Tifozët e Realit të Madridit kërkojnë largimin e Zhoze Murinjos. Humbja në Klasiken e radhës ka irrituar pa masë tifozët të cilët shohin te zgjedhjet e teknikut portugez arsyen kryesore të disfatës ndaj katalanasve.
Ndonëse trajneri deklaroi pas ndeshjes se merrte mbi vete fajin për humbjen, kjo nuk i ka qetësuar tifozët, për të cilët nuk është justifikim fakti se skuadra është e përqendruar te fitimi i kampionatit ku kryeson e shkëputur. Çuditërisht, këtë qëndrim e ka publikuar një prej mediave që mbështet më fuqimisht Realin e Madridit, gazeta “Marca”.
Gazetarët kanë zhvilluar pas ndeshjes disa intervista me tifozë që largoheshin nga stadiumi dhe sipas tyre, shkaktari i vetëm i disfatës është Murinjo.
Në intervistat video që shfaqen në faqen online të gazetës, thuajse të gjithë sulmojnë teknikun. “Ky është një turp, Murinjo largohu”, “Faji është i trajnerit”, “Problemi nuk është Barcelona, është Reali i Madridit, mënyra si luan tani”, ishin disa prej frazave më të dëgjuara mes njerëzve që largoheshin të zhgënjyer nga stadiumi.
Ndërkohë, një tjetër gazetë mbështetëse e Realit, “AS”, ka vënë në dyshim taktikat e përzgjedhura, duke publikuar deklaratat e Benzema dhe Ramos të cilët pohonin se kishin vështirësi në përshtatjen me këto ndryshime të papritura. /lajmeshqip