Meqë kryebashkiaku i Uashingtonit nuk po i jepte ndonjë shans Lulit për ndonjë takim, dhe meqë ambasadori në Tiranë nuk premtoi dot ndërhyrje zyrtare për këtë çështje, Kunati e mori vetë përsipër. Lobistët që paguhen nga Doktori në SHBA i dhanë sugjerimin. Gjej një adresë qyqari shqiptaro- amerikan që jeton në Uashington, i thanë, dhe thuaju që jam votuesi juaj. Pastaj kërkoji që ai të presë në një takim formal si çdo qytetar kryebashkiakun e Tiranës meqë kjo ju bën ju të ndiheni të lumtur.
Kunati ia nisi punës. Hapi librin e telefonave të shqiptarëve që njihnin në Uashington. Ambasadori i vuri para listën. Mori të parin. Ju prezantua. I tha jam Kunati i Lulit dhe a mund t’i kërkoj një nder në emrin tënd kryebashkiakut të Uashingtonit që të presë Lulin në takim.
-Më fal, i tha qytetari. Unë kam qenë mjek në Shqipëri dhe këtu punoj në një azil pleqsh. S’kam asnjë lidhje me kryebashkiakun. Pastaj unë e urrej atë Lul Bashën se ai ka vrarë njerëz në Tiranë.
-Po nuk ka vra Luli, nuk ka vra Luli. Atë ditë Luli ka qarë gjithë ditën. Po Doktori nuk e pyet, bën me kokë të vet.
-Epo s’e ndihmoj dot, i tha dhe mbylli telefonin.
Provoi të dytin, të tretin me radhë, por njësoj. Ju kujtua Gim Nesho. Ai seç ka ca të njohur këtu, tha me vete.
I bëri telefon Gimit.
-Ku je figurë, ku je? Kunati i Lulit jam.
-Ou, po ku jeni zoti Kunat, si e kam zotin Ministër, për mua do ngelet Ministri i Jashtëm më i mirë. Ekselent ka qenë. Më thuaj çfarë halli ke?
-Na duhet një shqiptaro- amerikan që t’i bëjë telefon kryebashkiakut të Uashingtonit të presë Lulin në takim si qytetar, se e kemi njoftu në Tiranë që do takohet me të.
-S’ka problem flori, ta rregulloj unë. Unë në fakt kur isha në New York, kishim një komshi, që i ishte martuar vajza në Virginia, po një kunat i vajzës punonte në Uashington dhe ishte martuar me një shqiptare. Tani i bëj unë telefon, ia gjej emrin dhe ta jap.
-Po ndonjë më të afërt, më të besuar, nuk ke, i tha Kunati.
-Po, kam, është djali i xhaxhit Fevzos, ai që ia futi për atë punën e rubinetit Fatos Tarifës që e mori më qafë. Jepni ndonjë pagesë atij dhe e bën ai, vetëm kontrollojeni se është karagjoz dhe mund t’i thotë që mos e prit.
-Po ndonjë më të sigurt, më të sigurt?
-Më të sigurt? Ah, po, s’ka problem, kam pasë njohur një herë në kazino në Atlantic City kur isha me ministrin Malaj, një shqiptar që e kishte shtëpinë në Uashington, por në fakt punonte dormen në një pallat, afër shtëpisë ku banon kryebashkiaku. T’i gjej telefonin atij dhe t’i them?
-Po përpiqu se na bën nder, i tha Kunati.
-Po përpiqem flori, mos u bë merak. E rregulloj unë këtë punë. Bëji të fala zotit Ministër. Po ka nevojë për ndonjë takim me rëndësi në Uashington përveç këtij, më thuaj. Kam folur me ata në Uashington dhe më kanë thënë Edi Rama ka marrë fund. Tani flori gjithë puna është si të eliminojmë Ramën atje se të tjerat rregullohen. Unë e kam bërë punën time.
-Patjetër, patjetër, i tha Kunati, po ma gjej pak shpejt këtë tipin.
Gimi e mori pak më vonë.
-E gjeta, tha. Ja shpjegova hallin. Më tha s’ka problem, e bëj unë, por jo sot se jam i mërzitur se kishte humbur 20 mijë dollarë në kazino dhe tha s’jam në formë. Nesër e bëj unë, tha.
-Aman Gimo i thuj ta bëjë sot se ia dërgoj unë çekun me 20 mijë dollarë.
-Po të jetë kështu flori, e rregulloj unë. S’ka nevojë t’ia dërgosh atij. Ma sill mua këtu se rregullohem unë me të. Vetëm se dua siguri mos ta gënjej kot.
-I ke tani në Tiranë sa ta mbyllësh, i tha Kunati.
Gimi mbylli telefonin dhe pas pak bëri si gëzuar.
-E rregulluam, tha. Foli dhe ai kryebashkiaku, e pret se ka një ditë që hap dyert ai siç e bënte ky pelagra jonë Natën e Bardhë. Po ai e bën ditën, se vetëm ky e bënte natën që mos t’i shikonin zyrën. U bë, çdo gjë është e mbaruar. Ja premtova dhe çekun.
-Faleminderit shumë, i tha Kunati. Lekët po t’i sjell dikush tani, i dhashë telefonin tënd.
Gimi mbylli telefonin i gëzuar. Mori menjëherë dyqanin e Puros dhe i gëzuar bërtiti.
-Tani ua sjell lekët për tre muajt e fundit, ua likuidoj të gjitha.
I kish funksionuar gjithçka perfekt. Kishte marr vetë bashkinë e Uashingtonit dhe ishte paraqitur si qytetar. Gjithçka ishte rregulluar. Dhe ai hoqi ca borxhe, dhe Luli e hoqi një merak, dhe Doktori e mori vesh që Gimja ia rregullon punët në Uashington.
uaaaaaa sa e peshtire sa mire qe na lajmeruat duhet pare se si dhe ku arrijne shpifjet
E gjithe kjo barre e madhe qe i ra Gim Neshos vjen nga paaftesia e Ambasadorit Arvizu. Une nuk e kuptoj se çfare i kushtonte Arvizuse qe t’i telefononte kryebashkiakut te Washingtonit dhe ta porosiste qe te thoshte: Po une e ftova Sali Bashen.
Kete cekun 20 mijesh tja kish dhene kryebashkiakut per ndihme fushate edhe do ua kish puthur lulen mu ne buze