Antonio Konte nuk i mbajti dot lotët pas vërshëllimës finale të ndeshjes së djeshme. Por në të vërtetë lotët e Kontes kishin një kuptim tjetër, shumë më domethënës: “Nuk qava absolutisht për fitoren tonë, por të shtunën, më saktë teksa gdhinte e diel, u nda nga jeta tezja ime e moshuar, që për mua ka qenë një nënë e dytë dhe mbase ishte ajo që na bekoi me këtë fitore.
Interi? Jo më kot e bëra këtë krahasim, sepse realisht nuk e kuptoj sesi një skuadër si Interi ka një renditje të tillë. Nuk e kuptoj cili mund të jetë problemi i madh i kësaj skuadre të fortë, që siç tha Ranieri na vuri në vështirësi për afro 60 minuta.
Gjithsesi, personalisht jam i lumtur për tri pikët e marra këtu, sepse një ndeshje e tillë na bën shumë më të fortë dhe na ekzalton për të luajtur edhe më mirë në sfidat e radhës, shumë të forta, që na presin me Napolin, Palermon dhe Lacion.
Kemi një kalendar të zjarrtë në 4-5 javët në vazhdim, ndaj nëse nuk japim maksimumin, atëherë do i komplikojmë objektivat vetes. Pastaj, të mos harrojmë që vijmë edhe nga 120 minuta me Milanin, kështu që nuk ishte aspak e lehtë kjo ndeshje, – vazhdon analizën e tij Antonio Konte. – Ndjekja e titullit vazhdon? Milani duhet përgëzuar për vrapimin që po bën. Jo më kot i kam thurur gjithmonë elozhe kësaj skuadre, ndonëse ne mund të ishim në krye të Serisë A.
Megjithatë, për t’i dhënë një shans ëndrrës sonë të madhe do bëj realisht tifo që Milani të ecë sa më gjatë në Ligën e Kampioneve.
Zëvendësuesit fituan ndeshjen? Po, por ishte edhe një zgjidhje fatlume, sepse jo gjithmonë kjo gjë ndodh. Mirëpo Del Piero shënoi një gol fantastik që na dha qetësinë për të administruar gjithçka. Aleksi nuk ka qenë kurrë një problem, por, siç kam thënë gjithmonë, një zgjidhje që do na bëjë të fitojmë ndeshje të mëdha si kjo kundër Interit”.