Rrëfehet Ançeloti, nga Zidan tek Kaka

24 Shkurt 2012, 11:27Sport TEMA

Karlo Ançeloti është padyshim një nga trajnerët më të suksesshëm të futbollit italian dhe këtë e ka treguar sidomos gjatë viteve të tij te Milani, skuadër me të cilën ka fituar dy Liga Kampionesh. Por trajneri ka edhe një të kaluar si juventin, ndaj para sfidës të fundjavës mes këtyre dy skuadrave, ka treguar eksperiencat dhe kampionët e mëdhenj që ka drejtuar në vite.

Zinedin Zidan

“Nga vitet te Juventus kujtoj shumë gjëra, duke filluar nga Zidan, lojtari më i fortë që kam stërvitur ndonjëherë. Keqardhja, nëse mund të them kështu, është që rrallëherë gjatë ndeshjeve ai rishfaqte gjërat monstruoze që shfaqte në stërvitje”.

Del Piero dhe Henri

“Aleks nuk më detyrohet asgjë. Nga unë ka marrë atë që meritonte, duke parë profesionizmin e tij të veçantë. Me Henri kam bërë një gafë të madhe, e cilësoja një lojtar krahu, nuk e kuptova se ishte një qendërsulmues i jashtëzakonshëm”.

Luçiano Moxhi

“Nuk kam asnjë hatërmbetje ndaj tij, për më tepër Moxhi më bllokoi dhe më mori në skuadër kur unë po nisesha drejt Turqisë për të drejtuar Fenerbaçen. Te Juventus mësova sa e rëndësishme ishte sintonia mes trajnerit dhe drejtuesve. Shkarkimi në fund? Le të themi që kur të mbyllet një derë, në disa raste hapet një derë edhe më e madhe. Mua më ndodhi kështu me Milanin”.

“Pema e Krishtlindjeve”

“Gjëja për të cilën mburrem më shumë është shpikja e modulit “Pema e Krishtlindjeve”. Kisha shumë mesfushorë me këmbë të mira dhe ai ishte çelësi për t’i bërë të gjithë të luanin duke i dhënë skuadrës një ekuilibër të veçantë”.

Liga e Kampioneve

“Dita më e rëndësishme e karrierës time ishte finalja e Ligës së Kampioneve në Mançester ku fituam përballë Juventusit. Ajo më dha mundësinë që të më hiqej etiketa e humbësit që kisha fituar në dy vitet te Juventus”.

Rikardo Kaka

“U gabova rreth tij, e kisha krahasuar me Tonino Serezon dhe ai vazhdoi të më tallte për shumë kohë për këtë krahasim të gabuar. Kaka ishte një fenomen, në ndryshim nga Zidan bënte në lojë atë që shfaqte në stërvitje”.

Milan-Liverpul 3-3

“Edhe sot mendoj se ajo ka qenë ndeshja më e bukur e luajtur nga Milan. Por sidoqoftë, falë edhe klubit që bëri ndryshime, nga ajo humbje lindi triumfi i Athinës i dy viteve më vonë, pikërisht përballë Liverpulit”.

Andrea Pirlo

“Unë nuk do ta kisha shitur kurrë, ose maksimumi do ia kisha dhënë Çelsit apo PSZH meqë atje do të më gjente mua. Le të themi që Pirlo kërkonte më shumë para dhe Milani nuk donte t’ia jepte, ndaj ai shkoi dhe i mori te Juventus”. /lajmeshqip

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje