Baba Mondi i vërtetë, dialogje me të ftuarit në festën e Sulltan Novruzit

22 Mars 2012, 21:45Antena TEMA
Baba Mondi i vërtetë, dialogje me të ftuarit në festën

Baba Mondi i vërtetë kishte dje festën e tij të parë të Sulltan Novruzit. E kishte pak të vështirë si hera e parë që ishte dhe duhej të përgatitej për atë që do të thoshte. Më në fund tha diçka: “Dita e Sulltan Nevruzit është një ditë e re, dita ku të gjitha qeniet e gjalla i falen Zotit dhe njerëzve iu shtohet dashura për Zotin, për paqen dhe për mirësinë”.

Fjalia ishte e tillë që mund të thuhej në çdo festë, në çdo ngjarje dhe për çdo fe. Kështu që Baba Mondi ishte brenda. Tani secili le ta merrte si të donte.

I pari për vizitë i erdhi Doktori. Baba Mondi doli e priti në oborr e përqafoi dhe e uli tek minderi i vet.

-Gëzur dhe një herë, i tha Doktori. Kjo ashtë një ditë e madhe, ditë e demokracisë.

-Hejvallah, i tha Baba Mondi. Zoti na dhëntë shëndet dhe fuqi të jemi dhe ne 20 vjet në këtë detyrë aq sa ju.

-Asht një ditë e madhe, një ditë e bekueme, kush ka festë 22 marsin, nuk ikën kurrë nga pushteti, i tha Doktori.

Baba Mondit i shndriti fytyra.

Pastaj erdhi Jozefina. Dhe kjo dukej e eksituar nga gëzimi i festës.

-Gëzuar festën. Jam krenare qi bektashitë e kanë festën në një ditë me PD, i tha Jozi. Më vjen keq për ata bektashi socialist, por unë i ftoj ma mirë me ndërru partinë e të bëhen me PD se sa me ndërru fe.

-Hejvallah, i tha Baba Mondi. Mëshirëploti do t’i kthejë ata në rrugën e duhur.

Sapo iku Jozefina në Teqe u shfaq Presidenti Topi. Baba Mondi doli para i gëzuar.

-Urime, i tha Baba Mondit. Familja ime ka një respekt të veçantë për bektashinjtë, pasi stërgjyshi im u ka pasë falë tokën kur i zbuan nga Turqia dhe erdhën në Shqipëri. Deri tek ajo kodra atje e kena pas tokën tonë.

-Hejvallah, i tha Baba Mondi. Paçi e dhënçi. “Dorë e thatë nuk ka uratë”, -ka thënë edhe Baba Aliu. Allahu ua shtoftë.

-Urime dhe një herë, i tha Presidenti. Duhet që t’i jepni më shumë dinjitet kësaj dite, ta depolitizoni atë dhe të ruani figurën tuaj si udhëheqës bektashi… se po vazhdoj kështu s’do ketë më Sulltan Novruz, po Sulltan Salih.

-Inshallah, inshallah, tha Baba Mondi, që nuk kuptoi gjë fare nga ajo që i tha Presidenti.

Pas tij erdhi Edi Rama. Me këtë e kishte më të lehtë se ky ishte ortodoks.

-Urime, i tha Rama, dhe shpresoj që të mos vijë kurrë ajo ditë që më 22 mars qeveria të të marrë gjithë shërbëtorët e teqes e të t’i çojë në miting tek ai sulltani tjetër.

-Tybestrafkullah, tha Baba Mondi. Ptu, ptu, ptu, Allahu i largoftë xhindet nga mendja jote. S’ka për të ardhur kurrë ajo ditë.

-Epo që të mos vijë duhet një Rilindje Shqiptare, i tha Rama, se 22 marsi është tradhtuar.

-Allah, Allah, tha Baba Mondi i trembur. Unë sa u ula në këtë post prapë doni me ringjallë Baba Reshatin…?

Rama iku pa i dhënë përgjigje. Ndërsa ai dilte, në Teqe po hynin dy ish presidentët, Moisiu dhe Meidani. U ulën afër Baba Mondit dhe po prisnin kush të fliste i pari. Moisiu ishte më i madh në moshë, kurse Meidani më i vjetër si ish- president. Kështu që nuk po e gjenin dot radhën. Më në fund foli Moisiu.

-Si fytyrë e parë më dukesh, ku ke pas punuar?

-Kemi qenë bashkë në ushtri, i tha Baba Mondi. Kam qenë tek prapavija.

-Aha, Mondi i Elbasanit je ti? Ai që s’më jepje xhup të ri atëherë?

-Po, po, unë jam, i tha Baba Mondi kokulur. Ajo kohë ishte, tani kanë ndryshuar kohët, por një gjë tregoi koha, që kompania jonë ka qenë e gjitha e zgjedhur nga Zoti. Komandanti u bë president, nënoficeri i prapavijës u bë Kryegjysh.

-Kjo është dialektika e gjërave, foli Meidani. Kjo do të thotë se njerëzit ecin përpara. Në një kohë të caktuar janë të zakonshëm, pastaj bëhen të rëndësishëm.

-E ke thënë shumë bukur, i tha Baba Mondi. Mos keni qenë dhe ju tek kompania jonë, se nuk e mbaj mend?

-Jo, jo, po flas në parim, i tha Meidani.

Biseda ishte e ngrohtë dhe miqësore. Dy ish- presidentët u larguan dhe më në fund në fillim të oborrit u shfaq adashi i tij, Baba Mondi i OSBE.

Baba Mondi i vërtetë i doli përpara, i hodhi duart në qafë dhe pa folur asnjë fjalë e uli në minder. Ngaqë nuk flet anglisht, i bëri shenjë të priste një minutë, thirri shërbëtoren, mbushi nga një gotë raki dhe i tha “gëzuar”.

-Gëzuar, i tha Baba Mondi i OSBE. Gut festë, gut zakone, gut raki.

-Ju faleminderit shumë, i tha Baba Mondi i vërtetë. Feja jonë është për paqe, mirësi dhe vëllazëri mes njerëzve, si OSBE-ja.

-Gut fe, gut zakone, tha Baba Mondi i OSBE. Dhe mua më thonë Baba Mondi ngaqë pi shumë raki dhe ha qofte. Po sot jo qofte, sot ashure. Gut festë, gut festë.

Baba Mondi u kujtua që t’i sillnin diçka për të ngrënë mikut të tij dhe sapo ngriti kokën shërbëtorët ia lexuan kërkesën dhe e mbushën sofrën me ashure, raki, pak meze dhe qepë të njoma.

-Gut festë, gut festë, përsëriste Baba Mondi i OSBE.

-Gut fe, gut fe, si OSBE-ja, përsëriste Baba i vërtetë. Dhe e zgjati takimin për 2 orë.

6 komente në “Baba Mondi i vërtetë, dialogje me të ftuarit në festën e Sulltan Novruzit”

  1. adi says:

    hahahae e papame te gjithe karakteret shume te mire

    1. Edi Ramovici says:

      A e biseduat ceshtjen tone dhe binjakezimin me diten e flamurit ne 28 nentor 2012? Kryeministri na ka premtuar qe do i ngreme te dy flamujt ate dite. Ia ka shti ne mend Blendi Fevziu.
      http://imageshack.us/photo/my-images/809/saliberishagay2012.jpg/

  2. Cakalli7 says:

    Perse te tallesh me bektashinjte nje kete gazete eshte “trendy” po te thuash nje llaf per selefet censurohet?

  3. lori says:

    ha haaa ha, faleminderit, e shkruar mjeshterisht!

  4. MEMEDHETARI says:

    Aha,Mondi i Elbasanit je ti?Ai qe s`me jepje xhup te ri atehere????? ?

  5. xha Temja says:

    E pashembullt. Me te vertete artistikisht nje mrekulli. Te bene te qeshi cdo qelize e trupit. Bravo.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje