Murinjo: I lumtur nëse e fitoj titullin edhe më 1 pikë diferencë

17 Shkurt 2012, 18:10Sport TEMA

Zhoze Murinjo këtë radhë ka preferuar që të mbajë një profil sa më të ulët dhe të mos përdorë ironinë e zakonshme për të ndezur kundërshtarët. Si rrjedhojë, në konferencën për shtyp ai ka preferuar që të shfaqet sa më i qetë para mediave, duke hedhur poshtë të gjitha aludimet se i ka kërkuar skuadrës të bëjë maksimumin për të fituar matematikisht titullin në ndeshjen e “Kamp Nou” kundër Barçës.

“Do të doja ta fitoja kampionatin që nesër por e di që nuk është e mundur. Do të ishte diçka shumë e madhe nëse do ta fitonim titullin me një pikë diferencë. Nuk besoj se është mundur të fitojmë titullin kampion në “Kamp Nou” pasi është qesharake të mendosh se mund të krijojmë 15 pikë diferencë nga një skuadër si Barcelona”.

“Aktualisht jemi në një pozitë të mirë po kanë mbetur edhe shumë ndeshje dhe gjithçka do të vështirësohet. Barcelona është një ekip që mund të realizojë 10 fitore radhazi dhe nëse humbim do të jemi në telashe. Për këtë arse duhet të cilësojmë çdo ndeshje si një finale”.

Murinjo ka evituar t’i përgjigjet pyetjeve rreth të ardhmes së tij, ndonëse ka pranuar se e ka ndihmuar eksperienca që ka për të ruajtur gjakftohtësinë. “Pak javë më parë kaluam disa momente të vështira të cilat arritëm t’i kalonim dhe tani jemi të qetë”.

E vetmja batutë ka qenë për ngjarjen e famshme kur ai priti në parkingun e stadiumit gjyqtarin Tekseira. “Në parkingun e “Kamp Nou”, unë kam qenë shumë më i sjellshëm se sa duhej në krahasim me atë që kishte ndodhur më parë në fushën e lojës”, ishte komenti i Murinjos.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje