Gazeta spanjolle “Marca” ka zbuluar ofertën e jashtëzakonshme që Inter po bëhet gati t’i bëj Pep Guardiolës për të siguruar shërbimet e tij që nga sezoni i ardhshëm.
Masimo Morati është i bindur se trajneri katalanas është personi i duhur për të rindërtuar Interin, një skuadër që dy vite pas triumfit në Ligën e Kampioneve, është hija e vetvetes dhe nuk arrin më të fitojë asnjë trofe.
Morati do t’i ofrojë Guardiolës 20 milionë euro neto në sezon, bashkë me mundësinë për të punuar me grupin e tij aktual të bashkëpunëtorëve, një detaj shumë i rëndësishëm për trajnerin spanjoll. Presidenti i Interit, në këtë mënyrë është gati të “mbulojë në ar” trajnerin, falë edhe kursimeve të mëdha ekonomike që ka bërë që në momentin e fitimit të ”triplete”.
Megjithatë, Pep nuk ka ndër mend që tani të fillojë bisedimet me Interin. Në këtë pikë ai preferon që të jetë i fokusuar vetëm mbi dhënien e një përgjigje pozitive apo negative ndaj drejtuesve të Barcelonës për vazhdimin e tij te kjo skuadër.
Gjatë procesit të “reflektimit”, Guardiola nuk do të flasë me askënd, pasi edhe më parë ai ka deklaruar se në rast largimi nga katalanasit, do të zgjedhë të bëjë një vit pushim.
Si rrjedhojë, ai ka instruktuar përfaqësuesin e tij, Zhoze Maria Orobitg, që të mos flasë absolutisht me asnjë skuadër apo drejtues klubi tjetër deri në momentin kur ai t’i kthejë përgjigjen përfundimtare Barcelonës./lajmeshqip