpara kohe. Të gjithë janë të habitur nga kjo mrekulli. Modena ngjitet në A dhe atë vit mbledh 38 pikët e nevojshme për të siguruar mbijetesën, duke mundur edhe Romën.

Me Baxhion te Breshia – Vendimi për të lënë Modenën është i vështirë, por telefonata e Korionit, presidentit të Breshias, në sezonin 2003-04 është interesante, sidomos për faktin se do të stërvisë në një qytet që njeh dhe ku do të stërvisë Baxhion. Raporti me fantazistin është i shkëlqyer, i bazuar te vlerësimi reciprok. Eshtë viti i fundit i “bishtalecit hyjnor” dhe përshëndetja është fantastike, sepse vjen në “San Siro”, ku Milani feston për titullin e fituar. Sezonin tjetër, politika e bardhebluve është të çmojë të rinjtë dhe dalin Mauri, Daineli, Brigi, Koluçi dhe Matuzalem. Por, pas një sërë humbjesh, vjen shkarkimi.

Një “dem” për Toron – Më 15 gusht, Urbano Kairo, një sipërmarrës i fuqishëm i në shtëpie botuese, që blen Torinon. Projekti është serioz dhe Torino është një “piacë” gjigante dhe prestigjoze. Në merkaton e verës, Kairo investon për të ndërtuar një ekip fitues. Edhe pse nuk i kërkohet “hëna”, De Biazi befason të gjithë në B, duke treguar me Torinon e tij një lojë fantastike. Në fund, vjen ndeshja e plejofit me Mantovën, që fitohet nga “granatat”, të cilët arrijnë diplomimin në A. Kairo e shkarkon në A, por e thërret sërish pas 14 javësh.

Aventura spanjolle – Në 10 tetor 2007 firmos për Levanten, e fundit në Ligë me 1 pikë, pas shtatë javëve të para. Aventura iberike është zhgënjim, sepse klubi nuk mban premtimet në merkato dhe largohen edhe ata pak lojtarë që janë, si Çirilo, Storari dhe Rigano. Kthehet sërish te Torino në 2008-n, për pesë javët e fundit, ku shpëton “demat” nga rënia në kategori.

Udine, “stacioni i fundit” –  Më 22 dhjetor 2009 zyrtarizohet kalimi i tij në stolin e Udinezes, në vend të Paskuale Marinos, por aventura e tij zgjat vetëm dy muaj, sepse në shkurt shkarkohet dhe friulianët rikthejnë Marinon.

Telekronist – Pa një stol, gjatë kësaj kohe, përpara emërimit te Kombëtarja kuqezi, bën telekronistin e Europa League dhe për disa ndeshje të Serisë A, krahas Bruno Longit./ Sport Ekspres

7 komente në “Kush është Xhani De Biazi, jeta e trajnerit të ri të kombëtares”

  1. Zeka says:

    Dmth, futja kot, nga telekronist ne trajnier te Kombetares shqiptare. Bravo Duka e ke kenoq fare !

  2. Aqifi says:

    Shume i lodhur ky trajneri i kombetares. FSHF-ja mbarsi malin dhe polli nje mi…

  3. MANDI says:

    qenka me kot se te paret ,nejse varja

  4. Hasan Veizi says:

    Ky far traineri nuk ka bere prokopi askund, tani do e “ndrisi” me ne. Megjithate si me Xhanin a me xhaner te tjere ne ne vend numero mbetemi.

  5. dua gol says:

    Duhet te kuptohemi,kontrata nuk eshte bere ne favorin tone por ne favor te ketij hallexhiu qe brodhi te gjitha klubet dhe perfundoi telekronist.Tani u rehatua.Nuk i thone pak 300 mije euro ne sezon!

  6. albani says:

    ky qenka komentator hyajt se esht me i mire se shakohoxha te pakten

  7. Ak says:

    Ky ka be nje shkoll e nje master ne Koverciano.Po kta trajnieret tone hane buje me xhize e qepe nuk dine ca jane skemat e taktikat.Une i uroj suksese…..Forza Shqiperia………

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje