Berisha, një lider nekrofil

12 Dhjetor 2011, 22:49Blog TEMA

Nga Artan Mullaj

(Shënime për librin “Komploti kundër lirisë”, i Andrea Stefanit)

Në librin e tij të ri “Komploti kundër lirisë”, gazetari i njohur Andrea Stefani ka analizuar në një kapitull të veçantë edhe rolin e politikanëve  shqiptarë në tranzicion. Është një psikoanalizë që i shërben drejtpërdrejt përgjigjes së dilemës civile se kush është demoni në histori, lideri apo masa. Natyrisht, midis tufës së vogël të liderëve të partive, ku Stefani ka hedhur dritën e tij intelektuale, kryeministri Berisha spikat dhe vezullon si “ylli polar”. Në libër duket qartazi se qëllimi i mirëfilltë i autorit nuk është përshkrimi artistik i një njeriu të zbritur nga Veriu në Tiranë, që vezullon dhe quhet Sali Ramë Berisha. Përkundrazi! Qëllimi i Stefanit është shpjegimi i filozofisë dhe fenomenit interesant që ky njeri  përfaqëson në skenën kombëtare të ngjarjeve. Janë ky fenomen dhe kjo filozofi arsyet e vëmendjes së veçantë të autorit ndaj këtij personazhi të politikës, edhe për shkak se ky personazh ka pasur dhe ka ndikimin e tij në perceptimin që qytetarët shqiptarë kanë për lirinë dhe pushtetin. Të arrish të kesh një ndikim të tillë mbi një perceptim kolektiv, do të thotë të ndikosh drejtpërdrejt në fatin e një kombi. Në historinë e mjegullt të shqiptarëve, shumë pak njerëz besohet se kanë mundur të kenë këtë rol në histori. E ka pasur ndoshta  Skënderbeu apo Enver Hoxha me mënyrën e tij. Që Berisha sot rrethohet nga një aurorë deliri, pikërisht sepse ndihet se ndodhet në rrugën që do ta çojë në listën e legjendarëve paraardhës, kjo gjë nuk ka vend për dyshime. Nga ana e tij Saliu nuk ka faj që ndihet kështu, për sa kohë që për kureshtjen e indiferentëve, dhe nostalgjinë e kokulurve, ai është politikani më dinamik dhe më i suksesshëm i tranzicionit. A nuk është prej 20 vitesh në majat e pushtetit? A nuk e rrëzoi Nanon që në duelet e para? A nuk e mundi Ramën, me vota dhe pa vota, me edhe pa vjedhje, me edhe pa para? A nuk e poshtëroi Metën, ndërsa ky, që ngushëllohet me nostalgjitë e së shkuarës, sot e ndjek pas si një kec mama dhinë. A nuk  i bën të flasin me vete ndërkombëtarët, sa herë për të kjo është e nevojshme?

Vështirë të vihet në dyshim që është lider absolut i demokratëve në Shqipëri, hero në Maqedoni dhe legjendar në Kosovë.

Duke përgjithësuar dhe analizuar pra, aventurën politike të këtij njeriu në tranzicion, që mirë apo keq ka një dinamikë të veçantë,   Andrea Stefani na le të kuptojmë se nuk është një lloj magjie e mistershme, e rastësishme mbi turmën, ajo që i bën të veçantë politikanët totalitarë të llojit të Berishës. Saliu nuk mbarti nga fëmijëria e tij në malësinë e Tropojës yllin gjenetik të madhështisë, atë që ju nevojitet liderëve për tu bërë të tillë, por trashëgoi një pasion krahinor, të cilin rrethanat e shndërruan në një shkulm të fuqishëm instiktiv për të qenë në pushtet. Ky njeri nuk shkëlqen për intelekt të veçantë, për fantazi, për mision, për vizion, por shquhet dhe shqyhet nga një babëzi primitive për të qenë me çdo kusht në vëmendje, në ndriçim, në pushtet dhe më pas në sundim. Prandaj, duke konstatuar shkencërisht këtë gjë, në librin e tij Stefani shtron me të drejtë, me guxim dhe natyrshëm pyetjen finale: Duke qenë gjatë në sundim, a është Berisha, në dinamikën e shfaqjes ë tij, një Hitler i vogël i demokracisë shqiptare?

Analiza e Andrea Stefanit, parë në thellësinë e saj, është befasuese. Ky njeri karakterizohet nga një dëshirë e papërmbajtshme për pushtet, dëshirë instiktive që shpërmasohet dhe shndërrohet në demon. Kjo është e veçanta e tij. Sa më i paqartë është shkaku i këtij transformimi,  aq më të qarta janë pasojat e shkulmit që sjell. Për një metaforë, në vend të eshtrave, Berisha ka dëshirën e fortë për pushtet të plazmuar në formë skeleti të veshur me mish dhe energji të mistershme. Është një krijesë gjenerative si rrallëkush tjetër: Ky shkulm e shtyn papushim të jetë gjithmonë në tribuna, në delir, në pushtet. Kjo është një ekzistencë në të cilin sundimi është gëzimi më i pastër dhe sfida ndaj të tjerëve, kënaqësia më e egër. Është kënaqësia që edhe e motivon, edhe e ushqen diktatin e vrazhdë. Duke qenë edhe vetë një pasojë e këtyre shkulmeve instiktive, ai përfaqëson një gjallesë, por edhe një viktimë të tyre, që synon të ketë në kontroll kundërshtitë, kundërshtarët  dhe popullin e vet nëpërmjet një sistemi totalitar, që gjymton së pari lirinë. Këtu Andrea Stefani supozon ngjashmërinë e Berishës me Hitlerin. Njëlloj si Hitleri, Berisha e ka shoqëruar aventurën e tij në tranzicion me gënjeshtra e shpifje ndaj kundërshtarëve të tij, me një egërsi që nuk ndalon deri sa të lodhë nervat e tyre, në mënyrë që këta të tërhiqen. Shantazhimi hitlerian, hedhja baltë, fyerja, të gjitha këto i shërbejnë të njëjtin qëllim.  E ka bërë këtë me të gjithë kundërshtarët e tij, me Nanon, me Metën, me Ramën. Më shumë se të drejtojë shtetin, Berisha ka talent të shantazhojë kundërshtarët me të kaluarën e tyre, me synimin për të zhvlerësuar çastin, momentin, të sotmen, vetë shtetin. Stefani e ka vënë Berishën në një grafikë shumëplanëshe, në hapësirë dhe në kohë, ku e ardhmja është vec një opsion. Shantazhi, si filozofi sundimi e Berishës, ka shkuar mjaft larg. I parë nga çdo optikë, ai ka shantazhuar gjithçka e këdo. Ai ka shantazhuar edhe perëndimorët, duke ju kujtuar atyre kredencialet e tij politike në trevat shqiptare në Kosovë e Maqedoni, por edhe vitin ‘97. Në të dy rastet, perëndimorët e kanë trajtuar si një njeri me bomba në duar, i cili duhej përkëdhelur me kujdesin që duan fëmijët, për t’ju hequr lodrën e rrezikshme nga dora, në mënyrë që ky mos ju destabilizojë vendin dhe rajonin, sikundër ndodhi njëherë në 97-ën. Pasioni i sundimtarit, si një rrezatim, ka depërtuar skepticizmin e ndërkombëtarëve! “Berisha gjithnjë ja ka dalë të përdorë fatin e Shqipërisë si kolateral të interesave të veta”, shkruan analisti i njohur. Prandaj jo rrallë të huajt e shohin fatin politik të Berishës të lidhur me fatin e Shqipërisë.

Ky dimensionalitet shfrytëzohet prej Andrea Stefanit për të nxjerrë në pah ngjashmërinë e tij me Hitlerin: Ashtu si Hitleri, Berisha erdhi nga e majta. Njëlloj si Hitleri, akuzon kundërshtarët për ato çka supozohet apo dyshohet se ka bërë vetë. Njëlloj Berisha flet pa fund për antikomunizëm. Hitleri përflitej për vrasjen e Ernest Remit, shefi i tij i grupimit të sulmit, Berisha përflitet nga opozita për vrasjen e Azem Hajdarit. Në mënyrë hitleriane Berisha akuzoi opozitën për vrasjet e 21 Janarit, për të cilat është vetë përgjegjësi kryesor, shantazhoi dhe akuzoi presidentin dhe kryeprokuroren “lavire bulevardi”, për puçizëm dhe grusht shteti. Njëlloj si Hitleri, Berisha është një orator  i aftë të frymëzojë energjinë negative të çdo turme. Ai  beson tek efektet e oratorisë mbi fanatikët dhe militantët. Të dy kanë të përbashkët karakterin prej demoni autokrat, pohon Stefani. Të dy kanë mbas vetes një masë të madhe mbështetësish. Ashtu si Hitleri mashtronte dhe premtonte paqe dhe në çdo rast përgatitej për luftë, Berisha e ka mashtruar dy herë seriozisht perëndimin. U betua për demokraci funksionale në vitin 1991, dhe u betua për “duar të pastra”, në vitin 2005. Madje, Berisha e ka kaluar Hitlerin, me aktrimet e rrezikshme të tij. Ai ka tre maska psikologjike në komunikim me të tjerët. Megjithëse ka një portret jo aq të shëmtuar si Hitleri, por as më të fisme, ky portret transformohet dhe merr formën e nevojshme që kërkon situata: me të huajt, është i butë dhe i qeshur. Kur gjendet lakuriq përballë pasojave të veprës së tij, si në rastin e Gërdecit, ligështohet dhe shitet i dhembshur dhe i ndjeshëm si një gjysh. Kur ka shpatën në dorë, përfytyron Bajlozin dhe shndërrohet gati në një përbindësh: kërcënon me brutalitet tej çdo etike normalitetin, opozitën dhe kundërshtarët e tij.

Stefani përgjithëson: Ngjashmëria kryesore me Hitlerin është karakteri nekrofil i Berishës. Diskriminimi i së sotmes prej te djeshmes, i  jetës prej vdekjes, thotë autori, është njëri nga detajet që dëshmon për karakterin nekrofil të Hitlerit shqiptar. Këtë simptomë e shfaqi të shpërndarë në kohë bashkë me shantazhin e së shkuarës, por e qartësoi mbas Gërdecit dhe e përforcoi në 21 Janar, kur akuzonte opozitën se kish shkelur “Kodin e vdekjes”, që ishte një shpikje e mendjes së ndezur të Berishës, për ta përdorur si armë politike, kundër kundërshtarëve të tij.

Berisha është një gënjeshtar instiktiv, nënvizon  autori i librit “Komploti kundër lirisë”. Dhe ka të drejtë, po të kemi parasysh mashtrimet spektakolare që ka bërë në publik. Berisha gjithçka e bën që të jetë në pushtet. Me çdo kusht! Me çdo çmim! Nuk ka rëndësi asgjë për atë veçse vlerësimi kolektiv se ai është lideri, i pari, kryesori, i rëndësishmi. Prandaj edhe Stefani thotë se ky njeri marrëdhëniet me njerëzit i ndërton jo në funksion të moralit. Berishës nuk i intereson intelekti, aq më shumë që as vetë nuk e ka me shumicë, as morali, as integriteti, as drejtësia, e natyrisht, as liria e të tjerëve. Për të, “e mire” është gjithçka dhe çdo gjë që i shërben pushtetit të tij dhe “e keqe”, çdo gjë që nuk i shërben sundimit korruptiv. Ky është kufiri që ndan të mirën nga e keqja në mendjen e tij. Ky është kriteri që përcakton kush do të jetë pranë tij, cili bashkëpunëtor, intelektual, cilat biznese, cilët aleatë. Dhe në çdo rast, Berisha shfaq një tërbim tipik hitlerian ndaj kundërshtarëve të vet. Në këtë pikë Berisha më shumë se me Hitlerin ngjan me Enver Hoxhën. Ai i seleksionoi armiqtë ashtu si bëri Hoxha me Titon, Mao ce Dunin, Mehmet Shehun, Ballukun etj. Edhe ky e ka spastruar terrenin nga reformatorët brenda partisë së tij. Por edhe i ka rikthyer në poste kur ata kanë dëshmuar vullnet për ti shërbyer “monarkisë” së tij. Ka shumë emra kundërshtarësh e rivalësh të cilët janë ribërë aleatë servilë të Saliut. Kanë shitur moral dhe integritet për të blerë pushtet! Dhe sigurisht Meta. Kryekusari dhe hajduti i tenderave, thosh Sali Berisha për Ilir Metën, kur ky ishte kryeministër.  Pikërisht me këtë kryekusar ai bëri koalicion mbas zgjedhjeve të fundit, për të sunduar më gjatë. Ashtu si drejtonte me diktat historinë e Gjermanisë Hitleri, sot njëlloj, fati i Shqipërisë ndodhet në duart e njëshit që quhet Sali. Madje ngjashmëria vazhdon edhe në frazeologjine e tyre. Hitleri: ”Armiqtë tanë s’do mund të qeshin më!” Berisha: “Do tua ngrijmë buzëqeshjen në buzë!”

10 komente në “Berisha, një lider nekrofil”

  1. BARDI says:

    ASNJEHERE NUK DO BESOJ SE BERISHA E KA MASHTRUAR DY HERE PERENDIMIN.KURR JO DHE AS MOS TJU SHKOJ NE MENDJE PER NJE GJE TE TILLE.ANDREA NE TE GJITHA ESHTE REALIST POR KETE NUK MUND TJA PRANOJ.NE SE DO THONIM TE VERTETEN AJO ESHTE SHPREHUR ME LARTE NGA VETE STEFANI.POR NE VECANTI EUROPES NE VECANTI TE DJATHTES SE SAJ NE EUROP DREJTUESIN E SHTETIT E PERCAKTOJNE NGA ZARFET QEU JEP AI.PO MOREN ZARFET ,TE JENI TE SIGURTE QE DHE PER FAMILJET E VETA DO FLISNIN CFARE TJU DIKTONTE KERKESA E ZARFIT E JO ME PER INTERESAT E BERISHES,QE SA ME I TRASHE ZARFI AQ ME TE FUQISHME JANE PERKRAHJETNDAJ TIJE.A SE VERTETOJNE KETE DOLLET ,FRATINET ,GOLLSBRUKET ETJ.

  2. isoj tetre says:

    kjo puna e ngrirjes se buzeqeshijes eshte perdorur nga te dy palet ne momente te caktuara dhe s’eshte gje tjeter vecse nje shprehje diabolike qe vertet ynflyencon dhe kthehet ne mase .

  3. Dean says:

    BARBARI i Vucidolit o thjesht 1 koqe gamori,keta orator dhe KARIzmatik.
    Ai o thjesht 1 BUDALL qe duhet me e heq nga pushteti.

  4. Opinionisti says:

    Z.A.STEFANI NJE GAZETAR I KOHES.

    Z.Andrea Stefani nuk eshte vetem ky shkrim qe ju larteson si gazetar,kurajoz,i mencur,realist,kritik konstruktif,dashamires per gjithe shqiptaret,jane dhe mjat cilesi te tjera qe ke ngritur gazetarine e kombit ne apogjeun e saj.Idete e tua do ti vulose koha nga qe kane ne taban logjiken gazetareske.Te urojme per punen tuaj fisnike pa varesisht se shkrimet e tua nuk kenaqin naivet qe s’njohin te verteten.Shendet dhe suksese te reja,ini ne rruge te mbare per ta begatuar Shqiperine.
    Opinionisti

    1. Sanne says:

      AFAICT you’ve cveeord all the bases with this answer!

  5. fule says:

    Respekte Z. Stefani, analize e shkelqyer ne kete prizem.

  6. valentina says:

    nje analize e shkelqyer e nje libri te jashtezakonshem, qe do lere ne hije fevziun dhe :Kurbanin”, me kalimin e kohes. Bravo shkrimtarit Artan Mullaj per modestine dhe fisnikerine qe perfaqeson duke ndricuar nje veper qe duhet dhe e meriton.. Kush tjeter e ben kete gje?Cili shkrimtar shkruan per vepren e nje tjetri. Shkrimtaret dhe gazetaret shqiptare jane duke i nxjere syte njeri tjetrit. Pergezime edhe njehere nga zemra ketyre dy penave te ndritura dhe te ndershme te Shqiperise. Valentina.

  7. exmere says:

    pret te perfitoje ndonje kocke nga Rama kur te vije ne pushtet ky autori parandaj mbur gazetarinkomunist andrea stefani dhe librin e tij qe eshte per ne banje

  8. anna says:

    exmere, jevge apo mongoleze, cfaredoqofsh, ike shit veten me ndonje der te Saliut , te fitosh aq sa blesh sapun turk ose milve, para se te zesh ne goje dy njerez elitare te ndershmerise dhe intelektit ne vend sic jane z. Stefani dhe Mullaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje