Miratimi i referendumit, rekomandimi i 13 i BE-së

15 Dhjetor 2011, 21:33Blog TEMA

Nga Lavdosh Ferruni

E hëna është afati i fundit kur KQZ duhet të pajisë nismëtarët e referendumit për lejimin apo mos lejimin e importit të mbetjeve në Shqipëri, me fletët -tip të marrjes së 50 mijë firmave të nevojshme. Edhe pse nismëtarët, duke qenë të frikësuar nga kurthet procedurale që mund të ngrihen për ta shmangur referendumin, që në momentin e shprehjes zyrtarisht të iniciativë e kanë konsultuar kërkesën e tyre me juristë ndër më të mirët në vend, sërish konstatohet një vonesë e pashpjegueshme deri tani. Për më tepër depozitimi i kërkesës është bërë live në prezencë të medias vizive dhe shumë prej firmëtarëve janë persona të njohur nga publiku.

Nëse do kishte një vëmendje për të përditësuar 12 rekomandimet e BE-së, do të nevojitej patjetër të shtohej një tjetër rekomandim, që mund të ishte: “të mos pengohet mbajtja e referendumit të kërkuar nga qytetarët për lejimin ose jo të importit të mbetjeve”. Madje nëse futet ky rekomandim, sfumohen një pjesë e mirë e rekomandimeve të përfshira në paketën e 12 rekomandimeve të BE-së. Referendumi kombëtar i kërkuar nga qytetarët demonstron në mënyrën më superiore fillimin e instalimit të demokracisë reale në Shqipëri.

Më konkretisht, nëse populli lejohet të shkojë në referendum dhe të japë verdiktin e tij për një çështje të caktuar në mënyrë të qenësishme është ushtruar drejtësia në shkallën më të lartë dhe kjo afekton me themel përmirësimin e gjithë sistemit të drejtësisë. Me korrupsion mund të kalohen lehtë, siç ka treguar koha në Shqipëri, edhe barriera parlamentare, por jo barriera referendare.

Kështu, rekomandimi i 7-të, që kërkon të forcohet shteti i së drejtës e të rritet pavarësia e gjyqësorit thjesht mbetet një slogan nëse bllokohet referendumi. Rekomandimi i 9-të kërkon të forcohet lufta kundër krimit të organizuar. A nuk është referendumi kundra importit të mbetjeve një barrierë e pakapërcyeshme popullore ndaj krimit të organizuar, mjeti absolutisht më i mirë për të luftuar këtë lloj krimi, krahasuar me çdo lloj pingpongu tjetër në suazën e të zgjedhurve ne këtë gjoja demokraci, apo të cilësuar me të drejtë demokraci hibride?

Rekomandimi i 11-të kërkon hapa për të mbrojtur të drejtat e njeriut. A nuk është referendumi popullor ekzaktësisht hapi më gjigand që çon në mbrojtjen e të drejtave të njeriut?

Natyrisht referendumi kombëtar i kërkuar tani nuk mbulon rekomandimet në gjerësinë e tyre problematike, por ama është tharmi i çdo veprimtarie politiko- shoqërore demokratike. Një referendum kombëtar jo politik i kërkuar nga qytetarët për interesat e vetë qytetarëve do të ishte një katarsis i fuqishëm kolektiv në Shqipërinë e ndotur politikisht dhe jo vetëm.

Por a do ta lejojë Berisha referendumin e kërkuar nga qytetarët për mos lejimin e importit të mbetjeve e plehrave në Republikën e Shqipërisë? Natyrisht askush nuk habitet që themi Berisha dhe jo KQZ, apo Gjykata Kushtetuese. Të paktën e kemi një precedent për rast të ngjashëm. Në pranverën e vitit 2005 Berisha e mbështeti Aleancën Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës dhe mbledhjen e firmave për referendum, por sapo u bë kryeministër të 14 mijë firmat e qytetarëve të Vlorës përfunduan në kosh të plehrave me një telefon të Berishës tek yzmeqarët e tij në KQZ. Dhe Berisha vendosi vetë të çojë në ekzekutim krimin e Fatos Nanos për t’i falur (më saktë shitur me 1 euro) një italiani 18 hektar plazh mesdhetar superior e për ta kthyer këtë territor për depozita nafte si dhe për të ndërtuar një TEC 100 milion euro me gaz, gazi i të cilit edhe kur të vijë (nëse vjen) nga gazsjellësi TAP do shkoj në Fier dhe jo në Vlorë (shih dhe shkrimin TEC-i në Vlorë, gazi në Fier). Po të mos kish bllokuar Berisha referendumin e vlonjatëve në vitin 2005, krimi i përçudnimit të ekosistemit në Gjirin e Vlorës, me siguri nuk kish për të ndodhur.

Qytetarët kanë perceptimin që duke importuar mbetje e plehra kemi të bëjmë më një krim të përmasave të mëdha në vend. Mund që perceptimi i tyre të jetë dhe i gabuar. Qeveria dhe maxhoranca kanë të gjitha mundësitë që t’i bindin qytetarët e Republikës se ata e kanë perceptimin të gabuar. Por nëse votimi shkon në të njëjtën linjë me perceptimin popullor duhet të pranohet e të vendoset sipas këtij perceptimi dhe jo sipas argumentit të qeverisë dhe maxhorancës parlamentare, sado i bazuar që të jetë ai.

Në axhendën e integrimit të Shqipërisë në BE duhet të konsiderohet çështja e referendumit kombëtar, sipas të cilit kërkohet shfuqizimi i neneve që legjitimojnë importin e mbetjeve e plehrave.

Natyrisht nuk pritet që vetë politika shqiptare të shtoj në detyrat e saj edhe miratimin e referendumit, edhe pse opozitës i takon ta bëj këtë, sa kohë që është prononcuar në favor të referendumit. Por institucionet ndërkombëtare dhe veçanërisht BE nuk mund të vazhdojnë të heshtin për këtë çështje të madhe për demokracinë në Shqipëri. Zbatimi i 12 kritereve brenda kësaj klase politike të sotme mund të sjellë vetëm rezultate sipërfaqësore, edhe sikur të arrihet të merret statusi i shumë pritur në pranverë.

Miratimi i referendumit të kërkuar në këtë kohë nga qytetarët do të ishte një filtër shumë i mirë me efekt të një pastrimi të thellë në politikën shqiptare dhe gjithë shoqërinë.

4 komente në “Miratimi i referendumit, rekomandimi i 13 i BE-së”

  1. fule says:

    Mos u lodh kot or Zotri se nuk ben dot referendum Albanistani, Afganistani e Stanet e tjere… Ti e shikon qe nje pale zgjedhje bejne kur i vjen radha dhe plasin atentatet, kercenimet, plagosjet.

  2. raimondi says:

    Shume mire thote ky ne ket artikull –C’eshte kjo lloj demokracie ku politikanet pasi marin votat e popullit veprojne ne kundershtim me vullnetin e popullit —

    —– Te behet referendum per cdo aktivitet politik qe shkakton konflikt interesi
    me interesat e popullit

    –Kjo eshte shenja me domethenese e demokracise –Ndryshe nuk eshte demokraci
    kur politikani vepron si ti doje qejfi pa degjuar vullntein e popullit ,
    dhe keto veprime antipopullore i paraqet si deshire e popullit

    Keta sot ne demokraci veprojne tamam si diktatore

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje