Bekam në krah të Kapelos: Kapitenin e zgjedh trajneri

17 Shkurt 2012, 13:12Sport TEMA

Ish-kapiteni i përfaqësueses angleze Devid Bekam, ka mbështetur Fabio Kapelon, ndonëse trajneri italian ishte ai që i dha fund karrierës së tij me fanellën e kombëtares.

Në komentin e tij të parë publik rreth kësaj çështje, Bekam tregoi se ishte i zhgënjyer nga fakti që Kapelo u largua nga kombëtarja vetëm pak kohë para aktivitetit, por në të njëjtën kohë deklaroi se respektonte vendimin e tij pasi besonte se trajneri gjithmonë duhej të zgjidhte kapitenin.

“Kam punuar për disa vite me Fabion. Është e trishtueshme që ai u largua në një moment kritik për Anglinë. Por dihet që ai e ka bërë për arsyet e tija. Ju e dini të gjithë që ai është një trajner të cilin e respektoj shumë dhe i uroj sa më shumë fat”, tha Bekam në një konferencë për shtyp pas stërvitjes me LA Galaksi.

I pyetur se kush duhej të zgjidhte kapitenin, Federata apo trajneri, Bekam ka qenë shumë i prerë.

“Trajneri është ai që zgjedh. Unë mendoj se kështu duhet të jetë gjithmonë. Me sa duket u mor një vendim për t’i hequr shiritin e kapitenit Xhon Territ. Por jam i sigurt se kapiteni i ardhshëm do të zgjidhet nga cilido trajner që do të marrë drejtimin ekipit. Kush mendoj se është? Herri Redknap! Ai është një njeri dhe trajner i madh që menaxhon në mënyrë të pabesueshme njerëzit që ka në dispozicion”, përfundoi Bekam.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje