Topi: 100 vjetori i Pavarësisë festohet vetëm duke forcuar institucionet

28 Prill 2012, 17:28Politika TEMA
Topi: 100 vjetori i Pavarësisë festohet vetëm duke forcuar

Presidenti Bamir Topi, ndërsa ka qenë i pranishëm në fshatin Kuç të Vlorës, ku ka dekoruar patriotin Zenel Hito Gjoleka, në 160 vjetorin e vdekjes së tij, ka thënë se 100-vjetori i Pavarësisë mund të festohet vetëm duke forcuar shtetin dhe institucionet.

“Ceremonia e sotme vjen në një kohë me rëndësi për Shqipërinë dhe shtetin shqiptar. Viti 2012 shënon njëqindvjetorin, – një ngjarje jubilare e cila meriton të gjithë vëmendjen, mbështetjen dhe respektin e duhur. Nderimi bëhet duke evokuar të kaluarën kombëtare, bijtë e bijat që lanë emrat e tyre në memorien tonë kombëtare, ngjarjet e mëdha që na bëjnë të jemi krenarë, por edhe duke reflektuar për të nxjerrë në pah detyrimin madhor që brezat e sotëm i kanë kësaj trashëgimie historike.

Duke respektuar shtetin dhe forcuar institucionet, duke njohur ligjin dhe treguar bindje ndaj tij, duke u dhënë fund çdo praktike të gabuar që e sheh politikën dhe shtetin si burim fitimi, abuzimi apo demagogjie, pra duke marrë vendime për qytetarët, me qytetarët dhe në interes të plotë publik e kombëtar, – vetëm kështu politika dhe shtetarët tanë i bëjnë respektin e merituar përvjetorit të krijimit të shtetit shqiptar. Ky është apeli im për politikën në këtë ditë të shënuar të respektit për një simbol të qëndresës, kurajës dhe patriotizmit,” tha Topi.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit presidencial përkatës, Presidenti Topi nderoi me Urdhrin e lartë “Nderi i Kombit”, patriotin kuçiot Zenel Hito Gjoleka (Pas vdekjes), me motivacionin: “Udhëheqësit të shquar të kryengritjeve popullore antiosmane të Shqipërisë së Jugut, në vitet 30-40 të shekullit XIX, që ishin prelud i Lëvizjes Kombëtare dhe që ruajtën e gjallëruan më tej ndjenjat kombëtare të popullit, deri në formimin e shtetit shqiptar; luftëtarit trim që dha jetën heroikisht, në mbrojtje të trojeve shqiptare”.

Dekorata iu dorëzua përfaqësuesit të familjes Gjoleka, stërnipit të Zenelit, zotit Besfort Gjoleka, i cili u shpreh: “Në emër të familjes sime, më lejoni t’ju përcjell falenderimet për të gjithë pjesëmarrësit që ndodhen sot këtu, organizatorëve të kësaj veprimtarie dhe sigurisht, falenderimet më të veçanta për Presidentin e Republikës, zotin Bamir Topi, i cili më në fund, pas njëzet vjet demokracie, nderoi dhe dekoroi Zenel Gjolekën me titullin që figura e tij e meritonte më së shumti, atë të “Nderit të Kombit”.”

Më herët Kryetari i Shtetit vendosi edhe një kurorë me lule në monumentin e sapongritur të Gjolekës, vepër e skulptorit Zeqir Alizoti, u zhvillua ceremonia e dekorimit të komandantit të forcave kryengritëse të zonave midis Kurveleshit, Çamërisë, Delvinës, Gjirokastrës dhe Vlorës, Zenel Hito Gjolekës, për rolin e rëndësishëm në bashkimin e shqiptarëve si një tërësi etnike me interesa të përbashkëta, pavarësisht nga feja e krahina, në fillim të shekullit XIX ku përshëndeti edhe njëri prej komandantëve të UÇK-së, ish-Kryeministri i Kosovës dhe aktualisht Ministrit i FSK-së, Agim Çeku duke theksuar se: “Shekulli XXI është shekulli i shqiptarëve me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, hyrjen e Shqipërisë në NATO, liberalizimin e vizave, prandaj integrimi euro-atlantik është interes kombëtar.”

Në fund, Presidenti Topi ndoqi një koncert folklorik me interpretime karakteristike të zonës nga grupet e këngëve popullore polifonike të Labërisë e të trevave të tjera shqiptare, si dhe të artistit të shquar të artit skenik Mirush Kabashi dhe të Kastriot Tushës.

4 komente në “Topi: 100 vjetori i Pavarësisë festohet vetëm duke forcuar institucionet”

  1. Dean says:

    Nuk ”forcohen institucionet” per 6 muaj,o i nderuar President.
    Ne kemi Infeksion ketu,ti me thua na 1 Aspirine.
    Eshte histori e vjeter kjo,o i nderuar President,por ti nuk e kupton dot pasi edhe ti vete ke Ndihmuar ne zhberjen e Institucioneve ne Shqiperi atehere kur erdhe me ”Vota” te bleme ne Tregun qe quhet POLITIK.
    Lene me mire ate muhabet,o President,se nuk je i moralshem sa duhet me dhene Opinione.

  2. Ramy says:

    ky flet me heshtjen e tij
    ha fara lule dielli ha

  3. ilir says:

    Zoti President! Shume mire ben qe nderon figura te shquara te shqiptarise. Kemi nevoje per te pare te shkuaren tone dhe te krenohemi me te. Por meqe mbarove me Zenel Gjoleken, hidhu nje here ketej nga Mallakastra, se Zeneli luftoi se bashku me trimin Rrapo Hekalin, nga nje familje e madhe jo vetem e Mallakastres, por edhe e gjithe Shqiperise!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje