Ka më shpresë, vallë?

12 Dhjetor 2011, 22:52Blog TEMA

Nga Victor Meursault

Nëse do të mund të bëhej një krahasim mes gjendjes së Shqipërisë së vitit 2005, kur socialistët dorëzuan pushtetin dhe asaj së sotmes së udhëhequr nga demokratët, nuk mund të përkufizohej më saktë se me kalimin nga një sistem i hapërdarë kleptokratësh ku paraja e pushteti lëviznin mes shumë duarsh e informaliteti mbizotëronte sheshit, në regjimin fuqiplotë të një grupi të strukturuar kriminal, që e ka përqendruar krejt pushtetin në pak duar e kontrollon gjithçka në funksion të interesave të veta ngushtësisht kriminale.

Thënë kjo, Shqipëria e sotme kalon një fazë të dhimbshme, një kohë kur degët e së keqes po na gërryejnë porsi qelizat e kancerit zaptojnë organizmin e i pinë gjakun dita-ditës. Pasojat e sëmundjes tonë vihen re në çdo segment të mundshëm të jetës, me rrënim vlerash e zvetënim të gjithanshëm të shoqërisë që s’po kursejnë as atë pak shpresë të mbetur.

Atë shpresë, që ndofta siç thuhet nuk lind hiç, a më keq akoma është e vdekur që në gjenezë. A ka kush shpresë sot se politika një ditë do të çlirohet nga duart e errëta që e kanë shtrënguar për fyti e po ia marrin frymën? Kush beson sot në Shqipëri se politikanët veprojnë në emër të interesit publik dhe të atyre që i kanë votuar? Ç’mbetet për të thënë kur pushteti shton dhjamin e zgërdhihet i kënaqur në llucën e korrupsionit sistemik?

Nuk mund të ekzistojë besimi drejt një grupimi që vret pa mëshirë 4 qytetarë në mes të bulevardit vetëm sepse janë kundër tij. Që territorin kombëtar e bën pjesë pazaresh të fëlliqura me marrjen e mbështetjes së huaj në këmbim. Që vjedh e shpërdoron pa kurrfarë droje dhe e përdor pushtetin si çifligun e vet të trashëguar, duke i kthyer institucionet e administratën në çerdhe klientelizmi e ku qytetarët janë të fundit për të cilët mendohet. Që diplomacinë e kanë shndërruar në një torbë qokash e punësimesh nepotike, ku mjafton të kujtohet dhëndrri i Jozefinës mes Parisit për t’u shprehur më qartë se me një mijë fjalë. Një grupim që hedh në erë në mes të ditës një fshat të tërë, duke lënë të vdekur 26 njerëz e jetimë dyerve të kalbura të gjykatave familjarët e tyre. E nga ana tjetër një grupim kinse opozitar që vetëm një muaj pas kësaj tragjedie bashkon votat për t’i bërë atentat kushtetutës (vetëm një muaj: 15 Mars – 21 Prill 2008!) Nga kjo politikë nuk buron kurrfarë shprese, partitë janë shëmbëlltyra e gjithçkaje të ndyrë e të pistë që është prodhuar në këto 20 vjet të tranzicionit shqiptar.

Ku ta gjesh vendin në një shoqëri ku militanti i rradhës me Master në njërin prej 58 universiteteve private bën karrierë e mund ta shohë veten në krye të administratës publike, ndërkohë që papunësia për popullsinë e aftë për punë ka marrë trajtat e një gangrene? Natyrshëm që në një sistem të tillë gëlon servilizmi, përulja ndaj pushtetit e të pushtetshmit, ku vlerat e aftësitë eklipsohen dhe si kontribute llogariten ato që janë dhënë ndër fushata e vjedhje votash. E habitshme se si servilët nuk vdesin kurrë, janë brumi i preferuar i çdo pushteti, të gatshëm për vetë-flijim humbasin dinjitetin e falë personalitetit të munguar lëpijnë e gëlltisin ç’t’u dalë për ca pará e një kolltuk a karrike të çfarëdoshme.

Nuk mund të ketë shpresë aty ku mjerimi kaplon edhe qelizën më të imët të jetës së shqiptarit të thjeshtë, ku zymtësia mbretëron e shtrirë gjithkund dhe ftohtësia e këtij sistemi të pamëshirshëm ka ngrirë çdo ëndërr. Në një vend ku 1-përqindëshi i shoqërisë skllavëron pjesën tjetër që varfërohet çdo ditë e më shumë, ku spitalet janë në gjendje të mjerueshme dhe ilaçe për të sëmurët nuk ka a janë të skaduara, ku çmimet rriten dhe faturat bëhen gjithnjë e më të rënda për familjet, në favor të çekëve të rradhës që vijnë e ikin me xhepat plotë. Një vend ku minatorët vdesin çdo ditë e britma e tyre humbet në lukuninë e pasunarëve të rinj që zhvasin edhe hekurat e fundit të ndyshkur që i kanë mbetur këtij vendi për skrap. Ku shpresa për drejtësi të vërtetë, të paanshme e të barabartë për të gjithë ka vdekur në dyert e gjykatave që qelben era korrupsion, që dënojnë të pambrojturit e të varfërit e i rrahin shpatullat të pushtetshmit a të pasurit të rradhës.

Në një vend ku njeriu shkatërron mjedisin, pyjet e hapësirën publike, ndot rrugët e parqet me mbeturinat e tij, nën shembullin e burrit të shtetit atje lart që firmos për ta shndërruar vendin në gropën e grumbullimit të jashtëqitjeve të importuara nga jashtë.

Nuk ngjizet shpresa aty ku rritet një qytetar i shtypur, i shkelur e indiferent në apatinë e tij asgjë-bërëse, që lëshohet në eksode biblike drejt një qendre tregtare – biznes i njerëzve pranë pushtetit – e ndërkohë që as i shkon ndërmend të çohet për të drejtat e veta dhe assesi të mendojë për lëvizje të indinjuarish si në botën e civilizuar.

Jetojmë një kohë kur, megjithëse të ndërgjegjshëm për vetë-shkatërrimin tonë që reflektohet qartazi në dështimet spektakolare në çdo drejtim, pa kurrfarë dashurie për këtë vend, nuk harrojmë t’i shtojmë tablosë as masturbimin nacionalist me flamuj rrugëve e në facebook, ndonëse një herë në vit me rastin e përvjetorit të pavarësisë.

Ndofta Shqipëria është i vetmi vend ku, pasi pushteti të ka hedhur shtëpitë në erë e të ka shfarosur bashkë-fshatarët, në ditën e zgjedhjeve votohet po i njëjti grupim. Ç’tjetër mbetet të të bëjnë? Nuk dihet më se ç’vlerë kanë zgjedhjet në këtë vend. Edhe ato janë vrarë, ashtu si shpresa.

Ky sistem nuk mund të projektojë në shpirtin e njeriut asgjë tjetër veç neverisë. Neveria është e vetmja gjë që ndjen se të ngjallet duke e jetuar këtë vend, në këto kohë.

E megjithatë natyrshëm pas leximit të këtyre rreshtave mund të thuhet se i dimë të gjitha këto. Të gjitha. Të gjithë i dimë. Asgjë e re. E është rizbulimi i tyre, nën thundrën e neverisë që na vret ngadalë. Pak e nga pak. Çdo ditë e më shumë.

*respublica.al

 

7 komente në “Ka më shpresë, vallë?”

  1. fule says:

    Fantastik paragrafi per “servilin”

  2. Arbereshi says:

    Te lumte penda!Tabllo e persosur e asaj qe eshte sot Shqiperia.
    Keq e mos me keq punet ne vatanin tone, por mbishkrimi ne kete tabllo te zeze duhet te jete:” Shpresa vdes e fundit!” Le te shpresojme ne nje rilindje te re.

  3. turi says:

    Shkrim vertet per tu vleresuar dhe shume i goditur. NJE SHKRIM ME SHUME VLERE,SEPSE I QENDRON SHUME REALITETIT TONE.
    Te tilla shkrime dhe te tille gazetare i duhen medias tone, sepse vetem keto shkrime e cveshin lakuriq politiken tone Mafioze kriminale korruptive ,me hijena politikanesh, qe me lojen e tyre te felliqur politike, kane 20 vjet qe e mbajne njeri tjetrin ne kembe ,duke perdorur metodat me te felliqura te shfrytezimit me barbar te popullit tone.
    Me vjen keq qe ne vend qe per kete shkrim, vertet brilant, te ishin komentete te panumerta,shkruhen vetem dy komente.
    Qe ketu duket se shumica e komentuesve vazhdojne te jene sahanlepiresit e pinjollet e partive dhe e politikane , HIJENA, qe kane kthyer nje popull te tere NE SKLLAVET MODERN TE KETIJ VILLIM SHEKULLI.
    O JU SAHANLEPIRES,mbeshtesni keto shkrime qe mbrojne te drejtat e te gjithe popullit, sepse keshtu keni mbrojtur te drejtat dhe lirite tuaja qe ja keni mohuar vetes.
    E GJITHE POLITIKA SHQIPTARE ; E MAJTE APO E DJATHTE, QYSH NGA ME I MADHI E DERI TEK ME I VOGLI DUHET PUNUAR QELIZEM PER TU CLIRUAR NJE HERE E PERGjITHMONE NGA KJO LIGESI.NE kemi te bejme me nje POLITIKE QE KRIMIN E KORRUPSIONIN E KTHEU NE INSTITUCION, KU PROJEKTUES JANE PD+PS+ SATELITET.
    KY ESHTE REALITETI I DHIMBSHEM SHQIPTAR, POR QE FATMIRESISHT PO I VJEN FUNDI,SEPSE VETE KY SISTEM KORRUPTIV E KRIMINAL, QE ATO NDERTUAN,DO TE JETE VARRMIHESI I TYRE.HISTORIA E KA VERTETUAR KETE GJE NE SHEKUJ.
    SHPRESA NUK VDES KUUUUUUUUUUUURRE. AJO ESHTE VETE JETA.

    1. Antitalebani says:

      Turi, sjam dakort me ty qe i fut te gjithe ne nje thes dhe i thua sahanlepires te gjithe komentuesve. Ketu duket formimi jot qe i akuzon te gjithe.

      Une per vete sle gje pa thene per Salen, Jozin, Edin (me kete te fundit e kam me pak, por nje gje sja fal – qe preku kushtetuten e votuar nga populli, me marveshje te piset ne tavoline. Gabim qe i ka kushtuar dhe do vazhdoje ti kushtoje shume edhe ne te ardhmen atij dhe neve te tere).

      Po per keta flas dhe i akuzoj se i jane pare veprat e tyre, por veprat e komentuesve si dime, se jane komentues e nuk i njohim.

      Cte bejme o Turi? Ti cke bere, ke ikur jashte Shqiperise? Nese ke ikur ke pare si mundesi me te mire, ste ve faj dhe mire ke bere qe ke ikur dhe te uroj me shpirt per nje jete me te mire andej. Por ne nje forme ke ndihmuar ne dobesimin e ketij shteti. Eshte e kote te diskutojme. Une jam i konkluzionit qe te gjithe jane fajtor, kush me pak e kush me shume, por nga historia dime qe diktaturat nenshtrojne dhe ne na kane neshtruar, na kane vrare, na kane vjedhur, na kane keq trajtuar, na kane nenshtruar. Ky popull nese nuk meson te kerkoj te drejtat e sejcilit me nje ze te vetem, ska per te jetuar ne harmoni kurre.

      Prandaj mos u merr me komentuesit, por merru me ata qe ti mendon se po e fundosin kete shtet, kete komb, kete popull.

      1. turi says:

        Per Antitalebanin
        Ne radhe te pare une nuk kam thene , TE GJITHE KOMENTUESIT, por kam thene SHUMICA E KOMENTUESVE.
        E dyta nuk po rrej qe pashe vetem dy komente ne kete shkrim kaq brilant, nderkohe qe ne shkrime te tjera ku shahet njera ane e politikes apo lavderohet tjetra, vershojne komentet prej komentuesve tifoze , te punesuar nga partite gangstere shqiptare.
        E treta , une nuk te jam kundervu Ty apo dikujt tjetri me emer ne komentin tim dhe ske pse te me kundervihesh kot.
        E katerta,ti nuk me njeh mua fare se kush jam dhe nuk din asgje se cfare kam bere une per te miren e vendit tim dhe skam perse teta them.
        E pesta,ke shume te drejte kur thua se ky popull nese nuk meson ti kerkoje te drejtat e veta me nje ze te vetem ska per te jetuar ne harmoni kurre, dhe une po te shtoj se ky popull nuk ka per te fituar demokracine kuuuurre,por kjo nuk do te thote qe zeri i vetem eshte qe te mbrosh palen tjeter te politikes, kur eshte me m..t se tjetra, se do biem nga shiu ne bresher dhe sdo bejme gje tjeter, vetem se do kemi RICIKLIM PUSHTETESH GANGSTERESH, te cilet i kemi provuar. DO TE ISHIM ME FAT PO TE ISHTE NJERA PALE E MIRE. Por nese do te kishim opozite te vertete ,nuk do ta kishim Salen sot ne pushtet por ngaqe opozita eshte me e dhjere ben vetem lojna fjalesh, sepse nuk ka ngellce sepse jane shume te korruptuar.
        Dhe sefundi, une jam mare gjithmone me ato qe e kane fundosur kete shtet dhe e kane kthyer ne sklla te ketij shekulli, popullin e vet, vetem per interesat e tyre.
        Sa per ate se cfare kam bere une, po te them vetem dicka, qe kur shumica ne 90-ten shkuan dhe brohorisnin per Saliun , kam qene une me shoket e mi qe e kemi ngritur zerin qe Saliu eshte kriminel i lindur dhe ate e zgjodhi Partija e punes vetem per te shkaterruar opoziten e vertete shqiptare, per te mbajtur pushtetin e saj dhe per te ringjallur tek disa miope, nostalgjine per shtetin e meparshem te saj.
        Kete gje po e bej edhe sot duke theksuar se edhe Edi rame apo dikush tjeter qe do zgjidhet nga Edi apo dikush tjeter brenda partise, NUK DO TE SJELLI DEMOKRACI NE SHQIPERI, dhe s´me behet vone hic se interesat e kujt sahanlepiresi, prek.
        Besojse e ke kuptuar qellimin tim tani.
        Me vjen mire qe qenkemi te dy ne nje mendje dhe desherojme te dy ta shohim Shqiperine te LIRE DHE DEMOKRATIKE.

  4. Antitalebani says:

    Shkrimi eshte per tu lavderuar per menyren e paraqitjes se problemeve. Por ajo qe kemi nevoje, eshte te mos perqafojme me teper indiferentizmin dhe pesimizmin. Puna eshte qe mos ta leme kete popull qe te shkoje ne masa ekstreme, se qe do ngrihet, do ngrihet, problemi eshte se si do ngrihet, ne cforme, ne cmase. Do kete protesta, do kete rebelim, do kete lufte, do kete terror, apo cfare. Ketu varet edhe nga pushteti edhe nga populli, varet se ku do gjejne gjuhen. Dhe me kete qe kemi ne krye, pasojat i imagjinon gjithkush.

    Keto gjera i dime dhe ajo qe kemi nevoje, eshte te fitojme optimizem.

    Spo flas per optimizem bosh, por flas se si te emancipojme kete popull qe te filloje te kerkoje te drejtat e saj. Si te detyroje kete politike te funksionoj ne interes te saj dhe jo ne interes te tribuve e klaneve si ne kohen e pricipatave mesjetare.

    Artikull shkruesi dallohet qe ka nje artikulim shume te mire te fjaleve por ka shume pesimizem ne to. Te gjej menyren qe te artikuloj fjalet per te gjetur si te risi ndjenjen e optimizmit, dhe te beje popullin te me te ndergjegjshem mbi te drejtat e tij. Te ndergjegjesoj popullin qe te kuptoj se te drejtat e tij, jane mbi te drejtat e individeve, kushdo qofshin ata.

    1. turi says:

      Koment shume i sakte.Shpresoj qe ti do jesh nje shoku im i ngushte sepse me kete qe ke thene , une kam gjetur vetveten dhe ke shume te drejte. Pesimizmi nuk duhet te kete vend ne asnje shkrim, sepse e verteta eshte se SHPRESA VDES E FUNDIT, SEBASHKU ME NJERIUN, ME VETE JETEN.
      Une mendoj se Shqiperise nuk i mungojne njerez me vlera te verteta demokratike, qe e kan ne GENE PATRIOTIZMIN dhe jo me fjale.Per keto njerez ka nevoje vendi dhe populli yne dhe keto nuk i mungojne atij.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje