Pak ditë më parë në familjen tonë në Memaliaj, erdhi për vizitë një italian, mik i babait tim gazetar. Kthehej nga zona e jugut, pas një vizite turistike në Sarandë, Gjirokastër, Përmet, Tepelenë.
Pyetjes tonë (pothuajse) familjare: – Si ia kaluat në jug, miku italian iu përgjigj: – Zakonshëm, si udhëtar e jo si turist!
– Pse, – e pyetëm përsëri.
Ai u përgjigj: – “Sepse kudo që shkova në të katër rrethet e jugut, nuk gjeta asnjë referim dhe guidë turistike, as atje ku zbrita, as atje ku pyeta, as atje ku fjeta, as atje ku u ushqeva, as në objektet ku shkova për vizita, madje as në mjediset publike nuk më zunë sytë ekspozime me stenda të vendeve turistike. Të gjithë hotelet, muzetë, vendet historike e turistike i kam gjetur me të pyetur rrugës, kur ecja, duke m’i treguar e më ndihmuar njerëzit bujarë të zonës së jugut”.
Kjo që na tha miku italian në familjen tonë, ekziston si mangësi pothuajse e plotë në sektorin propagandistik turistik të zonës së jugut, në të katër rrethet Tepelenë, Përmet, Sarandë, Gjirokastër. Institucionet që merren me turizmin në këtë zonë, nuk kanë guida me harta, të dhëna e pamje turistike për objektet apo mjediset turistike natyrore të zonës. Vizitorët e turistët gjenden në vështirësi për t’u orientuar për informacionin që kërkojnë, mbasi nuk u ofrohet me afishime publike, ose zyrtarisht me libra, revista, albume e fletë-palosje. Që një danez, amerikan, italian, francez etj, të shkojë për vizitë në “Antigone” të Gjirokastrës, duhet të pyesë rrugëve nga duhet të kalojë e ku të futet, sepse mungojnë madje dhe tabelat orientuese për këtë gjë. Madje dhe Kalanë e Gjirokastrës do të ishte vështirë ta gjeje, nëse ajo nuk do dukej nga të katër anët e qytetit, mbasi mungojnë tabela-hartat orientuese për të shkuar atje. Kështu ndodh me vendet turistike dhe objektet muzeale në Gjirokastër, në Sarandë, Tepelenë e Përmet. Duhet të marrësh udhërrëfyes psh, që të shkosh në vendlindjen e tre vëllezërve Frashëri. Duhet të paguash ndonjë udhërrëfyes privat psh, që të gjesh shtëpitë e njohura muzeale karakteristike të Gjirokastrës. Duhet të gjesh e të pyesësh “ciceron” privat, për të mësuar pak të dhëna rreth vendlindjes Beçisht të Ali Pashë Tepelenës dhe rreth Kalasë së tij, apo veprave e historisë që ai ka krijuar e ka lënë si monument kulture në zonën e Tepelenës. Kjo vështirësi, që në gjuhën e turizmit quhet mangësi funksionimi, krijohet vetëm për shkak të mungesës së guidave orientuese. Kur shkon në zyrat e prefektëve, të kryetarëve të bashkive e komunave shikon panorama sa një faqe muri, me pamje nga qytetet, nga objektet historike e mjediset turistike të zonave përkatëse, por nuk gjen qoftë edhe një libër, një revistë, një fletë palosje, një poster, një hartë treguese e shpjeguese me pamjet dhe të dhënat e vlerave turistike, të cilat pse jo, duhet të informojnë deri dhe për çmimet e fjetjes në hotele, për çmimet e biletave të udhëtimit, për çmimet dhe menytë e ushqimit në çdo pikë të tillë. Këto informacione mungojnë dhe në agjencitë e specializuara turistike shtetërore. Psh, nga miku ynë gazetar italian, mësuam skandalin (turpin) që Saranda dhe zonat e saj, nuk kanë një guidë zyrtare të plotë e të specializuar fotografike dhe informative. Në Gjirokastër, kjo guidë thuhej se “ekzistonte” por nuk e dinin se ku e kishin magazinuar! Në Tepelenë e Përmet, as që bëhet fjalë fare për guidë të tillë. Madje në Tepelenë, kur i pyet, të thonë: Ja ku është Kalaja, çfarë doni më tepër?! Ndërsa në Përmet, kur pyet për guidën, të thonë: – E ç’na duhet guida, kur Grykën e Këlcyrës dhe fshatin e frashërllinjve e dinë edhe kalamajtë e çerdhes! Institucionet që e kanë detyrë këtë gjë, nuk janë vënë në lëvizje për të krijuar një mundësi të tillë informimi e orientimi për turistët. Gjithë veprimtaria e tyre është mjaftuar me parulla e thirrje shabllone: “Vizitoni Sarandën”! “Hajdeni në Gjirokastrën tonë historike”! “Ejani në Përmet, ju ofrojmë vlera turistike e mikpritëse”…
Mirëpo turisti pyet: – Përse duhet të vij në Sarandë, në Gjirokastër, në Tepelenë, në Përmet? Na thoni çfarë ka e ku janë dhe po vijmë!
KOMEDI;as artikullshkrusja injorante as turisti nuk epaskan idene e internetit.Mero pse boton te tilla shkrime?
Nuk eshte komedi por eshte per te qare ne fakt…dhe me vjen keq qe dikush mendon qe turistet duhet te perdorin internetin per te pare bukurite e vendit tone, ne vend qe ne vete t’ua servirim. Si kushton asnjegje asnje bashkie te beje disa flete palosje te thjeshta per te informuar turistet dhe jo vetem ata po dhe neve qe banojme aty, qe mezi orientohemi vete ne Shqiperi. Dhe nuk duhen kthyer syte nga botuesi se keshtu kemi per te ngelur ne vend numero ose do ecim mbrapsht, po duhet te fillojme te reflektojme……
vertet qe ka shum pak ciceron ne Shqiperi , e gjith katrahura behet nga agjensit Turistike