Zjarrfikësit e mediave

3 Maj 2012, 21:28Blog TEMA

Nga Brikena Rexhepi

 

Një alarm për zjarr në shtypshkronjën e javores së pavarur Krestyanin, u kishte mjaftuar autoriteteve ruse që ta çonin atje një zyrtar policor të Departamentit kundër zjarreve, i cili pas inspektimit të objektit kishte ngritur dyshime se nuk respektoheshin rregullativat për siguri nga zjarri. Alarmi kishte qenë i rrejshëm, e më vonë u vërtetua që thuajse çdo gjë ishte në rregull edhe me kushtet që objekti duhej t’i plotësonte. Megjithatë, mjaftuan dyshimet për rrezik nga zjarri që të ndalohej shtypja e javores, dhe madje t’i bllokohej edhe ueb-faqja.

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, organizatat ndërkombëtare që e promovojnë atë, nxjerrin raporte interesante për raste të ndryshme të imagjinatës së autoriteteve nëpër vende të botës që t’i kamuflojnë shkeljet e të drejtave dhe lirive elementare të demokracisë.

Rasti i mësipërm përmendet në një raport të CIMA-s me seli në Washington, në kapitullin – Mediet dhe Ligji: çështjet dhe sfidat. Aty, përveç çështjes së dekriminalizimit të shpifjes e fyerjes (debat i tejkaluar në Kosovë – edhe pse ende ka deputetë që ngrenë çështje të tilla), thuhet se autoritetet mund të jenë mjaft inventive sa u përket kufizimeve të tjera alternative ligjore për ta ndëshkuar një medium. Përveç rregullativave të zjarrit dhe disa ideve të tjera origjinale, përmendet edhe hetimi për tatime. “Medie latino-amerikane janë mbyllur pasi që inspektorët qeveritarë kanë gjetur diskrepanca të vogla në regjistrat e tyre financiarë”, thuhet në raport.

Ky rast të sjellë nga Amerika e jugut në Kosovë, dhe të bën të kuptosh se prej nga i ka huazuar idetë kryeministri kosovar. Në njërën prej intervistave të tij për “Kohën Ditore”, kohë më parë, kur gazetarët e patën pyetur për aferat korruptuese të zyrtarëve qeveritarë, Thaçi iu pati përgjigjur: “Sot dëgjova se edhe shefat tuaj kanë probleme me hetime për evazion fiskal”. Pamjet nga një storie të mëhershme televizive teksa ATK-ja po u jepte certifikata paguesve më të rregullt të tatimit – në mesin e tyre edhe shefit financiar të KOHË-s, i jepnin kuptim përgjigjes së kryeministrit. Kur gazetarët e kishin pyetur për hollësi, Thaçi u kishte thënë se po bënte “shaka” dhe se kjo nuk ishte për publik. Por, “shakaja” e tij qe publikuar dhe askush nuk qeshi me të.

Por, përveç alternativave, origjinale apo të kopjuara, Qeveria edhe Kuvendi i Kosovës së fundmi e kanë dëshmuar edhe haptas se e duan kontrollin mbi medie.

I sponsorizuar nga Qeveria dhe i miratuar nga Kuvendi, Kodi Penal me nenet 37 e 38 që shkelin lirinë e medies, ka ngritur shumë pluhur. Madje më shumë se miratimi në të njëjtën seancë i ligjeve për Hoçën e Madhe dhe Prizrenin, “rastësi” kjo që pa dyshim rrjedh nga idetë, origjinale apo të sugjeruara, të kreut të Qeverisë.

Derisa dy ligjet kontestuese tashmë janë shndërruar në lëndë të Kushtetueses, Kodi penal do të dërgohet në Presidencë të hënën për nënshkrim. Aty tashmë gjendet edhe një kërkesë që e kanë dërguar mediet ditë më parë që Kodi të kthehet në Kuvend.

Tash kur gjërat pak a shumë kanë zënë vend, kanë nisur edhe arsyetimet si: “i kam votuar nenet se kam menduar se janë në favor të medieve” apo “nëse ato nuk hiqen nga Kodi penal unë do të jap dorëheqjen”. Përveç kësaj gatishmërie të re të pozitës dhe opozitës për t’i hequr nenet për medie, vijnë edhe sinjalet mbështetëse nga Brukseli dhe nga shtetet e veçanta të BE-së.

Meqë tani të gjithë jemi të interesuar në lirinë e medies, dhe sot është dita ndërkombëtare për këtë, ia vlen që të përmenden dhe kërkohen praktikat më të mira të vendeve demokratike. Dhe disa nga ato janë:

Heqja në tërësi e nenit 37: “Përgjegjësia penale e kryeredaktorëve, botuesve, shtypshkronjësve ose prodhuesve”.

Kjo për shkak se shkelet parimi që të gjithë janë të barabartë para ligjit, duke i bërë vetëm mediet pjesë të Kodit, por jo p.sh. edhe universitetet, partitë politike, OJQ-të, institutet, etj. Është shkelje edhe e dispozitave të Kushtetutës që sigurojnë respektimin e lirive themelore. Nuk përfillen praktikat e vendeve demokratike që bazohen në parimin e vetërregullimit të medieve dhe në etikën, e jo nxjerrjen e ligjeve për medie apo ndëshkimin penal të tyre. Gjatë debateve për këtë nen, mediet janë “paralajmëruar” që nëse hiqen nga Kodi penal, ato do t’i nënshtrohen Ligjit për përgjegjësinë penale të personave juridikë. Megjithatë, shumica e medieve janë të regjistruara si biznese, pra persona juridikë, dhe përfshirja e tyre në Kodin penal asnjëherë nuk i ka përjashtuar ato nga përgjegjësitë e parapara me Ligjin e përmendur më sipër, që do të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm.

Heqja në tërësi e nenit 38: “Mbrojtja e burimit të informatës”, i cili në paragrafin e dytë nxjerr edhe kushte se kur duhet zbuluar burimet.

Kuvendi ka bërë një gjë të mirë kur e ka hequr të tmerrshmen pikë të dytë të paragrafit dy, që, siç e kishte propozuar Qeveria, parashihte ndjekjen penale të gazetarëve që nuk i shpalosin burimet që i zbulojnë keqpërdorimet e zyrtarëve të institucioneve. Por sido që të jetë, me apo pa pikën 2, neni 38 nuk e ka fare vendin në Kodin penal. Me të shkelet neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili garanton mbrojtjen e burimeve të gazetarëve. Përcaktimi i kushteve se kur një gazetar është i obliguar të zbulojë burimin e informatës, prish ciklin e informatës dhe rrezikon lirinë e shprehjes dhe të informimit. Tekefundit, puna e gazetarit dhe medieve është sigurimi i informatave që përbëjnë lajm dhe publikimi i tyre, e jo lehtësimi në ndjekjen e personave që kanë informata.

Futja në Kodin penal të një neni që inkriminon personat që shkelin lirinë e shprehjes.

Për këtë mund të ndiqet shembulli i Kroacisë, vendit që krejt rishtas ka nënshkruar Traktatin e anëtarësimit në BE. Kodi penal i këtij shteti, në nenin 107 për lirinë e shprehjes i ka dy paragrafë: “(1) Kushdo që e mohon ose e kufizon lirinë e fjalës apo paraqitjen publike, përfshirjen e kompanive, fondeve apo institucioneve në komunikimin publik, lirinë e shtypit apo mediumeve të tjera të komunikimit, dënohet me gjobë ose me burgim jo më shumë se një vit”; dhe “(2) Dënimi i njëjtë, siç referohet në paragrafin 1 të këtij neni, do t’i jepet personit, i cili urdhëron ose zbaton censurë ose ia mohon apo ia kufizon gazetarit qasjen në informata; ose lirinë e tij për të raportuar, përveçse kur bëhet fjalë për sekret shtetëror, ushtarak apo zyrtar”. Kjo do të siguronte edhe zbatimin e Ligjit për qasje ne dokumentet publike, i cili është bërë me qëllim të avancimit të transparencës e që aktualisht është një ndër ligjet që më së paku zbatohet në Kosovë.

Në botën e komunikimit, të informatës e teknologjisë, shtrirjes marramendëse të rrjeteve e medieve sociale, tendencat për të kufizuar e kontrolluar nuk kanë më kuptim. Përpjekjet e qeverive të hapura dhe të organizatave ndërkombëtare me renome në fushën e mediumeve, shkojnë kah përfshirja dhe profesionalizimi i të gjithë qytetarëve që dita- ditës po ua marrin mediumeve tradicionale “monopolin” e përhapjes së informatës. Një qeverie e kuvendi si këta tanët, do t’i duheshin burgjet e Kinës për t’i rehatuar qytetarët e vet nëse ngulin këmbë që gazetarët të ndëshkohen me Kod penal.

Derisa institucionet tona vërtet ta kuptojnë këtë, është mirë që mediet kosovare të sigurohen që i respektojnë rregullativat për siguri nga zjarri, sepse tash pas publikimit, ideja e autoriteteve ruse mund të huazohet lehtë.

Kujdes nga zjarrfikësit!

1 komente në “Zjarrfikësit e mediave”

  1. Zhelefina Topalica says:

    A e din ti maj ca ka than Sali Bërisha?
    Adhe un e pelçej shum pjeshken
    http://imazheshqip.blogspot.com/2012/05/adhe-un-e-pelcej-shum-pjeshken.html

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje