Ky fund kampionati në Itali po shënon një sërë lamtumirash. Më u fundit është trajneri i Romës, Luis Enrike, që, pavarësisht dëshirës së drejtuesve dhe lojtarëve që të vazhdonte të qendronte, ka bërë të ditur se do të largohet. Spanjolli ua ka bërë të ditur vendimin lojtarëve gjatë stërvitjes së sotme.
“Nuk do ndihesha mirë që të largohesha për pushime dhe të rikthehesha sërish këtu, ku nuk kam dhënë 100%. Për mua largimi është një humbje e madhe, por nuk arrita dot që të transmetoja atë që dëshiroja. Ju kërkoj falje që nuk arrita të kthej në rezultate punë tuaj”, ka thënë Luis Enrike në fushën e stërvitjes së Romës, ku ka qenë i rrethuar nga të gjithë futbollistët.
Pavarësisht pritjeve të shumta, Roma bëri një sezon të dështuar këtë vit, dhe jo vetëm që nuk do të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm, por rrezikon edhe Ligën e Europës. Me shumë mundësi, trajneri i ardhshëm i kryeqytetasve do të jetë portugezi i shkarkuar nga Çelsi, Andres Vijas Boas.