Panoptikum nga Kroacia dimërore: një vend i trazuar, mes frikës nga kolapsi financiar dhe shpresës për shpëtim në Bashkimin Evropian
Në sheshin kryesor të Zagrebit nuk shihet ndonjë shenjë e fushatës zgjedhore. Në “Trg Bana Jelačića” mbretëron atmosferë festive. Para Krishtlindjeve janë stolisur shumë bredha dhe shtylla elektrike. Në telat e rrymës, aty-këtu, janë varur zemra të kuqe, po ashtu të stolisura me drita.
Në shumë qytete të Evropës festat fetare janë komercializuar si mos më keq; në Zagreb, ndërkaq, ende ka diçka të natyrshme në atmosferën para Krishtlindjeve. Dëshmi për këtë janë sidomos disa plaka të majme dhe të mbështjella me veshje kombëtare, të cilat me loçkë të zemrës këndojnë këngë religjioze.
Derisa fëmijët shikojnë madhështinë e dritave, prindërit blejnë specialitete të ndryshme, kryesisht ëmbëlsira. Edhe sivjet më të preferuarat janë “fritule”, petulla të rrumbullakëta – sipas qejfit me mjaltë, me nutella, me sheqer pluhur.
Në fund të xhiros nëpër sheshin që dikur quhej “Trg Republike” jo pak njerëz ndalen te Katedralja e Zagrebit. Disa bëjnë kryqin me gjeste teatrale, të tjerët aq shpejt sa thua po i ndjek dikush.
Për fëmijët çdo qëndrim në Katedralen e Zagrebit është mbresëlënës. Gojëhapur ata shikojnë arkivolin e xhamtë: brenda, e mbështjellë me stof purpuri, gjendet kufoma e kardinalit Alojzije Stepinac. Vatikani e ka shpallur të lumturuar këtë dinjitar të Kishës Katolike Kroate. Stepinac është një figurë kundërthënëse: kur në fillim të viteve 40-të të shekullit të kaluar pushtetin në Kroaci e morën kuislingët e regjimit të Hitlerit, pra ustashët, Stepinac besonte se tani erdhi parajsa mbi tokë, së paku mbi tokën kroate. Ustashët ushtruan terror shfarosës kundër hebrenjve, serbëve, romëve, komunistëve kroatë. Mizoritë e tyre madje irrituan edhe administratorët nazistë në Zagreb, të cilët kërkuan nga komanda në Berlin të ndërhyjë për të zbutur terrorin e ustashëve. Më vonë, kur me gjasë e kuptoi sa mizor ishin ustashët, Stepinac u distancua prej tyre dhe u ndihmoi hebrenjve. Pas luftës regjimi i Josip Broz Titos e dënoi me burg shumëvjeçar.
Vizitorët në Katedrale sivjet duket të jenë më shumë se viteve të kaluara. Ndoshta për shkak të krizës. Në kohëra krize feja e familja shndërrohen në strehë të ngrohtë të njerëzve. Diku duhet gjetur mbështetje.
Dhe kriza në Kroaci është evidente. Gazetat paralajmërojnë kolaps financiar të shtetit. Papunësia sillet rreth 18 për qind. Borxhi i jashtëm është galopant, momentalisht po shkon drejt 103 përqindëshit të bruto prodhimit vendor.
Megjithatë, ka politikanë që flasin për projekte të mëdha. Për shembull ende flitet, përkundër arkës së zbrazët të shtetit, për ndërtimin e urës në Peleshac, e cila do të mbikalojë gjirin e Mali Stonit dhe do të lidhë rajonin e Dubrovnikut me Kroacinë. Në këtë mënyrë synohet të shmanget kalimi nëpër Neum të Bosnjës. Tani për të shkuar në Dubrovnik kroatët duhet të kalojnë rreth 20 kilometra nëpër territorin e Bosnjës. Punimet për ndërtimin e urës së Peleshacit i kishte nisur solemnisht Ivo Sanader, si kryeministër i vendit.
Tash Sanader gjendet në burg. I akuzuar ose i hetuar për pothuaj të gjitha djallëzitë, keqpërdorimet, aferat e korrupsionit në Kroaci sidomos në dhjetë vjetët e fundit. Një pasqyrë mbi veprimtarinë korruptive të Sanaderit e ofron libri i gazetarit Drazhen Rajkoviq – “Kako je Ivo Sanader ukrao Hrvatsku” (“Si e vodhi Ivo Sanaderi Kroacinë”).
Çmimin për qeverisjen pothuaj mafioze të Sanaderit duhet ta paguajë Jadranka Kosor. Kjo ish-gazetare e radios kroate, e përqeshur nga ish-presidenti Stjepan Mesiq si vajtimtare (“Suzana”), për vite të tëra ka qenë një shërbëtore e padukshme dhe lojale e partisë, e Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ). Befas, më 1 korrik 2009, Ivo Sanader dha dorëheqje. Me sa duket e kishte hetuar se rrethi po i ngushtohej, se drejtësia kishte filluar hetimet. Sanader iku dhe e caktoi zonjën Kosor si pasardhëse. Pothuaj askush në Zagreb nuk besonte se ajo mund të drejtojë qeverinë më shumë se deri në fund të vitit 2009. Disa vazhdonin ta përqeshnin si “Suzana”, të tjerët, nacionalistët, e quanin “četnikuša” (“çetnike”) për shkak se, siç supozohej, dikush në familjen e saj ishte me origjinë serbe.
Kosor i befasoi të gjithë. Duke parë se nuk ka rrugëdalje tjetër, se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk mund të bëhet me fjalë, por vetëm me reforma dhe luftë të pamëshirshme ndaj korrupsionit, Kosor hoqi dorë prej shumë figurave të fuqishme në HDZ. Disa u larguan nga pushteti dhe nga ndërmarrjet publike, të tjerët përfunduan në burg. Kosor i hapi rrugën drejtësisë. Figura më prominente që u arrestua ishte Ivo Sanaderi. Kosor arriti të përfundojë negociatat me BE-në për anëtarësim. Këtu një rol vendimtar luajtën edhe vendet tradicionalisht prokroate – Austria dhe Gjermania. Megjithatë, nuk mund të thuhet se në rastin e Kroacisë Berlini ka mbyllur njërin sy. Ndaj Kroacisë, në fakt, janë aplikuar kritere edhe më të ashpra se në rastin e Bullgarisë dhe Rumanisë. Këto dy shtete edhe sot, si anëtare të BE-së, qëndrojnë prapa Kroacisë në shumë aspekte.
“Kosor do t’i humbë zgjedhjet. Ajo është një figurë tragjike. Tani, në prag të zgjedhjeve, ajo u përpoq t’i përqafojë qarqet nacionaliste”, thotë profesori i filozofisë Zharko Puhovski derisa përzien “Cappuccinon” në “Gradska kavana”, në qendër të Zagrebit. Puhovski – gjyshi i të cilit ka qenë shqiptar – thotë se procesi i reformave në Kroaci nuk mund të prapakthehet më. Për dallim prej shumë intelektualëve ose pseudointelektualëve ballkanikë, në Zagreb shumica e mendimtarëve nuk vuajnë nga kompleksi i inferioritetit. Para disa javësh revista gjermane “Der Spiegel” shkroi se BE po e pranon në gjirin e saj “një kifle të helmuar” – kifle për shkak të formës së hartës së Kroacisë. Puhovski e hedh poshtë këtë kritikë. “Ne, sidoqoftë, kemi arritur ta fusim në burg ish-kryeministrin tonë. Fqinjët tanë italianë vetëm mund të ëndërrojnë diçka të tillë”, thotë Puhovski.
Kush janë fitimtarët, të cilët do ta drejtojnë Kroacinë në katër vitet e ardhshme? Koalicionit të majtë-liberal “Kukuriku” (i emëruar sipas një restoranti në Kastav afër Rijekës) i prinë Partia Socialdemokrate (pasardhëse e Lidhjes së Komunistëve të Kroacisë). Lideri i saj Zoran Millanoviq pritet të jetë kryeministër i Kroacisë. Shumica e vëzhguesve nuk janë të entuziazmuar me Millanoviqin. “Ai nuk ka miq, nuk ka përvojë, nuk di të komunikojë” – thotë një vëzhgues që e njeh mirë atë. Një mik partiak, ndërkaq, thotë se këto mangësi i takojnë të kaluarës: “Millanoviq ka mësuar shumë që nga zgjedhjet e vitit 2007”.
Dy vende kyç në qeverinë e re pritet t’i zënë Radimir Qaçiq dhe Vesna Pusiq nga Partia Popullore Kroate – Demokratët liberalë (HNS). Qaçiq pritet të zgjidhet ministër për Ekonomi dhe zëvendëskryeministër. Ai është një figurë kontraverze: Në janar të këtij viti Qaçiq shkaktoi në Hungari një aksident të rëndë në trafik me ç’rast vdiqën dy persona. “Me këtë njeri kemi problem moral”, thotë një funksionar i socialdemokratëve. Vesna Pusiq, profesoreshë e politikës në Universitetin e Zagrebit, sipas të gjitha gjasave do të jetë ministrja e re e Jashtme e Kroacisë – dhe e para femër në këtë pozitë që nga pavarësimi i Kroacisë para dy decenieve. Pusiq rrjedh nga një familje e njohur e Zagrebit; i ati i saj Eugen Pusiq ka qenë profesor i drejtësisë në Zagreb, anëtar i Akademisë së Shkencave të Kroacisë dhe nga mesi i viteve 60-të këshilltar i sekretarit të atëhershëm të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në fund të viteve 70-të Vesna Pusiq ishte ndër shtatë femrat në Jugosllavi që themeluan grupin e parë feminist pas Luftës së Dytë Botërore.
Në prag të zgjedhjeve kryetarja e Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ), Jadranka Kosor, u përpoq të mobilizojë spektrin nacionalist të zgjedhësve. Së pari ajo i përshëndeti me emër gjeneralët kroatë, të dënuar në Hagë për krime të luftës. Mes tyre më i njohuri është gjenerali Ante Gotovina. Së dyti: Kosor e riktheu dhe e futi në listën e kandidatëve Mirosllav Tugjmanin, të birin e Franjo Tugjmanit, presidentit të parë të Kroacisë së pavarur. Mirosllav Tugjman gjatë sundimit të babait të tij ka qenë shef i të gjitha shërbimeve sekrete kroate. Ai braktisi HDZ-së i pakënaqur me kursin e saj properëndimor dhe reformator. Së treti: Kosor lidhi koalicion parazgjedhor me Zhelko Kerumin, prefektin e Splitit. Kerum është pronar i një rrjeti dyqanesh në Kroaci. Akuzohet se është pasuruar gjatë periudhës kaotike të transicionit. Njihet si popullist primitiv. Nuk është i bekuar me mençuri të thellë. Me një rast një politolog kroat i kishte thënë se është amator në politikë. Kerum e kishte kuptuar këtë si kompliment!
Përtej politikës edhe në Kroaci është jeta. Për shembull në tregun Dollac, i cili qëndron mbi sheshtin “Ban Jelačića” si kurorë mbretërore. Ngjyrat e zjarrta të pemëve dhe perimeve i japin një kolorit të bukur qytetit edhe në ditët e dimrit. Mandarina. Portokaj. Rrush. Fik. Këto pemë shiten më së shumti tani, në prag të festave. Jo pak shitës në Dollac janë shqiptarë.
Pritje me rastin e Ditës së Flamurit, organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë. Është një traditë e ngahershme: në këtë ceremoni nuk vijnë vetëm përfaqësues të korit diplomatik, por edhe pjesëtarë të komunitetit shqiptar – njerëz që kanë bërë emër në shoqëri dhe në kulturë me profesionet e tyre, argjendarë të njohur, por edhe bukëpjekës, pastaj ish-luftëtarë dhe të tillë që thonë se kanë luftuar, po ashtu të pashmangshëm janë edhe ata që profesion te vetëm e kanë të qenët shqiptar.
Në tollovinë e ceremonisë dallohet një plak flokëthinjur. Është Predrag Matvejeviq, njëri prej intelektualëve më të njohur të Ballkanit, ish-profesor universiteti në Romë e Paris, mik i ngushtë i shkrimtarit Ismail Kadare. Matvejeviq është autor i disa librave me vlerë për historinë e Adriatikut. Disa prej tyre janë botuar edhe në gjermanisht, në Zürich, te shtëpia botuese Ammann, ku viteve të fundit janë publikuar edhe romanet kryesore të Ismail Kadaresë.
Profesori Matvejeviq është i afërt me njerëz. Për dallim prej shumë intelektualëve ballkanikë, të cilët para se të flasin, e shohin të nevojshme ta pështyjnë publikun me vetëlavdërime, Matvejeviq demonstron vetëm modesti. Tregon për njohjen e tij me shqiptarët e Kosovës. “Mund të themi çfarë të duam për Jugosllavinë, por s’mund ta mohojmë që kemi jetuar në një shtet dhe kemi ndarë shumë përvoja”, thotë ai. Matvejeviq tregon se si nga mesi i viteve 70-të i kishte dërguar një letër Josip Broz Titos. Pasi e lavdëronte për kontributin e tij, i kërkon të largohet nga posti i kryetarit të Jugosllavisë. “Në një shtet tjetër do të më kishin futur në burg pas një letre të tillë. Para disa vitesh e kam takuar Dushan Dragosavcin, ish-funksionar i lartë i Kroacisë dhe Jugosllavisë socialiste, i cili më tregoi se si kishte reaguar Titoja pasi e kishte marrë letrën: ‘E lexoi dhe tha: ndoshta ky ka të drejtë, kur kërkon të tërhiqem’”, shpjegon Matvejeviq. Tani Matvejeviq gëzon ditët e pensionit. Kujton kohërat e kaluara. Kujton edhe vitin 1999, kur nga Roma kishte shkuar në bregdetin përballë Shqipërisë, për të biseduar me refugjatët që vinin nga Kosova e terrorizuar nga trupat e Sllobodan Millosheviqit. Mbi këtë udhëtim Matvejeviq ka shkruar një reportazh: “Na Jadranu, Kosovo” – “Kosova në Adriatik”. Titulli është një lojë fjalësh me romanin “Na Drini ćuprija” – (“Ura mbi Drinë”) të shkrimtarit Ivo Andriq.
Edhe një detaj nga ceremonia e Ditës së Flamurit në Zagreb: Si çdo vit edhe sivjet aty ishte profesori Aleksandar Stipçeviq. I njohur si ilirolog prijës, eseist, albanolog, bibliograf, autor i veprave mbi historinë e librit, tani është paraqitur para opinionin me një libër mbi kulturën tradicionale të arbanasve të Zarës, të cilët para tre shekujsh erdhën nga viset shqiptare në këtë qytet bregdetar kroat. Në promovimin e librit në Zarë mori pjesë edhe Bozhidar Kallmeta, ministër i Infrastrukturës në Qeverinë e Kroacisë. Kallmeta – nomen est omen – rrjedh po ashtu nga bashkësia e arbanasve.
Të enjten Parlamenti Evropian votoi për anëtarësimin e Kroacisë në BE. 634 europarlamentarë votuan për, 38 kundër, 32 abstenuan. Për kryeministren Kosor ishte një moment triumfi. Mbledhjen plenare të Parlamentit Evropian ajo e shikoi në Shtëpinë e Gazetarëve në Zagreb, duke mos fshehur gëzimin se qeveria e saj është më meritorja që Kroacia po bëhet vendi i 28-të anëtar i BE-së dhe gjuha kroate do të jetë gjuha e 24-t zyrtare në BE. Kosor do të nënshkruajë të premten e ardhshme në Bruksel Kontratën e anëtarësimit. Mbase kjo do të jetë paraqitja e fundit e Kosor në arenën e madhe ndërkombëtare, pasi që pasardhësi i saj, sipas të gjitha gjasave, do të jetë Zoran Millanoviq. Sidoqoftë, Kosor ka thënë se kontratën do ta nënshkruajë me një stilograf të dhuruar nga Papa Benedikti i XVI.
Secila qeveri e re kroate duhet të ndërmarrë reforma të thella për sanimin e gjendjes së keqe financiare. Mbi 500 ndërmarrje në pronësi të shtetit janë të zhytura në borxhe. Qeveria e re duhet ose t’i privatizojë ato ose t’i falimentojë për shkak të jolikuiditetit. Kroacia është vend i vogël, Kroacia ka vetëm 4.5 milionë banorë, por Kroacia ka rreth 600 mijë veteranë lufte të regjistruar. Ky numër prej vitit 2004, nën sundimin e HDZ-së, është shtuar për 150 mijë persona. Të gjithë këta thonë se kanë luftuar për pavarësimin e Kroacisë nga Jugosllavia. Rreth 200 mijë veteranë marrin pensione nga shteti dhe gëzojnë privilegje të ndryshme. Edhe pjesa tjetër e veteranëve gëzon privilegje, ta zëmë në formë të mbështetjes sociale. Qeveria e re duhet të merret edhe me këtë çështje, sepse nuk është e mundshme që aq shumë njerëz të alimentohen nga buxheti i shtetit në emër të patriotizmit.
Gjendja e keqe ekonomike në Kroaci mund të përmirësohet përmes reformave dhe ndryshimit të mentalitetit ndaj punës. “Tani na duhet një moral pune i tipit kalvinist”, thotë Zharko Puhovski – (sipas etikës së punës të propaganduar nga Jean Calvini). Gjendjen e keqe nuk mund ta ndryshojë turizmi, njëra prej degëve më të rëndësishme të ekonomisë kroate. Në katër vjetët e fundit nga turizmi Kroacia ka vjelë 28 miliardë euro, por nuk është vërejtur ndonjë efekt në standardin jetësor të qytetarëve.
Në situata krize lajmet pozitive janë të rralla. Sepse nuk është më lajm kur qeni kafshon njeriun, por e kundërta! Megjithatë, në qoshe gazetash gjenden edhe lajmet pozitive. Në “Novi list”, një e përditshme nga Rijeka, gjejmë këtë lajm: “Ministria e Jashtme (…) ka njoftuar se më 24 nëntor ka marrë edhe një ndërtesë të ish-RSFJ-së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, e cila Kroacisë i takoi në bazë të marrëveshjes për sukcesionin (ndarjen e pasurisë së ish-shtetit të përbashkët, v.j.). Bëhet fjalë për ndërtesën e ambasadës së ish-shtetit në Lisbonë, e cila deri më tani shfrytëzohej nga Serbia. (…) Deri në fund të vitit pritet pranim-dorëzimi i rezidencave diplomatike në Madrid dhe Helsinki”. Duke lexuar këtë lajm vetvetiu imponohet pyetja: A merr Kosova diçka nga vëllimi i falimentimit të Jugosllavisë? Duket asgjë! Pse t’i jepet diçka një shteti, i cili pa zor të madh heq dorë nga shtetësia e vet – ne emër të premtimeve imagjinare për integrime në Bashkimin Evropian.
Është folur shumë në Kroaci për korrupsionin e funksionarëve të Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ). Por, duart e pastra nuk i kanë as socialdemokratët. Së fundi në mediat kroate është folur shumë për skandalin rreth tregut në Rijekë. Thuhet se kryetari i qytetit e kishte ngjyer mirë kafshatën e korrupsionit, duke dhënë tezga nën rrogoz.
Epilogu i zgjedhjeve të së dielës në Kroaci ishte ashtu siç pritej. Fitoi koalicioni i majtë. Mbetet të pritet a do ta zgjojnë nga gjumi dhe a do ta këndellin vendin prijësit e aleancës “Kukuriku”. Kryeministrja e deritanishme Jadranka Kosor tërthorazi pranoi humbjen, por u tregua e kënaqur që rivalët politikë nuk arritën ta gjunjëzojnë totalisht HDZ-në. Kosor nuk gjeti forcë t’ia uroj fitoren kryetarit të Partisë Socialdemokrate dhe kryeministrit të ardhshëm Zoran Millanoviq.
“Nuk është koha për vajtimtarë, por për djersë, por pa gjak e lot. (…) Kjo domethënë llogari të pastra dhe të qarta që të mos na ndodhë ajo që i ndodhi Greqisë, që të zhvillohet kultura e mashtrimit buxhetor”. – Zoran Millanoviq në të përditshmen “Večernji list”.
Në njërën prej kolumneve të tij gazetari Boris Dezhuloviq citon një serb, i cili në një kafehane të Beogradit shtron një varg pyetjesh:
– A i kanë kroatët autostradat më të mira dhe më moderne?
– Po, i kanë.
– A kanë trafik të brendshëm ajror?
– Po, kanë. (Serbia nuk ka diçka të tillë. Nga Zagrebi mund të fluturoni në Split e Dubrovnik. Nga Beogradi nuk mund të fluturoni në Nish apo Leskovc).
– A i kanë kroatët rrogat katër herë më të larta se të tjerët në rajon?
– Po, i kanë.
Pastaj kroatët e kanë bregdetin më të mirë në Evropë. Në Kampionatin Botëror të Futbollit kanë qenë në vendin e tretë. Edhe në luftë kanë fituar. Një herë e përgjithmonë janë shkëputur nga Jugosllavia. – E pse kroatët janë kaq të pezmatuar?, pyet serbi në kafehane. Përgjigjen e jep Dezhuloviq në librin e tij “Kuq dhe zi”.
Gjatë fushatës zgjedhore, për të mobilizuar patriotët, Jadranka Kosor tha se në Kroaci UDBA (shërbimi sekret serbojugosllav) ende po bën kërdi. Dukej një konstatim i tepruar. Nga ana tjetër ekziston njëfarë kompleksi kroat ndaj serbëve. Kur ishte për vizitë në Zagreb Boris Tadiqi, atij iu bë një pritje sikur të kishte ardhur Barack Obama.
Nga ana tjetër: e vërtetë është se përkundër luftës dhe agresionit serb Franjo Tugjmani asnjëherë nuk ka folur ndonjë fjalë të keqe për Sllobodan Millosheviqin personalisht.
Për këta dy tregohen shumë barsoleta. Qe një: Pasi vdesin Franjo dhe Slloba takohen në Japoni. Franjo: “Sa e vogël është bota, Sllobo, ja ku po shihemi përsëri”. Slloba, me shpoti: “Franjo, nuk është bota e vogël, por Serbia është e madhe”. Në vitet 90-të nacionalistët serbë çirreshin: “Srbija do Tokija”.
Revista “Der Spiegel” para disa ditësh e citoi autorin e madh kroat Mirosllav Kërlezhën, i cili kishte thënë: “Më ruaj, o Zot, nga kultura kroate dhe heroizmi serb”.
Puna me citate është e ndërlikuar. Sepse përherë gjenden kundërcitate. Pasi Kroacia ishte bërë pjesë e Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene (më vonë jugosllave) më 1918, Kërlezha kishte shkruar: “Realiteti ynë austriako-hungarez rrëshqiti i dehur nën fronin e Karagjorgjeviqëve si një shishe e zbrazët birre në bërllok”.
Kroacija, konja e gjermaneve katolike. Kroacija ku shqipfolesit (nqs dialekti i tyre shume i ndryshem quhet shqip) marrin shembull per cdo gje. Po si keto kroatet ua dhane prape pushtetin komunisteve me. Kjo as ne Prishtine e as ne fshatin me te humbur te Dardanistanit nuk ka pike kuptimi. Sa komplekse kane ndaj kroateve shqipfolesit e titostanit, edhe sa nga zhabat intelektuale te mocalit te tiranes i ka kapur semundja ngjitese e kompleksit. Kroatet, katolike me nje dialekt te gjuhes serbo-kroate (!!) qe ndryshon nga serbishtja me pak sec ndryshon toskerishtja nga gegerishtja jane komb tjeter mbi bazen e fese. Po e mbyll me kete: Kroatet kur mundin i vrasin serbet, kur dhiten kujtohen qe “i kane vellezerit e tyre sllave” edhe kthehen preseri tek vellai i madh. Kur perseri? …..
oj cakalleshe fushash perse te djeg kaq shume per serbine o pinguin siberie.
nuk e quan kot dikush ketu ne forum PELE E ZEZE!
eh mahmuta nuk u pelqeu e? e hidhur e verteta mahmuto, po cte besh keshtu eshte bota, ike mbulo koken me carcaf edhe coje nga qielli sic e ke ne gjene
cakalli
jo per replike,se nuk ja vlen,por me nderhyrjet e tua,pasi ne te vertet nuk ke mundesi dhe aftesi per te be asnjehere koment tendin,por vetem te japesh ndonje pergjigje pakuptim pas komenteve te tjereve,jo per gje se dhe cakall te shkon shume,por me i pershtatshem per ty do ishte HIENA!
prenge sherri (ai i librit qe kam lexuar une) nuk e conte perpjete grupi keshtu qe komenti nuk eshte per ty (komenti i 2-te), sa per te parin mos te te ngelet qefi po kroacija ishte nen modelin spanje-greqi-portugali, edhe sado qe ta duash ti per arsye fetare, edhe titostanistet per nostalgji te kohes kur leftonin serbet, nuk ka ndonje dallim te madh nga shqiperia edhe fatkeqesisht nuk eshte as shembull per tu marre. Kete e di edhe sali berisha qe nderton fabrika cimentoje centrale me qymyr edhe male me plehra. Vendet evropiane me turizem sado qe te bejne nuk konkurojne dot cmimet e turqise, egjiptin e me radhe (per ata qe turizem quajne ike ne plazh edhe shullehu ne diell, dmth shumica).
I shkelqyer ky artikull.
I shkelqyer.
Me pelqeu.