Flamuri sheshon kontradiktat mes grekëve dhe çamëve në koalicion

10 Prill 2012, 19:20Antena TEMA

Çimi i Çamëve më në fund vendosi të flasë. Lexoi nëpër gazeta që disa grekë të Shqipërisë kishin qenë në një konferencë me disa grekë të Greqisë dhe kishin folur për sherret në Jug të Shqipërisë, dhe vendosi të reagojë. Bëri shpejt e shpejt një deklaratë kundër atyre që tentojnë të prekin integritetin e Shqipërisë dhe të thonë gjoja se në jug të Shqipërisë ka shtetas me origjinë greke. Sapo e lexoi deklaratën, e mori në telefon Flamuri.

-Po çfarë ke bërë mo burrë, i tha. Më mori ky Ksera në telefon tha na ka prish shumë punë ky Çimi.

-Po jo mo, unë s’thashë gjë, nuk e preka me emër, fola në përgjithësi.

-Po po, por e kishte marrë Dule, e kishte përkthyer dhe ua kishte nisur në Athinë me shënimin ja me kë rri në qeveri Ksera. Na vure në pozitë të vështirë.

-Po mire, po e zbus, i tha Çimi i Çamëve, dhe po i bie Dules.

-Jo jo, i tha Flamuri, se forcohet Dulja pastaj dhe ai i çon votat tek Rama.

-Po çfarë të bëj, i tha Çimi i Çamëve, se unë duhet të bëj ndonjë gjë, se po mi merr votat e partisë ky Kreshniku.

-Po ja, bëj një deklaratë mbështetëse për Doktorin, për origjinën tonë turke, tha Flamuri.

-Jo, i tha Çimi i Çamëve, se ne grekët na kanë zbuar duke na thënë se jeni turq dhe e keni vendin në Turqi. U bëjmë qejfin atyre pastaj.

-Po mire, bëj një deklaratë pse Bamir Topi nuk reagon ndaj kësaj konferencës së Vorio Epirit që ka bërë Demokracia e Re, se kam dëgjuar që kështu do t’ia vënë emrin partisë. Me këtë rast e prishim dhe Bamirin me Dulen.

-Po jo, i tha Çimi, se pastaj i ngelet qejfi Doktorit pse kërkoj shpëtimin e Shqipërisë nga Bamiri.

-Atëherë duhet të ulemi, i tha Flamuri. Unë propozoj një takim tripalësh, ju si çam, këta minoritarët dhe Doktori, dhe të vendosim si t’i koordinojmë qëndrimet.

-Keq e kemi, tha Çimi i Çamëve, se unë do mbroj Çamërinë, grekët Vorio Epirin, Doktori origjinën turke, dhe s’na ngelet njeri, kush do e mbrojë Shqipërinë.

-Problemi është të takohemi një here, tha Flamuri, se fundja Shqipërinë e mbroj dhe unë.

Kështu u bë. U ulën më në fund në një tryezë Doktori, Ksera, Çimi i Çamëve dhe Flamuri.

I pari foli Doktori.

-Tani zotërinj ju e dini se jemi një nga popujt më të lashtë në këto troje, që nuk na e vë njeri në dyshim origjinën tonë ilire, që jemi pellazgë dhe që siç dihet, fiset turke ishin krushqit tanë….

-Me falni, i tha Ksera, ne nuk jemi ilirë..

-Unë, me sa kemi dëgjuar, jemi epirotë të vjetër, tha Çimi i Camëve, por kemi dhe përzierje me trakë.

-Unë, me sa di nga të parët, jemi sllavë të myslymanizuar, tha Flamuri dhe në fshatin tonë i thonë goranë.

-Shiko, ju kam thirr me forcue koalicionin dhe jo me diskutu  për histori, u tha Doktori. Kush sjell 15 mijë vota bëhet ministër, kush sjellë 10 mijë vota prej jush, bëhet zëvendësministër, kush sjell 5 mijë vota bëhet drejtor patentash, kush sjell më pak do ketë punë në shtet. Tani vazhdojmë diskutimet për origjinën tonë.

-Unë mendoj se jemi të gjithë vëllezër, tha Çimi i Çamëve. Armiqtë tanë duan të na fusin në sherr.

-Ne, minoritari dhe çami jemi vëllazëri, se jemi rritur si grek, tha Spiro i kënaqur.

-Epo takimi ja arriti qëllimit, tha Doktori. Tani dilni dhe bëni nga një deklaratë kundër njëri-tjetrit të mblidhni vota dhe mos harroni shkallëzimin, me 5 mijë drejtor, me dhjetë zëvendësministër  dhe me 15 ministër.

-Të jap fjalën Doktor që nuk bëjmë m  sherre, i tha Çimi i Çamëve.

-Edhe ne të japim fjalën, i tha Spiro.

-Hajt ta gëzojmë koalicionin, tha Flamuri i kënaqur.

4 komente në “Flamuri sheshon kontradiktat mes grekëve dhe çamëve në koalicion”

  1. Vlora says:

    ha ha ha corbe e vertete derri…………

  2. levizja came says:

    burratina, butheca!

  3. alban says:

    hahahahahah e papare, o njerez kshu ndodh ne politike jane ne rregull me njeri tjeterin ata, ne nuk jemi ne rregull

  4. Kanina says:

    Dicka eshte tentuar te thuhet, por me duket pak i sforcuar ky lloj humori….Camet, kushdo qofshin, jane shqiptare, e nuk jane as greke e as gorane……

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje