Xherard: Dua të bëhem kapiten i Anglisë

25 Shkurt 2012, 13:04Sport TEMA

Kapiteni i Liverpulit, Stiven Xherard, ka treguar dëshirën e tij për të qenë kapiten edhe në kombëtaren angleze. Mesfushori bëri të ditur se do të ishte krenar dhe i lumtur nëse do të kishte këtë nder.

“Nëse më ofrohet, do ta marr shiritin dhe do të jem shumë i lumtur dhe krenar”, tha futbollisti që ka qenë kapiten i kombëtares gjatë Kupës së Botës 2010 në Afrikën e Jugut.

“Por këtë vendim nuk e marr unë. Si fillim është në dorën e Stjuart Pirs, që të zgjedhë kapitenin e përkohshëm, pastaj do të jetë në dorën e trajnerit përfundimtar të kombëtares të zgjedhë kapitenin e përhershëm të saj. Por unë e përsëris që dua të jem kapiteni i Anglisë”, ishin fjalët e Xherard.

Ai ka pranuar se është çuditur nga zgjedhja e Fabio Kapelos për t’u larguar në këtë pikë të sezonit, por ka pranuar se një trajner i ri mund të ishte “ajri i freskët” për të cilin ka nevojë kjo kombëtare.

“Sigurisht që u çudita shumë. Unë mendova se ai do të qëndronte deri në fundin e verës, kur t’i përfundonte kontrata. Por nuk mendoj se zgjedhja e tij do të ndikojë te kombëtarja angleze”.

“Ne do të kemi një trajner të ri së shpejti, është një fillimi i ri për këdo. Ndoshta kjo është shtysa që na nevojitet për të patur një verë të suksesshme”, përfundoi Xherard.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje