Çarja e shekullit që nuk ka përfunduar

2 Maj 2012, 20:20Blog TEMA

Nga Albin Kurti

 

Në Kosovë, Qeveria nuk synon fare zvogëlimin e papunësisë por rritjen e rrogave për ata që janë të punësuar sa për të zbutur efektin e inflacionit ku kontribuon edhe vetë kjo rritje

 

Kursim e shkurtim apo stimulim e investim? Hayek apo Keynes? Kjo është e njëjta pyetje. Që prej krizës globale financiare të shtatorit 2008, përleshja e këtyre dy titanëve është kthyer në arenën botërore të makroekonomisë.

Për John Maynard Keynes-in thuhet ta ketë lexuar secilin autor të rëndësishëm të ekonomisë. Sot, ai është një autor që s’mund ta anashkalojë asnjë ekonomist. Bashkë me Friedrich von Hayek-un paraqesin dy makroekonomistët kryesorë të shekullit XX. Idetë e tyre dominuan në mënyrë sukcesive përgjatë qindvjeçarit që e lamë pas. Para Luftës së Dytë Botërore dhe sidomos menjëherë pas përfundimit të saj, “Teoria e Përgjithshme e Punësimit, Interesit dhe Parasë” përbënte lektyrën e detyrueshme shkollore të aq shumë qeverive të shteteve perëndimore.

John Maynard Keynes dhe Presidenti i ShBA-ve, Franklin Delano Roosevelt, e kanë njohur dhe ndikuar shumë njëri-tjetrin (në veçanti i pari të dytin). Roosevelt jorastësisht pat thënë në mes të Depresionit të Madh ‘që e vetmja gjë që duhet t’i frikësohemi është frika’. Pa John Maynard Keynes-in nuk do ta kishim New Deal-in e famshëm të Presidentit Roosevelt dhe sigurisht, për pasojë, as famën e këtij të fundit.

Premisa e Keynes-it ishte që të mbahet nën kontroll niveli agregativ i kërkesës me punësim të plotë dhe mundësisht pa inflacion. Qeveria duhet të kujdeset që kërkesa agregative të jetë aty në mënyrë që të vijmë te punësimi i plotë. “Kujdesu për papunësinë dhe buxheti do të kujdeset për veten e tij”, thoshte Keynes. Paralelisht me këtë, shpërndarja më e barabartë e pasurisë e ndihmon rritjen e kërkesës agregative. Më shumë para në më pak duar, paraqesin rrezik më të madh. Shpërndarja më e barabartë e rrit stabilitetin dhe sigurinë si dhe e mban në një pikë më të lartë kërkesën agregative.

Po ashtu, investimi e cyt kërkesën efektive e cila paraqet motorin e ekonomisë dhe mu këtu vie në shprehje roli i shtetit: sigurimi që do të ketë investime sepse tregun e paralizon frika drejt panikut apo plogështia. Te asnjë individ s’mund të llogarisim sikurse te shteti, apo jo? Secili individ mund të veprojë arsyeshëm por kolektivisht mund të humbim nga kjo.

Kursimet e secilit nuk e rrisin kursimin e të gjithëve sepse e reduktojnë kërkesën në tërësi dhe i zvogëlojnë edhe vetë kursimet mandej, përkatësisht vlerën e tyre.

Pra, nëse secili ka sukses, atëherë të gjithë do të dështojmë dhe pastaj edhe suksesi i secilit do të bie. Çka është e vërtetë për pjesët nuk është e vërtetë për tërësinë. Virtyti privat bëhet vesi publik. Nuk mund ta kuptosh dhe as ndërtosh makroekonominë përmes analizave mikroekonomike – induksioni s’na ndihmon.

Kur ekonomia është e nxehtë kursimi është i mirë sepse kërkesën e tepërt e zvogëlon, mirëpo jo edhe kur ekonomia ka marrë teposhtën. Pra, kur ekonomia bie nuk duhet të kursejmë më shumë, por të shpenzojmë më shumë. Çdo kursim ia zvogëlon rrogën dikujt tjetër. Kursimi duhet të ndodh kur kemi tepër, jo kur nuk kemi. Në periudhën e boom-eve janë të mira kursimet dhe rritja e tatimeve, jo në kohën kur ato shpërthejnë.

Lord Skidelsky është në mesin e profesorëve që e ka ringjallur fuqishëm Keynes-in në debatet e viteve të fundit. Rëndësia e ideve në ekonomi, thotë ai, nuk është më pak e rëndësishme sesa interesat e fuqive të mëdha. Mirëpo, nëse shohim historinë atëherë këto dy gjëra shpesh qëndrojnë të lidhura: fuqitë e mëdha dhe idetë dominuese të epokës.

Sipas Keynes-it, ne, thjesht, nuk e dimë të ardhmen prandaj tregjet financiare mund të bien përtokë. Nënvlerësimi i rrezikut bëhet kontribut në rëniet që pasojnë. Ne nuk e dimë çmimin e rrezikut. Përndryshe bankat s’do të kolapsonin. Aksioni dhe vendimi na shtyjnë të sillemi thuajse kemi kalkulim të mirë të rrezikut i cili besohet se njihet. Kështu, ardhmëria shihet si vazhdim i së tashmes. Gabimisht mendohet që mbasi njerëzit besojnë ata duhet të kenë të drejtë.

E vërteta subjektive subjektivisht objetivizohet ndonëse asnjëherë s’është atje objektivisht. Për më shumë se kaq, jo rreziku por paparashikueshmëria është problemi, paparashikueshmëria radikale. E ardhmja deri diku dihet, por jo edhe më tutje se aq. Disa ngjarje kanë gjasa dhe mund të maten e modelohen – rreziqet që njihen konsistojnë në këtë pikë. Mirëpo, ka edhe rreziqe që nuk njihen. Pra, kemi dallimin midis asaj që është e gjasshme dhe asaj që është e pasigurtë. Ajo që është e gjasshme mund të vlerësohet. Në Wall Street, në vjeshtën e 2008-s kishim aso që e dinin që nuk dinë dhe aso që nuk e dinin që nuk dinë. Prej këtij sojit të dytë, që qartazi s’ishin Keynesianë, erdhën pjesa më e madhe e problemeve.

Kur tregjet pësojnë shok, ato nuk vetëkorrigjohen shpejt, por rrudhen, sepse njerëzit nuk shpenzojnë, por kursejnë. Kur bien shpenzimet private të njerëzve, qeveria duhet të injektojë shpenzim shtesë në ekonomi për rigjenerimin e rritjes ekonomike. Stimulet qeveritare u zbuluan prej Keynes-it. Në vitin 1929 qeveritë i kanë balancuar buxhetet duke besuar që kjo do ta kthejë besimin. Mirëpo, ky ishte një besim i gabuar. Pasuan 12 tkurrje radhazi. Recesioni e depresioni nuk ishin dështim i karakterit të njerëzve ose kompetencës së tyre, por dështim i idesë së caktuar. Edhe në shtator të vitit 2008 kishim veçse dështimin e aftësisë së presupozuar vetëkorrigjuese të forcave të tregut.

Në anën tjetër, Friedrich von Hayek ka besuar që kreditimi i tepërt shpie në tejinvestim dhe sjell krizën. Boomi është iluzion, humnera është realitet. Aty duhet pritur deri sa të likuidohen kreditë e këqija, të përzhiten ato. Hayek insistonte që duhet ta ndalim boom-in në mënyrë që ta ndalim shpërthimin. Nëse çereku i tretë i shekullit XX ishte Keynesian, çereku i katërt patjetër që ishte Hayekian.

Përderisa Keynes kishte hall investimet e pamjaftueshme, Hayek brengosej për llojin e keq të tyre. Pra, Keynes përqendrohej te ajo që s’ishte ende, ndërsa Hayek te karakteri i asaj që tashmë ishte. Për dallim nga Keynes që kërkonte që Qeveria të mos ishte dorështrënguar për stimulimet, Hayek shqetësohej se mos kredidhënësit do të ishin dorëlirë për ndërmarrësit tejambiciozë. Borxhet e tepërta dhe investimet e pakta për të dytë qëndrojnë në marrëdhënie kauzale por me kahje të kundërt. Ata kanë zgjidhje të ndryshme sepse i shohin ndryshe gjërat.

Hayek besonte te urtësia sublime e tregut që shpërndan pafund informacione, ndërsa kolegu i tij vjenez, Joseph Schumpeter, thoshte që kapitalizmi duhet të lejohet që ta ripërtrijë vetveten në kuadër të asaj që ai e quante shkatërrim kreativ (një term ky i huazuar prej ekonomisë politike të Marx-it). Kur tregjet bien, nxënësit e Hayekut me në krye Milton Friedman-in, thonë se ka pasur konfuzion ose iracionalitet tek njerëzit. Ata nuk e fajësojnë tregun, por njerëzit. (Në fakt, mund të thuhet se njerëzit e kanë fajin: ata njerëz që besuan në tërë këtë përrallë të mveshur me petkun matematikor. Nobelisti Paul Krugman thotë që bukuria e matematikës u keqkuptua si e vërtetë – u përvetësua një ekonomi sanitare dhe e romantizuar.)

Në vitin 1976, atëherë kur nis epoka që njihet si neoliberalizëm, pikërisht Milton Friedman e merr çmimin Nobelin për ekonomi. Sipas tij, mungesa e furnizmit me para për shkak të gabimit qeveritar e ka shkaktuar krizën dhe zgjidhja është përmbysja e kësaj: inflacioni, shtypja e parave. Neoliberalët më shumë e urrejnë qeverinë sesa inflacionin. Pra, nuk duan masa fiskale por lehtësime sasiore siç e quajnë ata shtypjen e parave (atëherë kur qeveria blen bono prej korporatave dhe institucioneve financiare).

Para neoliberalizimit, rritja e pagave është lidhur me rritjen e prodhimtarisë. Rritja e pagave e ka rritur kërkesën agregative, që i ka kontribuar punësimit të plotë e që më tutje ka krijuar shtysën për investime që e ka rritur prodhimtarinë dhe mandej sërish i ka ngritur edhe pagat. Neoliberalizmi e prishi balansin kapital-punëtorë-qeveri. Bankat e korporatat e mëdha nisën të shkrihen me njëra-tjetrën.

Liberalizimi i derregulluar solli oligopolet kurse globalizimi e zhvendosi ekonominë prej prodhimit te shërbimet, ku sindikatat janë shumë më të dobëta. Mirëqenia u zëvendësua me kredi të kollajshme: edhe kur ka punësim, të gjithë janë në borxhe. Ndryshe nga Keynes që thoshte se tregu (nuk) stabilizohet pa u arritur punësimi i plotë, Friedman konsideronte që inflacioni dhe papunësia ndodhen në një raport të zhdrejtë. Nuk ka nevojë të kontrollohet diçka që vetëkontrollohet, sipas tij. Ajo që duhej bërë ishte çlirimi i forcave të tregut.

Tregjet nuk gabojnë, qeveritë gabojnë; kapitali duhet të jetë i lirë sepse vetë ai dhe vetëm ai na e sjellin kthimin më të lartë. Qeveria është problemi, ndërkaq shoqëria s’ekziston (Thacher). Pra, ashtu qysh Keynes e kishte Roosevelt-in, Friedmani i kishte Ronald Reganin dhe Margaret Thacher (për dallim nga Hayek i cili preferonte t’i evitonte politikanët dhe qeveritë).

Neoliberalët duam kursim. Fokusimi në rrezik i bën konservatorë. Neoliberalët shohin gjithkund rrezik. Edhe paparashikueshmërinë e reduktojnë në rrezik. Jo vetëm në aspektin shoqëror, por edhe në atë ekonomik, duket që sociologu Boaventura De Souza Santos ka plotësisht të drejtë kur thotë se neoliberalizmi nuk është liberalizëm i ri por konservatorizëm i ri.

Keynes megjithatë është më praktik sesa Friedman. Ai s’mund të presë që në një plan afatgjatë përmes tregut gjithçka të rregullohet e të stabilizohet. Fundja, jo pse nuk do të ndodhë kjo, por pse nuk mund të presim derisa kjo të ndodhë. Andaj ajo thënia e famshme e Keynes-it: në planin afatgjatë ne të gjithë jemi të vdekur.

Keynes nuk ka qenë mohues i tregut por i padurueshëm karshi tij. Keynesi nuk ka dashur që t’i shkatërrojë tregjet, por ta bëjë botën dhe tregjet të sigurta për njëri-tjetrin. Madje edhe i ashtuquajturi mbreti nga Çikagoja, Nobelisti Robert Lucas, thoshte që të gjithë ne jemi Keynesianë në zgavrën e dhelprës. Pra, gjatë rritjes ekonomike askush s’dëshiron të jetë Keynesian porse gjatë rënies të gjithë e duan këtë. Andaj edhe Profesori britanik Peter Clarke pyeste se si mundet që për krizën aktuale të thuhet se e shkaktoi qeveria e madhe kur tregu pas dështimit të madh përfundoi te qeveria për shërim?!

E tash, ndoshta gjithë këtë rrëfim mund ta përktheni në Kosovë ku Qeveria nuk synon fare zvogëlimin e papunësisë por rritjen e rrogave për ata që janë të punësuar sa për të zbutur efektin e inflacionit ku kontribuon edhe vetë kjo rritje. Pra, premisa e kësaj Qeverie është që ata të cilët janë të punësuar tashmë të mos bëhen më të varfër dhe, gjithsesi, të bëhen më të dëgjueshëm. Paradoksalisht, edhe Keynes edhe Hayek do të mund të pajtoheshin me lehtësi në qëndrimin e tyre ndaj kësaj Qeverie.

5 komente në “Çarja e shekullit që nuk ka përfunduar”

  1. Dauti Skele, Vlore says:

    Shkrim me vlera, edhe per ne qe pak i njohim makro apo mikro ekonomine dhe drejtimin financiar.
    Sidoqofte, gjeniut tone te financave, Keynes dhe hayek, i vijne anes :p
    http://imazheshqip.blogspot.com/2012/04/celesi-i-suksesit-ekonomik-shqiptar-97.html

  2. beso says:

    u befasova qe A.Kurti mund te shkruaje per tema ekonomike.Komplimente!Me aq pak sa kam lexuar,citohet qe Keynes te kete thene si kunderpergjigje ndaj ekonomisteve dhe perkrahesve te”Dores se padukshme”pra,atyre qe mbeshtesin pa kushte veterregullimin e sistemit ekonomik,gjate kohes se Depresionit:-Per nje kohe te gjate mbase gjerat rregullohen vete,por per nje kohe te gjate ne do kemi vdekur”.Kjo vlen edhe per keto 20 vjet periudhe krizash shume te aferta me njera-tjetren;nuk eshte e vertete qe sistemi ekonomik autorregullohet,pra neoliberizmi thatçerian-reganian nuk eshte nje zgjidhje,por problem;pra e kunderta e saja qe trumbeton reganizmi liberist(shteti nuk eshte zgjidhja,ne mos eshte problemi).

  3. raimondi says:

    Tani ketu ka dicka –Keto krahasime makroekonomike, te Keynes me shoke, per Kosoven por edhe per Shqiperine nuk behen
    Sepse ne jemi ekonomi te vogla shume, te varfera,me baze monetare te dobet fare,
    dhe me kryesorja ne jemi ekonomi te dala nga nje sistem i centralizuar i ekonomise.

    Kjo nenkupton se teorite perendimore po te zbatohen tek ne, ne menyre shabllone jane nje disaster
    Dhe rasti eshte Shqiperia

    Shqiperia dhe Kosova duhet te ndjekin metoden kineze e cila po rezulton shume e drejte –

    Pra gjithe puna eshte tek Privatizmi i aseteve kryesore –Duhen bere apo jo ? Dhe nqs po, si duhen bere ?

    Shqiperia beri gabim , sic beri gjithe Europa lindore duke privatizuar cdo gje , sepse keshtu bente perendimi
    Kjo coi ne shakterimin total te ekonomise se Shqiperise

    Europa lindore vinte nga nje ekonomi e centralizaur dhe duhej t e bente nje privatizim gradual , sic beri Kina.
    Ndermarjet e rendesise strategjike , dmth energjitika, minierat, nafta, sistemet hekurudhore , telefonite celulare etj nuk duhen privatizxuar porse shteti duhet te vazhdoje ti administroje ato

    Nderkaq nga keto ndermaje duhen privatizuar ne fillim ato qe jane jo rentabel ,

    Ndersa per te huajte : atyre nuk u duhet dhene asnje lloj privatizmi nga ndewrmarjet vendase , sepse ato u duhet dhene vendasve.

    Porse te huajte duhen lejuar te investojne ne vend me kapitalet e tyre,
    dhe atyre ju krijon kushte lehtesuese nepermjet taksave qe ti nxitesh per te investuar

    Por gjithmone i huaji duhet te invesojte me kapitalin e tij, jo te vije e te mari asetet e tua nga privatizmi

    Privatizmi i duhet dhene vendasve , dmth duhet te ecesh me parullen franceze te :…Patriotizmit ekonomik_ Kjo eshte aq me teper e domsodshme per ne , qe kemi probleme me fqinjet

    Ne jemi ne fillimet , dhe kemi nevoje qe te investohet dhe te vihet ne pune ajo lloj industrie dhe bujqesie e cila eshte prezente ne vendin tone
    Ne kete drejtim duhet marre shembull ecuria e ekonomise kineze qe eshte mahnitese
    Ekonomia kineze eci me idene qe edhe sektori privat dhe ia shteteror te ecin dore per dore , porse privatizimet duhen bere shume ngadale dhe me kujdes , ne te njejten kohe qe krijon kushte lehtesuese per investimet e huaja

    Une mendoj se Kosova duhet te eci ne kete drjetim qe thashe , dhe jo te bejue privatizme ne sektoret strategjike –Ato duhet ti admninistroje shteti edhe per shume kohe dhe me to paguan buxhetoret,pensionet etj
    Ne te njejten kohe Kosova duhet te krijoje politka nxitese per investitoret e huaj ,si dhe te krijoje politka lehtesuese ne taksa per biznesin kosovar

    Per mendimin tim Kosva duhet te zbatoje taksen e sheshte , sepse kjo takse mblidhet me lehte , dhe ka me pake vend per abuzim –Ne te njetjen kohe i mundeson biznesit te madh te zgjeroje aktivitewtin

    Ne lidhje me teorine e Kejnesianizmit , mendoj se Kosova nuk duhet ta aplikoje , se rit inflacionin dhe rendon buxhetin kur prodhimi ne Kosove eshte i vogel

    Keinesianizmi lindi kur ndersa prodhimi ishte shume i larte ne Angli , kerkesa ne treg ishte shume e vogel –Atehere Keynes doli me teorine qe te riten shpenzimet buxhetore , duke ritur pagat e buxhetoreve dhe pensionet ne menyre qe njerezit te blinin sa me shume ne treg , dhe keshtu prodhimi nuk do ngecte ne vend , por do vazhdonte

    Kjo teori e Keynes bashke me metodat e Fridmanit qe eshte nje monetarist i shkelqyer perdoren ne vende kane prodhim manifaktural te madh dhe qe e prodhojne lekun vete , si psh USA, Anglia etj

    Se psh USA shet dollare –Keta nxjerin dollare ne shtije sa te duan

    Por qe sic thashe keto teori nuk mund te perdoren tek ne , sepse ne e kemi prodhimin manifaktural zero ,dhe leku jone eshte i dobet

    Ne Shqiperi duke qene inflacioni i ulet 1,4 me duket , edhe mund te riten rogat e buxhetoreve , porse Shqiperia ka borxhin e brendeshem shume te larte, ndaj nuk mund te beje asnje nga lojerat e Fridmanit

    Keshtu qe sipas meje Shqiperia dhe Kosova e kane shume te thjeshte —

    Nuk duhet te kopjojne perendimin , por duhet ta zbatojne ate ne menyre krijuese sipas kushteve te vendit tone ( Kosove & Shqiperi jemi nje )

    Kosova ne kete stad tani nuk duhet te beje ritje rogash, por te shikoje mundesite si te nxisi biznesin e vogel dhe te mesem duke studjuar
    mundesite dhe aftesite qe kane njerezit atje per biznes dhe ne te njetjen kohe te krijoje kushte lehtesuese fiskale per investitoret e huaj

    Qeveria kosovare eshte mire te kontaktoje edhe me kinezet, sepse ata kerkojne te investojne ne Europe ne sektorin e infrastrutkures , (ruge , hekurudha etj) , sektorin energjtik, minerar etj

    Zevendes minsitri i jashtem kinez kishte dhene interviste ne New York Times dhe aty ai thoshte se Kina ka suficit ne dollare dhe kekron ti investoje ne Europe, por ne keto sektore qe thashe

    _Pra do ishte shume frytedhenese nje politke per te afruar biznesin kinez ne Kosove . Kjo mund te behet me nje delegacion te politkaneve dhe biznesmeneve kosovare te shkonin per bisedime ne Kine

    Porse edhe njehere doja te theksoja se teorite perendimore kane rezultuar me kosto shume te larte kur ato jane zbatuar ne vendet eurolindore,
    ndaj Kosova do bente mire qe te vepronte me maturi ne sektorin e privatizimeve dhe te mos kopjoje Shqiperine..

    Shkrimi i Albinit eshte shume i mire , dhe tregon qe ai i njef shume mire teorite ekonomike perendimore

  4. Taulant says:

    Nje arsye shume e forte ,pse bashkimi Shqiperi-Kosove eshte urgjent

  5. Heron says:

    Duhet nje barre shkolle ti dish e ti kuptosh keto gjera! Shkrimi i perkryer por audienca eshte tejet e kufizuar per kete lloj shkrimi!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje